Mirë se të na vijë kaosi, përderisa rregulli nuk ka funksionuar - Karl Kraus
Për të kuptuar si duhet shkrimin që po lexoni është i domosdoshëm leximi i një shkrimi të dikurshëm (nga ku kam shkëputur citimin më poshtë), që trajton kryesisht figurën e Jungut dhe fenomenin “sinkronicitet” të zbuluar prej tij, dhe pjesërisht figurën e fizikanit nobelist Wolfgang Pauli. Njëkohësisht shkrimi trajton se si këto dy figura kanë bashkëpunuar lidhur me fenomenin e “sinkronicitetit” nga pikpamje të ndryshme të zanateve të tyre: përkatësisht psikiatër dhe fizikan. Ky bashkëpunim ka pasur për qëllim t’i lidhë këto zanate duke hedhur një urë midis brigjeve të ndara të përkatësisht shpirtit dhe materies, koshiencës dhe materies, psiche and physis, e më konkretisht: midis subkonshit dhe mekanikës kuantike (e cila hulumton në thellësi të materies, në sub-materie). Në këtë shkrim do flas kryesisht për figurën e Paulit, komplementare dhe analoge me të Jungut, për të kompletuar kuadrin dhe njëkohësisht për të dhënë një dëshmi tjetër në vazhdim të karakterit dioniziak të epokës moderne.
Fizikani Wolfgang Pauli, edhe pse jo shumë i njohur, padyshim është një prej fizikanëve teorikë më brillante të shekullit të shkuar: fizikani Bohr e konsideronte me gjenial se Ajnshtajni. Sapo mbaroi studimet Paulit i besuan të shkruante për një enciklopedi shkencore një ese lidhur me teorinë e relativitetit, e cila ese, edhe mbas një shekulli konsiderohet akoma referencë bazë për argumentin. Për këtë vepër vetë Ajnshtajni është shprehur:
Kushdo që e ka studjuar këtë vepër, nuk mund ta besojë që është shkruar nga një njëzetvjeçar. Nuk di çfarë të admiroj më tepër: kuptimin psikologjik të evolucionit të ideve, rafinimin e deduksioneve matematikore, intuitën e thellë, aftësinë për të paraqitur veprën me qartësi sistematike, plotësinë faktike ose pagabueshmërinë kritike. … Ky libër duhet konsultuar nga kushdo që merret me kërkim në fushën e relativitetit dhe nga çdokush që dëshiron një orientim të sigurtë për çështje kryesore.
Shkaku përse Pauli, megjith meritat e tij, nuk është aq i njohur zyrtarisht në publikun e gjërë, qëndron në natyrën e tij tepër të çrregullt e aspak normale, me fjalë të tjera në karakterin e tij dioniziak. Ndikimi i tij stërmadh mbi fizikën e kohës zhvillohej më tepër me raportet dal vivo me kolegët, me të cilët mbajti një letërkëmbim të vazhdueshëm për vite me radhë. Pra Pauli la pak libra dhe shumë letra, në fakt veprat e vërteta të tij janë letra drejtuar kolegëve ku trajtohen gjallësisht probleme të fizikës. Bënte jetë të çthurur nate nëpër klube dhe kafene, nuk ndiqte me rregull leksionet, kishte një natyrë agresive dhe grindavece, gjuhën e kishte brisk që nuk kursente njeri, as autoritete si Ajshtajni, të gjithë i ndruheshin gjykimit të tij.
Në moshën 30 vjeçare, në kulm të prodhimtarisë krijuese Pauli pësoi një depresion të rëndë për shkak të disa ndodhive fatkeqe varg njëra pas tjetrës. E para ndodhi, jasht mase turbulluese, ishte vetvrasja e nënës së tij, me të cilën ishte shumë i lidhur, mbasi ajo zbuloi se i shoqi e tradhëtonte me një grua të re. Mbas 2 vjetësh Pauli braktisi Kishën Katolike, dhe mbas 6 muajsh u martua me një balerine të takuar nëpër klube nate. Mbas 2 muajsh filluan sherret midis të sapo martuarve, të cilët në krye të vitit divorcuan. Që nga ky moment psikeja e Paulit pësoi një çrregullim të rëndë, filloi të pijë raki dhe duhan ronshëm, grindej deri edhe me grushte nëpër kafene, skandale gjithfarlloj etj, si rëndom në kësi rastesh u bë një rrezik social. I jati, person i elitës që e njihte Jungun, ju lut këtij të fundit ta merrte në analizë. Jungu e takoi dhe pranoi me kënaqësi, sepse “rasti Pauli” ju duk “i stërmbushur me material arkaik”, rreth 1000 ëndrra cilësore, të cilat më pas i shfrytëzoi si stimul për të kuptuar psikologjikisht alkiminë. Përfitoi edhe Pauli nga ana e tij, mbas dy vjetësh u martua sërish dhe rifitoi ekuilibrin e humbur psikologjik. Së fundi nga ky bashkëpunim përfitoi edhe kultura, përveç një letërkëmbimi të dëndur midis tyre me shumë vlerë, pa dritën edhe një libër i shkruar me 4 duar me titull Interpretimi i Natyrës dhe Psikes. Të gjitha zbulimet e mëvonëshme të Paulit në fizikë ishin revelata të paralajmëruara nga ëndrrat e tij, ai mësoi nga eksperienca t’i lexonte ëndrrat si sinjale të subkonshit për tu orientuar në botë dhe në punën krijuese të tij.
