FIAT LUX - pjesë e tetë (Dante)

Kini parasysh origjinën tuaj:
nuk jeni krijuar për të jetuar si kafshë,
por për të praktikuar virtytin dhe dijen.
Komedia Hyjnore

Në këngën XXVI të Ferrit këndohet se Dante takohet me Uliksin, i cili ndodhej në rrethin e mashtruesve si ideator i projektit të Kalit të Trojës me të cilën u mashtruan të rrethuarit. Sipas versionit të Dantes, heroi grek, përfaqësues tipik i dëshirës njerzore për të njohur pa kufi, pasi kthehet në Itakë, ja nis një udhëtimi tjetër aventuresk. Gjatë takimit, Uliksi i tregon Dantes për rrethanat e vdekjes së tij: me një grup shokësh vendos të kapërcejë Shtyllat e Herkulit, vendi ku, sipas gjeografisë mesjetare, bota përfundon, më përtej shtrihet vetëm oqeani. Arritën deri sa të shihnin malin e Purgatorit, por mbytja e anijes i dha fund udhëtimit dhe jetës së tij.

Sjell këtu fjalimin proverbial të Uliksit drejtuar shokëve, për t’i nxitur që të vendosnin të kalonin Shtyllat e Herkulit dhe të hynin në të panjohurën:

O vëllezër, nga pafund rreziqe keni mbërritur
në kufi të skajmë të Perëndimit,
në pjesën e fundit të jetës që na ka mbetur

mos i mohoni shqisave tona
të shohin, në ndjekje të rrugëtimit të Diellit,
çfarë ka në botën e pabanuar.
Kini parasysh origjinën tuaj:
nuk jeni krijuar për të jetuar si kafshë
por për të praktikuar virtytin dhe dijen.

Komedija Hyjnore, Ferri, XXVI, 112-120

Vetë Komedia Hyjnore e Dantes është një histori udhëtimi, një lloj odiseje ku Uliksi udhëton në të përtejmen, por ndryshe nga Uliksi origjinal që humbet në pyllin e errët të pasioneve, Dante e gjen shtegun e ngushtë për të dalë nga pylli dhe për të udhëtuar drejt shëlbimit. Versioni që jep Dante për Uliksin është kritika e krishtërimit bërë mendësisë helene që ka për atribut kryesor njohjen dhe jo lumturinë, ka për finalitet perënditë e Olimpit dhe jo Zotin Qiellor si burim i pashterur i lumturisë. Ky është shkaku i vërtetë përse Uliksi vendoset në rrethin e mashtruesve, e jo se bëri një kalë mashtrues prej dërrase. Sipas Uliksit dantesk njeriu për natyrën e tij synon kënaqësinë e vënies në provë të aftësive të tij për të njohur dhe ditur, prandaj Uliksi heq dorë nga gëzimi i rihyrjes në atdhe dhe ritakimit me të dashurit e tij për hir të pasionit të njohjes dhe diturisë. Pra Uliksi i Dantes është mirfilli intelektuali i modh, është kritika më e përsosur kundër tij si person pa zemër, thjeshtë tru, që në plan të fundit rezulton trongull i idhët fare. E meriton ferrin, aq më tepër që e ka krijuar vetë, për veten dhe për fansat që i venë pas.

