Një analizë mbi shkrimin: “Përsiatje mbi natyrën e kohës, dritës, qënies dhe teorinë e botës”

Pjesae pare
Titulli na “zbulon” ndikimin kantian tek autori, pikërisht atë çoroditje që Kanti u ka lënë brezave të tërë me sistemin e tij “filozofik” të pasistemuar, duke lënë breza të tërë pasardhësish të trullosur, të cilët po si vetë “mjeshtri i madh” përpiqen të dalin nga bataku ku gjinden vetëm përmes frazave të komplikuara dhe pa kuptim! Nuk kam nisur ta lexoj akoma shkrimin, po jam mëse i sigurtë se do të kemi qysh në hyrje fraza pa kuptim, dhe në fund ndonjë moral të shplarë mbi rolin e njeriut në këtë botë, nënkupto: edhe në Universin e pafundëm, -përkëdhelja më e paqme (bajate) kjo për të gjithë ata që nuk kanë një idè nga koka e tyre.
Vetë fjala e parë, përsiatje, të lë kuptimin e një shkrimi letraro-ekzotik, si dhe dyshimin se autori nuk është i lindur dhe rritur në Shqipëri, as ka mësuar në shkollën shqiptare të kohës së “socializmit”. Kjo fjalë nuk para përdoret nga autorët shqiptarë në shkrime shkencore pranë shkencave ekzakte, si ato të matematikës dhe gramatikës, apo dhe më pak ekzakte, si ato të fizikës, kimisë, astronomisë, kozmologjisë etj., sepse në këto shkrime argumenti dhe prova nuk kanë nevojë për stërhollime dhe stërgjatje argumentash, që i përmbledh termi “përsiatje”, ndaj dhe kjo fjalë përdoret më shpesh në shkrime pranë shkencave jo ekzakte, si literatura, historia, psikollogjia, etj., ku përsëritjet e argumenteve dhe mendimit llogjik hanë shumë kohë.
Edhe termi i mëpasëm në titull, natyra e kohës, është mjaft hutues, pasi sot e kësaj dite shkenca perëndimore pas-kantiane hedh përvit tonelata shkrime mbi karakterin e kohës, duke diskutuar akoma se çfarë është koha, pa arritur akoma në një përfundim të kënaqshëm për të gjithë vetë këta diskutues! Ndërkohë që i ashtuquajturi materializëm dialektik, nga i cili kanë ndoht dhe u vjen për të vjellë shumëve, e ka përkufizuar kohën si abstraksion të lëvizjes, kaq! Pra koha është një abstraksion i yni, siç është “e mirë”, “e keqe”, “madhësi”, “vogëlsi”, “respekt”, etj., koncepte këto të krijuara nga njeriu, për të lëhtësuar shpjegimin e një fenomeni të caktuar, por që nuk tregojnë as edhe një lloj objekti dhe subjekti të caktuar. Ndërsa autori na flet për natyrën e kohës, sikur kjo të jetë diçka që e shohim apo e dëgjojmë, siç është –bie fjala– drita, të cilës i shkon kjo fjalë, natyra e dritës. Po ashtu edhe më tej, është e pranueshme natyra e qënies. Ndërsa natyra e kohës është një shprehje pa kuptim; e shumta mund të jetë një figuralitet. Megjithatë ne do të presim se ç’ka më tej, se kushedi, autori e ka zbuluar natyrën e kohës, dhe jemi ne në gabim!
Edhe me teorinë që autori përmend në fund të titullit, teorinë e botës, ai të lë përshtypjen e një shkrimtari ekzotik, nga ata që flasin për teorira fantaziste, sikur kjo bota jonë dhe universi i mëtejmë paskan një teori të fshehur që e dinë vetëm disa njerëz të llozhave masonike. Natyrisht që një përkufizim tjetër në titull, si “teoritë për krijimin e botës” (nënkupto: krijimin e materies, krijimin e Universit), do ta afronin kuptimin e titullit më drejt diskutimeve të hapura shkencore për këtë punë. Mirpo sot, këto diskutime shkencore janë kthyer vërtet në teorira fantazistësh, një pseudo-shkencë bajate kjo, e dominuar kryesisht nga e ashtuquajtura botë anglo-saksone, (klasa “e lartë”), e cila dominon sot paranë dhe donatimin e qëndrave shkencore kudo në botë, pa llogaritur këtu mediat, të cilat kjo klasë i ka në xhepin e vogël të saj.
