Humori është një shpikje madhore e epokës moderne, lidhur me lindjen e romanit, dhe në veçanti me Servantes - Octavio Paz
Asgjë nuk është më groteske sesa tragjikja. Asgjë nuk është më komike se mjerimi - Samuel Beckett.
Një i njohur mbasi vizitoi USA për herë të parë më tha që ishte për tu habit sa qeshej në këtë komb; kudo nëpër prodhime kulturore: programe TV, gazeta, filma, skeçe, dhe deri në jetën e përditëshme, ngado buçisnin gajasje gargantueske; një komb estradë me pak fjalë. Këtë fenomen e kam vënë re edhe në Itali, megjithse në shkallë më të reduktuar, sepse dihet që USA janë akoma avangardë si kulturë postmoderne, të tjerët “pas të vinj!”. RAI deri në fund të viteve 80-të kishte vetëm një, e shumta dy, programe humoristikë në javë; mbas 10 vjetësh, pa u vënë re Rai u bë estradë e përditëshme, dhe komikët u bënë personalitet nr.1 në kulturë, dhe më përtej. Eshtë një shenjë e kohës dhe Kohëve të Fundit që njëri prej tyre për pak u zgjodh kryeministër (gaztori Beppe Grillo). Ky rast dëshmon se nxënësi i’a kalon mësuesit, dmth që Progresi ekziston; USA nuk ka mundur të zgjedhë president më tepër se aktor filmash me kauboj, dhe as ka pretenduar.
Fenomeni në fjalë, në shkrimet e mëparëshme treguar në fushën e pikturës (Manierizmi), ndeshet në çdo fushë të artit, edhe në letërsi. Tragjizmin e konceptuar si estradë, personalisht e kam përjetuar si tragjizëm në katror përgjatë leximit të esesë Teoria e Romanit të Kunderës (lexuar mbas pilafit të vitit 89-të), alias disidentit t’modh çek të gozhduar në kryq si Krisht gazmor midis dy vjedhajdutesh gazmorë: Kafka djathtas dhe Hasheku majtas. Njësoj si të gjithë disidentet e mdhej shqiptarë të kapanoneve të zborit, konsideroja vetëm Hashekun si “i modh vallaj që t’bo me qesh” (meqë tallej rëndë me Perandorinë Austriake, personazhet e së cilës ngjanin si dy pika ujë me personazhet e Kapanonit të Zborrit), por nuk më shkonte mëndja kurrë që, sipas një dëshmie të Max Brodit në autobiografi të tij, Kafka paskësh qenë dhi tu qesh bashkë me miqtë e vet, kur u lexonte atyre pjesë nga Proçesi:
Kur Kafka i lexonte miqve shkrimet e tij, humori bëhej veçanërisht i dukshëm. Ne qeshëm, për shembull, me të madhe kur na lexoi kapitullin e parë të Proçesi-t. Ai vetë qeshte aq shumë saqë për disa çaste nuk ishte në gjendje të vazhdonte leximin.
Përveç kësaj çudie kam lexuar poshtë e lart komente se perceptimi tragjik i Proçesi-t bëhej vetëm prej intelektualëve perëndimorë, ndërsa disidentët lindorë zgërdhiheshin me aventurat absurde të Jozef K.-së, sepse i kishin të shtëpisë. Më duket e dyshimtë kjo ide; nuk besoj kurrë që ndonjë disident atëbotë - të paktën shqiptar, të tjerë kombësi nuk kam pasur nderën t’i njoh - ka konsideruar Proçesi-n, jo si vepër tejet tragjike, por si vepër estrade për tu recituar nga Skëner Sallaku. Problemi më kryesor është se sa disidentë shqiptarë mund ta kenë lexuar atëbotë, e më pas vjen problemi se sa prej leximtarëve të privilegjuar kanë qeshur, e sa kanë qarë. Atokohë në Tiranë ekzistonte vetëm një kopje Proçesi që kalonte dorë më dorë samizdat me mirëbesim dhe rrezik potencial, dhe llahtaria e kujt ndjehej contras regjimit ishte aq e madhe, sa ishte luks i madh të përktheje dialektikisht tragjedinë në komedi. Ndoshta ky lloj luksi i lejohej atyre që kishin mbështetje e mbrojtje nga farefisnia me pozitë në piramidë të regjimit, por halli im nuk është të tregoj se kush ka qenë vërtet disident, por të tregoj se duhet një farë luksi për të bërë shndërrimin dialektik nga tragjik në komik; plus faktin që në Tiranë ky lloj luksi nuk para ekzistonte, kurse në Pragë po. Mandje një mendje ma thotë se në Pragë, Kafkën e shijonin më tepër fuksat se sa disidentët.
Sidoqoftë tani as që e vë në dyshim se Kafka dhe disidentët pragezë antikomuniste janë dhi tu qesh duke lexu Proçesi-n, por kur e ndesha në fillim këtë lloj reagimi mbeta keq si i goditur pabesisht pas shpine; më për të qesh e për tu tallur në gjithë këtë histori paskësh qenë unë vetë bashkë me kolegët e Kapanonit të Zborit që lexonin Shvejkun e botuar zyrtarisht (por kurrsesi të ribotuar).
Më me rëndësi është fakti që, përveç pikturës të shqyrtuar në shkrimet e mëparshme (Manierizmi), edhe letërsia dhe romani modern paraqitet në formë parodie; sipas Kunderës dhe shumë të tjerëve, jo rastësisht në zanafillë të romanit modern ndodhet romani manierist që t’bo me qesh Don Kishoti i Servantesit (edhe Gargantua e Pantagruel i Rablesë, por nuk mund të zgjatem më tej me shpjegime letrare sepse vete gjatë):
Grumbullimi i situatave në të cilat i njëjti objekt krijon interpretime - midis dy personazhesh (Kishot-Sanço) diametralisht të kundërt pa mbizotëruar asnjëri prej tyre mbi tjetrin - që transformojnë realitetin sipas perspektivës nga ku vështrohet, ngjall tek lexuesi ndjenjën e pasigurisë së pazgjidhshme, tipike e Manierizmit që zgjidhet në pjesën e dytë falë hapjes së një dimensioni të ri, delikatisht barok, të rrëfimit …
… Don Kishoti përfaqëson krizën e Rilindjes dhe fillimin e Barokut. Romani hedh dritë mbi nevojën për të nxjerrë në pah individualitetin e vetvetes, jasht marrëdhënieve shoqërore të ngurta dhe të kristalizuara, duke bërë të dukëshme instinktin, çmendurinë, ëndrrat, të panjohurën.
Pra si në pikturë edhe në letërsi Manierizmi zanafilloi Artin Modern nëpërmjet parodisë dhe karikaturizimit, dëshmi kjo e një klimaksi tragjik të historisë së kohës, të përjetuar edhe nga autorët e lartpërmëndur, që gjente pasqyrim jo vetëm në pikturë dhe letërsi, por në çdo tjetër fenomen kulturor dhe shoqëror pa asnjë përjashtim. Si dikur në epokën manieriste, ashtu dhe sot në epokën moderne, tragjizmi është shkaktar i komicitetit të veprës dhe jetës. Ndryshmi midis epokave është vetëm sasijor, sigurisht sasia e tragjizmit, dhe për pasojë dialektike edhe e komizmit, është shumë më e madhe në epokën moderne për shkak të akselerimit: “sa vijnë e nxihen zogjtë e korbit”, gjë që e bën të jetë edhe ndryshim cilësor.
pjesën e mëparëshme e gjeni këtu