Celularizma - pjesa e dytë

image

Ky do të vrasë Atë

Një prej ankesave konstante në media është gjëndja e librit, krejt i papërfillur në situatën e ekonomisë së tregut. Derdhur boja lumë për të gjetur faj e fajtorë: nuk lexon më njeri si më parë, nuk ndihmon shteti me financime, shtëpitë botuese kan hall të nxjerrin ndonjë lek si gjithë të tjerët që bëjnë biznes, etj etj. Të gjitha këto janë të vërteta deri në një farë mase, sepse masa e vërtetë e të vërtetës është se “fajin” e ka mediumi që ka ndryshuar: nga kartë në dixhital, duke shkaktuar një përmbysje epokale të ngjashme me përmbysjen që shkaktoi shpikja e Gutenberg.

Kjo përmbysje përshkruhet nga Viktor Hygo në romanin Shën Maria e Parisit, më saktë në kapitullin e dytë të romanit në fjalë që ka për titull: Ky do të vrasë Atë. Në këtë kapitull përshkruhet tërë historia e arkitekturës, dhe në veçanti historia e katedrales së famëshme parisiane, me fund një trasformim historik me rëndësi kapitale për njerzimin: kalimin nga epoka e gurit ose e arkiteturës si imazh i shkruar në gur, në atë të letrës së shtypur për shkak të shpikjes të Shtypit të Shkronjës nga Gutenberg, konsideruar rëndom si më e madhe shpikje e njerzimit. Rotativa e Shtypit të Shkronjës ka riprodhuar dhe shumëfishuar madhështinë e shpikjes së rrotës; shko nga shko, në të vërtetë po aty jemi: rrotë=rot(ativë). Nuk ka gjë të re në këtë diell, në modernitet rrota vetëm merr superxhiro.

Esenca e këtij kapitulli është fraza enigmatike: Ky do të vrasë Atë. … . Libri do ta vrasë Ngrehinën, thënë nga kryepeshkopi Frollo, ndërkohë që dëgjon mendueshëm fjalën e një vizitori misterioz, e hedh sytë, nga libri (Ky) i hapur mbi tavolinë, tek fasada e katedrales Notre Dame (Atë). Me pak fjalë arkitektura si shkrim konvencional i gdhëndur në gur, do të vritet nga shpikja e re e shkrimit në letër, alias libri me fletë të ngjitura me zamkë. Kjo frazë është përdorur si ilustrim për situatën e re të mediave bashkohore nga Umberto Eco në shkrimin e tij Da Internet a Gutenberg, ku nuk merret vesh mirë se me cilin është Eco: me të renë apo me të vjetrën, me celularin apo me librin, me veturën apo me biçikletën, me Këtë që do me e vra Atë, apo me Atë që do me vra Këtë?

Shkurt muhabeti: në qëndër të këtij problemi është koncepti i mediumit që duhet të rroket në kuptimin më të thellë, por edhe në kuptim të cekët, se nga vetë kuptimi i fjalës media, i bie që mediumi të ndodhet në mes të thellësisë dhe të cektësisë. Mbasi të sqarohen koordinatat dhe funksioni i qendrës, mund të shëtitet lirisht në periferira të problemit, e në këtë mënyrë kuptohet e tërë situata, me përfundim që të mund të kontrollohet dhe të zgjidhen problemet. Por fatkeqsisht, siç e do zakoni dhe zanati, çdo gjë bëhet jangllëç, përsëmbrapi.

Por më e rënda si falsitet, dmth më kriminale në plan të fundit, është spostimi i vëmëndjes për të krijuar një qëndër false në periferi të problemeve. E këtë qendër false e quajnë “politikë” duke i dhënë pa meritë përmasa dhe atribute mistike që nuk i ka në origjinë (parulla “Politika në plan të pare” që e lexoje në çdo gur katedraleje atëbotë), e nuk i meriton, sepse i ka të vjedhura nga e ashtuquajtura “religjion”. Politika është feja moderne ku falen të gjithë, edhe Hygo, edhe Eco e kush mos tjetër politikisht postmodernistisht majtas apo djathtas, madje edhe ata që e përbuzin politikën pa treguar altar tjetër përveç hiçit ose ndonjë gjë tjetër më hiç se hiçi.

Që vizioni i Hygoit për Mesjetën e tonës damë ishte “politik”, mjafton e tepron fakti që botohej atëbotë nga Shtëpia Botonjëse Naim Frashëri, kriter banal, por i përsosur, për të përcaktuar “politizimin” e çdo autori. Po njësoj fakti që Shatobriani nuk botohej, e madje ndalohej si autor reaksionar deri aty sa të falsifikohej dhe mohohej merita e tij si zanafilltar i Romantiçizmit (nëpër antologji të letësisë atëbotë ky vënd nderi i jipej me padrejtësi Hygoit), mjafton e tepron për të kuptuar se nuk është aspak çështje libri si shkrim në letër dhe arkiteturë si shkrim në gur, madje as punë pozicionimi politik majtas apo djathtas, por ishte qejfi kriminal për të vrarë Këtë e Atë e kush Tjetër na del përpara Neve (plurale maiestatis) që shtypshkruajmë libra.


Kaq përsa i përket aspektit vdekjepurës të mediumit, në pjesën e tretë do të sqarohet aspekt tjetër, aspekti i jetës: Ky që ringjall Atë.


pjesën e mëparëshme e gjeni këtu

Lexohet për tu gjetur në shoqëri me dikë, edhe me një autor tashmë të vdekur, por kryesisht bashkë me lexues potencialë që po e lexojnë si edhe ti në comunion mistik. Në eksplozionin kulturor të sotëm, vështirë të gjesh njeri që po lexon të njëjtin libër. Tani vetmia është më e madhe se kujtohet, dhe nuk luftohet më me mjete letrare, siç vazhdon të rekomandohet edhe në situatën e sotme lockdown - i Modhi :slightly_smiling_face:

Nëse demaskon një ves shoqëror në përgjithsi, ose në veçanti vesin e sallonit mondan të sinjorës, është gjë e ditur dhe e provuar prej kohësh që do të vijë se s’bën hakmarrja prej iks vesves-aliut artist i modh që shkruan libra. Kjo është mënyra më e mirë për të zbuluar se kujt i ka djegur miza konkretisht, dhe hakmarrja e iks vesves-aliut është mënyra e tij për të dhuruar komplimentin e radhës - i Modhi :slightly_smiling_face: