Cilin do më tepër, mamin apo babin?

Fotoja e shkrimit, e ndeshur rastësisht në web, më kujtoi fëmijrinë e herëshme në plazhin e Durrësit, në rërë ndeshej vende-vende ky lloj zambaku (zëmbaku i detit), veçanërisht në zonën gjysmë të shkretë pa gabina plazhi midis Hekurudhës dhe Ilirisë. Ndërsa në plazhin e Bllokut pa këmbë njeriu vërdallë, ndarë nga Iliria nga një gardh druri shtrema-shtrema, rëra ngjante me një arë ku kultivohej zëmbaku në fjalë, e prej ku flladi i erës hera herës sillte dampfe parfumi zëmbaku. Nën zëmbakët shëtisnin buburrecë të zinj që linin pas në rërë gjurmë kalimi, të ngjashëm me zinxhirë tanksi, që kryqzoheshin në mes tyre. Atëbotë ekzistonte loja fëmijrore të duroje sa më tepër gudulisjen e padurueshme dhe pak të frikëshme të buburrecit mbajtur në dorë grusht mbyllur. Në fund të gardhit ndarës të zonës së Bllokut ku rëra fillonte e lagej nga vala, bënte rojë një ushtar i gardës, figurë absurde e kopsitur, skuqur dhe djersitur nga vapa, me kallashnikov në dorë ruante Edenin e Udhëheqjes, krejt i shkretë si në ditën e parë të krijimit të botës. Bënte përjashtim ndonjë siluetë melankolike e vetmuar e ndonjë vajze blloku që çapiste shpërfillëse valët e bregut të detit, si Afërdita e sapo dalë nga guacka, veshur me kostum banjo elastike të jashtme made in, ndryshe nga qillotat popullore prej basme të NILRG-së që rrinin si poture në zonat erotike femërore. Kjo siluetë e bënte më të shkretë e më të vetmuar pesiazhin.

E mu aty ku dikur lulzonin zëmbakët, sot sheh bishta filtrash cigareje të pështyra mbi rërë, e nga të hedhësh sytë sheh vetëm bythë në pozicione të ndryshme, vetëm mish kasapi e muskuj kamasutra, kurrgjë tjetër!

Në Itali situata paraqitet diçka më ndryshe, zëmbaku i detit është shpallur specie e mbrojtur, rrezikon gjobën po ta këpusësh, prandaj e gjen akoma në plazhet e Sardenjës dhe në skaj të çizmes së Jugut mesdhetar. Por në Itali ndesh çudira të tjera, psh, sapo kisha mbërritur në mërgim, duke shëtitur maleve e kodrave, pashë një Vespa, akoma në gjëndje të mirë (të paktën si llamarinë), të hedhur përmbys në mes të shkurreve majë një kodre, kilometra larg asfaltit. Një zot e dinte se ç’donte Vespa aty, instiktivisht ngrita sytë nga qielli mos e kishin hedhur gjë UFO-t.

Herë pas here e ndesh qytetrimin në natyrën e virgjër pa frymë njeriu vërdallë në formën e një një palë shapka plastmasi ose një top futbolli mes barishteve. Kjo me siguri vepër e një psikopati, por të njëjtën psikopati e kam ndeshur në formë të insitucionalizuar në rastin e një eskursioni të organizuar në grup në një bjeshkë 2000 metra mbi nivelin e detit. Në grup ishin edhe familjarë me fëmijë, të cilët e kishin eksperiencë të parë malore në jetën e tyre. Rrugës për në rrafshnaltën e bjeshkës ndeshëm një baxhë malore ku u desh të shuanim kuriozitetin e kalamajve se si bëhej djathi, gjalpi dhe gjiza në mënyrë gjysëm primitive. Ndenjëm do kohë në mes tundësve, kulloshtrave dhe furrës primitive me tulla, plot aroma të dashura nostalgjike të bylmetit të freskët dhe të kazanit të qumështi të cingarisur në zjarr. Por në hajat, mbrapa baxhës, kishte parkuar një Land Rover që vetëtinte inoks dhe qelbej erë karburanti dhe vaji lubrifikues. Më pas u nisëm drejt rrafshnaltës së bjeshkës së pritur me padurim për të përsëritur eksperiencën mahnitëse time të parë me bjeshkë Shqipërie: me mijra lule, ngjyra dhe aroma, ajri kristalin, drita dhe ajri bëheshin një; më duhej të ndaloja e të mbyllja sytë se po më binte të fikët, sindromë Stendal në natyrë. Por nuk ishte e thënë: nga larg mbi fushën e blertë të bjeshkës hovnin në ajër tollumbacë gjigandë 10 metra prej plastmasi në formën e Paperinos, Topolinos dhe figurave të tjera të ngjashme, një disneyland prej plastike 2000 metra mbi nivelin e detit, organizuar nga bashkia e qytetit pranë. Ta do mendja që kalamajtë u turrën drejt tullumbacëve gjigantë duke bërtitur amerikançe: “Jeeee!”; ripanë në realitet çfarë shihnin fiction çdo ditë në televizor, tani eksperienca fëmijnore është kryesisht televizive. Qesharake, ishim lodhur për tu ngjitur deri aty për të parë ç’ka shihej rehat në divan çdo mbrëmje.

