Në çastin kur pyetet për domethënien dhe vlerën e jetës, je sëmurur - Frojd
Shëmbulli më i shkëlqyer që arti në epokën moderne dhe postmoderne ka përfunduar në karikaturë është novela Vdekje në Venecie e Tomas Man (realizuar film nga Luchino Visconti) që rrëfen historinë tragjikomike të një artisti të gjendur në mes të konfliktit shkatërrimtar Apollon-Dioniz. Në këtë rast shqyrtohet figura e vetë artistit, pra goditet drejt e në kokë pa nënkuptime e pa i bërë dredha plumbit me interpretime sa andej këndej.
Përshkrim shkurt i përmbajtjes së novelës:
Shkrimtari Aschenbach - një autor kaq shumë i dashur dhe i glorifikuar në atdhe saqë perandori i ka dhënë një titull fisnikërie - ka sakrifikuar që në të ri të tij të gjitha energjitë jetësore duke iu kushtuar trup e shpirt aktivitetit artistik në kërkim të formës sublime (Apollonit). Me të arritur kulmin e karrierës së tij, ndjehet i zhgënjyer, i konsumuar shpirtërisht dhe fizikisht, i lodhur dhe i plakur. Për më tepër edhe i vetmuar, pa njeri të dashur pranë, pa fëmijë, ndërsa gruaja i kish vdekur. Për t’iu larguar disi kësaj gjëndje krize vjeshte të vonë, ndërmerr një udhëtim në qytetin lagunar të Venecies. Në hotelin ku sistemohet ndodhet një familje aristokrate polake që ka një djalë me bukuri engjëllore, i quajtur Tadzio. I magjepsur prej formave trupore të përsosura apollonike dhe fizionomisë engjëllore të Tadzio-s, shkrimtari e ndjek ngado: në hotel dhe rrugicave të Venecies duke humbur çdo kontroll të ndjenjave dhe përmbajtje të vetes, e duke bërë të kundërtën e çfarë kishte mëtuar të bënte e çfarë kishte bërë vërtet përgjatë gjithë jetës së tij si personalitet i nderuar dhe i virtutshëm i kulturës zyrtare. Pra rregulli virtuoz i dorëzohet kaosit demoniak, Dionizi fiton mbi Apollonin, dhe si përfundim i historisë Aschenbach vdes i ulur në shezlong plazhi buzë detit, i lyer e përlyer si maskë makabre prej makjazhit të bërë në një berberhane veneciane për t’u dukur përsëri i ri përballë miturakut të dëshiruar Tadzio. Në këtë rast karikatura Apollon-Dionis e artisti dekadent që vdes prej dashnie, përputhet me hiperkarikaturën tragjike Eros-Thanatos.
Stili i përsosur deri në parodi me të cilin është shkruar novela në fjalë përputhet për bukuri me brendinë e saj, një parodi bërë kultit të formës dhe përsosmërisë (alias Apolloni) që përmban në vete kundërtinë e saj: rrënimin e lëshimit pa fre, dehjes, dhe kaosit demoniak (alias Dionizi). Pra dikotomia apollon-dionis, konceptuar normal si dialektikë e të kundërtave, rezulton identifikimin absurd i të kundërtave, Apolloni identifikohet me Dionizin, ose thënë shqeto: Apolloni është Dionizi dora vetë, sigurisht edhe anasjelltas. Kërkesa e ethëshme e Apollonit për përsosmëri dhe harmoni rezulton njëkohësisht dhe fatalisht parodi e hidhur e fitores së Dionizit (dizintegrimit, demoniakes, kaosit etj) mbi Apollonin (kultin e formës, vetpërmbajtjes, kozmosit etj).
Ideja kryesore e novelës sipas melejezyshës atëbotë është: artisti dekadent Aschenbach - i rrëgjuar nga mosha e thyer dhe sforcimi për të rrokur formën sublime “art për art” dhe bukurinë e përsosur - magjepset pas një të mituri që i mishëronte fizikisht këto veti. Në fakt Tadzio është mishërim i alter egos narcistike të Aschenbach; çfarë shkrimtari e kishte kërkuar më kot gjithë jetën dhe çfarë e kishte sakrifikuar po më kot (rininë e tij), tani e kishte para syve në moshë pensioni si alter ego e pa arritëshme, si tallje e hidhur tepër vonë. Më gjëndje karikaturore, absurde dhe tragjike nuk bëhet.
Agonia dhe vdekja e artistit i shkon për bukuri sfondi i qytetit me bukuri të rrënuar të Venecias, në të cilën historikisht kanë ngrysur ditët artistë dhe miliarderë të rrënuar nga pleqëria dhe pasionet e jetës. Në këtë qytet të famshëm për karnavalet me maska dhe për pallatet të rrënuara prej kohës e lagështirës vdekjeprurëse të lagunës, që fshehin pas fasadave madhështorë prej mermeri ndyrësinë e mureve me tulla të pasuvatuara, i ngrysi ditët edhe artisti i modh dekadent Aschenbach. Venecia, trashëgimtare joshëse e një të kaluare të famëshme (republika e parë vërtet demokratike në histori), tanimë është fantazma e shkëlqimit të dikurshëm. Dikur qëndër e financës dhe tregëtisë mesdhetare, djep luksoz i arteve dhe artistëve, përditë gjithnjë e më tepër i kërcënuar prej përmbytjes, Venecia përbën një paralajmërim simbolik që bota rrezikon të vdesë bashkë me të.
Kjo novelë e shkruar në vitin 1911 është fruti më i lezeçëm i klimës apokaliptike dhe nihiliste që paraprinë vitin ogurzi 1914, mbushur me shenja paralajmëruese për mënxyrat që ndodhën më vonë. Lufta e ardhshme botërore profetizohet saktë në novelë nga kërcënimi i epidemisë së kolerës (prapë koronavirusi i kudondodhur) të mbajtur fshehur prej autoriteteve qeverisëse për të mbrojtur interesa fitimi turistik. Pikërisht në këto vite zanafillon kultura moderne (arti modern, fizika moderne, psikologjia moderne, gjuhësia moderne etj), në kuptimin që hidhen teza të cilat vënë në dyshim kulturën tradicionale, e që mbeten akoma qëndrore, themeluese dhe agresivisht vepruese në kulturën bashkohore. Në këtë kohë vihet në dyshim vepra kulturore dhe krijuesi kulturor në përgjithsi, arti dhe artisti përthyen mbi vete duke u vetëanalizuar në lidhje me funksionet e tyre. E gjithë epika artistike dhe kulturore e shekullit të XX, dmth e artit dhe kulturës moderne, ka për karakteristikë kryesore përshkrimin e kufizimit të shprehjes së mediumit të një dispiline kulturore nëpërmjet vetë mediumit përkatës, gjë që është kulmi i absurdit, po aq sikur sqepari të rreket të gdhendë bishtin e tij. Çfarë bën Man, jo rastësisht quajtur “i fundmi i klasikëve”, është pikërisht çfar bën me mjete të tjera në një disiplinë tjetër fjala vjen: Pirandelo me dramën Gjashtë personazhë në kërkim të autorit (1921), Maleviç me Kuadër i bardhë në të bardhë (1918), John Cage me pjesën muzikore 4’ 33’’, Fellini me filmin 8 e ½, i cili inaguron zhanrin “film në film”, të eksperimentuar nga shumica e regjizorëve më pas. Këto dukuri analoge në degë të ndryshme të kulturës nuk janë rastësi, e as sheh rrushi rrushin e piqet, por është çështje klime kulturore e Ditëve të Fundit; deri edhe në matematikë Godel vërteton me “teoremën e paplotshmërisë” se është e pamundur të vërtetohen teorema në aritmetike. Por më tepër se klimë kulturore është një gjëndje shpirtërore i një fundi, apo një cikli që po mbyllet në rastin më të mirë.
Kjo që ndodh me njerzimin, ose më saktë me elitën kulturore perëndimore, në Ditët e Fundit, ndodh rëndom me çdo njeri (“teoria e biogjenezës” të Heackel) që ka dy pare mend në kokë: vjen një moment krize në moshë vjeshte të vonë (zakonisht 40 vjeç, numër providencial) që robi ndalet, për një arsye ose një tjetër, dhe mendon në mënyrë kritike për gjithçka që ka bërë në jetë duke thënë me vete: “Përse e gjithë kjo? Pse i kam bërë të gjitha këto? Çfar kam arritur të bëj deri më tash?”
“Një lesh ke bërë, kot ke jetuar” - i thotë vetëdija, por shyqyr zotit që ekziston edhe pavetëdija.
Kjo skenë nga “Vdekje në Venecie” e Visconti-t ilustron përsosur Apollonin dhe Dionisin tu bo nji dor muhabet për çështje arti:
pjesën e mëparëshme e gjeni këtu