Një prej dëshmive të panumurta që tregojnë se intelektuali i modh antikomunist nuk di çfar flet kur tallet me melejezyshën e letërsisë soc-realiste që pyeste klasën: “Çfar ka dash të thotë autori me këtë?”, është Tomas Man, i cili thoshte me mendjemadhsi:
Jam më se i bindur që mjafton të flas për veten, për t’i dhënë zë epokës dhe komunitetit.
Një melejezyshllëk të tillë, që nuk kishte guxim ta thoshte as Fyhreri e as Sekretari i Parë, e thotë një shkrimtar që askush nuk e akuzon për tiran, dhe s’ka përse, sepse Man nuk ishte i tillë, dhe se zyrtarisht është mbajtur për demokrat tipik, si ideologji dhe si karakter. Eppur si muove.
Mendjemadhsia e Man është mendje e madhe e gjeniut: sa më qartë të shprehësh një gjë tënden në thellësinë më intime të unit, aq më shumë njerëz prek në intimitetin e tyre, sepse njerzit thellë thellë janë të përbërë nga e njëjta lëndë. Qendra e Tokës është e barazlarguar nga të gjitha pikat e sipërfaqes së saj, po njësoj fjala e thënë nga qendra më e thellë e ekzistencës, prek njësoj të gjithë njerëzinë.
Për këtë arsye ja vlen t’i lexohet e tërë vepra e Man, për më tepër se në qëndër të tërë veprës së tij ndodhet, vëzhguar në të gjithë situatat dhe pikpamjet e mundëshme, figura e artistit kundërvënë dialektikisht figurës së afaristit, të cilat janë dy figurat më madhore dhe më të rëndësishme të shoqërisë. Shkrimtari Aschenbach i novelës Vdekje në Venecie (trajtuar në shkrimin e parafundit), është vetë shkrimtari Man potencialisht dhe metaforikisht, ndryshe personazhi në fjalë dhe novela nuk do ishin aq të arrira. Vetë Man pohon se pothuaj të gjitha situatat e përshkruara në novelën në fjalë, janë njëfarsoj të ngjashme me çfarë i ka ndodhur përgjatë një udhëtimi në Venecie për të kaluar pushimet verore. Gjithashtu personazhet e novelës - përfshirë edhe adoleshentin polak Tadzio dhe familjen e tij - nuk janë trillime letrare, por persona me mish e kockë të takuar dhe ndeshur përgjatë udhëtimit në fjalë. Vite më vonë, kur Man pati kaluar me të shumtët, gruaja e tij Katja merr një letër nga një person i panjohur, i cili, në përshkrimin e adoleshentit në novelë, familjes aristokrate polake dhe hotelit në Lido të Venecie, kish njohur veten dhe familjen e tij kur kishin kaluar pushimet verore në Venecie në fillim të shekullit.
Katja shkruan:
Bashkëshorti im e vëzhgonte (Tadzion) vazhdimisht me shokët e tij në plazh. Nuk e ndoqi nëpër rrugicat e Venecies - jo këtë nuk e bëri - por djali e magjepsi, dhe mendonte shpesh për të … Ende kujtoj xhaxhanë tim, këshilltari privat Friedberg - profesor i njohur i së drejtës juridike në Leipzig -, që thoshte i indinjuar: “Çfarë skandali! Një burrë i martuar dhe me familje pale!”
Man rrëfehet në një letër intime se në fillim ishte nxitur për të shkruar këtë novelë nga një episod biografik i Gëtes 74 vjeçar të dashuruar marrëzisht mbas një vajze 17 vjeçare; sipas Man “një histori e ligë, groteske, turbulluese” (për të bërë të vetën përsosmërinë stilistike të Gëtes, gjatë shkrimit të novelës Man lexonte çdo ditë disa faqe - gjithnjë të njëjtat - të veprës Ngjashmëri zgjedhore të Gëtes). “I fundmi i klasikëve” Man matet me patriarkun e letërsisë klasike gjermane Gëte (psikoanalitikisht thuhet matet me atin), i cili ia mundoi të barazpeshojë parimin dioniziak me parimin apolloniak, romanticizmin me klasicizmin, iracionalitetin me racionalitetin, pozën artistike me pozitën social-politike etj. Gëtja ishte ekuilibrist esnaf, sipas teorisë dhe praktikës së tij, kuajt e harbuar të dëshirës herë pas here duhen lënë të lirë pa fre, ndryshe dëmtohet shëndeti dhe puna krijuese.
