Shtrigat e salepit

image

Qëkur shtrigat nuk rrezikojnë më asgjë, janë bërë të padëmshme - Elias Canetti

Konsiderata postmoderne që nazizmi, fashizmi - dhe mbas rrëzimit të murit të Berlinit edhe komunizmi - janë ideologji të prapambetura mesjetare, propagandohet prej mendësisë laike për t’i bërë bisht përgjegjsisë së saj në gjullurditë e përgjakshme të shek XX dhe për “t’u distancuar” me marifet prej mizorive totalitare moderne, kurrë të para në histori dhe që pak ose aspak kanë të përbashkët me Mesjetën sepse lindin në epokën moderne, pikërisht kur besimi laik fiton përfundimisht mbi obskurantizmin mesjetar.

Konsiderata që toleranca është veti e vetëm epokës moderne dhe vepër e progresit stërmadh të kësaj epoke, është një vetmburrje moderniste pa bazë historike, sepse toleranca fetare ndeshet shekuj më parë në Indinë budiste, në Kinë, në mbretëritë moreske të Spanjës mesjetare, në perandorinë otomane etj. Vërtet toleranca si vlerë dhe të drejtat e njeriut kultivohen në epokën moderne si kurrë më parë në histori, por është po aq e vërtetë edhe faqja tjetër e medaljes (ose e mësallës) që dukuritë totalitariste - të lidhura drejpërdrejtë me masakrat masive të tre luftrave botërore, dhomat e gazit, lager, gulag etj - janë dukuri tipike moderne që lindin pikërisht kur progresi përshpejtohet frikshëm gaz-drrasë. Në Mesjetë besohej shpëtimi vetëm në “atë botë” sepse “kjo botë” quhej pa vlerë; besimi se shpëtimi i “kësaj bote” vjen nëpërmjet terrorit duke zhdukur me soj e sorrollop raca inferiore (nazizmi) ose klasa superiore (komunizmi) është krejtësisht modern dhe i vënë në praktikë vetëm përgjatë shek XX.

Paraqitja e Mesjetës si një periudhë historike e errët, barbare dhe mizore sunduar prej Inkuizicionit që torturonte heretikë, shtriga dhe shkencëtarë është një legjendë iluministe e trilluar për qëllime thjeshtë propagandistike dhe që vazhdon të riqarkullojë e të riprodhohet me shumë sukses prej elitave kulturore, të cilat vazhdojnë si dikur t’i iluminojnë masat e gjëra punonjëse me shkëlqimin verbues të mësimeve laike. Shëmbulli më i freskët është i Dan Brown i cili shkruan në Kodi da Vinçi se gjatë gjuetisë së shtrigave Kisha dogji mbi turrën e druve pesë milion gra (të tjera burime japin shifrën nëntë milion), ndërkohë që gjithë popullata e Evropës së atëhershme vështirë se e arrinte këtë numër. Referuar vetëm burimeve origjinale të dokumentuara - dhe jo llafeve të pazarit kulturor iluminist - numri i shtrigave të djegura prej Inkuizicionit nuk arrin as shifrën 100, krahasuar me 50.000 raste të tjera djegiesh të bëra kryesisht nga gjykata civile. Për më tepër shtuar edhe fakti historik që gjuetia e shtrigave si dukuri e mirfilltë - përfshirë dhe rastin më në zë të ilustruar teatërisht dhe frojdërisht prej veprës Shtrigat e Salemit - zë fill pikërisht në kohën kur Mesjeta obskurantiste na ka lënë uratën me të tëra. Nobelisti Elias Canetti mbasi tregon me hollësi e fakte se sa thellë është ngulitur në mendjen e njeriut modern ky falsifikim iluminist i historisë, tallet hidhur:

Sot është më e vështirë të dënosh publikisht një person të vetëm me djegie në turrën e druve se sa të ndezësh një luftë të re botërore - Vetëdija e fjalëve