Në fakt Uliksi i Homerit, megjith aventurat e udhëtimit me eksperienca pa fund që përmbushin dëshirën e tij madhore për njohje dhe dituri, nuk e humb kurrë Tekstin, dmth finalitetin e ndjenjës së përgjegjsisë për shokët, dashurisë së përjetshme për bashkëshorten, respektit birnor për prindërit dhe dhëmbshurisë prindërore për të birin, dashurisë për vendlindjen. Me të mbërritur Uliksi në Itakë në veprën e Homerit bie perdja, pra Homeri i ka kartat në rregull me mendësinë helene. Dante, meqë i krishterë, shpik një udhëtim të pagjasë të Uliksit me qëllim që të diskreditojë mendësinë pagane. Por as që është nevoja, sepse në fakt Dante me udhëtimin e tij aventuresk në Ferr-Purgator-Parajsë është për vete një Uliks në kërkim të lartësimit drejt ndriçimit hyjnor të asaj bote, komplementar me Uliksin e Homerit në kërkim të njohjes dhe diturisë në kaosin e dukurive të kësaj bote. Uliksi i Homerit përfaqson figurën e esploratorit në kërkim të aventurave në dimensionin fizik horizontal, ndërsa Dante përfaqson figurën e pellegrinit në kërkim të aventurave në dimensionin shpirtëror vertikal. Pra në thelb bëhet fjalë për mendësinë e përkatsisht helenizmit dhe krishtërimit, potencialisht mendësi komplementare që duhen sintetizuar bashkë, por fatkeqsisht realisht në konflikt shkatërrimtar midis tyre, me pasojë hiçin, kotësinë, kaosin, relativizmin e vlerave, perversionin, mungesës së finalitetit të jetës dhe historisë, dmth alias mendësia postmoderne që gëlon rreth e përqark shif e shkruaj, ose lexo Uliksi-n e Xhojsit.

Të dy figurat komplementare (Dante dhe Uliksi homerik) janë modeli që duhet imituar për të pasur një jetë që ja vlen të jetohet. Që rrëfimi modern i shkatërron këto modele, në rastin më të mirë është tregues impotence që kërkon të duket potencë nëpërmjet forcës së shkatrrimit. Në rastin më të keq, të gjitha të zezat brënda.


Uliksi

Në rininë time kam lundruar

përgjatë brigjeve dalmate. Ishuj të vegjël

ia behnin përkrye valës, ku rrallë

një zog mbërrinte për të gjuajtur,

mbuluar me alga, të shkitshëm, në diell

të bukur si smeraldë. Kur deti me dallgë

dhe nata i zhdukte, velat

nën erë shpaloseshin më në largësi

për t’i shpëtuar rrezikut. Sot mbretëria ime

është ajo tokë e askujt. Porti

ndez për të tjerë burra dritat;

mua ende më shtyn drejt largësive shpirti i zbutur

dhe drejt jetës dashuria e hidhur.

(Umberto Saba,
përktheu Skënder Buçpapaj)


Odiseja Telemakut

Telemaku im,

Lufta e Trojës

morri fund. Se kush fitoi, nuk e mbaj mend.

Ndoshta grekët: kaq shumë të vdekur

jashtë shtëpisë mund të lënë vetëm grekët …

Por rruga për në shtëpi

na doli shumë e gjatë,

a thua se Poseidoni, ndërsa ne humbnim

kohën andej, zgjeronte hapësirën këndej.

Nuk e di ku jam

e çfarë kam përpara: një ishull i ndyrë,

shkurre, baraka, derra hungërritës,

kopsht i lënë pas dore, një mbretëreshë,

bar, gurë … . I dashur Telemak,

të gjithë ishujt ngjajnë,

nëse endesh kaq gjatë,

ikën nga mëntë duke numëruar valët;

syri i ndalur nga horizonti loton,

mishi i ujit përhumb dëgjimin.

Nuk e mbaj mend se si përfundoi lufta

dhe sa vjeç je tani, nuk e di.

Rritu madhou Telemak, bëhu i fortë.

Vetëm zotat e dinë nëse do të takohemi përsëri.

Tani nuk je i njëjti kalama

para të cilit ndala demat.

Do të jetojmë bashkë pa Palamedin.

Por mbase ka të drejtë: pa mua

je i lirë nga pasionet e Edipit,

dhe të pastra janë ëndrrat e tua, Telemaku im.

(1972, Josif Brodskij)


Itaka

I kthyer këtu pas njëzet vjetësh,

sheh gjurmën tënde të zhveshur në rërë.

Lehja e qenit që çohet mbi skelë

nuk rrëfen lumturi, por egërsi.

Rrekesh të heqësh qafe djersën që shkon çurkë;

por ka vdekur mëndesha që njeh mbresën e plagës tënde.

I vetmja që të ka pritur, thuhet,

nuk gjendet kurrkundi, të gjithëve i është dhënë.

Djali jot është rritur, edhe ai një marinar,

dhe të sheh si mbeturinë.

Dhe gjuha, me të cilën bërtasin rrotull,

punë e kotë të deshifrohet.