Për më tepër fitoi kultura, vetkuptohet dhe i interesuari Pauli, i cili mbas krizës depresive nuk ishte më i pari, ekuilibri psikologjik i tij mbas kapërximit të krizës ishte në nivel më të lartë. Ky është kuptimi dhe rezultati i nocionit “sëmundje krijuese”: eksperiencat vizionare e një depresioni ose neuroze apo psikoze, të cilat më pas pacienti i konkretizon në zbulime dhe revelata novatore gjeniale duke bërë të mundur shërimin. Fenomeni është përshkruar nga Frojdi dhe Jungu të cilën e kanë pësuar në lëkurë eksperiencën e frikëshme të depresionit, dhe tejkalimit e shërimit, me rezultat teoritë e tyre.
Efekti i ëndrrave dhe i sëmundjes mendore njihej edhe më parë, por psikanaliza i ka bërë të modës ndërlidhjen midis gjenialitetit dhe sëmundjes mendore duke bërë pozë të rëndomtë shoqërore çmendurinë si garante të krijimit artistik (dhe jo vetëm). Çdonjeri me drrasë mangët i duket vetja si artist i modh, madje edhe artistë t’mdhenj tashmë të njohur bëhen më të njohur dhe më të mdhenj duke u hequr si të veçantë (psh Dalì). Përveç se tani bëhen të modës personë çapraz që vërtet nuk janë në gjëndje të integrohen në shoqëri, ose arti i tyre fillon e imitohet si art brut, art i alienuar, art primitiv, art katunar etj. Dmth çmenduria fiton kredibilitet zyrtar, e deri edhe lavdi zyrtare, dhe ky është triumfi në nivel mondan i Dionizit, më tutje nuk shkohet më.
Një rast “sëmundje krijuese”, i ngjashëm me rastin e Paulit dhe me shumë informacion për temën e shkrimeve në seri, është edhe Felini, i cili 40 vjeçar (moshë kritike, nel mezzo del cammin di nostra vita) pësoi një depresion të rëndë derisa iu desh të shtrohej në një klinikë. Edhe ai si Pauli i’u nënshtrua psikoanalizës të jungianit Ernest Berhard, të cilin e frekuentoi për shumë vite me radhë duke e konsideruar një maestro të tij. Sipas rekomandimit të Berhard mbajti një ditar ku çdo ditë shkruante ëndrrat që shihte natën. E gjithë krijimtarija e mëvonshme e tij e ka origjinën nga ky ditar ku shënimet shoqërohen nga skica comics në stil karikaturor. Në fakt Felini si zanat bënte karikaturistin para se të bënte regjizorin, dhe vetë ka deklaruar se kinemaja e tij, nuk prejardhet nga filmi, por nga comics.
Pikërisht kësaj periudhe i përket filmi “8½”, rezultat i alkimisë shpirtërore transformuese përshkruar më sipër. Ndonëse filmat e mëparshëm të Felinit ruanin akoma gjuhën apolloniake lineare të bazuar në ndërveprimin shkak-pasojë të rrëfimit logjik, duke filluar nga “8½”, filmat e mëvonshëm ndërtohen në gjuhë onirike bazuar në asocacione që lodrojnë midis fantazisë dhe realitetit në mënyrë kaotike dhe iracionale, dmth dioniziake, pikërisht çfarë tani në estetikë quhet rëndom “feliniane”.
Rasti i Felinit përfaqson shkëlqyeshëm çfar jam munduar të tregoj në këtë seri shkrimesh: vepra e tij - karakterzuar nga parodia, karikaturosja, kaotikja dhe onirikja (ëndrra përzjehet pandashëm me realitetin) - është tejet dioniziake. Gjithashtu vepra feliniane është tipike postmoderne si postfashiste, formalisht meqë datohet mbas vitit 45-së dhe tallet me natyrën apolliniake të fashizmit.
Jo vetëm fashizmi, por edhe komunizmi, relativisht demokracisë, kishte natyrë akoma më tepër apolloniake se fashizmi dhe nazizmi. Në vështirsi për ta interpretuar në mënyrë materialiste, kultura soc-realiste nuk donte as ta shihte me sy mekanikën kuantike që hapte rrugën interpretimeve idealiste (prandaj në shkollë jipej si lëndë e cunguar dhe e pa interpretuar); njëkohësisht nuk shihte me sy të mirë teorinë e relativitetit, e cila kishte një natyrë më pak dioniziake se mekanika kuantike (nocion i trajtuar më hollësisht në shkrimin e ardhëshëm). Reagimi apolloniak soc-realist ishte pak a shumë i njëjtë kundër kulturës moderne, më saktë postmoderne, e cila në përgjithsi ka natyrë dioniziake.
pjesën e mëparëshme e gjeni këtu