Nemo profeta in patria

kryq

Majakovskij ishte një gjigant 1.90 metra i gjatë, aq më tepër për kohën, dhe konsiderohej nga shumë nga të njohurit dhe kolegët e tij si një person me karakter të fortë, si fizikisht ashtu dhe shpirtërisht. “Ai ishte një njeri shumë i fortë”, tha për të Viktor Sklovskij. Mirpo sipas Lili Brik (një si dava gruaje e tij), Majakovskij ishte një njeri shumë i dobët, dhe prandaj vetëvrasja e tij.

Gratë në përgjithsi, veçanërisht bashkëshortet, kanë një vizion tjetër për partnerët ose burrat e tyre, që është më e vërtetë dhe real, nuk është një vizion letrar, është një vizion si të thuash guzhine, vizion praktik dhe konkret. Për shembull: gruaja e Tolstoit dhe Dostojevskit, të cilat kanë shkruar autobiografi ku zbulojnë anë të pakonsideruara dhe të pakonsiderueshme për figurën e gjeniut të nderuar në publik. Për të mos u zgjatur shumë me sqarime rreth librave të grave të Tolstoit dhe Dostojevskit (kush do, i gjen kollaj dhe i lexon), sjell një rast tjetër anektodik, pra konçentrat, shumë tregues: kur një revistë niveli e kishte përcaktuar Richard Feynman (çmim Nobël në fizikë) si njeriun më inteligjent në botë, nëna e tij tha: “Nëse ky është njeriu më i zgjuar në botë, atëherë Zoti na ndihmoftë”. Gruaja e Paul Valéry, personi më enciklopedist dhe poliedrik i Francës moderne, e quante burrin e saj: “… boshllëku absolut”. Lista vazhdon pa fund, në krye të listës Sokrati dhe Jezui që janë në krye të një liste tjetër si dy figurat themeluese të përkatësisht helenizmit dhe krishtërimit, si gurë themeltarë të qytetërimit perëndimor. E pra kur Sokrati kthehej në darkë në shtëpi, mbasi tërë ditën u kish mbajtuar fjalime athinasve, gruaja e vet e trajtonte sikur të ishte një pijanec rrugaç, thuhet që e dhunonte edhe fizikisht. Jezui nuk u pranua nga njerzit e shtëpisë vet, prandaj filloi t’i mblidhte dishepujt udhëve; nënës së tij i tha: “Çfar ka midis meje e teje o grua?” - Jovani 2:4

Tek gjeniu, zakonisht konsiderohet personazhi, dhe jo personi real; “një gjë është personazhi, tjetër gjë është njeriu” është bërë një aksiomë e pranuar nga të gjithë postmodernët. Fytyra njerëzore e personazhit publik, shpesh e ndryshme nga ajo e paraqitja në publik dhe opinioni publik, u zbulohet vetëm atyre që ndihen vërtet të afërt, sepse janë të parë në prani, por edhe sepse intimiteti dhe sekreti është më i sigurtë brënda tribusë. Nga ana tjetër të afërmit duhet të nënvleftësojnë dhe thjeshtëzojnë personazhin publik, për të pranuar naltmadhninë e tij pranë sofrës dhe krevatit.

Të gjitha sa më lart dëshmojnë krizën e familjes, prandaj vlera e miqësisë që kompeson mungesën e vlersimit në familje dhe moskuptimit ndërfamiljarëve. Prandaj kryengritja familjare e adoleshentëve dhe me vrap fishek jashtë për të gjetur tek shokët intimitetin e munguar, shoqëria është intimitet surrogato: kur s’ke pulën, han sorrën. Njerzimi është kërkim të atit dhe nënës së munguar, të kompesuar me bij dhe etër (prindër) shpirtërorë, dhe anasjelltas, siç ndodhi me Edmond Dantesin dhe abat Farian, si një prej shëmbujve letrarë më të njohur.

Çfarë ndodh në familje zgjerohet rrathë rrathë ngado si valët e krijuara nga një gur i hedhur në ujë; kriza përhapet me infektim si epidemi vdekjeprurëse nga familja në tribu, bashkësi, komb e me tej kudo në planet nemo profeta in patria.

E shkruara me të thënën qëndron njësoj si trupi me shpirtin, e shkruara është materializim i shpirtërores; thuhet verba volant, scripta manent, por referuar pavdeksisë duhet të thuhet trupi volant, shpirti manent ose vepra dekompozohet, autori mbetet.

Intelektuali nuk mjaftohet të gjejë budallenj me t’ja hedhur, por gjen edhe veten si budalla për t’ja hedhur, ja hedh edhe vetes me fjalë të tjera.

-Ti e ke të lehtë të bësh trimin sepse je beqar, nuk ke grua e kalamaj.

-Eshtë më se e vërtetë, por trimëria ime është pasojë e një trimërie që un kam bërë më parë, që nuk jam martuar si të gjithë shokët për të pasur një pozitë, ose nga presioni i opinionit publik apo dikujt tjetër.

:hugs:

-Ti e ke të lehtë të bësh trimin sepse je kurrkushi, nuk ke tituj shkencorë dhe akademik.

-Eshtë më se e vërtetë, por trimëria ime është pasojë e një trimërie që kam bërë më parë, që nuk kam marrë tituj profesor doktor si të gjithë shokët për të qenë patjetër dikushi në shoqëri.

Një mendimtar që njëkohësisht është i angazhuar me përgjegjsi në publik, është shumë i besueshëm dhe më i vërtetë në mendimet e tij se një i pa angazhuar ose i angazhuar në sallonin mondan të Sinjorës, sepse përgjegjsia zbuleson të vërteta dhe të Vërtetën. Sa më e lartë pozita, aq më i qartë vizioni i të tërës. Problemi është se sa mundet t’i nxjerrë këto të vërteta në pazar të amballazhuara politikisht korrekt. Si rezultat, të vërtetën e njeh më mirë se kushdo i pari i shtetit sepse ka përgjegjsi më tepër se kushdo e jo sepse është më i zgjuar se kushdo, por fatkeqsisht më tepër se kushdo është i detyruar të bëlbëzojë formula të ambalazhuara politikisht korrrkt.