Apokalipsi i përditshëm i apopleksikëve - pjesa e katërt (u shkrimë tu qesh)

ff66bac8f8c97b98526b5c7e0b548166

-Katolikët më ngrejnë nervat sepse janë të pabesë.

-Po protestantët? - pyeti duke qeshur.

-Ata më bëjnë të ndihem keq me dërdëllitjet e tyre pa kuptim rreth ndërgjegjes.

-Po ateistët? - prapë qeshi.

-Ata më mërzisin sepse gjithnjë flasin për Zotin.

-E çfarë je ti si përfundim?

-Unë jam një kloun.

Opinione të një klouni, Heinrich Böll

Citimi më sipër është iluminues për të kuptuar kontekstin e kohës që jetojmë. Mënjëanë se sa autori identifikohet me protagonistin, dmth se sa kloun është vetë autori Böll, mjafton e tepron fakti që vetëm me pak batuta gjeniale përshkruhet qenia moderne. Në fakt çdo autor modern është një kloun përderisa vepra moderne është një parodi e veprës klasike që supozohej të ishte tragjike, në të vërtetë ishte tragjikomike, siç është gjithnjë vepra artistike (për këtë kam shkruar këtu). Eshtë çështje ekuilibri farfuritës kohor që lëkundet midis dy qendrave, e një simetrie asimetrike ose e një asimetrie simetrike, vepra klasike është më tepër tragjike, vepra moderne është më tepër komike. Dhe nuk është vetëm çështja e autorit kloun që t’bo me qesh, qeshje-qarja klouneske është shenjë e kohës, është statusi i njeriut në përgjithësi që në kohë të Rënies (çdo rrëzim, edhe i të afërmit në rrugë, na bën të qeshim dashje pa dashje), situatë e dëshmuar nga autorët artistë t’mdhej modernë që nuk kanë ndonjë meritë tjetër.


Poeti Aldo Palazzeschi, mik i Marinetit, bëhet tog me futuristët, jo për ekzaltimin e kultit futurist të makinës dhe shpejtësisë, por për vënien në lojë të kanuneve tradicionale, dhe kryesisht për ngakesën demitizuese dhe demistifikuese të qeshjes dhe komikes nëpërmjet lodërzimit, parodisë dhe paradoksit. Me fjalë të tjera futuristi Palazzeschi është shakaxhiu i përparimit, e për ta ilustruar këtë veti kam zgjedhur poezinë e tij të famëshme Kush jam?, ku që nga titulli kuptohet se kërkohet identiteti artistik tashmë i përhumbur në afrimin galopant të kataklizmës së epokës moderne që rrafshon çdo gjë. Poezia është shkruar në prak të Luftës Parë Botërore, në vitin 1909; më pas, në vitin 1913, Palazzeschi emigroi në Paris ku lidhi miqësi me personalitete të famshme të artit modern që t’bojnë me qesh sepse nuk e dinë mirë se kush janë: Apollinaire, Picasso, Matisse, Braque. Figura e klounit ndeshet rëndom në veprat e kubistëve, sidomos tek Pikaso.

Kush jam?

Jam vallë një poet?

Sigurisht që jo.

Nuk shkruan veçse një fjalë, tepër e çuditshme,

penda e shpirtit tim:

“çmenduri”.

Jam një piktor atëherë?

Aspak.

Nuk ka veçse një ngjyrë

paleta e shpirtit tim:

“melankoli”.

Një muzikant, atëherë?

As kjo.

Nuk ka veçse një notë

në tastierën e shpirtit tim:

“nostalgji”.

Jam pra … çfarë?

Unë vendos një lente

para zemrës sime

që ta shohin njerëzit.

Kush jam?

Pehlivan i shpirtit tim.

Aldo Palazzeschi

Kjo poezi, me formë tepër të thjeshtë gati fëmijnore, është një lloj “autoportreti negativ”, ironik dhe zbavitës i poetit që vë në dyshim veten, identitetin e tij si poet, por edhe për rolin e poezisë në kushte të reja moderniteti. Sapo figura e poetit vate (babai i kombit) si udhëtregues i shoqërisë zbehet në udhëkryq të modernes, poezia sublime rrezikon të bëhet qesharake. E vetmja mënyrë poetizuese mbetet ajo e shakasë, argëtimit dhe çmendurisë. Vargjet: Nuk shkruan veçse një fjalë, tepër e çuditshme,/penda e shpirtit tim:/“çmenduri” tregojnë se e vetmja gjë që di të bëjë poeti është shkelja e normës, meqë tani mungon një kriter i vlefshëm për të gjithë. Kriza e çmendurisë paraqitet rëndom si krizë gajasjeje.

Në videon poshtë këngëtari dhe personazhi televiziv Morgan reciton poezinë Kush jam? të Palazzeschi-t. Në jutub gjëndet edhe versioni i recituar nga Gassman që është aktor klasi, por versioni i Morgan më pëlqen më shumë, më bën me qesh më shumë si pehlivan më i madh dhe më modern se Gassman, i cili është më tepër pehlivan klasik. Madje Morgan më është bërë simpatik prej kësaj video të ndeshur rastësisht në jutub, më parë më bezdiste si në përgjithsi personazhet televizivë.

pjesën e mëparëshme e gjeni këtu

1 Like