Kur flitet për Deposizione të Pontormos, zakonisht përmendet edhe Deposizione i Rosso Fiorentinos (dhe anasjelltas) për shkak se këto vepra si dhe karakteret e autorëve të tyre janë komplementare si rallë herë në histori të artit (përveç faktit se të dy Deposizione-t janë bërë në të njëjtat vite). Pra vetkuptohet që është mirë të vizitohen njëkohësisht, aq më tepër që janë larg tyre vetëm një orë me makinë (Firence-Volterra). Në fakt vizitimi i tyre u bë në të kundërt - në fillim Fiorentino, pastaj Pontormo - me kahun e shkrimeve në seri që po lexoni, për arsye që nuk kanë fare rëndësi për lexuesit.
Edhe Deposizione të Fiorentinos e njihja prej vitesh si foto, nga përshkrimet rezultonte se origjinali ishte tepër shokues, madje dy muhabetçij interneti më kanë thënë se origjinali ju pat shkaktuar sindromën e Stendalit. Dmth isha përgatitur për emocione të forta, por nuk ishte e thënë se, siç kam thënë në shkrimin e kaluar, me përjashtim të Deposizione-s së Pontormos, vizioni i origjinalit gjithmonë më ka rezultuar një deluzion, siç ndodhi edhe në këtë rast. Por vetëm në fillim i tillë, sepse efektin shokues vepra e pati më pas me flashback të herë pas herëshme që vetëtijnë pa lidhje me çfar përjetoj në çast. Ndërsa kryeveprën e Pontormos e “harroj” si imazh, megjith efektin e saj tepër ngashnjues parë dal vivo.
Në pamje të parë Deposizione e Fiorentinos shpaloset me brutalitet të drunjtë krejt të kundërt me njerzëllikun ujor të veprës analoge të Pontormos. Kryqi, mungues tek Pontormo, është tepër i pranishëm si një skelë prej druri kantieri ndërtimi mbi të cilën kacavjeren rrëmujshëm puntorë llaçi, trupat e të cilëve fshehin formën e tij simbolikë duke lënë të duket vetëm funksionin kriminal të mekanizmës së ekzekutimit.
Kompozimi është i ndarë dukshëm në dy pjesë (gjë që rrit çuditshmërinë): sipër bota mashkullore brutale dhe poshtë bota femërore sentimentale, që ndajnë detyrat si në jetën e përditëshme: gratë ngushëllojnë, burrat bëjnë hamallëqe muskuloze. Çfarë ndodh në pjesën e sipërme të kompozimit është e paparë në historinë e ikonografisë së ndodhisë së shenjtë të zbritjes nga kryqi. Burrat në pjesën e sipërme duken krejt të papërgjegjshëm e të pandjeshëm për tragjizmin e momentit providencial, kanë hall të depozitojnë teknikisht një objekt që për ta nuk ka rëndësi çfar është: llaç, tulla apo katrama, derr në thes apo mesi; rëndësi ka operacioni të dalë me sukses. Figurat janë të drunjta, kriminale, diabolike, therëse, me cepa, groteske, duken si insekte, merimanga, si cjepër apo dhi të egra që bëjnë akrobacira kacavjerrëse mbi kryq. Fizionomitë e burrave janë prej hamejsh që i ulërasin njëri tjetrit në punë e sipër: “Maje fort se po të bi mër nordhalaq! Tërhiqe knej, jo anej nga po e tërheq ti mër gamor!”. Dhe të mendosh se dy prej tyre janë figurat e njohura testamentare: Nikodemi dhe Jozefi nga Arimatea. Në fakt kjo është karikaturë e jo ikonë e një ndodhie të shenjtë; gjëja më skandaloze është buzëqeshja e mekur në fytyrë të Krishtit që duket sikur zbavitet nga gjithë kjo zallamahi gazmore.