Eksperienca ime e parë mahnitëse me bjeshkë Shqipërie ka pasur edhe kundërpedalin ekologjik si kërcënim që njeriu i bën Nënës Natyrë. Në atë kohë nuk ekzistonte në botë një mendësi ekologjike siç sot, vetkuptohet në Shqipëri jo e jo, dhe për vete nuk dija as nga binte ekologjia, por klonin e kufirit - një rrip tokë e punuar më kët anë të telit me gjëmba në mes të jeshillikut verbues dhe njëkohësisht qetsues -, e kam përjetuar si plagën më të tmerrshme që njeriu i bën Mëmës Natyrë. Si tani e mbaj mend rrafshnaltën bjeshkore të përshkuar nga një shteg këmbësor gjarpërues midis luleve pa fund ku çaponte drejt postës së kufirit (shtëpizë e bardhë simpatike) një ushtar indiferent me puçrra adoleshenti pa kapele e pa rrip dhe me ibrik çaji prej alumini në dorë, ndërsa pak sipër pranë në horizont përvijoste kloni si plagë e përgjakur ngjyrë kafe mbi bregoren e jeshiltë të qëlluar me shpatë nga trimat e Jutbinës në betejë kundër Bajlozit shkja.

Rrugës duke u ngjitur në bjeshkën e Topolinos dhe Paperinos, ndeshëm një shteg që gëlonte nga karkalecët, një peisazh rëndom i fëmijrisë, por kalamajtë u desh t’i mbanin në krahë prindët sepse kishin frikë të ecnin midis mizërisë së karkalecave që këcenin herë këtu e herë atje. Ishte qesharake të shikoje pamjen: kërce karkalec i pafajshëm e kërce kalama i tmerruar për hiçmosgjë! Por përkundrazi, ishte e tmerrshme herën e fundit kur po sillesha verdallë midis leheve të një supermarketi lulesh në natyrë dhe papritmash ndjeva me zbulesë çfar më mungonte prej kohësh në pavetëdije: heshtjen kozmike për shkak të mungesës së gumëzhimës pranverore të insekteve, zhdukur e bërë bërlok nga insekticidet agrikulturorë. Heshtja bëhej më e tmerrshme ngaqë lehet e luleve ishin nën nivelin e një rruge automobilistike ku rrapëllenin mbi kokë plot zhurmë brutale rrotat dhe skapamentot e makinave. Për disa çaste çmendurie të kthjellët mu duk i gjithë planeti i pushtuar nga UFO-t. Në të kundërt, disa muaj mbas shpalljes së lockdown, në heshtjen kozmike të mungesës së zamallahisë industriale dhe mjeteve të trasportit, shijova gumëzhimën gazmore të insekteve endacakë në një rreze dielli prandverore, gjë që nuk më kishte bërë vaki prej vitesh.

Në një vizitë bërë një të njohuri mbas lockdown, më tregoi qenin e tij që rrinte i mbyllur në box-in e dushit e nuk dilte prej andej për qamet, dridhej vazhdimisht prej tmerrit sepse në një park në formë pylli pranë, komuna, për t’i ridhënë besim njerzve (slogani “kthim si më parë”), kishte organizuar një koncert rock në natyrë. Xhangër xhungër e zhurmave elektronike rock që vinin prej parkut ishin jo vetëm çnjerzore, por edhe çkafshërore; i njohuri më tregoi më pas fotografi iriqësh që ishin arratisut prej pyllit nga çmenduria e rockut dhe kishin ngordhur përreth. Më tha që po mblidhte firma për tu ankuar me peticion tek kryetari i komunës, përçapje krejt naive sepse duhet një revolucion tjetër akoma më i madh se Revolucioni i Madh i Tetorit për të vënë për së mbari të pabërat kriminale ekologjike, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse gjysma e mëkatit origjinal: përdhunimi i Mëmës Natyrë, mbasi është vrarë Ati Qiellor, alias gjysma tjetër e mëkatit origjinal = eros + thanatos. Njerëzit e koshiencës (të ndërgjeshmit) dikur ishin fetare që përgjëroheshin për Atin Qiellor, tani janë ekologjistë që adhurojnë Mëmëm Natyrë,

