Celularizma - pjesë e tretë

Çdo bllok guri ka një statujë brënda vetes dhe është detyrë e skulptorit ta zbulojë atë - Michelangelo

Më parë se të shpjegoj (në pjesën e ardhëshme kësmet) mbarë e prapë se ç’është mediumi, dëshiroj të tregoj me dy raste konkretë se frymzimi për të krijuar veprën nxitet nga materiali (medium-i), e jo vetëm nga shpirti sublim siç zakonisht besohet gjërësisht ndikuar nga ideali romantik.

Bëhet fjalë për fenomenin pareidolia, të cilin Leonardo e përshkroi në traktatin e tij për pikturën (Trattato della pittura):

Dhe kjo është: nëse do të shohësh në disa mure të llangosur me njolla të ndryshme ose me gurë të përzier në mënyrë të ndryshme, nëse do të hulumtosh ndonjë prej tyre, mund të shihni ngjashmëri me lloj lloj vënde, stolisur me male, lumenj, gurë, pemë, fusha të mëdha, lugina dhe kodra në forma të ndryshme; mund të shihni akoma beteja të ndryshme dhe akte të vrullëshme figurash të çuditshme, pamje fytyrash, veshje dhe gjëra pafund, të cilat mund t’i reduktosh në formë të përmbajtur dhe me terezi. Dhe ndërhyn në mure të tillë dhe gurë të përzier si tingulli i kambanave, që në kumbimet e tyre të gjesh çdo emër dhe fjalë që do të përfytyrosh.

Pareidolia është një fenomen psikologjik i perceptimit pamor, ose çdo lloj shqise tjetër, që një imazh të vagullt, të rastit dhe të panjohur e interpreton si një formë tashmë të njohur (shpesh i jep kuptim dhe qëllim). Thënë ndryshe: për ngjashmëri dhe përafërsi syri sheh në një imazh edhe çfarë nuk është në të. Ky fenomen ka dy aspekte, ose më saktë dy interpretime, njëri negativ si gabim perceptimi: shihet çfar nuk është, e tjetri pozitiv që falë gabimit të perceptimit shikimi bëhet akt krijues. Me fjalë të tjera shikimi është gjithnjë një akt krijues, nuk është thjeshtë një funksion pasiv sikur me qenë syri (ose çdo organ tjetër shqisor) një aparat fotografik ose kamer regjistrimi. Populli e thotë tërë këtë me dy fjalë: sheh mendja, nuk sheh syri.

Pra perceptimi pamor synon të përmbledhë, të grupojë dhe të thjeshtëzojë perceptimin për të arritur kuptimin. Pra syri vështron, ndërsa mendja sheh duke thjeshtuar, grupuar e zgjedhur.

[nga sa më sipër rezulton një e vërtetë akoma më madhore se e këtij cikli shkrimesh e përtej, që jo vetëm se nuk ka gabim (përveç se gabim moral, kur thyhet Parimi), por përkundrazi gabimi është kushti për krijim, thënë më reduktuar si parullë: Gabimi është Krijimi]

Këtë veti të sy-mendjes e kish kuptuar Leonardo (e çfar ka lënë pa kuptuar?), prandaj e rekomandonte si metodë pune (të tjerëve dhe e praktikonte edhe vetë shikimin në gjëndje transi të njollave të mureve me lagështirë dhe gurëve të mureve të prishur, reve në qiell etj) për të rritur aftësinë e mendjes dhe aftësinë për shpikje të reja, tekstualisht shkruan: “në gjërat konfuze mendja zgjohet për shpikje të reja”. Pra Leonardo e arrinte Harmoninë nëpërmjet Kaosit. Dhe vërtet kompozimet e tij madhore janë arritje të ngrira në qetësi absolute, ndërsa kërkimi i tij përkundrazi, ka si metodë pune skicën, zhgarravinën gjysëmautomatike dhe lajle lulen gjysëmkoshiente.

Mirë një gjeni si Leonardo që beson e praktikon në këtë mënyrë (mendje mendje kjo dynja!), problemi është se të njëjtën gjë bënte kolegu i tij Mikelanxhelo, i konsideruar jo më pak gjeni.

Mikelanxhelo thoshte se ideja për kompozimin e ri nuk i vinte nga mendja ose nga shpirti, por i sugjerohej nga vetë blloku prej mermeri. Prandaj nuk porosiste një bllok mermeri çfardo mbi të cilin do të skulpturonte idenë më pas, por shkonte me këmbët e veta në gurore të Karrarës. Mbasi bridhte mendueshëm sa andej këndej në gurore për ditë të tëra në gjëndje transi, ndalej para një shkëmbi mermeri dhe thoshte: Ky! Pra mermeri tashmë i kish sugjeruar idenë, paguante paret dhe bllokun ja çonin në studio, e vetë shkonte në shtëpi se gjysma e punes ish bërë. Sipas Mikelanxhelos ideja dhe forma e veprës ishte brenda bllokut të mermerit, dhe puna e tij ishte të hiqte të tepërtën, atë të tepërt që burgoste statujën.

E kotë të vazhdohet më tutje, nuk ka rast më të shkëlqyeshëm për të thënë se një imazh vlen më tepër se 1000 fjalë (shiko foton e ilustrimit të shkrimit me emër kuptimplotë Skllav që rizgjohet, nga seria e titulluar Burgjet, dyfish kuptimplotë).

pjesën e mëparëshme e gjeni këtu

Perpara nje ekrani kinemaje, spektatori i ngre syte (për lart); perpara nje ekrani tv, i ul syte (për poshte) - Godard

Perpara nje celulari njeriu i mba syte persmari, as lart e as poshte, qe do te thote, politikisht dhe marlonisht, edhe as majtas e as djathtas - i Modhi :smiley:

Kam kaq shume ide, sa do te isha i lumtur te m’i vidhnin. Kam vetem nje problem, se jam une qe kam shti ne ngasje vjedhajdutin - i Modhi :grinning:

Kam vjedh kaq shume ide sa per te kuptuar qe te pakten idete nuk jane prone private, nuk mund te kihet patente per ide - i Modhi :smiley: