FIAT LUX - pjesë e njëmbidhjetë (Ajnshtajni)

Apolloni bën matje, mban distancën e duhur nga objektet, i përfaqëson ato lirisht por gjithnjë sipas rregullave; në thelb synon të kuptojë natyrën. Dionisi pranon botën ashtu siç është, refuzon çdo distancë, ai është pohimi i jetës në tërësinë e saj, përfshirë edhe rastësinë, dhimbjen, vdekjen, është zoti i çmendur që pi, vallëzon dhe qesh - Niçe, Lindja e tragjedisë

Intuita e parë me të cilën zanafillon Mekanika Kuantike i takon Max Planck, i cili zbuloi në vitin 1900 “kuantin elementar të veprimit”, një koncept që do të thotë se energjia nuk transmetohet në mënyrë të vazhdueshme, por me paketa diskrete, ose me “kuante”, termi i përdorur rëndom sot. Ky koncept ishte me të vërtetë novator, deri në atë kohë besohej se energjia merrte të gjitha vlerat e mundëshme nga zero në infinit në një mënyrë të vazhdueshme. Vetë Planck, kur hipotetizoi ekzistencën e kuanteve, besonte se ato ishin thjeshtë një artificë matematikore dhe jo dukuri e vërtetë fizike.

Ishte Ajnshtajni që mendoi i pari se kuantet ekzistojnë me të vërtetë në përpjekje për të shpjeguar (viti 1905) dukurinë e çlirimit të elektroneve nga një sipërfaqe metalike të goditur nga rrezatimi elektromagnetik. Çlirimi i elektroneve nga metali nuk mund të shpjegohej ndryshe veçse duke supozuar se rrezatimi elektromagnetik që godiste sipërfaqen metalike përbëhej nga paketa energjie ose kuante, të quajtura më pas fotone. Fenomeni në fjalë u quajt “efekt fotoelektrik”, për zbulimin e të cilit Ajnshtajni u shpërblye me çmimin Nobël.

Por jo vetëm kaq, Ajnshtajni me shpjegimin e kësaj dukurie hipotetizoi gjithashtu se drita jo vetëm përhapet në pako diskrete si çdo formë tjetër e energjisë, por ka një natyrë të dyfishtë: njëkohësisht valë dhe grimcë. Edhe kjo hipotezë ishte një risi absolute, e cila shtroi udhën për Mekanikën Kuantike, pavarsisht se më pas Ajnshtajnit nuk para i vinte për hosh fakti se ishte ai vetë shkaktari nismëtar i ambiguitetit që Mekanika Kuantike i vishte botës. Ajnshtajni gjatë gjithë jetës së tij besoi patundur në nocionin e vazhdueshmërisë, pavarsisht se eksperimentet e mikrobotës dëshmonin të kundërtën: pavazhdueshmërinë e botës. E gjithë vepra e Ajnshtajnit, përfshirë edhe dy teoritë e relativitetit dhe kërkimin e dështuar për Teoria e të Gjithës (“teoria e unifikimit të fushave”), është rezultat i konfliktit vazhdueshmëri-pavazhdueshmëri, i cili është i lashtë, zanafillon me paradoksin e Zenonit, Akili me breshkën. Në fakt misteri i botës mund të reduktohet në vetëm një frazë dilemë: hapësirë-koha është e vazhdushme apo e pavazhdueshme? Ose akoma më shkurt dhe më poetikisht sipas tutje tëhu të kësaj serie shkrimesh: Me çin je, me Apollonin apo me Dionizin?

E pra Ajnshtajni kishte për perëndi Apollonin, ishte me Apollonin, hyjin e vazhdueshmërisë, pavarsisht se dashje pa dashje ka punuar edhe për llogari të skuadrës kundështare. Sipas Ajnshtajnit një teori nuk është pasojë automatike e të dhënave dhe fakteve eksperimentale, por përkundrazi, është një krijim i lirë i intelektit që krijohet po aq lirshëm sa edhe një vepër arti. Pra teoria është krijim i lirë krejt arbitrar a priori që gjen justifikimin a posteriori në masën që parashikimet e saj përputhen me eksperiencën. Vetëm në këtë mënyrë teoria bëhet kërkim i të vërtetës nëpërmjet fuqisë së arsyes, intuitës dhe deduksionit të pa kushtëzuar nga të dhënat empirike. Teoria kërkohet në fillim si përsosmëri e brëndëshme, e vetëm më pas bëhet konfirmimi i jashtëm i saj me të dhënat empirike, gjë që përbën një përsosmëri akoma më të madhe nëse realizohet.

Kuptohet vetiu se ky ishte një vizion krejt i kundërt me vizionin dioniziak të Mekanikës Kuantike, përfaqsuar nga fizikani Bohr që ishte kundërfigurë e Ajnshtajnit. Mekanika Kuantike është e vërtetë vetëm sepse formulat e saj përkojnë saktë me të dhënat empirike; nuk është teori me koherencë të brëndëshme, është një grumbull formulash pa kuptim, të cilat funksionojnë për mrekulli, por asnjeri nuk e di përse funksionojnë, madje as shpikësit e tyre.

Nga pikpamja e buonsensit, elektrodinamika kuantike e përshkruan natyrën si absurde. Sidoqoftë është në përputhje të përsosur me të dhënat eksperimentale. Prandaj shpresoj se do të jeni në gjendje ta pranoni Natyrën ashtu siç është është: absurde. Për mua, të flasësh për këtë absurditet është gjë argëtuese sepse më duket magjepsës - Richard Feynman

Por absurdi më i madh i mekanikes kuantike është pamundësia e matjes së saktë, ose me fjalë të tjera që objekti i vëzhguar ndikohet prej vëzhgimit të subjektit. Më konkretisht vëzhguesi i eksperimetit laboratorik (subjekti) ndikon thërmijën e mikrobotës (objektit) nëpërmjet faktit të thjeshtë që ndodhet i pranishëm përgjatë eksperimentit.

Kjo dukuri është vërtet turbulluese për çdokënd, jo vetëm për Ajnshtajnin që pyeti kolegun dhe biografin e tij Abraham Pais, duke shprehur përmbledhur me një frazë të vetme të gjitha dyshimet e tij në lidhje me bazat e mekanikës kuantike:

Vërtet besoni se Hëna nuk është aty kur askush nuk po e sheh?



pjesën e mëparëshme e gjeni këtu

Apolloni bën matje, mban distancën e duhur nga objektet, i përfaqëson ato lirisht por gjithnjë sipas rregullave; në thelb synon të kuptojë natyrën. Dionisi pranon botën ashtu siç është, refuzon çdo distancë, ai është pohimi i jetës në tërësinë e saj, përfshirë edhe rastësinë, dhimbjen, vdekjen, është zoti i çmendur që pi, vallëzon dhe qesh - Niçe, Lindja e tragjedisë.

Apolloni mban distancen sociale, ndersa Dionisi nuk respekton distancen sociale. :rofl:

Sekreti i ndërtimit të botës gjendet i koncentruar tek natyra ambige e dritës: valë apo thërmijë? Që do të thotë: Vazhdimsi apo Pavazhdimsi? Apollon apo Dioniz? Evolucion apo Revolucion? E djathtë maloke apo e majtë palloshe? Njëra bole apo tjetra bole?
Krijimi ekziston si ekulibër alternativ ndiz e fik fap-fup në çdo çast: fap digjet në Pavazhdushmëri e fup shuhet në Vazhdushmëri.

Fizika përbën një përpjekje për të kuptuar në mënyrë konceptuale realitetin, i cili konceptohet në mënyrë të pavarur nga fakti i vëzhgimit. Në këtë kuptim mund të flitet për “realitet fizik”. Para dukjes së Mekanikës Kuantike nuk kishte asnjë dyshim në këtë drejtim - Ajnshtajn

Bota rezulton e pakuptimtë dhe absurde sepse Krijimi është i paplotë meqë në pritje të ankthshme që njeriu të përmbushet dhe të plotsohet përfundimisht, e në këtë mënyrë plotsohet edhe finaliteti i Krijimit. Bota bëhet kuptimplotë prej njeriut, ky është edhe kuptimi providencial i fragmentit të Zanafillës kur Adami i vë emrin gjërave të krijuara.
Nëse bota duket e pakuptimtë dhe absurde, faji qëndron tek njeriu gjysma gjel midis Apollonit dhe Dionizit, përfshirë këtu edhe nobelistët Ajnshtajn dhe Feynman, të cilët jetojnë një jetë pa kuptim, absurde dhe pa qëllim.