Cilin do më tepër, mamin apo babin?

Nuk jam e zonja të pres. Pritja pa ditur ishte paftësia më e madhe e jetës sime. Në qendrimin pritës, kam pasur hapësirën për të ndërtuar skela të mëdha të kuptimit, dhe dhjetë minuta më pas për t’i bërë të shëmben, nga vetë dora ime. Pastaj të rifilloj përsëri nga një pikë çfardo, të korrigjoj synimin me disa centimetra për ta bërë konstruktin e imagjinuar më të fortë. Duke e parë përsëri të rrëzohet. […] Nuk di të pres dhe nuk dua, në qendrimin pritës përbindëshat marrin formë dhe rriten, hanë orët që të rriten dhe të më hanë - Valeria Parrella, Hapësira e bardhë

Saktë e njëjta gjë ndodh me njerëzimin duke pritur që të vijë Apokalipsi.

Është turp të jesh njeri,dhe është akoma më turp të bësh sikur të mos e vesh re me hipokrizi një gjë kaq tepër evidente. Por turpi më i madh dhe poshtërsia më e madhe është e intelektualit të shquar postmodern që, në rastin më të mirë, mjaftohet me vetëm venien re me keqardhje e duke mos lënë mundësi shpëtimi të konsiderur si tipar prototip i diktaturës moderne dhe obskurantizmit mesjetar. Ndërsa në rastin më të keq intelektuali i shquar zhyt feçkën me kënaqësi në llumin e turpit të së qenurit njeri.

-Po flet dëngla, dashuria për të të bëri të kuptosh se çfarë tradhtari je, sepse për njeriun e rënë dashuria ideale është baraz me tradhtinë e vërtetë. Kalohet nga një grua tek tjetra, nga një dashnore tek tjetra dhe ndjenja e dashurisë është po e njëjta, sepse dashuria e rënë është tradhtia si gjendje shpirtërore e përhershme. Asnjëri nuk do tjetrin, madje nuk do as vetveten, njeriu do vetëm dashurinë, dmth njeriu do vetëm tradhëtinë.

(nga Ditar i një fuksi)

Sipas pragmatistit amerikan Emerson, të gjithë metafizikët gjerman (dmth evropianë) vijnë rrotull si kali në lëmë rreth “pyetjes së Hamletit”. Nëse për Hegelin, “philosophieren ist spinozieren”, për Emersonin filozofimi i mendimtarëve gjermanë do të ishte “hamletieren”. Prej atëherë ka rrjedhur shumë ujë poshtë urës së Lanës, “hamletieren” degradoi në “leopardieren” me filozofët ekzistencialistë, dhe së fundi me postmodernët stil Hajdeger e Lacan në “futjapordhieren”.

Dikur të gjitha rrugët të çonin në Romë, ndërsa në bashkëkohësinë postmoderne të çojnë tek labirinti, hyn dhe s’del dot sepse ke hyrë andaj nga ke dalë.

Hymë në një fabrikë çimento, megjithse të gjitha toroxhilet e mekanizmave vërtiteshin, xhan xhin vërdallë, vetëm kamionistë si kuklla mbi kamiona që ngarkoheshin në silosë të telekomanduar. Dukej toka si planet i huaj i banuar nga automatë dhe robotë, heshtje absolute njerzore, klasa puntore nuk ekziston më, Revolucionin do ta bëjnë robotët.

(nga Ditar i një fuksi)

Aforizma është një përbindësh gjuhësor me dy krerë, dy gjysëm të vërteta që krijojnë dy gënjeshtra në drithëritje të vazhdueshme dialektike.

Haraçi për të qenë dikushi në shoqëri është të bësh antikomunistin në vëndet ishkomuniste, nën shembullin e marifetçijve antinazifashistë në vendet ishnazifashiste.

-Një këshillë që e zbatoj edhe vetë: nëse takon një person tepër të lidhur me mamanë që mban për koqe maskarai babanë, ruaju! Eshtë artisti i modh, çfar nuk pritet prej tij. Nëse je vetë personi në fjalë, atëherë ruaju vetvrasjes.

(nga Ditar i një fuksi)

E vërteta politike e të majtës dhe të djathtës.
Dy gjysëm e vërteta për hesap të tyre nuk bëjnë një të vërtetë dhe as një rrenë të plotë, por bëjnë një rrenë e gjysëm. Prandaj historia sa vjen e mufatet vetiu, vetëzgjerohet si kozmosi.

Come l’indovino fa indovinelli che neanche lui sa indovinare, come profeta fa profezie profetizzate nel passato.

Eshtë i lumtur, mbret qoftë apo fshatar, kush rron në paqë në shtëpinë e tij - Gëte

Frojdi e plotësoi thënien e Gëtes duke thënë: “Uni nuk është zot në shtëpi të vet.

Sa herë që ndihej i trishtuar drejtohej instinktivisht ose drejt frigoriferit të përtypte diçka ose drejt bibliotekës të lexonte diçka - zorrët e stomakut ngjajnë tëpkë me rrudhat e trurit. Nga për ku drejtohej, kuptonte llojin e trishtimit dhe shkakun: eros ose thanatos, sipas rastit.

(nga Ditar i një fuksi)

Nëse intelektualin e shquar demokrat e quan “bir kurve” zemrohet dhe thotë: “Ç’punë kam unë me nënën time; çdonjeri ka përgjegjsinë e tij individuale?!”. Nëse i thua që mamaja e tij është kurvë, për të njëjtën arsye, nuk e ka problem fare.

Mori kthesën pa parë që i preu rrugën një makine që shkonte me shpejtësi, ishte hera e fundit që nuk pa, para se të mos shihte asgjë më.

(nga Ditar i një fuksi)

Të qenit i vetëdijshëm deri në fund paralizon. Disa gjëra më mirë të mos i dish që t’i bësh.