Ndoshta nuk është ky ishulli, ose mbase, zhytur

bebja në të kaltër, syri yt është bërë nazemadh;

vala në ardhje nuk e harron të çarën

e horizontit të tokës mbi të cilën thyhet.

(1993, Josif Brodskij)


Diku, kudo

Shi, ti fëmijë i vockël që qan prej mijëra vitesh

Për ditën tënde të pangushëlluar!

Shfaqet dhe zhduket Itaka

Nën pasione vetëtimash.

Përditë më duhet të nxitoj drejt diçkaje që nuk është

Por nuk jam një Odise i shpikur.

Eh, Itakën time e kam shpikur vetë

Se kam nevojë të domosdoshme për ishuj.

Më vështron me sytë prej uji,

Te dritarja, fëmija lakuriq.

Bien Itakat e legjendave,

Pas bregut madhështor të vetmisë.

(Frederik Rreshpja)


Një tjetër variant i famshëm talljeje sheshit e kryeveprës homerike është një pjesë e shkëputur nga poema L’ipotesi (1907) e Guido Gozzano që e paraqet Uliksin si teleshmengo, tradhëtor, bredharak, mondan që jetonte në një jaht luksoz, e herë pas here zbarkonte nëpër brigje ku bëhej jetë gazmore dhe zbavitese, plazhe të frekuentuara nga koketa të famëshme etj. Më pas vendosi të provojë fatin në Amerike, por gaboi drejtimin e anijes, dhe në vend që të arrinte në Kaliforni dhe Peru, u gjend para malit të Purgatorit, ku anija u mbyt dhe “Uliksi u zhyt ne ferr ku akoma ndodhet”.
U përpoqa ta përkthej, ose me saktë ta shqipëroj, por nuk isha në gjendje sepse vjersha ka rimë folklorike dhe shumë referenca parodike nga Homeri, Dantja, D’Anuncio etj. Kështu po e sjell vjershën në origjinal, kush është i zoti le ta lexojë:

http://www.comune.bologna.it/iperbole/llgalv/iperte/ulisse/ulisse/yatch_o.htm


pjesën e mëparëshme e gjeni këtu

2 Likes

e vodha edhe nje shkrim nga interneti qe me kish ngel pishmon me shkrujte per udhetimin e intelektualit t’modh perjetesisht ne galop vrap pele stil gomori nga e njohura tek e panjohura.

1234567890

o Stalker, po si more nuk diskutove as ne kete teme me Uliks, dosja jote te Blogu Tjeter ka perkthyer ne shqip Uliksin e Xhojsit. :smiley:

Pa asnje diskutim emocioni me i madh i pasur ndonjehere nga filmi i pare ne televizion. Greqishte te vjeter nuk di, por nuk ma ha mendja qe leximi i origjinalit te barazohet me emocionin e filmit homonim. Perkthimeve vari hejben ne kete rast.

Shembelli me i shkelqyer qe mediumi i filmit tejkalon mediumin e letersise.

Uliksi i Homerit + Udhetimi i Dantes = Uliksi i Xhojsit (qe e ka perkthy dosja e Stalker ne apartamentin e shkretuar te Marlonit ne Paris)

ne kaq pak permblidhet e gjithe historia e letersise.

Tu pa Uliksin me Bekim Femiun dje, nxorri koken edhe nje here tjeter pyetja e lashte :

A vjetrohen te gjitha veprat e artit?

Pergjigja eshte teper i koklavitur, tamom nje Nyje e Gordes, dhe si e tille me duket se duhet me e zgjidh si Skenderbe me nje te rene shpate:

Po te gjitha vjetrohen!

Kohet e fundit ve re, siç duket ndikuar nga perhapja vjeshtuke e epidemise, se ne disa mendje te ndriçuara ka shkrep ideja qe epidemija ka ndare historine ne dy pjese: ne para dhe pas koronavirusit.
Kete e ve re, nder te tjera, ne shijen e ndryshme nga dikur qe tani me lene veprat e artit. Madje nganjehere vepra dikur te pelqyeshme, tani me lene indiferente, e nis dhe e le ne mes librin ose filmin.
Kjo perben nje deshmi qe arti ka vlere njohese te jashtezakonshme.

image