Peshq të ngecur në rrjetë (Pjesë e dytë)

(…). Që në fillesat e tij (Rrjetit), kritikat e para bërë efekteve demokratizuese i mëshonin teprisë së informacionit, e ashtuquajtura “vërejtja Babel”, e cila vëren se kur të gjithëve i jipet leja për të folur nuk mund të dëgjohet më askush. Në këtë tepri, në këtë mbidozë të informacionit, detyrohesh t’i drejtohesh përsëri ekonomisë, financës, parasë për të dalluar çfarë duhet dëgjuar nga çfarë mbetet zhurmë sfondi. Pa dyshim: në Internet, megjith posaçmërinë e tij si mjet në dorë të të gjithëve, komandon paraja. Midis miliona kërkesash demokratike, thirrjesh, kundërvëniesh, kundërthëniesh që popullojnë Rrjetin, ishte videoja e shkurtër e Hillary Clinton për hyrjen e saj në fushën e politikës (20 janar 2007) që “çau” duke u ritrasmetuar nga të gjitha mediat botërore, tv dhe gazeta bashkë. Hillary Clinton, e mbështetur nga të mëdhejtë e fuqisë ekonomike, përdor mjetin më pak të kushtueshëm sot për t’i folur zgjedhësve të saj, kompiuterin, duke treguar që tashmë pc-ja bën pjesë në jetën e përditshme të Amerikës, njësoj si televizioni në vitet 40-të, dhe furrat me mikrovale të viteve 70-të. (…).
(…). Kritika e brezit të dytë ka theksuar faktin që Rrjeti nuk është edhe kaq i decentralizuar, siç besohej në vitet 90-të. Kur i jipet leja për të folur të gjithëve, nuk është e vërtetë se nuk arrihet të dëgjohet më asnjeri: Hillary Clinton dëgjohet që ç’ke me të. Beppe Grillo gjithashtu. Studime mbi përdorimin e Internetit tregojnë se pak site tërheqin vëmëndjen, madje tepër gjërë, ndërsa miliona të tjerë mbeten anonimë dhe krejt të pa vënë re. Ndërsa aksioni politik shtyn njerzit të mobilizohen, demokracia gënjeshtare e Internetit i shndërron qytetarët në spektatorë pasivë, e megjithatë të pajisur me koshiencë false. Të qëndrosh para një ekrani duke chat-uar (llomotitur virtualisht) për vuajtjet e botës na bën të besojmë se në një farë mënyre marrim pjesë në një betejë heroike, ndërsa nuk bëjmë gjë tjetër veçse konsumojmë një mall tregu. Premtimi i Internetit si medium demokratik është telendisur krejt prej statistikave, prej të cilave rrjedh ideja e një demokracie të kuptuar si barazi e konsumit, si e drejtë e të gjithëve për të pasur disa të mira materiale. Liria si e drejtë për të zgjedhur, për të blerë mallra si parim nivelues - pra demokratik -, ndërkohë ekonomia dhe politika përlajnë Rrjetin duke i’u përshtatur detyrimisht gjuhës së tij, dhe duke prodhuar, më tepër se demokraci të vërtetë, forma tinzare të bindjes. (faqe 37-39)

(…). Paradigma e gjuhës televizive është reklama: e shpejtë, kërcitëse, bindëse. Si mund të besohet se mund të shpjegohet një Ligj Financiar ose një Program Qeveritar nëpërmjet televizionit? Interneti vuan po nga i njëjti problem, një lloj “mallkimi i ekranit” që përndjek mediat e reja. Gjithçka që kalon nëpërmjet një ekrani është dënuar të jetë i cekët. Termi “ekran” (schermo), etimologjikisht kushëri me “skermën” (scherma), do të thotë me mbrojtë, me nda. Duke na dhënë iluzionin e pjesmarrjes në realitet dhe të qenies aty ku nuk ekzistohet, ekranet (e tv dhe pc) na ndajnë nga bota reale dhe na zhysin në një dimension të pastërt virtual, në dimensionin e ëndërrës. Një lloj “jete e dytë” që na mbërthen tek mjeti, skllevër të të cilët bëhemi, me përfundimin që nuk e përdorim, por përdoremi prej tij. (faqe 41-42)

