Qasja e pafajshme ndaj botës

Gjithçka është e pastërt për kë është i pastërt (në shpirt) - shën Pali, letër Titit: 1,15.

Mbasi vizitoja një ekspozitë që vërtet ja vlente, kur dilja jasht salle vështroja botën me tjetër sy, të njëjtat sende që kishin të njëjtën pamje si më parë, më jipnin tjetër ndjenjë. Ky është efekti pozitiv i sindromës së Stendalit, sepse ka edhe një efekt tjetër, negativ, të shtrohesh në spitalin e Firences si ju ndodh turistëve japonezë. Në fund të fundit kjo është vlera e vërtetë të shohësh një ekspozitë, ndryshe nuk ja vlen as çmimi i biletës. Madje mund të thuhet kjo është vlera përfundimtare e të qenurit zanatçi i imazhit për një jetë të tërë. E çfar vlere ka të pikturosh gjithë jetën e të mos ndjesh vibrimin vangogist të së verdhës diellore në një pamje fushe me grurë në Rushbull? E çvlerë ka të studjosh një jetë të tërë fytyrat e Madonave rinashimentale, e të mos jesh në gjëndje të ndjesh bukurinë ngashnjyese që kalon ke Polikumi? E çvlerë ka të lësh sytë e lesht e kokës duke studjuar rimë e metrikë, e të mos jesh në gjëndje të shijosh një shprehje humoristike alabaku në autobuz, e të mos jesh në gjëndje të lidhësh dy fjalë me komshiun, ose me kolegun në blog?

Pra, nëse nuk të ka vlerë as për kaq e të qenurit krijues, në vënd që të harxhosh pare për biletën e hyrjes në ekspozitë veprash rinashimentale, më mirë futja me një akullore në pastiçerinë aty afër, apo nuk bëjnë ca akullore në qëndrën historike të Firences, që ç’të të them. Në vitrinat e pastiçerive të rrugës kryesore, sheh grumbuj me akullore me përmasa gjigante, pa shumë ekzagjerim male akullnajore prej kremi me lloj lloj ngjyrash, tamam paese dei balocchi i Pinokut, me origjinë nga kjo nahi. Me të ardhë keq që nuk je kalama që shtyp hundën në xhamin e vitrinës, por jo nuk të lejohet në asnjë mënyrë sepse je ekspert pikture në moshë të pjekur, e duhet me harxhu paret për të parë madonat sublime të Boticcelli-t që i bëjnë konkurencë nepsit për akullore.

Kur një gazetar e pyeti një herë Ajnshtajnin se si arriti të zbulojë teorinë e relativitetit, e cila transformoi rrënjësisht vizionin klasik të fizikës klasike, ai ju përgjigj se pashë botën me sy naif prej kalamani, sikur e shihja për herë të parë, dhe jo sipas librave të gjenive fizikantë parardhës. Në fakt ishte 26 vjeç kur filloi zbulimet në fizikë një pas një, punonte si nënpunës në një zyrë patentimi shpikjesh, nuk ishte ekspert, as mi biliotekash, pra as intelektual i modh. Pra me një vizion kalamani me qasje të pafajshme ndaj botës, nxorri jasht loje përmbajtjen e bibliotekave, tempujt e librave, gjithçka të shkruar deri atëherë për fizikën që studjon strukturat më themelore të botës. Përfundimisht është qashtërsia vlera bazë që bën të mundur zbulimin, revelatën dhe krijimin.

Ilariteti është veti tipike e gjeniut dhe kalamanit, gjeniu është një i rritur që e ka akoma gjallë kalamanin brënda tij (L’enfant de mon vivant, Jacques Prever), me fjalë tjera ka qasje të pafajshme ndaj botës. Pikërisht kjo është edhe vlera e vërtetë e artit modern, dhe superioriteti i tij ndaj artit klasik, i cili e mban kalamanin fshehur, ndërsa arti modern e nxjerr sheshit ilaritetin e mëndjes së kalamanit. (E njëjta gjë vlen edhe për fizikën, vetëm se në rastin e saj, askush nuk bëhet aq i zgjuar sa të vërë në diskutim superioritetin e fizikës moderne ndaj asaj klasike). Në këtë kuptim ka progres në art, siç ka Progres në përgjithsi. Akuzat që modernët nuk dijnë të vizatojnë, të ndeshura rëndom në zanafillë të modernizmit, më pas përgjatë periudhës të metodës së realizmit socialist, e sot në formën e parullës popullore “këtë mund ta bëja edhe unë”, nuk qëndrojnë, sepse psh Pikaso tregon në peridhën e tij realiste që di të vizatojë, madje më mire se klasikët. Vetëm në periudhën e më pastajme kubiste pikturat dhe vizatimet e tij i ngjajnë vizatimeve të kalamajve (Krushovi thoshte që kuadrot amerikane tip Pollock i ka bërë bishti i gomarit), por pa qenë kurrsesi vizatime kalamajsh, vetëm të kujtojnë stilin e tyre. Piktorët modernë nuk janë thjesht ekspertë, por përpunojnë me mjeshtëri klasike qashtërsinë kalamane. Shumë nga artistët modernë e pohojnë vetë se kanë mësuar shumë prej vizatimeve të kalamajve (edhe të grave, por ky është tjetër hesap).

