Seç kisha një parandjenjë - nuk jam i sigurtë, ndoshta ishte parandjenjë e sajuar aposteriori -, që diçka nuk shkonte dhe diçka e papëlqyeshme do të ndodhte. Ndoshta sepse fasada ishte në errësirë. Në fillim mendova se do ishte djegur llampa e fanarit që ndriçonte portën, pastaj rezultoi se hajdutët e kishin thyer që të ushtronin zanatin rehat në gjysëm errësirë. Profecia është evidencë që hë për hë nuk dijmë t’i japim shpjegim, përveçse mbasi ndodh.
Ajo shtyu portën - brava ishte thyer - dhe humbi në gjysëmerrësirën e korridorit nga ku ushtoi një klithmë për ndihmë në emrin tim, e cila akoma edhe sot më ushton në veshë. Tok me ulërimën e saj, një siluetë e panjohur u shfaq në derë; kujtova se e kishin vrarë, tmerr, lesht e kokës përpjetë. E kotë të bësh trimin në këto raste, i hapa rrugë siluetës njësoj si torero i shmanget demit në korridë. Hajduti doli jashtë me aq me vrull sa u rrëzua për tokë duke u ngatërruar me këmbët e veta, e mbi të ra kaladibrançe edhe kolegu i tij që hovi nga pas për të dalë jashtë. Të dy u çuan menjëherë dhe ja dhanë këmbëve me sa fuqi kishin, duke kapërxyer lehe me lule, shkurre dhe kangjella.
Hyra në korridor dhe e gjeta në këmbë gjallë e shëndoshë; nuk i kishte ndodhur gjë, hajdutët vetëm i kishin dhënë një të shtyrë për të dalë jasht. Vetëm se dukej tmerrësisht e tronditur, si edhe unë; të vjedhin shtëpinë nuk është ngjarje dosido, aq më tepër të kapësh hajdutin në flagrancë. Gjë që e eksperimentova në lëkurë sidomos më pas kur gjetëm përtokë sirtarët dhe tërë brendinë e tyre për tokë; përzjerë të brëndëshme të linjta me gjithfalloj sende e suvenire të dhuruara në vite përgjatë një jete të tërë. E kujtoj si sot ulërimën e saj dhe ndjenjën e përdhunimit të intimitetit që përcillte instalacioni artistik me sende intime të derdhura lesh e li mbi tapet. Ky ishte dëmi më i madh, mungesa e zarfit me para në sirtar nuk ishte asgjë.
-Ç’të bëjmë? Lajmërojmë policinë?
-E lajmërojmë, pa tjetër. Mirpo çe do, çdo të bëjë polici, do kapë prej zyre 7 kilometra larg dy të rinj që vrapojnë në errësirë duke kapërxyer kodra e lugina?
-Sidoqoftë ne bëjmë tonën, e siç e do zakoni në këto raste. Sa është numri i policisë, se nga tronditja nuk po më kujtohet? … Pronto, policia? … Po, na kanë vjedhur shtëpinë. … Ishin dy të rinj në moshë. … Nuk e di, nuk i pashë në fytyrë; dukeshin si ekstrakomunitarë, dy albanezë më duket. … Mirë, vijmë aty për 5 minuta, nisemi në çast.
-Hajde pra nisemi, çfar po pret?
-Jo unë nuk vij, jam albanez, dmth jam unë hajduti.
-Ha, ha, ha, ha, tani që më bëre me qesh, më iku frika.
-Të iku ty e më zuri mua.
-Ha, ha, ha. Shkojmë, hyj unë tek polici, ti prit në makinë.
Ajo hyri dhe po prisja në makinë. Karabinieria në qëndër të qytezës dukej si restorant romantik, jo si kazermë policie. Mbi portën dykanatëshe prej druri të gdhëndur në mënyrë trashanike, varej një fanar me skelet prej hekuri të farkëtuar - imitim kitsch antikiteti - që mezi ndriçonte ngaqë i sulmuar nga bimët kacavjerrëse që mbytnin tërë fasadën prej muri tulle pa suva. Ishte muzg dhe ndriçonin vetëm dritaret nga brënda me një ngrohtësi ndjellëse shtëpijake. Dukej si tallje. Një imazh të ngjashëm e kisha parë dikur në vilën e Degës së Brëndëshme të Pogradecit, përgjatë rrugës së asfaltuar buzë gjolit. Një qyteti turistik i shkon për shtat një rajon policie me fasadë romantike.
Porta u hap dhe ajo u shfaq; u nisëm.
-Hë!
-Më tregoi fotot e të gjithë ekstrakomunitarëve që ndodhen vërdallë. Midis tyre ishte edhe e jotja.
-Hë, e pastaj?
-Është ky - i thashë karabinierit. Je e sigurtë? - më pyeti. Më se e sigurtë! - ju përgjigja. Po ti më the në telefon që nuk i pashë në fytyrë, nga e di që është ky? - më pyeti përsëri. E di sepse ky është im shoq albanez - ja preva shkurt.
-Hahahaha!
(nga Ditar i një fuksi)