Testamenti i Gjon Muzakes

Testamenti i Gjon Muzakës
Nga Arlinda Canaj - 5 Qershor, 2017, 6:07
Shpërndaje në Facebook Tweet on Twitter

Testamenti i Gjon Muzakës ka një rëndësi të madhe për historinë shqiptare. Historia e këtij dorëshkrimi është pak a shumë e ngjashme me historitë e shkrimeve të shenjta. Pikërisht për këtë testament kaq të rëndësishëm do të shkruante studiuesi i njohur Ylli Polovina, në një libër të njohur:“Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”. Duke qenë një dokument me vlerë për historinë e Muzakajve po japim disa fragmente të librit.

Kur në Napoli, kryeqendër mbretërie që shtrihej në të gjithë jugun e gadishullit Apenin, në vitin 1510, princi i krishterë shqiptar Gjon Muzaka nisi të shkruajë testamentin, qe i mbushur plot me entuziazëm se fëmijët e tij do të ktheheshin një ditë në pronat e tyre të pushtuara nga osmanët. Ato shtriheshin përtej detit në anën tjetër të tokave italiane, jo atij të Mesdheut, të cilin e shihte çdo mëngjes dhe mug mbrëmje, por ujërave të Adriatikut dhe Jonit. Ata dy dete të kaltër ndodheshin në bregdetin e Apulisë, Pulies së sotme, shumë larg prej andej ku po kalonte ditët e fundit të jetës.

Princi Muzaka i njihte ato brigje, sepse i ngarkuar nga mbreti i Napolit kishte punuar ca kohë si admiral i portit të Brindisit dhe pambarimisht i pati ngrysur ditët me vështrimin mbi ujërat që e ndanin mizorisht nga trojet ku kishte lindur. Sa herë i pati kapërcyer me sy dhe mendje, herë i ngazëllyer dhe në më të shumtën e rasteve me lot në sy! Po i vazhdonte ky mall gërryes edhe tek shkruante atë testament dhe u përmendte një nga një tre bijve të vet dhe dy vajzave emrat e viseve që në mëmëdhe qenë pronë e tyre.

Ditë pas dite, jo me shumë ngut, por për shkak të moshës edhe pa u vonuar tepër, po u shkruante se principata e Muzakajve përhapej që nga jugu i thellë në kufi me grekët, qyteti dhe krahina e Kosturit, deri afër zemrës së Arbërisë, shumë më në veri të fushës së madhe të Myzeqesë, përtej lumit Shkumbin, atje ku ndodhej Kavaja.
Kryeqyteti i shtetit të tyre ishte Berati.

Ato kohë nëpër kronikat italiane, por edhe nëpër të gjithë Europën, ai ende shkruhej e thirrej në formën sllave të shqiptimit: Belgrad. E pati marrë këtë emër nga pushtimi bullgar i fundmijëvjeçarit të parë dhe donte të thoshte Qyteti i Bardhë.

Por nuk qenë këta që e kishin shpikur këtë emër vezullues. Thjesht me një metaforë sllavizuan atë që gjetën: Pulheriopolis. Në gjuhën zyrtare të Perandorisë së krishterë të Bizantit, në greqishten e vjetër, donte të thoshte qytet i bukur, i mahnitshëm.

“Unë Don Gjon Muzaka, Despot i Epirit, mbasi u përzura prej Turkut nga shtëpia ime dhe u zhvesha prej zotërimit tim, erdha në Mbretërinë e Napolit, ku Mbreti zemërmirë i Aragonës, Ferrante Plaku, kujtimi i të cilit nuk do të më shqitet nga mendja kurrë, më zgjati dorën, dhe jo vetëm që më priti në pallatin mbretëror, së bashku me pjesëtarët e familjes sime, duke na mbajtur me bukë, por edhe më premtoi se do të më jepte për vendbanim tokën e quajtur Apice dhe pasurira të tjera.

Për fatin tim të keq, ai vdiq, u zhvilluan luftëra të vazhdueshme, dhe unë mbeta si anije pa timonier midis dallgëve të furishme, pa katandi e pa njohur as gjuhën italiane. I mbetur pa mbrojtjen e tij, në këto troje, mu desh të rris dhe të ushqej në varfëri dhe me shumë vështirësi, si desh Zoti, bijtë e mi: Teodorin, Adrianin, Kostandinin e ju Elena e Porfida”.

