Përgjigja
Me solemnitet cerimonial Dwar Ev-i saldoi me flori kavot e fundit. Sytë e njëzet telekamerave ishin fiksuar mbi të dhe valët subeterike shpërndanë tej e ndanë Universit njëzet imazhe të ndryshme të ceremonisë.
Drejtoi trupin dhe i bëri shenjën “po!” me kokë Dwar Reyn-it, pastaj iu afrua levës së çelsit kryesor: ishte leva që do të lidhte, me në një goditje të vetme, të gjithë kompjuterët gjigandë e të gjithë planetëve të banuar të Universit - 96 miliardë planetë të banuar -, duke formuar superqarkun prej të cilit do të krijohej superkompjuteri, një makinë e vetme kibernetike që do të përfshinte të gjithë diturinë e të gjitha galaktikave.
Dwar Reyn-i mbajti një fjalim të shkurtër drejtuar miliarda teleshikuesish të panumërt. Pastaj, pas një çast heshtje, tha: “Gjithçka është gati Dwar Ez”.
Dwar Ez-i uli levën. U dëgjua një ushëtimë e llahtarshme, e gjithë energjia e nëntëdhjetë e gjashtë miliardë planetëve të përqendruar bashkë. Miriada drita shkrepëtinë në panelin me kilometra të gjatë, e pastaj u venitën.
Draw Ez-i bëri një hap prapa dhe mori frymë thellë. “Nderi i pyetjes së parë të takon ty, Dwar Reyn”.
“Faleminderit” u përgjigj Dwar Reyn-i “do të jetë një pyetje të cilës asnjë makinë kibernetike nuk ka mundur t’i përgjigjet”.
U kthye përballë makinës: “A ka Zot?”.
Zëri madhor u përgjigj pa hezitim, pa trokitjen më të vogël të valvulave apo kondensatorëve.
“Po, tani ka Zot”.
Tmerri kaplloi fytyrën e Dwar Ev-it, u vërsul të kapë levën e çelsit.
Një vetëtimë e rënë nga qielli pa re e bëri Dwar Ev-in shkrumb e hi, dhe dogji çelsin e mbyllur.
Frederic Brown, Answer (1954)