FIAT LUX - pjesë e gjashtë (Duchamp)


Mona Liza me musteqe e Duchamp

Ndoshta e kuptoj përse vetëm njeriu është i aftë të qeshë. Ai vuan kaq shumë sa i’u desh të shpikë qeshjen. Njeriu, ose njeriu më i palumtur dhe më melankolik, është padyshim edhe kafsha më e gazmore - Friedrich Nietzsche, Lindja e tragjedisë


Provoni për një çast të interesoheni për gjithçka që thuhet dhe gjithçka që bëhet, përfytyroni të veproni me ata që veprojnë, të ndjeheni me ata që ndjejnë, në fund të shpalosni simpatinë tuaj në maksimum: sikur me magji do të shihni objektet më të lehta të rëndohen dhe një zymtësi të pushtojë të gjitha gjërat. Tani shkëputuni, kundroni jetën si një spektator indiferent: shumë drama do të kthehen në komedi. Mjafton të mbyllen veshët dhe mos dëgjohet muzikë në një sallë ku kërcehet, që valltarët të duken menjëherë qesharake. Sa veprime njerëzore do t’i rezistonin një prove të tillë? - H. Bergson, Du rire (1900)

Ndani një objekt çfardo: një njeri të veçantë, një kalë, një rrepë, një thes mielli, një çadër, nga lidhja e tyre me gjërat, dhe kundrojini ato të vetmuara, të përqëndruara në natyrën e tyre absolute (pa ndërlidhje), e menjëherë ato bëhen komike; asnjë cilësi e dobishme dhe e respektueshme nuk mund t’i shpëtojë nga qesharakja - Ralph Waldo Emerson (1803 - 1882), The Comic.

Të dy citimet e mësipërme, shkruar nga të vetmit filozofë (Bergson dhe Emerson) të lexuar me dëshirë, janë profetizuese për çfarë do të ndodhte më pas në artin modern, e sidomos në artin postmodern: zhdukja e Teksit (kuptimit) dhe konsiderimi i vetëm kontekstit (interpretimit) e bën situatën komike (edhe tragjike, meqë “është dialektike” siç thuhej dikur nga intelektualët e mdhenj që nuk kishin lexuar Hegelin sepse ishte idealist). Sa më tepër t’i heqësh kuptimin (tekstin) një gjëje ose situate, aq më tepër gjëja ose situata (konteksti) do të rezultojë pa kuptim, absurd, qesharak; por njëkohësisht edhe tragjike si faqja tjetër e së njëjtës medalje, gjë që në shkrimet e ardhëshme do e trajtoj më në hollësi.

Operacioni artistic i ready-made është iluminues për dukurinë në fjalë:

Përkufizimi i Ready-made (Objet trouvè) i Museum of Modern Art (MoMA):

Term i aplikuar që prej vitit 1915 për një produkt industrial çfardo të izoluar nga konteksti i tij funksional dhe i ngritur në statusin e artit nga thjeshtë akti i zgjedhjes së një artisti.

Përkufizim i Ready-made i Wikipedia në frëngjisht:

Një ready-made është një produkt industrial, të cilin një artist e përvetëson ashtu siç është, duke e privuar nga funksioni i tij utilitar.

Përkufizim i Ready-made i Wikipedia në italisht:

Një ready-made është pra një produkt industrial çfardo i përdorimit të përditshëm (një varëse rrobash, shishekulluese, oturak, etj), i cili shndërrohet në vepër arti sapo marrë nga artisti dhe vendosur ashtu siç është në një situatë të ndryshme nga ajo e përdorimit, e cila do t’i përshtatej (në këtë rast një muze ose një galeri arti).

Përkufizim i enciklopedisë Treccani:

Ready-made, term i përgjithshëm për të treguar ato objekte të përvojës së përditshme, të standardizuara, të prodhuara në masë nga industria - e si të tilla të karakterizuar nga mungesa e ekskluzivitetit të tyre -, të cilat, hequr nga konteksti i tyre i zakonshëm, merren prej artistit ashtu siç janë, ose duke kryer mbi to ndonjë ndërhyrje, duke u ekspozuar si një akt i pastër kritik dhe përdhosës ndaj sistemit të vlerave (shoqërore, artistike, morale, etj) në fuqi.

Në fakt sa më sipër janë përkufizimet zyrtare që ngjajnë midis tyre si kuptim dhe formë (në këtë rast më se të vërteta), sepse çfarë është ready-made, referuar interpretimeve pa fund, nuk e gjen dot kurrë, aq shumë interpretime janë në qarkullim. Ready-made është gjëja më e interpretuar në historinë e kulturës. Çdonjeri ka një revelatë të vetën, gjë që rrit skajshëm komicitetin e situates, sikur të mos mjaftonte që është në vetvete komike sipas dy përkufizimeve të dy filozofëve me sipër. Sa më tepër pakuptim (pa tekst) të jetë një gjë apo situatë, aq më tepër ka liri interpretimi, e aq më tepër komike është situata, e ta do mendja dialektike hegeliane, aq më tepër tragjike. Anarkia ka çmimin e saj.