(…). Repertori stërmadh i informacioneve nuk vlen një dysh nëse ndonjëri nuk na ka mësuar ku dhe si t’i kërkojmë. Mjeti i hatashëm i njohjes dhe i komunikimit midis qenieve njerzore, premtimi që çdonjeri mund të gjejë ambjente (community) ku ndodhen qenie me të njëjtat interesa si të tijat, është gënjeshtar po aq sa edhe euforik. Më tepër se sa ndodh në realitet, në Rrjetë është më e lehtë të ndeshesh në përdorues të “interesuar”, të motivuar për të folur me ne nga interesa tregtare, makar të paguar për “të krijuar trafik”. Agorà-ja e supozuar e botës së globalizuar ngjan përherë e më tepër me një hipermarket, ku pranë McDonald’s dhe Blockbuster ndodhet edhe fallxhorja që të sheh pëllëmbën. (faqe 49)

(…). Por sa më tepër personazhet sforcohen të jenë vetvetja, aq më tepër duken modele të imitimit. (…). Ndërsa në video-blog fillohet të hiqet dorë prej vetvetes, kënaqsia e vërtetë qëndron në lëshimin pa duar, në humbjen e indentitetit personal, i vërtetë ky i fundit ose i supozuar qoftë. Por përfundohet me imitim të modeleve trashanikë. Për me tepër, nëse nuk flas në emrin tim, por të çdokujt, nuk ka përse të mbaj përgjegjsi për çfarë them. (…). Nëse në shkollë nuk je kurrkushi, nëse në punë asnjeri nuk të jep të drejtë, nëse nuk i’a arrin të “dukesh” si e kërkon me domosdo shoqëria e dukjes, në Web mundet, Rrjeti ta jep këtë mundësi. (…). (faqe 83-84)

(…). Teknologjia bëhet mjedisi në të cilin duhet të jetojmë dhe paisjet e saj - përfaqsuar nga pylli e ekraneve që rrethon tashmë ekzistencën tonë - bëhen buka jonë e përditshme. Duke na përjashtuar nga eksperienca e drejtpërdrejtë dhe duke na ngulitur para një ekrani, Rrjeti nuk ka më nevojë të falsifikojë realitetin. Eshtë realiteti i “vënë në skenë” nga Rrjeti vetë ai që bën të afërt çfarë është e largët, të pranishme çfarë është munguese, llokum në gojë çfarë do të ishte e pamundur të zotërohej, kodi me të cilin duhet të pështatemi. Në këtë ambjent, ku kush mban vesh dëgjon të njëjtat gjëra që ai vetë mund t’i thoshte dhe kush flet thotë të njëjtat gjëra që mund t’i dëgjonte nga çdokush, në këtë lloj monologu kolektiv të përdorur nga miliona, si përfundim rrënohet edhe vetë eksperienca e komunikimit, sepse rezultojnë të fshira diferencat midis eksperiencave “të gjalla” të botës. Në ndjekje të njeri tjetrit, mijëra zëra dhe pamje fshijnë diferencat që akoma ekzistojnë midis njerzve, duke përsosur homologimin e tyre. Dhe jo vetëm kaq: trasformojnë një mjet të krijuar për të komunikuar në qëllim përfundimtar të një ekzistence të konceptuar si komunikim në vetvete. Prej këtej rrjedh ajo formë e tëhuajëzimit në kërkim të dëshirës për të qënë “tjetërkund”, për të kërkuar vende të tjerë, jetë të tjera (shkon nga shkon e përsëri tek virtualiteti i ekranit). Për të mos bërë gjë tjetër, në fund të fundit, veçse për t’u larguar nga vetvetja. (faqe 90)