Duke e mbyllur diskursin e titullit, do thoja shkurt se ky titull nuk premton një shkrim shkencor. Megjithatë le të presim dhe ta analizojmë vetë shkrimin, duke u përpjekur të mos zgjatemi shumë.
***
Si fillim do të marr nga shkrimi çdo fjali për ta shkuar në lupën e mikroskopit, duke e mërzitur kështu ndoshta lexuesin, por kjo –mendoj– është e nevojshme këtu në fillim, që lexuesi ta shohë vetë se ç’përmban shkrimi. Në kllapa katrore do të shtoj shenjat e munguara gramatike, si p.sh. presjen [,], e cila mungon në disa raste. Shtoj këtu në fillim, tek po shoh fjalitë e para të autorit, se ai ka disa mangësi të vogla në gjuhën shqipe. Ai përpiqet të shkruajë më pastër sa ç’e detyron gramatika jonë, duke rënë kështu në sy me gjuhën e tij si “i jashtëm”; ndoshta nga Kosova. Megjithatë kryesorja mbetet shtjellimi shkencor që ai na sjell. Gjuha e tij jo aq “shqipe” pak na prish punë. Ai fillon:
Si ç’dihet –tashmë gjerësisht– në teorinë e relativitetit shpejtësia e dritës është kufitare, asnjë objekt e informacion nuk mund të lëvizë më shpejt se drita në vakum.”
Fjala/termi “kufitare” këtu huton këdo njeri. Duket autori bazohet shumë në shkrime dhe emisione të botës anglo-saksone. Më saktë do të ishte të thuhej, që përhapja e dritës në vakum është konstante. (Këtu me vakum kuptojmë hapsirën larg qendrave të gravitetit, të cilat sipas edhe vetë Njutonit, më vonë edhe Soldnerit dhe Kavendishit që dhanë shpjegime më të sakta, drita pëson tërheqje nga këto qendra gravitacionale, pra pëson edhe një farë ngadalsimi.) Kjo përhapje konstante e dritës, apo siç thuhet ndryshe, e fotoneve, është provuar nga shumë eksperimente.
Nëse ka shpejtësi tjetër më të madhe nga kjo e dritës –brenda parimit universal: shkak-pasojë-shkak-…– këtë ne akoma nuk mund ta themi me siguri të plotë. Biles edhe në shpejtësinë konstante të dritës në Hapsirë, ne akoma nuk mund ta shtrijmë këtë postulat në të gjithë historinë e zhvillimit të Materies/ Universit! Të sigurtë nuk jemi, se kjo shpejtësi e sotme ka qenë gjatë gjithë shtadeve të zhvillimi të Universit e njëjtë!
Lëre pastaj ti futemi përbërjes fizikale të Hapsirës/ Universit, në studimet e së cilës ne jemi akoma në klasën e parë, kjo shpejtësi drite ka ashilacionet e saja, pra përhapja e saj ka pengesat e ndryshme fizikale (energjitiko-materiale) të Hapsirës që përshkon. Sidoqoftë, ne e pranojmë sot kështu “trashë”, që drita ka përhapje konstante dhe deri më sot rezulton akoma si shpejtësia maksimale në Hapsirë; ndonëse disa eksperimente të fizikës kuantike tregojnë diçka tjetër. Ecim më tej:
Po sipas kësaj teorie, nëse lëvizet me shpejtësinë e dritës koha mbetet në vend.”