Komiciteti nis që në zanafillë. I pari ready-made në histori është “Shishekulluese” (1914) e Duchamp, origjinalin e së cilës e hodhi në plehra motra dhe kunata e Dychamp kur pastroi studion e të vëllait, i cili pati shkuar në Amerikë. E motra e konsideroi “Shishekulluese”-n një mbeturinë për tu hedhur në plehëra, siç vërtet ishte pa kryer asnjë funksion në një studio piktori.

Vetë Duchamp, sa here ka folur për ready-made, ka dhënë një përkufizim të ndryshëm; dhe jo vetëm për ready-made, por për çdo gjë tjetër, sa herë fliste sillte një interpretim të ri. Tallej me gjithçka, edhe me veten e vet. Kur e pyetën një herë se cila ishte arsyeja e ready-made të tij, u përgjegj: “Ishte vetëm humor. Thjeshtë humor, humor”. Një herë tjetër: “Në jetën time humorizmi ka një pjesë shumë të rëndësishme. Mandje për mua është arsyeja e vetme e jetës”. Herë tjetër akoma:

… unë isha në favor të rastit, të humorizmit në pikturë. Urreja idenë e një pikture serioze. Nëse mund të flitet për një ide filozofike në punën time, është që nuk ekziston asgjë kaq serioze sa që mund të merret seriozisht.

Gjithandej lëshonte lodra të tilla fjalësh, edhe titujt e veprave të tij ishin lodra banale fjalësh të interpretueshme në një mijë mënyra.
Nëse arti postmodern është vërtet parodi, atëherë Dychamp është gjeni absolut, është jo vetëm artisti, por edhe personaliteti më gjenial i epokës moderne. Por pa asnjë dyshim që është një gjeni relativ, ose thënë ndryshe “një nga më të mëdhejtë e shek. XX-të”. Zakonisht konsiderohet personi që ka meritën e çlirimit të artistit nga tirania e penelit, ngjyrës dhe manualitetit; përçmonte dhe mohonte pikturën duke e quajtur nuhatore (referuar erës së terpentinës, erës tipike të studjos së piktorit) dhe retinike (safi vizive). Sipas tij piktura duhej të ishte vetëm ide e kaplloqes, pa asfarë lidhje me shqisat. Në fakt serioziteti i gjenisë absolute të Duchamp qëndron në faktin që ishte i pari artist krijues që ndjeu Fundin e Arti ose Vdekjen e Artit si vdekje e pikturës referuar marrjes fund të mediumit të tavolocës, tubetit të ngjyrave dhe erës së terpentinës.

Në vjeshtë të 1912, Duchamp viziton Sallonin e aeronautikës në Grand Palais të Parisit, shoqëruar nga Fernand Leger dhe Brancusi. Drejt këtij të fundit Dushamp hedh një provokim: “Piktura ka marrë fund. Kush do të mund të bënte më mirë se kjo elikë? Më thuaj vallë do i’a arrije?”. Në atë çast ndodhin ndryshime themelore. Përsosmëria artizanale dhe eleganca formale i një detali mekanik lëvdohen si art, dhe më tepër se art. Tregohet që teknologjia është një akt i poiesis (siç do të ndodhë në pikturat e Leger). Arti nuk mund të matet më me techne-n e inxhinierit - George Steiner, Gramatika të krijimit.

Gjë më se vërtetë, por Duchamp nuk kuptoi (më saktë nuk donte të kuptonte) faktin tragjik që piktura kishte vdekur për t’i lënë rrugë të lirë mediumit të fotografisë dhe filmit, ose më saktë fotografia dhe filmi kishin vrarë pikturën. Nëse nuk kuptohet kaqë gjë, të mbetet të bësh karagjozin (“është dialektike”) duke gjet rraqe në plehra e baj e fut e ekspozo në muze, ose të bësh katunarin duke vazhduar të përzjesh bojrat me voj kikiriku për të lyer lecka si dikur në kohë të qepës.

pjesën e mëparëshme e gjeni këtu

1 Like

kaq mjafton per te kuptu qe Duchamp postmoderni ka tall koqet me artin:

The name of the piece, L.H.O.O.Q., is a pun; the letters pronounced in French sound like “Elle a chaud au cul”, “She is hot in the arse”, or “She has a hot ass”; “avoir chaud au cul” is a vulgar expression implying that a woman has sexual restlessness. In a late interview (Schwarz 203), Duchamp gives a loose translation of L.H.O.O.Q. as “there is fire down below”.

L.H.O.O.Q. - Wikipedia.