Dukuria e gjuetisë së shtrigave arrin kulmin pikërisht në Rilindje, bash në fillesat e të epokës së re të progresit që akoma përjetojmë, të karakterizuar nga zhvillime të përshpejtuara vrullshëm dhe krejt të pa pakontrollueshme, e për pasojë tepër të frikshme. Mbasi shëmbet vizioni mesjetar ptolemeik që konsideronte Tokën si qëndër të gjithësisë - gjë që garantonte qëndrueshmërinë e truallit nën këmbët e njerzve - vizioni rilindas kopernikian, duke treguar se Toka është një rruzull çfardo në univers i sulur vrullshëm drejt hapsirave të panjohura kozmike, krijoi ankthin tipik të njeriut modern, që për më tepër kish humbur besimin ngushëllimtar në qënien e Zotit dhe në realitetin e hapsirave “të botës tjetër”. Asgjësimi i unitetit të gjithësisë - garantuar më parë prej qenies së Zotit - i hapi kanatash dyert e kaosit, pasigurisë dhe ankthit kozmik, tashmë çfarë ishte dhënë, realizuar dhe trashëguar mund të zhdukej në çast pa lënë gjurmë. Pra si gjuetia e shtrigave ashtu dhe shtrigania - dy faqe të së njëjtës medalje -, kumtojnë ardhjen e epokës moderne si vërshim i djajve prej ferrit në tokë.

1 Like

Postulat(i) - (e.m) tezë e përdorur në përputhje me bindjen e atij që e shpall, i cili e konsideron si një princip të pavërtetuar por padyshim të ligjshëm pasi, paraqitet krejtësisht si i padiskutueshëm (ose i provuar më tej me anë demonstrimesh ku ai nuk ndërhyn aspak - (shih sinonimet - autoreferencë, tautologji)). Pjesa dërrmuese e postulateve gjykohen si të karakterizuara nga bon sensi, pasi shfaqen si të mbështetura nga përvoja.

  • Postulati 1: është pikërisht “besimi laik”, karakteristik i epokës bashkëkohore si antipod dhe si zëvëndësues i besimit fetar - asaj ndjenje njerëzore sa të natyrshme aq edhe të matur, që është përgjegjës i vetëm i mizorive totalitare moderne - krematoriumeve të kampeve të përqëndrimit naziste, punës së detyrueshme të gulageve komuniste, pse jo edhe të vajit të ricinit fashist!

  • Postulati 2: mbyllja e kapitullit të obskurantizmit mesjetar dhe çelja e atij tjetrit të progresit qytetërues - me shfaqjen e fenomenit Rilindje kulturore/shkencore, paradoksalisht shënon njëherësh fundin e unicitetit kozmik dhe fillimin e epokës së kaosit dhe të rrumpallës njerëzore. Thënë ndryshe, kaosi e ka zanafillën me revolucionin kozmologjik kopernikian si pararendës i natyrshëm i revolucionit të kozmogonisë shoqërore. Ky i fundit kulmon me Revolucionin francez dhe me Revolucionin rus te tetorit - ato shfaqje më të dhunshme dhe më të përgjakshme (dhe më të kota) të gjithë historisë njerëzore.

  • Postulati 3: heretiku dhe inkuizitori janë dy shfaqje të ndryshme kohore të të njejtit thelb.

Kryepostulati:

  • Historia është një rrëfim per salepin dhe historiani një rrëfimtar që pi salep.
1 Like

Superpostulati:

  • “E kush jam unë për të gjykuar?!”
    (shijen e athët të salepit)
1 Like

Megapostulati:

  • E ku di unë se ç’bëj unë?!!!
    (salep apo bozë ?)
1 Like

Hipermegapostulati:

  • “Jom ene una ktuna!!!”
    (sinteze e salep dhe boze)
1 Like

Ultra-Arshi-postulati:

  • kur kapen dacët mes vedit, të gjithë minjtë rrijnë nëpër brima dhe shohin gallatë…
    (dhe tema mbetet pa komente - përveç mjauklithmave)
1 Like

Postulati i Arshiut që e ka shpinë ke kinemo Ali Demi:

  • “Dacët jon bo telef”
    (më keq se mijtë që rrijnë nëpër brima dhe shohin gallatë…)

Shkenca e interesuar, historia e interesuar, a ka me te interesuara…cdo gje ne dore te njeriut i nenshtrohet procesit te interesimit, ose sic thote shprehja qe shpesh i ve kapak muhabeteve “ishin kohe te tjera, tani kane ndryshu kohet”…