Libra të rinj: Kujtime 1939 - 1944 nga Mustafa Greblleshi

“Kujtimet 1939-44” nga Mustafa Greblleshi
Një libër i rrallë që skanon gjendjen e Shqipërisë në kohën e pushtimit nazi-fashist, parë nën optikën e një intelektuali të ri të asaj kohe, një shkrimtari të spiktatur dhe një shqipëruesi me vlera të rralla. Botimi është paraprirë me një parathënie nga Ismail Kadare

Kush ishte Mustafa Greblleshi?

Leu në Tiranë në gjirin e një familjeje vendalie, i biri i arsimtarit dhe ushtarakut Hamid Greblleshit dhe Nurijes.

Shkollimin fillor e mori në Vlorë, ku ishin me banim si familje ngaqë i ati ishte me shërbim. Shkollimin e mesëm në vendlindje, pranë Gjimnazit të Tiranës ku ishte drejtor Eqrem Çabej.

Pushtimi italian e gjeti 17 vjeç kur ishte ende në gjimnaz. I ati doli në lirim për arsye shëndetësore dhe krejt verën e vitit 1939 e kaloi me punë krahu deri kur iu dha një pension të atit. Gjen provizorialisht punë tek Drejtoria e Përgjithshme e Postë-Telegrafeve. Boton skica e tregime, herë humoristike dhe herë me një qëndrim të qartë mbi gjendjen e pushtimit. Njëri prej të cilëve “Nji trandafile” - ku trëndafili ishte alegoria e Shqipërisë së pushtuar - provokoi autoritetet dhe e çuan para prefektit Qazim Mulletit, i cili meqë e njihte e këshilloi me kushtin që të ikte në Itali prej drojës se mos i riu do të anonte nga idetë komuniste. Këshillë që e ndoqi nga vjeshta e 1942 deri në pranverën e 1943, kur edhe kthehet në Tiranë për t’u radhitur si më rishtari në redaksinë e Rojës Kombëtare (ma vonë u quajt “Bashkimi i Kombit” dhe u bë e përditshme) me kryeredaktor Gjergj Bubanin.

Pas Çlirimit është redaktor i gazetës “Bashkimi” nga dita e parë e botimit të saj deri në vitin 1946, kur u arrestua si “armik i popullit” dhe u burgos për 19 muaj bashkë me kolegët Andrea Varfi dhe Petro Marko. Pas lirimit nga burgu punon disa vjet si mësues gjuhe në disa qytete. Nuk zgjati shumë pasi u konsiderua i padenjë për të ushtruar një profesion të tillë. Kështu që u deturua të punojë punëtor krahu deri në vitin 1974. Punët që bëri pasi u shpall i padenjë për të dhënë mësime gjuhe, ishin nga ato të hamallit që ngrinte thasë me çimento në kombinatin “Josif Pashko” deri tek bojaxhiu, për shumë vjet.

E bija Azylka tregon se mbylli sytë tek lexonte Monteskjenë në ballkonin e shtëpisë më 22 maj 1986, me dhimbjet e kancerit në kockë.
Wikipedia