Koha “mbetet në vend” për një sistem të caktuar referimi. Jo për çdo sistem tjetër referimi. Nëse A shkëputet nga B me një shpejtësi të madhe, –po themi sa të dojë autori, 100 mijë km/sek., apo 200 mijë km/sek, ose 290 mijë km/sek.– dhe vazhdon fluturimin në një linjë drejtvizore dhe me një shpejtësi të pandryshuar nga sistemi B, koha e A do të jetë për sistemin B më e shkurtër nga koha që kalon në sistemin B. Nëse tani –po e zgjerojmë eksperimentin– afërsisht paralel me A po ecën/fluturon prej kohësh një objekt tjetër, C, këtij të fundit do ti duket se është objekti B që është shkëputur nga A-ja. Në këtë rast, sistemi i referimit C mat (me aparatura të sinkronizuara më parë me A dhe B) një ngadalsim të kohës për trupin B. Në rastin e parë pra patëm shkurtim kohe për trupin A të matur nga trupi B, ndërsa tani kemi shkurtim kohe për trupin B të matur nga trupi C. Dhe, po ti shtojmë trupat në lëvizje të ndryshme në hapsirë, do të të kemi sërish humbje kohe për sejcilin trup, “humbje kohe” kjo (në thonjza pra), e cila do të jetë e ndryshme për sejcilin trup, e ndryshme edhe për të njëjtin trup të matur nga trupa të tjerë, (të matur pra nga sisteme të ndryshme referimi). Pra, varet nga sistemi i referimit kjo “humbje kohe”, një princip relativiteti ky, i cili dihej qysh para Ajnshtajnit dhe ku ky i fundit pikërisht për këtë shkak –duket– e modifikoi më tej, duke na dhënë jo një teori relativiteti, por një teori absolutiteti, ku koha dhe hapsira unifikohen në një njësi, në një parametër, në një komponent. (Në eksperimentet e mësipërme teorike nuk muarëm parasysh masat e trupave që përmendëm, duke i parakuptuar këto –pak a shumë– me masa të njëllojta.)
Pra, nuk kemi kurrfarë mbetje të kohës në vend, siç e kuptojnë gabim teorinë speciale të relativitetit të Ajnshtajnit shumica e njerëzve, përfshi këtu edhe vetë Ajnshtajnin, i cili në fillim e kuptonte se çfarë kish thënë, (duke mos sjellë gjë të re në shkencë), por më vonë nuk e kuptonte as vetë se ç’thosh, duke sjellë kështu diçka të re në shkencë, më saktë në pseudo-shkencë. Por vazhdojmë më tej, pasi ne duhet ta analizojmë autorin tonë me ato që ai na sjell dhe jo me ato idè që sjellim ne. Vazhdojmë:
Çfarë lëviz me shpejtësinë e dritës [,] në mos drita vetë?
Një fjali kjo që nuk na thotë as edhe një gjë, veç në tentoftë ta mbyllë shtegun e studimit të natyrës, për të kërkuar nëse edhe grimca të tjera lëvizin me shpejtësinë e dritës!
Deri këtu vetëm kemi përsëritur ca gjëra që mësohen në gjimnaz e që tifozët e “Star Trek”-ut i dinë përmendsh.”
Sa kollaj konfondohen këtu mësimet e shkollës me fantazitë e një filmi serial të Hollivudit! Dhe kjo bëhet kollaj në ditët e sotme, pasi ka shumë mundësi që edhe mësimet e shkollës të jenë kthyer në fantazira shkrimtarësh dhe pseudo-shkencëtarësh!
Prej këtu e poshtë vijon arsyetimi ynë. Ai do të jetë brutal për nga thjeshtësia.”
Aferim qoftë! Shpjegimi shkencor sa më i thjeshtë të jetë, aq më i kuptueshëm është për shumicën e njerëzve! Kështu pretendonte edhe Ajnshtajni për teorinë e tij të përgjithshme të relativitetit, se ajo e thjeshtonte kuptimin e gravitetit, mirpo edhe sot e kësaj dite studjuesit nuk i japin dum! Ta shohim autorin tonë!
Nëse koha mbetet në vend [,] kur lëvizet me shpejtësinë e dritës [,] e me këtë lëviz drita në vakum, atëhere –nëse mund të flitet për shpejtësi pa kohë– kjo shpejtësi kufitare nuk mund të ketë vlerë tjetër përpos vlerës 1.
Po e jap arsyetimin e autorit edhe një herë, me një strukturë tjetër fjalie, por po me të njëjtin kuptim, meqë shqipja e tij është një zhargon i pagjetur në shkrime shkencore në Shqipëri, si i tillë jo aq i kuptueshëm. “Nëse koha mbetet në vend për objektin që lëviz me shpejtësinë e dritës, (pra shpejtësinë maksimale dhe konstante të lëvizjes së dritës në vakum), atëhere –nëse mund të flitet për shpejtësi pa kohë– kjo shpejtësi kufitare nuk mund të ketë vlerë tjetër përpos vlerës 1.”
