Kur jam në ndonjë vend, unë ndyj heshtjen e qiellit dhe tokës me frymëmarrjen dhe rrahjen e zemrës sime - Simone Weil, Hija dhe hiri
“Intelektual” quhet rëndom personi, që për tu orientuar në botë - sigurisht edhe për të fituar bukën e gojës -, përdor kryesisht intelektin, mëndjen. Ndërsa kush përdor kryesisht duart dhe trupin për të njëjtat arsye, quhet “puntor”. Tjetër dallim domethënës midis këtyre dy figurave, është nëse puntoria, për vetë natyrën e saj, i referohet eksperiencës praktike, me fjalë të tjera aktivitetit fizik, intelektualizma i referohet aktivitetit mendor. Ndarja midis tyre është saktë projektimi në fushën shoqërore i ndarjes midis trupit dhe mendjes. Forma konfliktuale që merr në fushën shoqërore ndarja midis kujt përdor mendjen e kujt përdor fizikun, është po njësoj projektim i konfliktit real të personit njerzor të ngërthyer tragjikisht midis ç’thotë mendja dhe e ç’don trupi, zbuluar e vënë në pah nga shën Pali në paragrafin e famshëm:
Shoh, pra, parimin që e keqja është e pranishme në mua, kur dua të bëj të mirën. Sepse unë me gëzim bie dakord me ligjin e Zotit në njeriun e brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e trupit tim, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën rob të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia. Sa i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup vdekjeje? (…) Kështu pra, nga njëra anë me mendje i shërbej ligjit të Zotit, por nga ana tjetër me trup i shërbej ligjit të mëkatit - Letër romakëve 7:21-25
Konflikti midis punës manuale dhe punës intelektuale është zbuluar dhe vënë në pah për herë të parë nga Marksi, tregues që mohimi i krishtërimit ka ndodhur duke e esteriorizuar ose e trupëzuar në komunizëm. Pra komunizmi, mohimi më i skajshëm bërë krishtërimit, është sakrificë e shpirtit bërë për hir të trupit, dhe Marksi rezulton një katokomunist. Nga kjo pikpamje nuk do mend as kalem (e as trup fizik) për të kuptuar se një personalitet modern (dhe jo vetëm, varet nga thellësia e pikpamjes) nuk mund të jetë tjetër veçse një katokomunist, qoftë edhe pa e ditur dhe pa e dëshiruar një nofkë të tillë.
Si në fakt me të vërtetë katokomuniste ishte Simone Weil, shpjeguar në vija të përgjithshme: ishte një e krishterë pa Kishë që kërkontë të çlironte njerzimin nga skllavëria e punës me metoda jo marksiste; dmth jo çlirim marksist duke zhdukur punën në një shoqëri të ardhme të lumtur, por duke i dhënë punës domethënien e humbur si “vlerë njerzore”. Sipas Weil puna nuk duhet hequr qafe si shfrytzuese në vetvete, si e keqe shtypëse në vetvete, pikërisht ky është gabimi që Lëvizja Puntore me Leninin ka pjellë përbindëshin totalitarist, një lloj shoqërie që shtyp e shfytzon “me shpresën që të çlirojë”.
Gjithashtu sipas Weil ndarja konfliktuale midis punës manuale dhe punës intelektuale (shkak i krijimit të aparateve shtypës dhe burokratikë), nuk lidhen me ndarjen e pronës, siç thoshte Marksi. Ndryshe konflikti bazë kapitalist nuk do të riprodhohej akoma më tragjikisht në shtetin që kishte asgjësuar pronën private të mjeteve të prodhimit. Weil do t’ja përplaste fytyrës Trockit, me të cilin pati miqësi, të vërtetën se ky shtet nuk mund të quhej kurrsesi shtet puntor ose shtet proletar. Por nuk i tha që ky shtet mund të quhej shtet intelektual, siç në të vërtetë ishte. Në fakt nuk e tha me të thënë, por e tha me të bërë, që është e thëna tamam (gjë që kërkon të tregojë edhe shkrimi që po lexoni), ndryshe nga e thëna e të majtës luksoze të salloneve mondanë që hartojnë dizertacione mbi kushte e klasës puntore duke mbajtur me kujdes distancën nga erë e djersës proletare dhe ferrit ulëritës të uzinës.
Kur mendoj që Bolshevikët e mëdhenj pretendonin të krijonin një klasë puntore të lirë, ndërkohë me siguri asnjë prej tyre - Trockij, sigurisht që jo, dhe as Lenin besoj - nuk kishin shkelur as prakun e një ofiçine, e pra nuk kishin idenë fare kushteve reale që përcaktojnë skllavërinë ose lirinë puntore, e shoh politikën si një palaçollëk kobzi - Simone Weil, Gjëndja puntore.
(Në listë fare mirë mund të futet edhe Stalini me Marksin, Engelsi jo, sepse, si djalë fabrikanti, ai e pati shkelur prakun e fabrikës së të jatit). (**)
Megjithse prejardhej nga një familje e pasur, dhe ishte intelektuale tipike që nuk kishte prek punë me dorë (nuk dinte të ngulte një gozhdë), për më tepër shëndetligë, Weil, e përkushtuar ndaj çështjes punëtore, shkoi vullnetarisht të punojë në ferrin e uzinës me qëllim që të analizonte mekanizmat e shtypjes sociale duke i provuar mbi lëkurë të vet, kërkoi të vinte në provën e fakteve përfundimet e arritura. Dhe kjo eksperiencë guximtare i kushtoi jetën, shëndeti i saj u përkeqsua në mënyrë të pakthyeshme derisa më vonë vdiq nga sëmundja e turbekolozit e pa kuruar dhe e pa ushqyer si duhet (jetoi me të ardhurat e punës së saj në uzinë).
Nuk të jipet qyl asnjë e vërtetë. Weil ishte një shënjtore moderne, dha deri në fund, prandaj dhe mori të vërtetën (e uzinës në këtë rast). Kush nuk shkel prakun e uzinës, mer të vërtetën e sallonit, dhe për më tepër e merr si bylmez.
Nuk zbulohen si duhet ide të reja pa bërë veprime konkrete vetëm duke lexuar libra. Nëse lexon e shkruan pa bërë veprime konkrete dhe pa njohur kontestin lidhur me çfarë lexon e shkruan, nuk je i besueshëm për kërrkënd, mandje as për vetveten.
fund
(*) bylmezi, injoranti
(Bylmezi e gjen vete rrugën e humbjes - shahist anonim shqiptar)
(**) Vonë e kam kuptuar përse atëbotë puntoria dhe fshatarsia punonjese quhej “klasë”, ndërsa intelektualet quheshin “shtresë”. Nuk paskësh qenë një mister, por një Vizion i Qartë i salloneve mondanë të Montpeljesë.
Simone Weil