https://www.akg-images.com/Docs/AKG/Media/TR3_WATERMARKED/5/e/d/c/AKG275708.jpg
Siç kam parathënë në shkrimin e kaluar Fiorentino e tregon sheshit që Manierizmi është parodi e Rilindjes; pra çfarë Fiorentino e bërtet, Pontormo e thotë me delikatesë femërore në përputhje me natyrën e tij (ndoshta sepse në jetën e tij nuk njohu asnjë femër). Deri edhe ngjyrat dëshmojnë për mënyra të ndryshme të shprehurit të së njëjtës ndjenjë: ngjyrat artificiale të Fiorentinos janë hedhur me koncept grafik dhe skenik teatri (vë re ngjyrën skenike të sfondit që shkon bashkë paralel me fizionomitë si maska teatrale). Njësoj si karakteret e figurave groteske e mizore, dhe lëvizjet e xhestet e tyre akrobatike si prej cirku, ngjyrat e Fiorentinos janë ireale, skenike, gërthitëse dhe gërvishëse, ndërsa artificialiteti ireal i ngjyrosjes së Pontormos është përkundrazi me butësi të rafinuar femërore. Dhe kjo nuk do të thotë se vepra e Pontormos është më pak artificiale dhe ireale, ai thotë të njëjtën gjë duke e bërtitur heshturazi si sëmundje e butë.
Të dy autorët kanë midis tyre shumë ndërlidhje të jashtme dhe të brëndëshme. Ndërlidhjet e jashtme: janë toskanë doc, të lindur në të njëjtin vit (1494), Deposizione-t e tyre janë pikturuar në të njëjtët vite, njiheshin mirë midis tyre sepse kishin të njëjtën mësues: Andrea del Sarto, i cili është rilindasi i fundit. Sipas del Sartos nuk mund të shkohej dot më përtej përsosmërisë së trinitetit të shenjtë Mikelanxhelo-Rafael-Leonardo, dhe mund të vazhdohej të pikturohej vetëm duke bërë interpretime të ndryshme sintetike midis platiçizmit mikelanxheleske, sfumatos leonardeske dhe ndjenjës së masës rafaeleske. Përderisa matej me përsosmërinë në art, dhe jo me përsosmërinë e natyrës, siç bënin klasikët dhe mjeshtrit rilindës të adhuruar prej tij, Andrea del Sarto e përmbante në vete dinamitin manierist, megjithse pa kapsollë. Nga pikpamja e progresit, i takonte nxënësit e tij të ishin kapsolla, ndërsa nga pikpamja psikoanalitike, nxënësve u takonte të vrisnin atin, dmth mësuesin e tyre, të skartonin mjeshtrin e fundit rilindas dhe të bëheshin manieristë.
Kurse ndërlidhjet e brëndëshme midis autorëve, dmth shpirtërore, karakteriale, jetsore, kanë formë kundërtish komplementare, njësoj si Deposizione-t e tyre përkatëse, shëmbull iluminues që artisti dhe vepra lidhen mes tyre si mendja me trupin, dhe mandje identifikohen. Në vija të përgjithshme mund të thuhet që Pontormo ishte introvers si karakter, ndërsa Fiorentino ishte ekstrovers (meqë të njohur midis tyre, ishin alter ego të njëri tjetrit). Me fjalë të tjera Fiorentino ishte një mondan i integruar mirë në shoqëri. Ndërsa Pontormo është i pari artist në histori të artit i paintegruar në shoqëri, komplet me drrasë mangut, antisocial, antikonformist, pararendës i artistëve që do të quhen më pas “poetë të mallkuar”, të cilët e bënë modë dhe status normal qenien e artistit si krijesë anormale e shkalluar nga trutë. Mandje jua kalonte të mallkuarve modernë në çdo pikpamje: hipokondriak, lunatik, i shkalluar, me mani persekutimi, nuk duronte asnjeri pranë, jetonte i vetmuar në mizerje në një kotec pa derë e me vetëm dritare ku kishte instaluar një shkallë të çmontueshme, të cilën mbasi ngjitej vetë, e tërhiqte brënda kotecit që të mos ngjitej njeri tjetër. Mbante një ditar ku shënonte me precizion maniakal mizerjen e përditëshme të frikës nga sëmundjet dhe ankthit nga vdekja; regjistronte çfar hante e pinte, efektin që i shkaktonin të ngrënat në stomak dhe në zorre, deri edhe format dhe ngjyrat e eskrementeve të tij. I gjithë ditari përshkohet nga një tmerr banal nga vdekja fizike dhe dekompozimi i trupit prej afrimit të pleqërisë. Krahasuar me të, Bodler, Vërlen, Rembo & com duken mikroborgjezë të dhënë mbas rehatit. Fakti që Pontormo ishte i pari artist në histori të artit i paintegruar në shoqëri, nuk është pa lidhje me faktin që ishte protagonist i parë (pa fut në hesap binjakun) i manierizmit, i cila përbën zanafillën e artit modern në histori.