Alarmin për shkatërrimin e natyrës nga “industrializimi i mëtejshëm i vëndit” e dha Pjer Paolo Pasolini duke vënë në dukje i pari (në vitet 60-të) zhdukjen e xixëllonjave; fik e ndez e xixëllonjave në muzg është një tjetër mrekullli fëmijnie që tani mund ta ndeshësh vetëm në disa mikroklima lartësish malore. Dhe jo rastësisht Pasolini, sepse ai e thotë vetë, duke shpjeguar homoseksualizmin e tij nëpërmjet autoanalizës psikoanalitike, Kompleksit të Edipit etj, që kishte repulsion për të jatin ndësa adhuronte të jëmën. Me fjalë të tjera pyetjes idiote bërë rëndom kalamajve nga miqtë e ardhur për vizitë: “Cilin do më tepër mamin apo babin?”, Pasolini i jipte përgjigjen: “Mamin”, dmth bënte tifo për dritën e xixëllonjave dhe jo për ndriçimin hyjnore. Pyetja në fjalë, megjithse tmerrsisht banale dhe idjote, edhe për kalamajtë që nuk dinë si t’i përgjigjen, është pyetja kampione ndër pyetjet themelore të njerzimit; personi që pyet kalamanin në prani të prindëve duke përdredhur zërin e turirin - siç rëndom kur të rriturit i drejtohen fëmijve -, në fakt pyetjen po ja drejton vetes, sepse gjëndja skizofrenike e ndodhjes midis dashuri-urrejtjes atërore dhe mëmësore i ka përdredhur turirin pyetësit që në lindje. Nuk ke nga luan, mëkati origjinal eros-thanatos ose mami-babi trashëgohet.

2 Likes

La qualité esthétique de l’oeuvre d’art reflète la qualité éthique de son auteur - Simon Leys, Le Studio de l’inutilité

Pamja e reflektuar paraqitet e përmbysur në optikën e “dhomës së errët”.

Funksioni i kujtesës është më tepër të fshijë kujtime të pakëndëshme pa leverdi për un-in, se sa të magazinojë.

“Unë kam bërë këtë” thotë kujtesa ime. “Unë nuk mund ta kem bërë këtë” thotë krenaria ime dhe qëndron e patundur. Më në fund është kujtesa që hap udhë - Friedrich Nietzsche

Prandaj nuk janë të besueshëm personi që rrëfen ndodhi nga jeta e tij dhe historiani që shkruan historinë e vendit tij.

Degradimi dhe perversioni janë gjithnjë në rritje sepse koha nuk mund të rrijë në vend; kultura, industria, bujqësia dhe blegtoria duhet të funksionojnë në një farë mënyre, zhvillimi bën përpara me domosdo në mënyrë fatale.

Si çdo lloj termi tjetër edhe fjala “dashuri” ka dy kuptime të kundërt farfuritës bipolarë, negativ dhe pozitiv; përkatësisht: dashuria të lëbyr sytë, nuk sheh dhe nuk di çfar bën dhe dashuria të hap sytë për të parë me të vërtetë vlerat e personit.

Si çdo lloj termi tjetër edhe fjala “anarki” ka dy kuptime të kundërt farfuritës bipolarë, negativ dhe pozitiv; përkatësisht: rebelim shkatërrimtar i papërgjegjshëm kundër ligjit, autoritetit, shtetit dhe përgjegjsim i plotë i personit që bën të panevojshëm ligjin, autoritetin dhe shtetin.

(nga Ditar i një fuksi)

Ka do kohë që arti jo vetëm nuk kërkon dhe nuk dëshmon më të bukurën, por përpiqet të eksplorojë me vetëdije fushën e kundërt, të shëmtuarën. Nëse arti dhe estetika eksplorojnë të shëmtuarën, atëherë etika dhe morali janë të justifikuara të eksplorojnë të keqen dhe perversitetin, ndërsa logjika dhe filozofia të eksplorojnë absurdin. Çfarë në fakt këto më sipër bëjnë në shekullin e njëzetë dhe në vazhdim, por askush nuk është i interesuar të bëjë këtë ndërlidhjen, gjë që përbën një perversion më vete.