Siç shohim pra, autori fut një vlerë të caktuar nga vetja. Atë që quhet koha 0 (zero), ai e quan koha 1, gjë që e arsyeton më poshtë. Vetëm se, ajo çfarë autori nuk na sqaron këtu, po as edhe më poshtë, është kuptimi i kësaj vlere!?! Çfarë vlere është kjo? Vlerë peshash? Vlerë Graviteti? Vlerë masash? Vlerë numrash arithmetikorë? Vlerë monetare? Vlerë morale? Vlerë burse? Vlerë koordinatash të caktuara? Kjo vlerë duhet të jetë e caktuar dhe jo kështu e papërcaktuar? Nejse vazhdojmë:
Të gjitha lëvizjet e tjera duhen vendosur pastaj në relacion me të, pasi shpejtësia e dritës është kuti me të cilën duhet të matim pjesën tjetër [,] e kjo marrëveshje do të ishte e natyrës aksiomatike, mu ashtu si ç’biem në një mëndje që një metër është masa me të cilën matim gjatësitë [,] e pse kjo është kështu , pse 1 dhe jo 0, është tjetër aksiomë matematike kësaj radhe e që do të nënkuptonte se sistemi matematik që kemi zgjedhur do e përjashtonte zeron, që do të thotë se në një sistem koordinatash karteziane (ortogonal) x, y –bie fjala– prerja e akseve, vlera e saj do të ishte 1 e jo 0, siç shënohet rëndom."
Duke mos u marrë më me rregullimin në shqipe të kuptueshme të tekstit, (pasi dhe kështu siç është ai kuptohet po të lexohet dy herë), do të sqaronim se “natyrë” aksiomatike kanë relacionet statike, koordinatat dhe sistemet e mbyllur. Natyra është diçka tjetër. Ajo është dinamike dhe jo statike. Ajo ndryshon, transformohet, evolon. Ndaj aksiomat janë mjaft të pranuara në matematikë. Por në studimin e natyrës kaq të ndryshueshme, aksiomat janë shpesh në pozicion jashtë loje, veç nëse i përdorim për fenomene të veçanta e të shkurtër të natyrës, por edhe në këtë rast jo absolutisht/ përjetsisht, siç mbetet zakonisht një aksiomë.
Ajo që kuptohet këtu është se autori ka futur nga ana e tij një vlerë të caktuar tek koordinatat, ato më të thjeshtat, karteziane (ortogonale). Mirpo fakti është se këto koordinata fillojnë nga zero, si për ato vertikale, ashtu edhe për ato horizontale. Çdo vlerë tjetër është pa kuptim. Ndaj dhe 0 (zero) është në matematikë një njësi e caktuar. Zero nuk ka vlerë në biologji, në botanikë, në sport, në astronomi, kozmologji, etj, e ndoshta as në arkitekturë, ku punohet me koordinata matematikore. Por, në matematikë, zero përbën një numër të caktuar. Tek koordinatat ajo ruan simetrinë e caktuar, sepse çdo gjë nis nga zero. Në çdo libër shkolle koordinatat e thjeshta fillojnë nga zero, siç pranon edhe vetë autori në fund të paragrafit të mësipërm. Nejse, ne e pranojmë njëherë për njëherë këtë subjektivizëm të autorit, (një lloj bona fides e tij), duke i dhënë vlerën arithmetikore 1 edhe koordinatave; por nuk mund ta pranojmë se kemi të bëjmë me një aksiomë të caktuar. Vazhdojmë:
Pasi për shpejtësinë e dritës nuk do të mund të thuhej dot asgjë, ajo do të merrej e dhënë. Të njëjtën aksiomë do të duhej të merrnim të dhënë për masën e fotonit në fizikën e grimcave, pasi edhe ky do të ishte një kut tjetër aksiomatik e do të kishte vlerën 1.
Më duhet të përsëris –gati në mërziti– se shqipja e autorit nuk është aspak gjuhë shqipe. Fjalia e mësipërme është një vazhdim llogjik i shpjegimit në fund të paragrafit të mësipërm, pra asaj se përse koordinatat fillojnë rëndom nga zero. Këtë e tregon jo vetëm fjala e parë, “pasi”, por edhe tentativa për shpjegimin e mëtejshëm. Dhe fjalia do të përfundonte duke thënë, se edhe fotoni do të kishte në atë rast vlerën zero. Për faktin se koha do të ishte zero në rastin e koordinatave zero, kështu dhe për dritën nuk do të kishim ç’të thonim, -siç na tha autori. Pra ky do të ishte përfundimi shpjegues-llogjik i fjalisë, po ta merrnim kohën në vlerën zero, po ti merrnim koordinatat të nisura nga zero, siç shënohet rëndom. Mirpo autori përfundon shpjegimin e tij duke thënë se fotoni do të kishte vlerën 1. Ajd merre vesh këtë shqipe!?! Nejse, ne bëjmë sikur e kuptuam dhe themi se kemi gabim shtypi; autori ia ka vënë këtu fotonit vlerën 1, siç ua vuri edhe fillimit të koordinatave të tij, ashtu dhe shpejtësisë së dritës, përfshi dhe kohës. Pra vlera 1 e fotonit është vetvetiu një rrjedhim i vlerës 1 të shpejtësisë së dritës, ashtu dhe kohës.
Këtu i kujtojmë lexuesit tonë, se deri më sot fotoni, (grimca përcjellëse e dritës), është marrë me masë 0 (zero), pra një trupth pa masë. Mirpo vitet e fundit kanë dalë teori të ndryshme, që parashikojnë se fotoni ka posi masë. Kështu, nëse e kthejmë në gjuhë matematikore këtë masë të fotonit të dritës, i bie që më e pakta ai të marrë shifrën 1, pra vlerën 1. Njëshi i autorit tonë nuk duket pra ndonjë gjë e re!
Çfarë do të pohonte ky arsyetim për vlerën e kohës (së mbetur) [,] kur lëvizet me shpejtësinë e dritës?
Edhe këtu, duke parakuptuar se pyetja është mjaft e kuptueshme, (në të vërtetë ajo nuk është), përgjigjia është aq e thjeshtë, sa edhe një nxënës i fillores do të përgjigjej. Vlera e saj (kohës) do të jetë 1, sepse ne sapo e pohuam (vendosëm subjektivisht) më lart këtë vlerë kohe dhe shpejtësi drite =1.
Ajo që këtu huton edhe shkencëtarët më rigorozë, është fjala në kllapa, (mbetur). Për cilën kohë të mbetur bëhet këtu fjalë? Shpresojmë të sqarohemi më poshtë!
Vlera e saj do të ishte po ashtu =1, (pasi nuk mund të mos jetë, të mos ekzistojë; përndryshe nuk do të mund të flitej fare për fizikë) [,] dhe vlera reale e saj do të ishte e papërkufizueshme [,] sepse ajo, vlera me një fjalë, do të tentonte përkah pafundësia [pafundësisë] në njërën anë, ajo e madhja, dhe në të nëjtën kohë kah zeroja, pafundësia tjetër, ajo e vogla; ndaj në sistemin që kemi zgjedhur vlera e saj do të ishte 1. Dhe kështu është vërtet, si në fizikën e thërmijave, ku koha është thuajse e papërfillshme, në njërën anë, po ashtu edhe në fizikën e Ajnshtajnit, ku ajo mund të tentojë kah infiniti, varësisht nga masa.
Autori, pa na lënë radhë ti bëjmë një kompliment, apo të paktën të pohonim se pohimet e tija janë të drejta, (tek përpiqet të na shpjegojë vlerën pozitive të vendosur prej tij, 1-shin e famshëm), ai na çorodit si me shqipen e parregullt, ashtu dhe me terminollogji (si dhe njësi) të reja. Ai na thotë “papërkufizueshme”, teksa këtu do të shkonte edhe termi “pakufizueshme”. Duke lexuar fillimin e fjalisë, shohim se ai na shpjegon, se me vlerën 0 (zero) ne nuk do përkufizonim dot vlerën (reale) të kohës. Në rregull deri këtu. Por, duke lexuar vazhdimin e fjalisë, shohim se ai bën fjalë për vlerën 1 (një) të kohës, çfarë i jep kuptim si zmadhimit në infinit në njërën anë (fizikën e Ajnshtajnit), ashtu dhe zvoglimit të kësaj vlere drejt zeros në anën tjetër (fizikën kuantike); pra në këtë rast kjo vlerë do të ishte e pakufizuar. Autori na çorodit tërësisht. Përkufizimi është diçka tjetër nga kufizimi. I pari ka të bëj me neve, njerëzit. Pra në këtë rast ne nuk mund ta përkufizojmë dot diçka të caktuar, në këtë rast vlerën reale të kohës. Në rastin e dytë kjo vlerë vetë është e pa-kufizuar, (panvarsisht nëse ne ekzistojmë ose jo). Pra autori jo vetëm që nuk e njeh shqipen, çfarë do ta falnim në këtë rast dhe do ta ndihmonim me sa të ish e mundur, por ai ngatërrohet edhe me këmbët e tija. Bëhet fjalë për papërkufizim (nga ana jonë, e njeriut), apo bëhet fjalë për pakufizim të vlerave të këtyre kohrave?
