Nëse Ky do ta vrasë Atë, atëherë edhe Ai do ta vrasë Këtë, sepse helbete, dy duar për një kokë janë - thotë populli, i cili thotë gjithnjë edhe të kundërtën komplementare: çdo gjë që bën, ja bën vetes tënde. Ose thënë në stil celularist: asnjëri nuk vret as Këtë e as Atë, sepse kur vret, vritet vetja në radhë të parë. Kaini e di mirë se nuk ka vrasje, ka vetëm vetvrasje.
Shkronja dhe ieroglifi janë mediumi arketip i tekstit dhe imazhit.
Para shpikjes së Gutenberg themelues i tipografisë moderne ishte e mirënjohur ksilografia si teknikë origjinalisht e shpikur, praktikuar dhe kultivuar nga murgjërit budiste në Kinë, prej nga edhe u eksportua në Perëndim. Në këtë kuptim konsiderohet shtypi si shpikje kineze, por kjo nuk është krejt e vërteta, sepse shpikja vërtet origjinale e Gutenbergut parajmërohet në strukturën e shkrimit alfabetik perëndimor me bazë shkronjën (fjala e shkruar është një bashkësi gërmash), krejt e ndryshme nga ieroglifi lindjelargas, ku një fjale të caktuar, i përket një jeroglif i caktuar. Nëse teknika e ksilografisë lindjelargase shtyp kopje në letër të një grafike ose teksti të gdhendur në dru (me pak rendiment dhe pak jetë prodhuese) që shërben si matricë origjinale, në matricën tipografike të Gutenberg gërmat prej plumbi të alfabetit vendosen veçan dhe një pas një në një matricë metalike (me shumë rendiment si prodhim në seri dhe rezistente si material), njësoj sikur edhe shkruhen fjalët e tekstit në gjuhët alfabetike perëndimore. Kaq mjafton për të kuptuar thelbin esencial të ndryshimit (më saktë të komplementaritetit, nëse nuk kihet delli i kriminalitetit: ky e vrau atë dhe atë-ja e vrau ky-në) midis mendësisë orientale dhe perëndimore: ieroglifi si arketip i imazhi real sintetik olistik dhe shkronja si shenjë racionalizuese analitike abstrakte. Prej këtej mund të prejardhen pa fund ndryshime ose komplementaritete të dikotimisë orient-oksident, e përsa i përket temës të shqyrtuar: teknika e ksilografisë, shpikur nga murgjër budistë dhe kultivuar në manastire budistë, ka atribute cilësinë dhe artizanatin, ndërsa teknika tipografike gutenbergase, ka për atribute sasinë dhe industrinë.
Për të shpjeguar të tëra dikotomitë që pasojnë, nuk mjafton një libër i tërë, sepse duhet një enciklopedi që lidh e ndërlidh të tëra gjërat, nga yin dhe yang, dritë dhe hije (Lindje dhe Perëndim), vijë e ndërprerë dhe vijë e plotë e I Ching, equivalente me 0 dhe 1 e aritmetikës binare që ndodhet në bazë të programeve të celularizmës, femer dhe mashkull (vagina simbol i 0 dhe penisi simbolil i 1), lingam dhe yoni, etj etj … e deri tek konflikti i sotëm i kokolepsur keq midis Kinë dhe Amerikë, shprehur, qoftë në kod ekonomik si mënyra të ndryshme për të përballur varfërinë dhe pasurinë, qoftë në kod higjenik, si mënyra të ndryshme ose komplementare për të përballur virusin (pavarësiht se entropia gjithnjë rritet, dmth tiparet origjinalë orient-oksident pëzjehen duke i gjetur edhe në pozitën e kundërt në hapsirë dhe në kohë si ndryshim skizofrenik i strategjisë kundër virusit: sot shtërngim kinez, e nesër lirim amerikan, edhe në Amerikë edhe në Kinë). Faktkeqsisht nuk e kam këtë mundësi me shkrime celulariste blogu me kufi dy faqe, por kjo mund të jetë edhe fatmirsi, sepse e vërteta mund të thuhet më e vërtetë treguar sa më thjeshtë dhe shkurt mundur. Krojfi thoshte me pak a shumë (citoj në kujtesë):
Futbolli perfekt arrihet kur loja bëhet e thjeshtë, por fatkeqsisht thjeshtësia është gjëja më e vështirë për tu realizuar.
