Mënyra më e mirë për të urryer letërsinë është ta studjosh në shkollë - vjedhur në internet
Arka e Noes u ndërtua nga një amator, ndërsa Titaniku u konstruktua nga profesionistë - vjedhur në internet
Si shëmbull se njerzit paragjykojnë aq sa të mos vënë re edhe evidencat më konkrete, sjell një video të ndeshur rastësisht në jutub tani vonë në kohën dembele të karantinës:
Përmbledh shkurt përmbajtjen e videos edhe për kë nuk ka afërsi me gjuhën:
Gazetari i njohur Feltri tregon se këngautori Gaber, me të cilin kishte miqësi, i pati rrëfyer një hall që e mundonte sa më s’bëhej. Gaber punonte si llogaritar, dhe kishte shumë dëshirë të diplomohej për filozofi (e kuptueshme kompleksi i inferioritetit të teknikut të mesëm, sidomos për ata që e kanë jetuar atëbotë), por nuk i dilte koha të punonte, të bënte familjarin dhe njëkohësisht të studjonte në universitet për filozofi. Ishte regjistruar në këtë fakultet, por nuk ja dilte dot ta ndiqte për mungesë kohe, kështu ambicja për studim në filozofi i ishte bërë një fiksim që e mundonte shumë, e nuk dinte si t’ja bënte. Feltri i tha që nuk ka asgjë të keqe të jesh me zanat llogaritar, e pastaj të mos e vriste shumë mëndjen sepse nga të gjithë çmimet Nobël italianë për letërsi, vetëm Pirandello ishte me diplomë, ndërsa të tjerët: Montale, Grazia Deledda dhe Quasimodo ishin teknikë të mesëm. Po njësoj pa diplomë ishin edhe personazhë të tjerë me rëndësi: D’Annunzio, Guglielmo Marconi, Benedetto Croce. Sigurisht Gaber nuk i dinte këto çudi, si nuk i dinë të tërë intelektualët e shquar dhe të pashquar ngado qofshin, e për tu siguruar në darkë konsultoi enciklopeditë. Pa me habi se ishte e vërtetë. E mori në telefon Feltrin për ta falenderuar që e kishte shpëtuar nga një makth i vërtetë, dhe se kishte vendosur ta bënte sikter filozofinë dhe diplomën. Feltri në fund të muhabetit në video thotë se ndjehej i kënaqur që kishte shpëtuar nga makthi një personazh si Gaber. Nuk e di pse Feltri e lë me kaq, ndoshta për përvujtësi - megjithse nuk është tipi -, por mund të mburrej fare mirë se ai u bë shkas që Gaber të ndiqte karrierën e duhur për dhuntinë e tij. Nëqoftëse Gaber do të diplomohej për filozofi, me shumë mundësi Italia do të kishte një të diplomuar më tepër, por një gjeni më pak.
Tjetër evidencë e ngjashme e pa vënë re: shkrimtarët dhe poetët më të famshëm italianë të shekullit XX kanë studjuar dhe praktikuar zanate jo mirfilli humanistë:
Eugenio Montale: llogaritar (çmim Nobel)
Salvatore Quasimodo: gjeometër (çmim Nobel)
Grazia Deledda: e edukuar nga nëna e saj dhe autodidakte (çmim Nobel)
Italo Svevo: nënpunës tregëtie
Umberto Saba: agjent tregtar
Giuseppe Ungaretti: përfaqsues tregtar
Gadda: inxhinier
Primo Levi: kimist
Calvino: regjistruar në fakultetet të agronomisë
Elio Vittorini: teknik ndërtimi, tipograf
Leonardo Sciascia: shkollë e mesme pedagogjike, nënpunës në Koncernin Agrar
Me sa duket se mjeti më i mirë për të marrë çmimin Nobel për letërsi dhe pasur sukses në krijimin letrar është të bësh teknikun ose burokratin (aq më tepër llogaritarin e parave sipas listës), dmth të kundërtën e idesë standard që ka intelektuali i modh për zanatin e krijuesit. Aq më tepër në Itali, vëndi i trashëgimisë së kulturës humaniste për të gjithë botën. Dyfish më tepër që Reforma Gentile (quajtur nga Musolini “reforma më fashiste”, aprovuar në vitin 1923 dhe mbetur në fuqi deri në vitin 1962), i dha prioritet kulturës klasike humaniste duke vënë në themele të arsimit Liceun Klasik, ku ndër të tjera lëndë mësohet greqishtja e vjetër dhe latinishtja. Akoma diskutohet në Itali nëse trashëgimia humaniste (inerci e Reformës Gentile) është një bekim apo një një mallkim që e lë vendin të prapambetur në lavdinë e të kaluarës umaniste që nuk ekziston më, ndërkohë që jetohet në epokën e zhvillimit industrial dhe teknologjik, madje post-industrial dhe post-teknologjik. Ma një fjalë konflikti midis dy kulturave, umaniste dhe shkencore, temë për të cilin kohë më parë kam shkruar, por nuk mund ta linkoj sepse fatkeqsisht arkivi i Peshkut të Vjetër nuk ekziston më.
Konflikti manifestohet qartë tek Mikelanxhelo Antonioni, i cili, meqë i diplomuar për ekonomi(1) qahej:
Nuk më ndahet kurrë brenga që asnjëherë nuk munda të kryej studime letrare.
Por e ka kot që qahet, madje duhet të mburret që ka studjuar ekonomi, sepse gjenialiteti vizionar rilindës i Antonionit, i njëjtë me të homonimit të tij të epokës së Rilindjes italiane, në përshkrimin e hapsirave të imazheve të reja urbane dhe industriale në kohën e bumit ekonomik të viteve 50-60, nuk është pa lidhje me vizionin ekonomik modern, të cilën dashje pa dashje e ka thithur përgjatë studimeve universitare.
Kjo e bën Antonionin superior edhe nga kundërfigurës së tij Fellinit (në fillesë me zanat gazetar i regjistruar në Fakultetin Juridik), i cili, mënjëanë gjenialitetin dhe estetikën e tij superiore, zvarritet ende në të kaluarën mitike, onirike, fetare, megjithse duke e parodizuar atë si rëndom në post-krishtërim.
Nuk tejkalohet një sistem, regjim apo vizion i vjeter, as duke ju kundërvënë dhe as duke u tallë më të, por duke sjellë një vizion të ri. E një vizion i tillë nuk vjen nga shkolla që është thjeshtë një institucion me mur e tulla, si edhe Kisha e çfardo intstitucion tjetër.
(1) Gjysma e regjizorve të epokës së arte të kinematografisë italiane, kanë studjuar dhe ushtruar zanate jasht sferës letrare humaniste. Pak prej tyre janë diplomuar në letërsi e filozofi, shumica, për arsye të ndryshme, vetëm janë regjistruar në këto fakultete, ose vetëm kanë ndjekur leksione pa dhënë provime, ndërkohë që punonin si gazetare, kritikë filmi, skenaristë, ose në pozicione të ndryshme në set-et e regjizorëve të tjerë duke bërë gavetën, derisa ja kanë marrë dorën punës për të punuar si regjizorë më vete.