Politikat vendore përjashtuese të cilat fokusohen vetëm në menaxhimin e realiteteve të reja urbane dhe në investimet infrastrukturore kaotike, duke anashkaluar nevojat kulturore të një prej qyteteve më të populluara në Shqipëri, shpesh vënë në pikëpyetje stilin urban me të cilin mund të identifikohet Kamza.
“Transparenca” e garantuar në web-site zyrtar të Bashkisë Kamëz na lejon të evidentojmë më kollaj lehtësinë me të cilën përcillet zëri i investimeve kulturore në buxhetin e parashikuar për vitin 2016. Fjala “kulturë” pranëqëndron me shpenzimet për kancelari dhe shpenzime operacionale për shërbime të ndryshme, duke sugjeruar mundësinë potenciale dhe “sipas rastit” të zhvillimit të aktiviteteve kulturore. Asnjë kalendar kulturor, asnjë parashikim projektimi apo organizimi të aktiviteteve artistike dhe sociale. Shfaqjet e rralla të një ansambli me motive folklorike ka rënë pre e mungesës së kreativitetit duke “gostit” qytetarin me po të njëjtin ritëm që rikujton stinën e korrjes së votave.
Ndërkohë, përballë dhomës së të “urtëve bashkiak” që zotohen ta afrojnë qeverisjen vendore me qytetarin, ekziston një realitet tjetër. Pallati i Kulturës së Kamzës, institucioni me duar në xhepa, është kthyer simbolikisht në dhimbjen që të shkakton vargu “me e pa dhe mos me e pasë”. I ndërtuar pesë vite më parë, me ambjente për salla leximi dhe konferencash, bibliotekë, dhomë kinemaje e teatër, është kthyer në pengun e rradhës të justifikimeve që derivojnë prej përtacisë dhe paaftësisë institucionale për të vënë në dispozicion hapësirat publike për qytetarin. Nga jashtë i dizenjuar politikisht me simbolin “V” (victory) të (keq)përdorur nga Partia Demokratike, dhe nga brenda me slogane partiake pafytyrësisht të hedhura në muret që ndajnë dhe largojnë tjetrin e jashtëm nga të fuqishmit e brendshëm. Në këtë farë soj paekzistence ka gjithmonë një drejtor dhe një roje. As publik, as lexues, as frekuentues, as mundësi frekuentimi. Ama një drejtor e ka. Një pagë mujore si shpenzim (mos) funskionimi është parashikuar gjithsesi.
Këtij pallati i kanë lënë funksionale vetëm hijen dhe fasadën. E para për pleqtë, ndërsa muret të rinjtë. Hija e tij zgjatet shpinës së pleqve që i mbajnë lojën (e dominosë) një qyteti të tërë. Për ata ky fakt është ngushëllues dhe pajtohen me modestinë e mundësive të (pa) ofruara nga poltikat vendore. Fasadash projektohen filma nga të rinj, ngrihet kinemaja verore, pa leje, pa autorizime, herë si rebelim i vonë e herë thjesht si dëshirë rinore, por gjithmonë si mënyrë për të komunikuar simbolikisht me qytetin, me pushtetin. E gjithsesi ky Pallat nuk reagon. Dritat i fiken njeherazi me ikjen e drejtorit.
Në kohë zgjedhjesh kthehet në mburrje partiake që glorifikojnë përkushtimin e kandidatëve, në ditët e përballjeve qytetare përdoret si imazhi viktimizues që i mveshin vetes për të treguar pamundësitë financiare me faj të qeverisjes qëndrore, e paradoksalisht me raste i hapen dyert për të përshëndetur iniciativa të aktivistëve, të cilëve u ka hasur sharra në gozhdë nga po të njëjtët aktorë. Për aq kohë sa këtij pallati i hapen dyert vetëm kur kryebashkiaku e përdor si sallon mikëpritjeje për ambasadorë dhe fondacione, kur vizibiliteti publik përdoret për të prodhuar artificat elektorale dhe i mohohet vazhdimisht çdo qytetari përdorimi i lirë në kohë dhe nevoja, do ketë gjithmonë një pakicë njerëzish që do i hakërrehen sistemit me qëndrime polemizuese, pavarsisht forcës partiake që do kenë përballë.