Ku e lamë? Ah po, tek gjermani Gutenberg.
Si francezi katolik Hygo ashtu edhe italiani katolik Eco kanë harruar të fusin në lojë shpikjen religjioze të Martin Luter. Idetë antipapnore dhe antikatolike të Luterit u përhapën jashtëzakonisht shpejt falë shpikjes të shtypit prej Gutenberg që revolucionarizoi përhapjen e kulturës nëpërmjet shtypit dhe librit. Shtypi përcaktoi shpërndarjen dhe konsolidimin e orientimeve të kulturës së re, duke i siguruar librave një gjerësi dhe shpejtësi përhapjeje që nuk ishte parë kurrë më parë. Pa efektin shumëfishues të shtypit gutenbergas, i cili shpërndau 300.000 kopje të veprave të Luterit dhe botime pafund të përkthyera të Biblës në Evropë (para Gutenbergut, në tërë Italinë ekzistonin gjithsejt 30 copë Bibla, dmth praktikisht asnjeri nuk lexonte Biblën në Mesjetë), ndarja e krishterimit perëndimor prej Reformës, në katolike në jug dhe protestante në veri, do të ishte e paimagjinueshme. Dhe anasjelltas, pa efektin Luter, që përktheu Biblën dhe alfabetizoi vegjëlinë deri atëherë analfabete, nuk mund të përfytyrohej eksplozioni i revolucionit kulturor të Rilindjes, sepse Reforma Protestante për kundërveprim solli Kontroreformën Katolike, tamam “ky e vrau atë, por dhe ai nuk ja la thatë asaj”. Sipas tutje tëhu të këtij shkrimi konflikti midis Katoliçizmin roman dhe Protestantismit nordik, më saktë midis jezuitëve dhe kalvinistëve, ishte në thelb konflikt midis përkatësisht ikonofilë dhe ikonoklastë, rëndom në hasur në histori, edhe në Bizant dhe Islam. Luftrat civile fetare në Evropë (1522 – 1656), në të vërtetë ishin të motivuara nga qëndrimi pro e kundra kultit katolik të Madonës dhe adhurimit të saj, nëpërmjet imazhit të saj. Prandaj në kishën protestante gjen vetem mure të zhveshur pa imazhe, gjen vetëm kryqin, dhe pa imazhin e Jezuit të masakruar si rëndom kryqi katolik.
Eshtë mendjelehtësi, ose kriminalitet i qëllimshëm “ky e vrau atë”, të konsiderohet “rastësi” takimi simbiotik i shpikjes fetare së Luterit me shpikjes teknike të Gutenbergut. Formula “ky e vrau Atë”, në esencë është vrasje e Providencës, sepse takimi midis Luter dhe Gutenberg ishte providencial, pra kishte qëllim providencial që “ky ta ngjallë atë”, dhe jo ta vrasë atë, se të vrasësh atë e këtë do të thotë të vrasësh Atë (Providencën), dhe kush mos tjetër që të del përpara. Eshtë kriminalitet logjik të besosh që një Zot dashurie dhe mirësie absolute shtyn në ngasje njerzit për tu vrarë në mes tyre, edhe vizionarët e llojit Luter dhe Gutenberg të bashkëpunojnë që të kryhet një masakër universale e këtij lloji. Në fakt shekulli i lufrave fetare në Evropë ka pasur karakteristikat e një lufte botërore, e nga kjo pikpamje mund të konsiderohet luftra e parë në nivelin botëror. Luftrat Botërore të shekullit të shkuar janë jehona në vazhdim të konfliktit fetar të hershëm në fjalë, siç është në vazhdim fakti që sot protestantja nordike Merkel proteston t’i paguaje indulgjenca Roma përtomës për shpëtimin e shpirtit arian gjerman.
pjesën e mëparëshme e gjeni këtu