Nga ana tjetër nuk mund të kuptohet kurrë një vepër arti moderne nga spektatori, nëse ky i fundit nuk ka të njëjtin ilaritet si të gjeniut, ndryshimi është vetëm se këtë ilaritet e ka si të thuash pasiv (në kuptimin që inisiativën e ka autori). Pra nëqoftëse nuk je një gjeni krijues, bëhu një gjeni spektator! Me thënë të drejtën mbas shumë e shumë vitesh e vitesh militimi në zonën e krijimit (jo vetëm artistik safi, por edhe teknologjik, dizajn), nuk di të them se kush është më i zoti (ose më zot): autori apo spektatori? Po të pyesesh spektatorin të thotë pa diskutim autori krijues, po kush i ka bërë gjeniut të njëjtën pyetje? Në fakt ankthi dhe vuajtja më e madhe e gjeniut është të qenurit pa spektator të denjë për të vlerësuar veprën e tij. Van Gogu nuk pati pranë as spektator që t’i bëntë këtë pyetje. Përgjigjen e keni të qartë besoj nëse më keni lexuar deri tani me “qasje të pafajshme ndaj shkrimit”. Spektatori është i “Afërmi tënd”, ose “Tjetri” i përkatësisht besimtarëve dhe laikëve, të cilët shpesh flasin për të njëjtën gjë, por fatkeqsisht me gjuhë të ndryshme. Spektatori është bashkëautor me Autorin, dy qenie të gjalla, e midis tyre qendron personazhi që është qenie e paqenë fiktion.

Nga kjo pikpamje Joseph Beuys thotë me shumë të drejtë: “të gjithë janë artistë”; Wim Wenders thotë pak a shumë të njëjtën gjë: “të gjithë jemi regjizorë” (referuar video-celularit). Kjo pikpamje, jo vetëm justifikon krejtësisht aktin provokues ready-made të Dushamp kur ekspozoi një shurrtore në muze në vitin 1917, por edhe e glorifikon. Motivacioni i provokimit të tij nuk ka për tu marr vesh kurrë sepse Dyshamp mbetet personi më enigmatik në historinë e artit, çfar thoshte sot nuk thoshte nesër, tallej me të gjithë, edhe me veten e tij (pa asnjë arsye, në kulm të forcave të veta krijuese, braktisi veprimtarinë artistike, dhe ambicja e tij ishte të bëhej i zoti si shahist; deri sa vdiq luante vetëm shah). Çfar nuk e kanë quajtur, i kanë veshur të gjithë gamën e epiteteve: nga gjeni i pakuptuar, deri në sharlatan pervers, e ç’përmbahet brënda midis skajeve të këtij intervali. Por mua nuk më intereson fare, mër po fare, fare se çfar ka qenë, nuk jam as historian arti, e as shef kuadri, unë jam spektator me qasje të pafajshme ndaj botës, e si i tillë, vlerën e kam unë, ndërsa autori Duchamp le të mbajë rëndësinë e gjeniut në histori. Pra sidoqoftë motivacioni i Duchamp, aktit të tij provokues ja jap unë vlerën e vërtetë si spektator (autori është më i rëndësishëm, spektatori ka më tepër vlerë).

Shurrtorja e famshme e Duchamp, nëpërmjet operacionit ready-made - një objekt ose send çfardo i nxjerrë jasht kontekstit të përdorimit të tij utilitar për shkak të ekspozimit në muze - rifiton aureolën origjinale të tërë gjërave të krijuara, duke treguar si udhërrëfyese se e njëjta aureolë ndriçon të gjitha sendet e përdorimit të përditshëm, deri edhe ato të konsideruara rëndom të ndyra. Me një fjalë i gjithë krijimi është një tempull i shenjtë, nëse shihet me sy të qashtër prej kalamani.