I dashur mik,
Mësova për befasinë jo fort të këndshme - ndryshe, për bezdinë, që të shkaktoi dhënia e çmimit Nobel në letërsi amerikanit Bob Dylan.
Ndryshe nga ty, mua ky lajm fillimisht më gëzoi. Më vonë, më bëri të kujtoj… më transportoi në rininë time - në atë vitin e largët 1976, dhe më risolli ndër mend tingujt e këngëve të albumit të tij fantastik “Desire” (Sara, Oh Sister, Joey…). Një hap më tej, më bëri të mendoj… dhe të të shkruaj!
Miku im, ndoshta ka ardhur koha që edhe ne - lexues, dashamirë (bile herë-herë edhe krijues paçka modestë) të letërsisë, të fillojmë të arsyetojmë disi ndryshe:
Së pari, të dalim nga ai “standard” që ishte krijuar gjatë kohës, sipas të cilit çmimi Nobel ishte i prerë për shkrimtarët dhe parashihej tu jepej vetëm atyre të kallëpit “klasik” të fjalës.
Po përdor thonjëzat kësaj here thjesht jo për të stigmatizuar zanatin dhe artizanët e këtij arti por për të vënë në dukje këtë plotës si atribut i atyre që dinin veç të shkruanin romane apo të tjera gjini letrare - (tregime, novela etj…) - të zhanrit “fiction”, ku shkrimtari “perëndi” bën dhe shbën botën sipas ligjeve të tij. Dhe ishim mësuar ta çmonim atë botë mes gjuhës, stilit, figurave, intrigave, galerisë së personazheve - të akordonim imagjinatën me aftësinë tregimtare.
Personalisht, jam i bindur se ata antarët e atij komisioni që dha dje këtë çmim nuk janë as të mykur, as të rrjedhur, as të indoktrinuar, as te politizuar as edhe cmirëzinj apo zëmërakë ndaj atij apo këtij krijuesi, vendi, ndaj asaj apo kësaj gjuhe, kulture… sikundër jam po aq i bindur se aktualisht - dhe qysh prej disa kohësh, ata zotërojnë një vizion të gjerë të “letërsisë globale”. Një i tillë vizion nuk përmblidhet as edhe reduktohet më brenda këtyre kornizave të dikurshme, pasi këto korniza nuk janë më përfaqsuese dhe gjithëpërfshirëse!
Së dyti, të ndryshojmë përfytyrimin tonë të ngulitur lidhur me vetë artistin krijues nobelist - gjeni absolut, lëvrues xhonglues i fjalës dhe i frazës, mjeshtër i pagabueshëm i intrigës dhe i rrëfimit, krijues i pashoq i personazheve të pavdekshëm, ushqyes shpirtëror i brezave… Në të vertetë, një i tillë s’ka egzistuar kurrë! Por, ndërkohë që bota e civilizuar reduktohej brenda kufijve të kontinentit të Vjetër - përfshi edhe kontinentin e Ri ato dy shekujt e fundit; ndërkohë që kultura ishte atribut i një elite të ngushtë, të nxënë, të kamur dhe sqimatare, ndërkohë që “standardet” përmasoheshin brenda kornizave estetike, etike dhe gjuhësore të ngurta, përzgjedhja e këtij gjenie bëhej në mjedis thuaj të mbyllur, me një konsensus thuaj të përgjithshëm dhe rrallë herë të diskutueshëm. Ai ishte si të thuash, i treguar me gisht - i preferuari i saloneve apo i qarqeve letrare!
Aktualisht, këto kufij dhe standarde janë thyer - laureatët vijnë nga të gjitha skajet e globit, dalin nga të gjitha shtresat shoqërore, këndojnë në të gjitha gjuhët, zotërojnë teknika dhe stile antikonformiste. Ata bartin jo më gjeninë por thjesht talentin, jo më shumën e kulturës por mesazhin kulturor, jo më epokën por thjesht momentin, jo më korin akademik por zërin origjinal, jo më një vend apo njê komb por thjesht vetvehten, jo më një gjuhë por një tingull të përveçëm, të tyren! Për fat, një gjë e tillë gjithmonë ka egzistuar, por gjithmonë është shpërfillur, nënvlerësuar - për të mos thënë përbuzur apo flakur tutje.
Po të jap një shembull që ti e njeh mirë: Shekspiri. Asokohe ai shkruante poezi dhe pjesë pêr teatër, një letërsi që nuk lexohej por dëgjohej nga publiku ndërkohë që autori ishte edhe aktori që i luante në skenë… a ta merr mendja që bashkëkohësit e vet e vet eruditë, rojtarët e gjuhës, të dijes dhe të kulturës, arritën të shohin përtej aktorit krijuesin e pavdekshëm, merituesin e ndonjë çmimi Nobel? Jashtë çdo krahasimi, sinqerisht, përse të habit kaq tepër kur kësaj rradhe është Dylan që merr Nobelin?
Kështu siç e shoh unë gjendjen, nuk habitem aspak përse vjet Nobelin e meritoi një Svetlana Aleksievitch, e cila shkruan “histori gojore dhe kujtime” në vend të fiksionit të pastër, më tëhu një Alice Munro, e cila merret me “tregime mbi liqenet apo mbi vogëlsirat e jetës së përditshme”… apo një Dario Fo, “një klloun anarkist antiklerikal”, më i afërt me rrugën se me pushtetin… A s’të vret syrin fakti që kjo sërë që po përmend përgojosen në mos si “të padenjë”, të paktën si “të rëndomtë”? Të padenjë përkundrejt cili sistemi vlerash… të rëndomtë përkundrejt kujt hylli të parajsës letrare ?
Së fundi, a s’të vret veshin tifozllëku i zhurmshëm i popullit patriot sa i pakënduar aq edhe i egzaltuar, që hyn në letërsi sikundër në një stadium - me flamur në dorë dhe me himne në gojë, i bindur se këtë çmim jo vetëm e meriton një njeri- shkrimtari, por edhe gjithë ata vetë, sejcili prej tyre ?
A nuk je i një mendjeje me Svetlanën - sikundër unë jam, se “jeta është shumë më interesante se çdo fiksion”?