Edhe sot Edi Rama u shfaq si “lider botëror” dhe u mburr që falë tij dhe “mikut tim Aleksandër”, rajoni ynë nuk është më një fuçi baruti, por një oaz paqeje.
“Mund të bëjmë së bashku atë që francezët e gjermanët bënë për Europën Ne mund të bëjmë të njëjtën gjë në rajon. Ky rajon mbeti për një kohë të gjatë si fuçia e barutit të Europës Lumenjtë e gjakut dhe dasitë, kanë përcaktuar raportet për shumë vite. Sot jemi në një atmosferë tjetër, paqeje ne rajon Edhe pse nuk jemi dakord në gjithçka me njëri-tjetrin” ,tha Rama në Tiranë gjatë hapjes së Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, pjesë e procesit euro-integrues të Berlinit dhe vazhdimit në Vjenë dhe Paris mes vendeve ballkanike.
Por ndërkohë që Rama tregon histori me gjermanë e francezë, Vuçiç po përshpejton planin e tij për të përfunduar “murin e ri të Berlinit” në mes të Mitrovicës, duke i bërë Kosovës shqiptare atë që Milosheviçi nuk ja bëri dot me tanke e vrasje masive.
Rama mburret se është protagonist i “paqes” serbo-shqiptare, falë miqësisë së tij me kryeministrin Vuçiç, por çdo ditë e më shumë si të gjitha punët e tij edhe kjo, po i del një fasadë që po i shpëlahet boja.
Në Prishtinë dhe Bruksel, alarmi i ndarjes së Mitrovicë ka arritur kulmin. Kryeministri Mustafa deklaroi, se situate po ndiqet me shqetësim nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurse kryeministri i vendit mëmë të shtetit të Kosovës, bashkë me ministrin e tij të jashtëm që ruan Bashën se çfarë bën dhe kë takon nëpër Europë, heshtin turpshëm.
Nga se ka frikë Edi Rama që ti kërkojë kryeministrit autoritar dhe shovinist të Serbisë llogari për atë akt provokativ dhe të rrezikshëm në Mitrovicë, brenda një shteti të pavarur shqiptarësh?
E njëjta gjë ndodhi edhe me çështjen e linjës energjitike të interkonjuksionit, Shqipëri-Kosovë. Serbët e kanë bllokuar funksionimin e saj duke bërë karshillëk të hapur, kurse Rama dhe Gjiknuri shkojnë dhe qaraviten për këtë çështje në Berlin.
Edhe më 27 Nëntor, një ditë përpara festës sonë të pavarësisë, serbët gjobitën dhe dënuan të gjithë ata shqiptarë të Luginës së Preshevës që kishin ngritur flamuj shqiptarë një vit më parë, duke u bërë presion që të mos e përsërisnin sivjet. Sërish Rama e Bushati, u zbythën dhe nuk thanë asnjë fjalë.
Pak ditë më parë Vuçiç u tall, edhe me idenë e Erion Velisë për një forum me kryetar bashkish të Prishtinës, Preshevës, Ulqinjit, Tetovës e Tiranës.
“Kanë luajtur fëmijët dhe po mendojnë se duhet të bëjnë diçka të tillë, që të thonë se janë shumë të rrezikshëm. Janë shumë të rrezikshëm sa që aktrojnë para votuesve të tyre. Ja, unë po ju pyes, çfarë ka ndryshuar nga dje? Shkoni sot në Preshevë dhe më thoni se çka ka ndryshuar. Se mos e kanë ndarë një pjesë të Serbisë ose diçka të tillë? Nuk do ta thosha këtë. Kështu që, le të luajnë fëmijët. Nuk jam brengosur shumë. Por, që kjo është e rrezikshme në kuptimin politik dhe atë psikologjik, nuk ka dyshim se është”, ironizoi e kërcënoi miku i Ramës. Përsëri asnjë reagim!
Gjithsesi ngritja e një muri ndarës nga serbët në Mitrovicë dhe heshtja e turpshme e qeverisë sonë, shënon kulmin e degjenerimit të politikës së nënshtrimit dhe fasadës së “liderit global”, të cilin nga Beogradi në Berlin, nga Athina në Uashington, po e shikojnë tashmë vetëm si një klloun që herë të bën të qeshësh e herë të ngjall krupën nga truket e trasha dhe të dala boje.