Dhe, sikur të mos na mjaftonte kjo çoroditje, autori na bën tani fjalë për një njësi (apo vlerë) të re! Vlera reale e kohës! Deri tani kishim të bënim me vlerën e kohës. Tani kemi edhe një vlerë tjetër të kohës, atë reale! Ku është ndryshimi? A ka njeri të na e shpjegojë? Përse duhen gjithë këto terminollogji ngatrrestare?!
Përveç kësaj dallojmë këtu edhe diçka tjetër. Autori na thotë se kjo vlerë reale e kohës shkon drejt infinit, në të dy krahët, drejt zeros dhe drejt madhësive pa kufi. A nuk do të thotë kjo, se edhe shpejtësia e dritës do të shkonte në këtë rast drejt infinitit? Pra drejt zeros, siç edhe pranohet me teorinë e Ajnshtajnit, (ndonëse nga shpjegimi i autorit tonë kjo vlerë parakuptohet për grimcat e vogla, pra për terrenin e fizikës kuantike), dhe nga ana tjetër kjo shpejtësi do të shkonte drejt infinitit, (duke parakuptuar këtu –sipas shpjegimit të autorit tonë– trupat e mëdhenj, gjë që teoria e Ajnshtajnit nuk e pranon, sepse parakupton shpejtësinë e dritës si konstante dhe maksimale në Natyrë)!? Në këtë rast, nëse kjo vlerë kohe shkon drejt pafundësisë/infinitit, për ç’aksioma të dhëna e të pranuara na flet autori??? Aksiomat pranohen për sisteme të ngurtë e të dhënë dhe jo për dinamika të pakufizuara!
Duke qëndruar edhe pak tek fjalia e fundit, pyesim: ç’do me thënë kjo “thuajse”? Kur themi thuajse, kemi parasysh faktorin njeri, i cili i studjon këto thërmija (grimca) elementare. Pra, kjo kohë është e papërfillshme për ne njerëzit. Mirpo si është kjo kohë për vetë këto grimca?
Edhe kur themi e papërfillshme, kemi parasysh faktorin njeri. Dhe, ç’i intereson grimcës elementare nëse ne njerëzit ekzistojmë apo jo, nëse ne njerëzit i vrojtojmë dhe i masim, apo jo?!? Natyrisht që grimcës elementare kjo nuk i intereson, siç nuk i intereson nëse kanë jetuar mamuthët ose jo! Pra, detyra jonë është ti studjojmë ato, për të kuptuar funksionin e Natyrës. Dhe jo të vërejmë nëse koha (jonë) u hyn atyre në punë apo jo!
Duket se autori i qëndron atyre pikpamjeve pas-kantiane dhe pas-ajnshtajniane, ku koha konsiderohet si diçka që ekziston ndërmjet materies. Kjo njësi matëse (koha) na qenka formuar jo si abstraksion i yni për lëvizjen e trupave materialë, por na ekzistoka si një lloj mediumi midis trupave materialë!
