Porsa që Serbët shkelën Shqipërinë e Mesme, Grekët mbanin krahinat e jugës dhe Italianët Vlorën, Mali-i-Zi nuk mund të mbetej pas. U fut edhe ai nga ana e veriut, në javën e dytë të Qërshorit dhe, pas disa përpjekjesh të parëndësishme, pushtoi Shkodrën. Kështu u zhduk edhe ajo strehë e lirë që kishte mbetur n’atë çip të Shqipërisë. Ushtëria malazeze i kapi si dhentë në vathë disa nga atdhetarët e shquar që ishin mbledhur aty, Çerçis Topullin, Mustafa Qullin, Isa Buletinin, Dedë Gjo’ Lulin, Mehmet Shpendin, e të tjerë, edhe i vrau. Gjaku i Shqiptarëvet po rridhte rrëke në çdo skaj të së mjerës Shqipëri.
Por këtë herë pushtimi serbo-malazias nuk vazhdoi gjatë. Bullgaria, e lidhur me Perandoritë qendrore, i shpalli luftë Serbisë më 14 Tetor 1915. Në të njëjtën kohë, Austro-Hungaria lëshoi ofensivën e madhe kundër Serbisë dhe Malit-të-Zi. Këtyreve s’mundi t’iu vinte ndihmë prej aliatëve t’Entente-ës, ndonëse në muajin e Tetorit Franca shkarkoi në Selanik njësitë e para t’Armatës së Lindjes. E vënë midis dy zjarresh, Serbia u thye keqas dhe ushtëritë e saja filluan të tërhiqëshin në drejtim të Shqipërisë, mbasi nga ana e Maqedonisë, në jugë, ua kishin prerë udhën Bullgarët. Në Jenar të vitit 1916, u shua edhe qëndresa m’e fundit e Serbëvet, dhe ushtëria austro-hungareze i dha një grusht të mirë Malit-të-Zi, i cili kërkoi menjëherë armëpushimin. Mbeturitë e ushtërisë serbe u tërhoqën nëpër Shqipëri, pa i trazuar askush, sepse rrugën ua mbante të hapur Esadi. Prej skelavet të Shqipërisë ato u hodhën në Korfuz, dhe s’andejmi në Selanik, për t’u bashkuar me Armatën aliate të Lindjes.
Fuqitë austro-hungareze, duke ndjekur ushtërinë serbe, hynë në Shqipëri në Jenar të vitit 1916 dhe zunë Shkodrën. Esad Toptani që iu kishte shpallur luftë gjoja Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, u shtrëngua t’a linte Durrësin dhe të hidhej n’Itali. Por duket se Italia nuk ia vari këtë radhë, jo vetëm pse ky urrehej prej gjithë Shqiptarëvet, po edhe sepse ishte agjent i kujtdo dhe shumë i afërt me Serbët. Atëhere Esadi e gjeti më të përfitimshme që të vihej në shërbim të Francës, e cila ishte edhe përkrahëse e Serbisë. Prej France shkoi në Selanik, në Gusht 1916, ku formoi pranë Armatës së Lindjes një trupë prej nja 500 merçenarësh shqiptarë nën kumandën e tij.
Ushtëria austriake, pas Shkodrës, zuri Durrësin, Tiranën dhe arriti n’Elbasan, ku kishin hyrë Bullgarët. Pastaj zbriti nga juga gjer përtej Beratit e në Vjosë, ku nguli vijën e frontit kundrejt ushtërisë italiane. Nga jugë-lindja u shtri gjer në Pogradec, përballë fuqivet greke.
Një “politikë zgjerimi” deshën t’a bënin në Shqipëri edhe Bullgarët, duke kujtuar me mallëngjim traktatin e Shën-Stefanit ose Perandorinë e tyre mesjetare, por e panë që s’kishin asnjë bazë pështetjeje. Ushtëria austriake i detyroi t’a zbraznin Elbasanin dhe të prapsëshin më tutje, nga lindja…
Abaz ermenji historia e shqiperise