Krejt e shpjegueshme gjithë kjo mizerje: Pontormo në moshën 5 vjeç mbeti pa njeri: njeri pas tjetrit në fillim i vdes i ati, pak kohë më pas e ëma, e më në fund vdiq edhe gjyshja që ju bë babë e nënë. I kushtëzuar nga kjo eksperiencë fëmijnore, vdekja ju bë gjithnjë e pranishme, prandaj ishte gjithnjë në gjëndje ankthi nga frika e sëmundjes dhe ankthi i vdekjes. Llahtarisej aq shumë nga vdekja sa ikte i tmerruar nëse përmëndej si fjalë. Ankthin kozmik të Deposizione të tij, i dukshëm qarte dhe tejet tronditës për spektatorin, Pontormo e përjetonte çdo moment të jetës.
Përkundrazi ekstroversi Fiorentino, alter ego i introversit Pontormo, ishte hirëplotë fizikisht, plot sharm, i sjellshëm dhe me paraqitje të rafinuar, i pajisur me kulturë të përgjithshme, përveç pikturës lëvronte muzikën dhe letërsinë. Ndryshe nga Pontormo që e kaloi tërë jetën në Firence (politikisht simpatizant i Medicëve, ndërsa alter ego Fiorentino përkundrazi ishte republikan), u soll vërdallë duke punuar në gjithë Italinë: Firence, Romë, Perugia, Arezzo, Venecie, e deri në Francë ku çoi përtej alpeve shijen e sofistikuar dhe elitare të manierizmit italian, duke ndezur shkëndijën e shkollës së Fontainebleau, dmth të manierizmit ndërkombëtar.
E megjithatë Fiorentino mbante brënda vetes fshehur të njëjtin ankth kozmik si kundërfigura e tij, çvendosjet e tij nëpër Itali ishin për shkak sherri me mecenatin e rastit, gjersa gjeti rehat në Francë. Rehati i thënçin, sepse Vasari thotë se e mbylli jetën me vetvrasje, informacion konsideruar gjërësisht nga kritika krejt pa bazë meqë i padokumentuar. Por për ca lloj ngjarjesh nuk mjafton as dokumentacioni më i bollshëm (akoma nuk kemi sqaruar ngjarjen relativisht të freskët: e vrau apo nuk e vrau veten Mehmet Shehu?), dyshimi për falsitetin e kumtit të Vasari-t mbështetet, më tepër se në mungesën e dokumentacionit, në paragjykimin mendjelehtë se nuk ka përse të vrasë veten një person që korr sukses mondan. Mirëpo bota është si mësalla ose medalja me dy faqe: faqe pontormo dhe faqe fiorentino, ndërkohë që mësalla ose medalja është një e vetme. Me fjalë të tjera mizerja e jetës mund të çfaqet njësoj vdekëtare, sidoqoftë artisti i modh: bohem që fle poshtë urës apo dandy që knoqet tu bo qef në sallonin mondan të sinjora Bertinit. Dokumenti më i mirë dhe më i vërtetë i vetvrasjes së Fiorentinos është ankthi kozmik i Deposizione-s së tij, në të cilën paralajmërohet vetvrasja e tij vetëm nga mënyra e trajtimit (shpjeguar më sipër). Edhe nëse nuk e ka vrarë veten, atëherë problemi është pse nuk e ka vrarë, paska qenë me të vërtetë një burracak llafazan.
pjesën e mëparëshme e gjeni këtu