Ndërsa me pendë gërvishte butësisht letrën dhe hidhte një pas një në bardhësinë e saj bojën e germave, Gjon Muzaka, edhe pse tashmë qe gjashtëdhjetë e dy vjeç, nuk mund ta dinte se jetën e mbetur gjithsesi e kishte mjaft të shkurtër. Do t’i fikej si qiriri ende pa dalë ai vit.
Për të 1510-ta ndrynte brenda vetes njëherësh mosvdekjen dhe ikjen e tij të trishtuar nga kjo botë.

Qe ai testament i shkruar veçanërisht për tre trashëgimtarët meshkuj, ajo e thjeshtë tufëzë letrash intime e hartuar me dëshirë të qëndronte dhe ruhej vetëm brenda familjes, e cila mjaft shekuj më vonë do ta nxirrte kujtimin e tij të zbehur nga koha dhe kurbeti, duke e shpëtuar prej mbetjes pezull në buzë të greminës së harrimit. Madje këtë rikthim në kujtesën e atdheut të tij përtej detit Adriatik ato pesëdhjetë e pak fije letre do ta bënin shumë vrullshëm, si të qe shpërthimi i një vullkani të fjetur tepër gjatë.

Patën qenë të parët studiuesit dhe më pas bashkëkombësit, të cilët të mbetur pothuaj të pagojë, morën vesh se princi i qytetit të njohur të Beratit, disa herë kryeqytet i Epirit, kishte pasur një jetë plot andralla jo vetëm në viset e tij, por edhe në atë mërgim politik të detyruar. Prej atij testamenti u mor vesh edhe se në mbretërinë e Napolit, atë vit 1510, ai mbushte plot tridhjetë e dy vite. Në kurbet pati kaluar më shumë se gjysmën e jetës.

Tashmë, pasi mbaroi të shkruari dëshminë pronësore, qe gati t’i thoshte kësaj bote lamtumirë. E dinte, që në dhé të huaj, duke u futur nën tokë, të mos kujtohej më. Nga ta dinte Gjon Muzaka se ishte me fat. Do ta shpëtonte kujtimin e tij pikërisht ai testament. Që kur pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, prijësit e qëndresës antiosmane patën emigruar në trojet e italianëve, në veri, në Venecie, në Padova, Ankona apo Gjenova, në jug, në Napoli dhe në Pulia, më thellë akoma drejt fundit të gadishullit, në Kalabri e Sicili, harrimi kishte nisur të ishte rrebesh i furishëm.

Kur trupi i pajetë i princit të Beratit u fut nën dhé, nuk i duhej thjesht një varr. Fisnikët kishin kishat e tyre dhe atje preheshin brez pas brezi.

Megjithatë kur në vitin 1510 hidhte në letër dëshminë e tij doemos princi Muzaka nuk mund të përfytyronte asgjë të tillë nga sa po diskutojmë ne në këtë dekadë të dytë të vitit dymijë. Ai do ta ketë pritur vdekjen pa ndonjë brengë të tillë.
“Kur erdha në këtë vend, ti Teodor ishe një vjeç e gjysmë, dhe Adriani një muajsh e gjysmë, ndërsa ti Kostandin ke lindur në këtë mbretëri.
Që ju të dini si filloi shkatërrimi i perandorisë së Kostandinopolit, dhe yni, po ju them, se pat një mosmarrëveshje midis Paleologut dhe Kantakuzenit, lidhur me sovranitetin mbi perandorinë, dhe aq u ndez grindja sa Paleologu u shtrëngua të thërriste në ndihmë Muratin I…

Murati I i përshkroi të gjitha këto toka dhe pushtoi shumë troje, duke përfshirë edhe qytetin e Adrianopolit, pastaj erdhi Murati II, me tërbim të madh, për të pushtuar Serbinë dhe Bullgarinë.
Atëherë u bashkuan, për të luftuar kundër Muratit II, Llazari, Despoti i Serbisë, Marku, Mbreti i Bullgarisë e Teodor Muzaka, djali i dytë i familjes sonë, me plot zotërinj të tjerë shqiptarë.
U zhvillua beteja dhe të krishterët u mundën. Teodori, që kishte marrë me vete një aradhë të dendur shqiptarësh, ra në betejë, ndërsa Llazari, Mbreti i Serbisë, u zu rob dhe pastaj u vra.

Për Shqipërinë ky qe fillimi i luftërave të vazhdueshme kundër turqve, në të cilat ranë shumë zotërinj e burra fisnikë; mungesa e trimërisë bëri që të humbisnin shtetet e tyre.
Humbëm qytetin e Krujës, në kohën e Bajazitit I, e pastaj edhe Vlorën, edhe pse e kishim mbrojtur gjithmonë. Shkaku i gjithë kësaj u përcaktua nga rritja e vazhdueshme e fuqisë së turqve dhe nga pamundësia jonë për t’u mbrojtur, që vinte duke u rënduar çdo ditë e më shumë”.

Siç shihet fare qartë ajo që shkruante nga pak përditë i krishteri Gjon përherë e më shumë qe edhe testament, por edhe kronikë. Ishin bashkërisht historia e familjes së tij, por edhe ajo e Arbërisë. Do të qe e pronave të principatës Muzaka, por edhe e asaj të Arianitëve, të Kastriotëve, të Topiajve, të Dukagjinasve, të Ballshajve…

Ato fletë që i mbushte me shënime dhe bashkonin një testament personal me një histori populli, nuk qenë nisur kurrsesi për t’u bërë libër. Kështu që atyre Gjoni nuk u vuri ndonjë titull të përshtatshëm për lexues të shumtë, veç asaj që lyp një krijesë intime, pothuaj një ditar. Nga që në këtë zgjedhje ishte tërësisht i sinqertë por edhe i përpiktë, prej studiuesve si edhe botuesve të mëvonshëm, në më të shumtën e rasteve u pranua mirësisht ai që i pati vënë vetë shkruesi: “Përkujtesë e shkurtër për pasardhësit e Shtëpisë sonë Muzaka”. Jo rrallë ky titull origjinal u këmbye edhe me formën “Historia dhe Gjenealogjia e familjes Muzaka”.

Kronika-testament kishte dremitur pa u parë veç prej pak syve dhe prekur nga shumë të rralla duar, kryesisht studiues vendas, për 353 vite, kur albanologu gjerman Karl Hopf në 1863, gjatë kërkimeve të tij në Itali, veçanërisht në Napoli, e pati gjetur tufëfletëshin në shtëpinë e sekretarit mbretëror Skipion Volpiçela. Përse ndodhej atje hë për hë nuk ka shpjegime, veç kjo rrjedhë e fatit të saj dëshmon sa në fill të perit i qe mbijetimi për sa kohë pati dalë nga duart e fëmijëve të tij apo prej arkivit mbretëror napolitan. Madje testamenti i gjetur nuk ishte origjinali, por një kopje.

Një kopje të testamentit Karl Hopf ia dhuroi kolegut të tij të shquar, albanologut Johan Georg von Hahn, me dëshirën që me autoritetin e tij të madh ta bënte sa më shpejt publike. Atë kohë ky vetë po bëhej gati për një udhëtim në Ballkan dhe të dhënat e Gjon Muzakës mund t’i shërbenin për t’u orientuar më mirë në terren. Por ky rrugëtim u shty dhe Hahn verifikimin e asaj që shkruante princi i mërguar i Beratit, ia besoi më në fund një miku të tij austriak, diplomatit të Austro-Hungarisë në Vlorë, mjekut Auerbah (Auerbach). Ky shërbente pranë konsullatës së Austro-Hungarisë në Vlorë.

1 Like

me ben pershtypje emri i autores. shume i degjuar keto ditet e fundit…

Nuk e kam pa fare kush eshte autorja qe e ka shkruar. E klikova ne google dhe e nxorra. Qellimi eshte permbajtja e tekstit dhe jo kush e ka nxjerre

emri i autores me terhoqi vemendjen. por nuk pata ,e as kam, qellim te diskutoj per te.

ndersa materjali ne vetvehte eshte nje dokument historik shume i vyer !

autorja ne fjale i dha fund jetes ne menyre tragjike,vetem para pak ditesh.