Dhe në fund fare, tek autori përmend masën, natyrisht ka parasysh atë premisë, apo paradigmë, apo rrjedhim, (sido ta quajmë), të teorisë speciale të relativitetit nga Ajnshtajni, që thotë se, me rritjen e shpejtësisë së një trupi të caktuar drejt shpejtësisë së dritës, kemi edhe rritjen e masës së trupit të caktuar; sa më afër kësaj shpejtësie maksimale në Natyrë, aq më afër infinit maksimal të lejuar nga Natyra arrin edhe kjo masë. Vetkuptohet se ky është një rrjedhim llogjik, biles mendoj se rradhitet tek rrjedhimet llogjike analitikë, pasi është brenda kuadrit të ligjit (maksimës, paradigmës) universal(e), shkak-pasojë-shkak e me radhë, ku një pasojë e caktuar është shkak për një pasojë tjetër të caktuar, e kështu pa fund. Natyrisht ky rrjedhim ka një kufi të caktuar, atë të konstantes së shpejtësisë së dritës, që do të thotë se edhe ligji (maksima, paradigma) universal(e) shkak-pasojë-shak-… nuk mund të shkojë pafundësisht, çfarë i vë Natyrës një kufi mbinatyror, duke nxjerrë kështu edhe studimin njerëzor të Natyrës jashtë kufinjve të fizikës dhe hedhur në ato të filozofisë apo teologjisë. Por ky është një problem tjetër, që qëndron jashtë trajtimit filozofik-fizik të autorit tonë shqiptar, ndaj nuk po hapemi në ato degë filozofiko-teologjike.
Si rastësisht i kujtojmë lexuesit tonë këtu, se formula ajnshtajniane, E=m·c² e ka rrjedhën qysh nga koha e Galileit, duke kaluar tek formulat e Kristian Hjugensit 2m+2v²=F, (ndonëse kjo Forcë asaj kohe akoma nuk i kish zënë vendin mirë Lëvizjes), duke vazhduar më tej me formulën klasike të Njutonit, F=m·a (a-nxitimi), e cila vlente si për forcat artificiale në tokën tonë, të shkaktuara prej njeriut, ashtu dhe ato në Kozmos, ku vepronte graviteti midis dy trupave, ndaj dhe kjo forcë graviteti ishte Fg=mt·g , pra graviteti në kozmos është ekuivalent i këtij nxitimi (a) në trupat mbi tokë, po të mos llogarisim aty konstanten e Njutonit, (një shifër mjaft e vogël kjo, që i shumëzohet masës dhe lëvizjes në raport të zhdrejtë (pjestim) me distancën e qendrave të dy trupave qiellorë), ndaj më saktë ky gravitet midis dy trupave ishte F1=F2=G·m1·m2/r², kështu duke vazhduar më tej këto formula, si F=m·v, për të cilën Lajbnici shfaqi dyshim, pasi sipas tij kjo nuk vlente për Kozmosin, ku Lëvizja ishte e përjetshme, gjë që F=m·v nuk mund të na i japë, pasi pas çdo shtyse (F) lëvizja e trupit të caktuar ka një mbarim dhe jo perpetum mobile (lëvizje të përjetshme), siç e ka Kozmosi, kështu doli termi mbi “forcat e gjalla” dhe “forcat e vdekura”, (kujtoni monadat e Lajbnicit, atomet me shpirt), terminollogji kjo e zevëndësuar nga Energjia kinetike dhe potenciale, me formulat e ndryshme (por gati të njëjta), Ekin.=1/2·m·v², apo Ekin.=m·v², apo E=m·v²/2, të sjella nga Koldingu, Xhauli, R. Majeri, Helmholci, skocezët Tomson e Tejtin, për të ardhur si kali në lëmë tek i fundëmi, Ajnshtajni, me E=m·c², pra në vend të shpejtësisë së trupave, v, të kemi shpejtësinë e dritës, c, e cila na prezantohet në katror (c²), pra si dyfish i kësaj konstante në Natyrë, një konstante kjo e shpejtësisë së dritës © e pranuar nga Ajnshtajni për të shpjeguar teorinë e tij (speciale) të relativitetit (TSR), një konstante kjo e thyer po nga vetë Ajnshtajni me formulën e tij, nëpërmjet katrorit të shpejtësisë së dritës (c²), -një paradoks thuaj më mirë, të cilin nuk e shpjegoi as Ajnshtajni e as ajnshtajnistët deri më sot!
Autori vazhdon:

Interesant shkrimi.ti ne fushen e shkences je ekuivalenti I Pjerit ne fushen e ekonomise.kontradikta qendron ne faktin se tipi yt analitik I vemendeshem ndaj detajeve prej shkencetari keqkupton shpirtin e lire krijues te pavemendeshem ndaj hollesirave te fokusuar ne big picture te Pjerit.jeni si dy elektrone qe kur eksitoheni kaloni ne nje orbite me te larte duke konflikt e paqendrueshmeri por kur qetesoheni zbrisni ne nje orbite me ulet duke emetuar drite e mencuri per kete blog.