Në detin e vërtetë, ku një peshk lehtësisht mund të bëhet pjesë e një tufe që simulon një peshk të madh, nuk gjënden vetëm peshkaqenë. Peshku vetmitar gjen strehë në grup kundër peshkut që sulmon. Por befas mund të gjëndet i braktisur ose i peshkuar në masë, i nxjerrë në suprinë bashkë me të tjerët, në morinë e cironkave përpëlitëse me vezullime argjendi që formojnë peshkun e madh, kapur nga një peshkatar që ka hedhur rrjetën e tij në çastin e duhur.
Pinoku, buratinoja e krijuar nga Carlo Collodi (1826-1890), mbasi rrezikoi të fërgëllohej në tigan nga Peshkatari i Gjelbërt, dhe mbasi përfundoi në gojën e peshkaqenit, pushoi së qeni një buratino prej druri dhe së fundi u bë një djalë.

“Po Pinoku i dikurshëm prej druri ku do të jetë fshehur vallë?

-Ja ku është - u përgjigj Xhepeti; dhe i tregoi një goxha buratino të mbështetur në një karrike, me kokën të kthyer mënjëanë, me krahët varur dhe me këmbët kryq e gjunjë të përthyera, e që vetëm për mrekulli qëndronte pa rënë.

Pinoku u kthye për të parë; dhe mbasi vështroi për pak kohë, tha me vete tepër i kënaqur:

-Sa qesharak paskam qenë kur isha buratin! … Dhe sa i lumtur jam tani që jam bërë djalë i mirë!”

Shenjat e lëna tek Rrjeti kur ngecim në të, kur Rrjeti na kap, kur përfundojmë të jemi të përdorur prej tij në vënd që ta përdorim, duken të njëjta me të një sozie shumë të ngjashëm me buratinin e Collodit. Po të lexohen biografitë e kujt ka çvendosur identitetin e vet në Second Life, duken të gjitha të kundërta me Pinokun: histori djemsh të hajrit që bëhen papritmas buratinë, shtëpijake që struken në një jetë virtuale për t’i bërë bisht banalitetit të përditshëm, docentë universitarë që zgjedhin një avatar (personalitet virtual) vogëlusheje për të shitur sa më tepër në trafikë shitblerje pak të qartë, studente që bëhen modele për video-lojra.

Rrjeti na josh me jetë të dyta, na propozon të këmbejmë identitet, të zhvishemi nga veshjet tona, nga trupi ynë. Njësoj si bën Xhepeti me Pinokun, merret një avatar, ndërtohet një personalitet dhe dërgohet në botë (virtuale) për të parë se çfarë i ndodh. Pak nga pak, kjo botë në të cilën paraqitemi çdo ditë në mish e kocka, me fytyrën tonë, bota jasht Rrjetit, bëhet “bota tjetër”. Sikur realiteti të mos ishte vetëm këtu, por brënda ekranit, në parajsat dixhitale të ndërtuara me bit dhe në simulimet trepërmasore të një jete tjetër, ku mund të rilindim me një hundë, flokë, një shtat, e deri me një moshë dhe seks tjetër.

Mëkat, se në këtë rast, ndryshe nga sa ndodh në librin e Collodi-t, përshkimi i udhës bëhet në të kundërt, tashmë i paracaktuar dhe i kushtëzuar, i bërë me kast - me sa duket - për të na hutuar, dhe në hutim, për të na bërë të humbim udhën, për të na kapur dhe bërë që të mbetemi, të ngecur në Rrjetë, buratinë përgjithmonë.