(nga Ditar i një fuksi)

Misteri dhe problemi janë kategori të ndryshme, megjithatë identifikohen në kulturën e Perëndimit: problemi që nuk mund të zgjidhet, shndërrohet në mister (të besimit).

Koncepti i hiçit do të ekzistojë përderisa njeriu do të konsiderohet një hiç dhe për pasojë do të jetë një hiç.

Antikonformistët nuk dua të jenë “si gjithë të tjerët”, skllevër të fuqisë, problemi ështe se vetëm personat në fuqi nuk janë “si gjithë të tjerët”.

Epoka klasike luante me karta sipas rregullave, herë me hile e herë pa hile; modernja shkëmbeu kartat në tavolinë duke luajtur me karta të shënuara, dmth luante gjithnjë me hile; postmodernja luan pa karta fare.

Unë nuk besoj në lirinë e vullnetit. Njeriu mund të bëjë çfarë të dojë, por nuk mund të dojë atë që do - Arthur Schopenhauer

Vullneti i lirë ose libero arbitrio nuk ekziston për të asnjë filozof, asnjë prej tyre nuk pranon vullnetin e lirë, që do të thotë nuk pranon përgjegjësinë e personit për të zgjedhur dhe vendosur, duke filluar nga Schopenhaueri vetë që frekuentonte shtëpitë publike sepse bënte çfarë të donte meqë nuk mund të donte atë që donte, ose nuk mund të mos donte atë që donte (noçkën me nje fjalë).

Nëse, sipas Karl Kraus, aeroportetet janë shenja e ardhjes së Fundit të Botës, agjensitë turistike janë Fundi i Botës dora vetë.

Sapo dilet në pension, fillojnë problemet shëndetsore, trupi dhe karakteri squllet, tensioni dhe kolesteroli shkon la e më la, pleqëria përshpejton galop sepse pensionisti nuk i vlen më kujt, është një person pa rëndësi sociale, humbet edhe atë pak qëllim në jetë që të jep puna si raport dhe ambicje shoqërore, humbet këmbënguljen që duhet për tu ngritur herët e për të shkuar në punë. E njëjta gjë ndodh me Perëndimin, prej kohësh të shndërruar në xhaxhi pensionist, e që kohët e fundit po jep shenja të demencës senile.

Dje isha në festë pagëzimi foshnje ndërkohë që prindërit e saj nuk kishin bërë martesë në kishë. Nuk ka shenjë më të përsosur që Perëndimi ka ngordh me gjithësej, mënjëanë rëndësia e ritualit religjoz, edhe logjika është bërë baraz me zero, sepse nuk ka pikë kuptimi të pagëzosh lindjen pa bekuar martesën, ka mbetur të festohet fulnerali i vdekjes dhe atëherë do dalë sheshit që rituali religjoz ndiqet vetëm prej frikës, bëhet “ta kemi në xhep se nuk i dihet, ndoshta ka Zot”.
Në tavolinën e drekës të ofruar për rastin, ishin ulur pranë e pranë kushurij të parë që kishin vite pa u parë, sepse në vendet e zhvilluara oksidentale kushurijtë takohen vetëm në raste lindjesh, martesash dhe vdekjesh, e megjithatë ndihej urrejtja termobërthamore rëndom ndërmjet familjarësh. Në fund të drekës kur mbaruan përshëndoshjet, një të pranishmi që i kishte ardhë në majë të hundës nuk u përmbajt të thotë me tallje: “Mirupafshim në vdekjen e ardhshme!”.

Sa më tepër kalon koha e sa më tepër hulumtoj sjelljen e njerzëve, aq më tepër më duket që ndjenja themeltare e shoqërisë është vetvrasja.

Rëndom thuhet se tirania i detyronte njerzit të heshtnin. Në fakt ndodhte përkundrazi, tirania i detyronte të llapnin papushim gomarllëqe kriminale që nuk kishin të sosur e që akoma nuk kanë të sosur për inerci. Psh. të thuash pa sosur: “tirania i detyronte njerzit të heshtnin” është një llapaqenllik kriminal midis shumë të tjera disidentllëqeve demokratike që nuk kanë të sosur.

(nga Ditar i një fuksi)

Nuk ka moskuptim, horror vacui (natyra tmerrohet nga boshllëku), ka vetëm keqkuptim, dhe rallë herë mirkuptim, sepse njeriu tmerrohet nga e mira.

-Nuk e kuptoj gjithë këtë luftë dhe shamata, me çin e ka?
-Të bësh luftë do të thotë se nuk di me çin e ke, dmth e ke kopil.

(nga Ditar i një fuksi)