Filmat dhe Revolucionet plaken, nuk vjetërohen

Hetimi maniakal për të treguar se çdo lloj ide ose tezë novatore në historë e kulturës i është vjedhur një personi të panjohur nga gjeniu i stërnjohur, është tashmë një sport popullor i ngjashëm më teoritë e komplotit, që nuk kursen as figura të stabilizuara me besueshmëri absolute si maja të paprekëshme të kulturës, si psh Ajnshtajn dhe Darvin. Një shëmbull tjetër, i mirënjohur në popull, është Kadare i akuzuar atëbotë se vidhte idetë e romaneve me të duart: nga të huajt jashtë shtetit dhe nga bashkëatdhetarët përbrënda shtetit. Jo shumë e njohur në popull është fakti se akuza në fjalë: “ai i vodhi idenë ktij; ky i vodhi atij”, ishte një konstante banale në muhabetet rreth tavolinave të klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve. Ndërsa sot e dëgjoj të njëjtin muhabet në ambjentet universitarë, edhe jashtë shtetit, mbushur tumllas me akuza kundër profesorëve e docentëve vjedhajdutë që përlajnë idetë e studentëve gjatë mbrojtjes së diplomës.
Patenta e shpikjes së zjarrit i takon Prometeut që i vodhi sekretin e zjarrit perëndive të Olimpit. Akti zanafillor prometeik kushtëzon të gjithë historinë e kulturës, dhe poza prometeike e kulturistit në shekuj, që pak nga pak merr forma luçiferike në epokën moderne.
Nuk i kam mbajtur bishtukun Ajnshtajnit dhe Darvinit, dhe as Kadaresë, por i kam mbajtur bishtukun shumë rasteve të ngjashëm në përmasa shumë më të reduktuara, të bëra vaki rreth e përqark meje, ku kam vënë re të veprojë pothuaj ligji: kush ka ide origjinale, nuk para ka edhe takatin e duhur t’i dëshmojë dhe t’i përhapë ato deri në nivel zyrtar . Nuk është kollaj të mbrosh një ide ose tezë novatore, sidomos në fillim pësohen persekutime dhe vuajtje pa fund; me fjalë të tjera ka vlerë dhe meritë edhe vjedhajduti që arrin t’i bëjë zyrtare. Pra, ose duhen mbajtur dy kunguj nën një sqetull, gjë e pamundur, ose duhen dy vetë që kanë meritë njësoj në mbajtjen secili një kungull nën një sqetull. Çfarë është e kriminale dhe e poshtër në historinë e progresit novator, është ligji i majmunit që sakrifikohet Abeli e bëhet famoz vetëm Kaini; sakrifica mbahet e fshehur, ndryshe nuk do ishte sakrificë dhe nuk do kishte sakrificë.

1 Like