FUND

------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Për t’u kuptuar disi mirë se ku rreh çekiçi i këtij libri kam përkthyer të plotë Hyrjen, kapitullin e parë dhe të fundit, dhe disa paragrafë përfaqsues të shkëputur prej kapitujve të tjerë. Ky libër i formatit të vogël që nuk kap as 100 faqe, përveç se një manual pedagogjik rreth rreziqeve të internetit (sipas autorit), është edhe një përsiatje rreth filozofisë së internetit dhe përdorimit të teknologjisë në përgjithsi. Por vlerat e lartpërmendura nuk justifikojnë dhe shpërblejnë plotësisht mundimin për të shqipëruar këto faqe e paragrafë, sepse shtysa kryesore ka qenë për të dëshmuar se dukuritë kulturore shfaqen njëkohësisht në disa fusha të konsideruara rëndom pa pikë lidhje midis tyre, dhe përsëriten - për herë e më shpesh e më degraduar - si “rikthim i përjetshëm i të njëjtës”. Për të folur më konkretisht, nuk është rastësi që gjëmat shoqërore dhe gurguletë mediatike bashkohore zhvillohen rreth ndasisë dikotimike real-virtual ose historik-mitik: virtual-art, politika virtuale, ekonomia virtuale, financa virtuale pro e kundër Trump nëpër hapësira virtuale, Krishti mitik që vërsulet si Matrix të shpëtojë realitetin prej hapsirave të virtualitetit, Skëndërbeu mitik ose virtual, etj. Si dreqin na firoi kështu prej duarsh realiteti pikërisht mbasi u zgërlaq soc-realiteti që theksonte si reale vetëm dhe vetëm “këtë botë”, ndërsa “atë botë” e konsideronte iluzion fëmijnor, halucinacion, produkt kulturor i klasave sunduese me efekt drogues, etj. Si bëhet e mundur që Web-i, informacioni i iluminuar, kulmi i teknologjisë bashkohore (dhe kjo e fundit produkti më në zë i shkencës iluministe që fitoi vetëdijë dhe pushtet mbasi bëri def besimin obskurantist në “atë botë”), çaplon realen prej virtuales, tëpkë si dikur në mesjetë çaplohej “kjo botë” prej “asaj botë”? Si ndodhi që ahengu në ekonominë virtuale pasoi me katastrofën e ekonomisë reale, dhe me siguri do të pasojë edhe me katastrofën e botës mbarë nëse nuk vijnë mendtë prej botës virtuale në botën reale? Dhe e fundit: pse dreqin vijnë mendtë pikërisht atëherë kur nuk i hanë as qentë?


ketu gjeni Pjesën e parë

[quote=“InkuizitoriMoth, post:1, topic:4283”]

Shenjat e lëna tek Rrjeti kur ngecim në të, kur Rrjeti na kap, kur përfundojmë të jemi të përdorur prej tij në vënd që ta përdorim, duken të njëjta me të një sozie shumë të ngjashëm me buratinin e Collodit. Po të lexohen biografitë e kujt ka çvendosur identitetin e vet në Second Life, duken të gjitha të kundërta me Pinokun: histori djemsh të hajrit që bëhen papritmas buratinë, shtëpijake që struken në një jetë virtuale për t’i bërë bisht banalitetit të përditshëm, docentë universitarë që zgjedhin një avatar (personalitet virtual) vogëlusheje për të shitur sa më tepër në trafikë shitblerje pak të qartë, studente që bëhen modele për video-lojra.

Rrjeti na josh me jetë të dyta, na propozon të këmbejmë identitet, të zhvishemi nga veshjet tona, nga trupi ynë. Njësoj si bën Xhepeti me Pinokun, merret një avatar, ndërtohet një personalitet dhe dërgohet në botë (virtuale) për të parë se çfarë i ndodh. Pak nga pak, kjo botë në të cilën paraqitemi çdo ditë në mish e kocka, me fytyrën tonë, bota jasht Rrjetit, bëhet “bota tjetër”. Sikur realiteti të mos ishte vetëm këtu, por brënda ekranit, në parajsat dixhitale të ndërtuara me bit dhe në simulimet trepërmasore të një jete tjetër, ku mund të rilindim me një hundë, flokë, një shtat, e deri me një moshë dhe seks tjetër.
[/quote]

Hahaha o ***I Modh, ketu duhet te kishe vene fotografine tende se ti je ilustrimi me i mire i ketyre paragrafeve.

ha e ha e ha O Katror e ke honger t’modh se une shkruaj ne Rrjet nuk ha ashtu si ty! Jam Xhepet, nuk jam Pinok sumkatror!

image