Kur ndiejmë një erë të keqe, një kutërbim, gjithnjë parashikojmë se diçka e kobshme ka ndodhur përreth, shumë pranë. Kutërbimi është era e kalbjes, e çshenjtërimit, përdhosjes dhe fundit të dhunshëm. Megjithatë, çdo herë ndiejmë një kutërbim, kthejmë kokën me kuriozitet për të parë se nga cila anë vjen vdekja. Këtë instikt duhet të kenë përjetuar edhe punëtorët pranë urës së Gjolës kur ndien kutërbimin që do t’i çonte në një zbulim të tmerrshëm: qindra koka derrash të hedhura në lumin Ishëm.
Ironia e fatit do që në të njëjtën darkë, vetë Ministri i Mjedisit të na drejtonte me gisht, që nga ekrani i televizionit, tek kutërbimi i padurueshëm i një koke tjetër derri: koalicioni qeverisës. Duke marrë shembull Durrësin, sipas tij qeverisja e Partisë Socialiste është:
- Arrogante e tejskajshme;
- Tradhtare në zgjedhjet lokale, për bashkitë ku kandidati vinte nga LSI;
- E tensionuar dhe e prirur të krijojë një betejë të madhe me LSI;
- Është e paaftë të fitojë pa LSI (kur deklaroi se pa LSI, në Durrës sot do të ishte Kryebashkiake znj. Duma);
- Kriminale: ka kapur policinë e shtetit, të cilën e përdor për të përndjekur LSI, kundërshtarët në përgjithësi, si dhe për të mbrojtur parcelat e hashashit.
Qytetarët e dinin që koalicioni prej kohësh vinte erë të keqe, njësoj si shteti. Ata i njihnin gjithë këto të vërteta, ose gjysëm të vërteta, që deklaroi z. Koka. Deklarata “bombë” e tij nuk shërbeu për t’u thënë qytetarëve të thjeshtë se koka e derrit po qelbet erë. Ajo çka deklaroi nuk na shërben ne, si qytetarë, por militantëve. Ata më në fund janë të lirë.
Tani mund të zënë më në fund hundën, pas katër vitesh që durojnë erën.
Tani mund të thonë se era që vjen nuk është e mirë, por e keqe.
Tani mund të thonë që kjo erë e keqe vjen nga koalicioni.
Megjithatë asgjë dhe askush nuk mund t’ua heqë prej rrobash e lëkure erën e keqe të kokës së derrit.
Ndërkohë, gjatë të shtunës Kryeministri postoi në Facebook kundërpërgjigjen e rradhës: Indeksin e Besimit tek Institucionet. Nëpërmjet një grafiku pa metodologji, pa formulë, a pa ndonjë adresë ku mund t’i gjejmë këto të dyja, ai tregoi se institucioni ku shqiptarët kanë më shumë besim është Policia e Shtetit (52%). Këtë e bëri për të treguar se Policia e Shtetit nuk po përndjek as kundërshtarët, as LSI-në, as po mbron parcelat me drogë, e as nuk është favorizuese ndaj ndonjë pale politike. Pa krahasuar të dhënat e tjera me njëra-tjetrën, pasi kjo do të kërkonte më parë analizën e metodologjisë, mund të themi se postimi i Kryeministrit përmban një gjysmë të vërtetë. Sa herë e më shumë po krijohet përshtypja se në Shqipëri ekzistojnë dy Polici Shteti: njëra e bukur, serioze, me barazi gjinore, e rreptë, me automjete të fundit, duke patrulluar rrugët e Tiranës, duke këshilluar vënien e rripit apo duke dalë në fushata sensibilizuese. Policia tjetër e Shtetit është e shëmtuar, brutale, mbushur me barkderra dhe automjete jeep të baltosura prej udhëtimeve ditore te të njëjtat parcela. Postimi i Kryeministrit, i bashkëlidhur me shprehjen “qentë le të lehin”, nuk vërteton ndonjë gjë të madhe. Madje as nuk është postuar nga Kryeministri për të provuar ndonjë gjë të madhe. Përkundrazi, është mënyra e tij për t’u thënë militantëve se era që kanë ndier prej katër vitesh është e qelbët dhe vjen prej kokës së prerë të derrit të koalicionit.
Tashmë ne, njësoj si punëtorët e varfër pranë urës së Gjolës, kthejmë kokën nga kutërbimi, vëzhgojmë qindra koka derrash në Ishëm, dhe vazhdojmë pa përshtypje punën e përditshme me bindjen se të tjera koka derrash na presin në qershor.