FIAT LUX - pjesë e nëntë (Lord Kelvin)

Mendoj se mund të them me siguri se asnjeri nuk është në gjëndje të kuptojë mekanikën kuantike - Richard Feynman, çmim Nobel në fizikë

Para leximit të këtij shkrimi, për ta kuptuar si duhet, rekomandoj të lexoni një shkrim të mëparshëm ku shpjegohet koncepti Apollon-Dionis:

Në serinë e shkrimeve të mëparshëm binomi dikotimik dialektik apollon-dionis shërben si kod shpjegimi i zhvillimeve në historinë e artit, më konkretisht në historinë e pikturës: natyrës apolloniake të Rilindjes i kundërvihet natyra dionisiake e Manierizmit (Pontormo e Rosso Fiorentino). Mbas dalldisjes së parë kundërilindase Manierizmi dalngadalë shuhet si lëvizje, veprat mënjanohen dhe autorëve ju harrohet emri, por rikujtohen e nxirren nga varri i harresës në fillim shek. XX-të kur lulzojnë rrymat artistike moderniste. Manierizmi bëhet përsëri i modës për simpati meqë arti modern ka natyrë kryesisht dioniziake, pra termi “manierist” mund të përdoret si një konstante historike, e jo vetëm i një kontesti të caktuar historik, dhe jo vetëm në pikturë, por në çdo fushë të artit. Deri tash kam ilustruar fenomenin kryesisht në pikturë me qëllim, sepse imazhi, sidomos për kë ka familjaritet me të, informon si koncentrat një periudhë historike, e për më tepër informacioni jipet dhe merret në çast, jo si me faqen e shkruar që kërkon kohë për lexim, kuptim e ripërtypje.

Në shkrimet më pas shëmbujve në pikturë kam treguar se manierizmi dhe Dionizi ndeshet edhe në letërsi, konkretisht tek Uliksi i Xhojsit. Për të mos u zgjatur shumë muhabeti, i bije shkurt dëshmisë së ngjashme edhe në muzikë: Niçeja bën tifozin për natyrën dioniziake të muzikës wagneriane, dhe profetizoi se muzika e të ardhmes do jetë dioniziake. Dhe vërtet muzika dedakofonike dhe xhaz janë dioniziake, pavarsisht se nuk janë niçeane dhe wagneriane.

Fenomeni ndeshet njësoj jo vetëm në çdo fushë të artit, por edhe në çdo fushë të kulturës, deri edhe në shkencë (menjëanë subkonshin dioniziak të psikoanalizës frojdiste, tani konsideruar si jo shkencë). Fizika moderne ose kuantike është manieriste dhe dioniziake, po njësoj edhe matematika moderne: “teoria bashkësive” të Kantorit është dioniziake sepse e dëshmon pavazhdueshmërinë e strukturën së botës ose natyrën diskrete ose kuantike të krijimit.

Paralelet dhe ngjashmëritë dioniziake midis kubizmit, ekspresionizmit, përroit të ndërgjegjes dhe “teorisë së bashkësive” të Kantorit, teorisë së relativitetit, mekanikës kuantike, teorive të subkonshit shpjegohen meqë janë të gjitha produkte kulturore të njëjtit klimax ose një mode kulturore të fillimit të shek. XX. Të gjitha bazat e teorive, zbulimeve dhe praktikave krijuese moderne datohen në vitet para Luftës Parë Botërore, pikërisht koha kur piktorët manieristë (Pontormo dhe Rosso Fiorentino) nxirren në dritë prej varrit të harresës. Hopet cilësorë të zbulimeve avanguardiste në çdo fushë të kulturës më pas në periudhën midis dy luftrave, janë pasojë e shtrirjes dhe rritjes në sasi të epokës së artë të zbulimeve të fillim shek. të XX-të. Historia përsëritet përsëri me hopin cilësor mbas Luftës Dytë, e cila zgjati në kohë si periudha e Luftës së Ftohtë, quajtur ndryshe Lufta e Tretë që fatmirsisht mbeti në inkubacion jashtëzakonisht prodhimtar kulturorisht.

Fizikani i famshëm Lord Kelvin në vitin 1900 shpalli me bujë dhe hare përpara British Association for the Advancement of Science thënien e tij të stërfamshme:

Tani nuk ka asgjë të re për të zbuluar në fushën e fizikës. E vetmja gjë që mbetet është matje gjithnjë e më të sakta.

Kjo nuk ishte vetëm bindja e tij personale, por një opinion i ndarë prej disa vitesh nga shumë shkencëtarë të tjerë. Fizikani nobelist Albert Abraham Michelson shkruante në vitin 1894: “ligjet themelore më me rëndësi dhe faktet kryesore të shkencës fizike janë zbuluar të gjitha”.

Rreth një muaj pas deklaratave të Lord Kelvin, Max Planck zbuloi formulën e diskretizmit (kuantizimit) të energjisë duke zanafilluar kështu zbulimin e bërthamës së atomit dhe mekanikën kuantike. Pesë vjet më vonë në 1905 Ajnshtajni publikoi artikullin e famshëm që zanafilloi teorinë e relativitetit. Rasti në fjalë është shëmbulli më i shkëlqyer që dëshmon ekzistencën e paraleleve historike dhe esencialitetin e botës: çfarë ndodhi në fizikë me fizikanin Lord Kelvin, pati ndodhur saktë në pikture 500 vjet më pare me Andrea del Sarto, maestron e Pontormos dhe Rosso Fiorentinos:

Pra revolucioni i Manierizmit dhe Mekanikës Kunantike filloi pikërisht kur tradita e përkatësisht Rilindjes dhe Fizikës Klasike arritën kulmin e sofistikimit dhe konsolidimit të plotë zyrtar duke shteruar çdo mundësi ardhëshmërie. Me fjalë të tjera Apolloni fitimtar feston pa kuptuar varrosjen e tij njëkohësisht me ringjalljen e Dionizit nga varri, vetkuptohet dhe anasjelltas, meqë raporti midis tyre është dialektik.

Në teorinë e Njutonit, realiteti përfaqësohet nga pika materiale në hapësirë ​​dhe kohë (alias perspektiva e pikturës rilindase); në teorinë e Maksuellit përfaqsohet nga fusha në hapësirë ​​dhe kohë. Ndërsa në mekanikën kuantike paraqitja e realitetit nuk është kaq e thjeshtë. Nëse në fizikën klasike realiteti është determinist, i rregullt dhe koha është lineare, në fizikën kuantike realiteti rezulton i papërcaktuar, i çrregullt, fluid, kaotik, absurd (action painting i Pollock). Pra Apolloni është perëndia e mekanikës klasike njutoniane, ndërsa Dionizi është perëndia e mekanikës kuantike

Heisenberg në vitin 1927 formulon Parimin e Papërcaktueshmërisë, sipas të cilit sa më saktë të njohim pozicionin e një grimce, aq më pak saktë njohim shpejtësinë e saj, dhe anasjelltas. Pozicioni i një grimce nuk llogaritet duke identifikuar një pikë në një plan kartezian me 3 akse si rëndom në mekanikën klasike njutoniane dhe hapsirën karteziane (alias perspektiva e pikturës rilindase), përkundrazi pozicioni i saj jepet në funksion të valës probabilitare, i identifikuar në një hapësirë të papërfytyrueshme për trurin njerzor me 4 përmasa (3 hapësirë + 1 kohë), ose më të shumtën mund të llogaritet se sa është probabiliteti për ta identifikuar grimcën në një pikë të caktuar. Nëse prej teorisë së relativitetit të përgjithshëm të Ajnshtajnit nocionet linerare e hapësirës dhe kohës klasike kishin pësuar një ndryshim të dukshëm duke rezultuar me strukturë lakore, mekanika kuantike i dha dërmën vizionit relativist duke treguar se është e pamundur për mendjen njerzore përfytyrimi i strukturës së universit.
Thënë me dy fjalë: triumf i Dionizit, pa futur në hesap energjitë gjigante të prodhuara nga shpërthimet bërthamore që do ishin të pamundura pa disiplinën e mekanikës kuantike.


pjesën e mëparëshme e gjeni këtu

https://lnx.fabioscolari.it/wp/wp-content/uploads/2020/03/Nastro-mobius.jpg

Nel mezzo del cammin di nostra vita,
u gjenda në një blog pirdh të pjerdhim,
ku asnjeri nuk lexon,
as çfar ka shkruar vetë!