Vdekja është një temë kaq e rëndë sa do të ishte mirë të bëhej diçka që të qeshej para saj - Damien Hirst
Asgjë nuk është më groteske se tragjikja - Samuel Beckett
Zoti qesh, Satanai zgërdhihet.
Skulptura në foto të shkrimit - kryevepra e Damien Hirst me titull For the Love of God (Për hir të Zotit) - është një kalk i një kafke origjinale njerëzore, e derdhur në 2,156 gram platin dhe e vendosur me 8,601 diamante prej 1,106,18 karatësh; në ballë të kafkës është vendosur një diamant i madh rozë. Në nofullat e kafkës prej platini vetëm dhëmbët janë të kafkës origjinale, të cilën autori e bleu për 5 lek në një dyqan historie të natyrës në Londër. Më pas u zbulua me metodën e radiokarbonit se pronari origjinal i kafkës ishte një mashkull mesoburrë me origjinë evropiane, vdekur midis vitit 1720 dhe 1810. Vepra kushtoi 12 milion stërlina për t’u prodhuar, ndërsa u ekspozua (viti 2007) me çmimin të shitjes 50 milion stërlina, çmimi më i lartë i një vepre arti të një artisti të gjallë. Sot “dashuria e Zotit" vlerësohet me shifrën 99 milionë dollarë. Vetkuptohet përse kjo vepër mund të konsiderohet pa frikë provokimi më i madh i kohës postmoderne dhe më me domethënie.
Për hir të Zotit është shembulli më i shkëlqyer që vepra postmoderne është parodi e veprës klasike, vepra në fjalë është parodi e koncepti të krishterë vanitas dhe memento mori (“mos harro se për të vdek ke!”). Kishat katolike, duke filluat nga shekulli i shtatëmbëdhjetë, zbukurohen me reliket e shenjtorëve, kafkat dhe skeletet e tyre për të nxitur devotshmërinë e besimtarëve, ndërsa shkëlqimi i diademave mbi kocka vlen për të shuar frikën e vdekjes dhe, në një farë kuptimi, për ta mohuar atë, në kuptimin që ka jetë pas vdekjes. Por të gjitha këto mund të interpretohen edhe në të kundërtën, si nekrofili, gjë që përbën problemin thelbësor krishtërimit, në të cilin problem kacavirren akuzat ateiste.
Sa më sipër është interpretimi në kod religjioz, interpretuar vepra në fjalë në kod ekonomik, është shumë më tepër se kaq, sipas Marksit pavdekësia arrihet nga aftësia alkimike e kapitalit për të transformuar pafundësisht paranë në mall dhe anasjelltas. Në këtë rast malli është vepra e artit, paratë trasformohen në platin dhe diamante të prera me mjeshtëri, dhe këto të fundit të nxjerra nga qarkullimi dhe të ekspozuara në galeri si mall unik trasformohen pafundësisht në para sepse vepra shitet dhe paret investohen përsëri në veprën e ardhëshme, riciklim i vazhdueshëm. Njëkohëshit edhe artisti, që në rastin e Hirst jo rastësisht është edhe afarist që shet e blen veprën e tij, arrin përjetsinë nëpërmjet famës, njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja fytyrën. Për hir të Zotit dëshmon përsosur ndërlidhjen dhe deri identifikimin midis artit dhe ekonomisë, mbivlera e famëshmë marksiste është vlera artistike. Në tërë historinë e artit paret nuk dalin kurrë kaq sheshit në krijimin e veprës artit dhe në mekanizmin ekonomik që bën të mundur krijimin artistik.
Në kuptimin psikologjik vepra është ilustrim i përsosur i ndërlidhjes, madje identifikimit, midis komikes dhe tragjikes, nuk ka komedi ose tragjedi, ka vetëm tragjikomedi, monedhë me dy faqe. Nëse epoka klasike ishte një tragjedi, epoka postmoderne është një komedi, historia fillon me një klithmë dhe përfundon me një ngërdheshje. E meqë ka vetëm tragjikomedi, në thelb koha historike nuk ekziston, ekziston monedha që farfuron vazhdimisht dy faqet e saj, alias mësalla me dy faqe që nuk mund t’i besohet “si ka ardhë koha …”.
Damien Hirst u rrit nga nëna e tij, pasi babai i tij braktisi familjen kur Hirst ishte 11 vjeç. Pra është rasti i bërë vaki deri në mërzi i kushtit alkimik që krijon artistin e modh: atë mungues dhe nënë obsesive. Nëna e tij ishte një katolike e devotshme dhe në këtë klimë shtëpijake Hirst mësoi të shijonte aspektet më makabre me të cilat është e pasur ikonografia katolike: gjak, tortura, eshtra, kryqëzime etj. Studjonte libra që ilustronin patologjitë e trupit të njeriut dhe vizatonte trupin e njeriut në situatat më tragjike. Tema kryesore e Hirst është eksplorimi i ciklit i vdekjes, duke përdorur materiale heterogjene që implikojnë vdekjen: kafshë në dekompozim, skulptura anatomike, rafte me ilaçe, kazanë me bishta cigaresh, plehra, kafshë të ruajtura në formalinë etj. Nekrofili e pastërt e postkrishterë.
Hirst e tregon vetë që titulli i veprës Për hir të Zotit prejardhet nga nëna e tij që qortonte të birin sa herë merrte vesh bëmën e veprës së tij të fundit: “Për hir të Zotit, çfar do të bësh më pas?”.
E ç’të bënte më pas biri veç të tallej me nënën e braktisur nga i ati në një botë postmoderne të braktisur nga Zoti? Hirst, gjatë gjithë veprimtarisë tij, veç është tallur si çdo artist tjetër post modern. Tallja e tij e fundit është më madhështorja sepse kurorëzon veprën e tij tallëse nëpërmjet një rikthimi në klasiçizëm, në pikturën impresioniste që në historinë e artit konsiderohet rëndom epoka më ngazëllimtare e imazhit me ngjyra tubeti, penel dhe vaj lini. Më pas skulpturës Për hir të Zotit, në vitin 2020 Hirst ekspozoi për herë të parë në jetën e tij në Paris (jo rastësishtit) 107 tabllo në përmasa të mëdha me shpërthimin pranveror të luleve të qershive. Jo rastësisht tabllotë në fjalë - deklararuar prej vetë tij - janë frut i qetësisë së mbylljes në lockdown Covid. Ta do mendja që sipër kufomës të hidhen lule.
Shën Benedikti, kisha e Shën Mikaelit në Mynih (Michaelskirche).