Novela skandaloze Vdekje në Venecie shkaktoi një uragan polemikash, sidomos lidhur me çështjen homoseksuale, mjaft në modë sot, e mot në fillesat e kohës moderne. Dishepujt e rrethit të Stefan George - poet i famshëm gjerman që llokoçiste bashkë artin, ezoterizmin, shoqëritë sekrete dhe homoseksualizmin - panë në figurën e Aschenbach një parodi të mjeshtrit të tyre, e për pasojë u revoltuan.
Man është shprehur me keqardhje dhe deri me përbuzje se me novelën në fjalë kanë ndodhur mjaft keqkuptime dhe janë bërë manipulime të interesuara të opinionit publik. Përveç poetit Stefan George të lartpërmëndur, janë përgojuar si të ngjashëm me artistin dekadent Aschenbach edhe të tjerë artistë t’mdhenj: poeti August von Platen, muzikanti Gustav Mahler, Wagner, Gëte; madje edhe vetë Man, i cili ka rrëfyer se është tunduar nga ndjenja e homoseksualitetit (ditarët e tij dëshmojnë për një histori rinie me një piktor), mposhtur prej tij me shumë vështirsi dhe vuajtje. Ç’është më e keqja në rastin e novelës në fjalë, çështja homoseksuale përzjehet me çështjen tabu të pedofilisë sepse Tadzio i romanit ishte 14 vjeç, ndërsa ai “pe të vërteti” ishte 11 vjeç (Man me ironi ka thënë se asnjeri nuk do të pipëtinte në rast se Tadzio do të quhej Tadzia).
I gjithë ky pisllëk e tregon botën e artit, dmth sallonin e sinjorës, ashtu siç është vërtet, e jo si kujtohet në popull: aspak të ndryshëm nga mbledhjet kokë më kokë të plakave që shohin llumin e fundit të kafesë duke marrë nëpër gojë organet gjenitale të qytetit mbarë. Le ta zemë se Man ka përgojuar si plakat e lagjes August von Platen, Gustav Mahler, Wagner, Gëte, por nuk më del hesapi kur fus në kandar edhe faktin se Man ka përgojuar edhe Tomas Man dora vetë. Ndërsa hesapi më del nëse konsideroj se Man ka marrë nëpër gojë Gëte dhe veten (gjë e dokumentuar) dhe August von Platen, Gustav Mahler, Wagner (gjëra të supozuara), me motivacionin fisnik që të tregojë se figura e artistit është e dyshimtë, se e rëndë është pesha e artistllëkut. Duke mos kursyer as veten, Man bëhet i besueshëm si person, pastaj edhe si artist që ka krijuar një vepër të arrirë - sepse me motivacion të arrirrë -, duke nxjerrë nokaut metodën Prust dhe metodën Sainte-Beuve bashkë.
Mbasi xhiroi filmin La Dolce Vita që e bëri të njohur në botë, dhe më pas një dokumentar të shkurtër pa shumë impenjim, Felini ndjehet i shteruar dhe i frikësuar se tani mund të prodhonte vetëm krijime mediokre, i dukej se tanimë kishte thënë gjithçka që kishte për të thënë. Prandaj mendoi të ndryshojë regjistër, e filloi të bluajë idenë e një filmi të ri, i cili, ndryshe nga filmat e tjerë deri atëherë, të mos tregonte një ngjarje pak a shumë reale, por të filmonte mendimin, imagjinatën dhe ëndrrat. Projekti dukej tepër ambicioz për tu realizuar, dhe Felini nuk dinte nga t’ia fillonte, bëj e prish skenarin vazhdimisht. Ndërkohë afati i kontratës me prodhuesin po skadonte dhe ai nuk po qulloste gjë. Në gjëndje depresioni prej kësaj situate pa rrugëdalje, i firojnë nga trutë edhe ato pak ide konfuze që kishte; filmin e ri nuk ekzistonte më në mendje të tij, zero fare, nuk i kujtohej më asgjë. E shtynte me sot e me nesër detyrimin e kontratës ndaj producentit spërmarrës, i cili natyrshëm priste skenarin ose të paktën një projekt çfardo fillestar që të sigurohej disi se paratë nuk i kish investuar më kot.
Në këtë gjëndje depresive e ftojnë në datëlindjen e një punonjësi në Cinecittà, rrotull tij njerëzia festonin, madje e uronin për filmin e ri që nuk ekzistonte më as si ide. Tamam në pikën më të ulët të depresionit, ulur në divanin e sallonit të sinjorës, pati mendjeshkrepjen gjeniale që të përshkruante në film gjëndjen që ai vetë ndodhej. Pra që filmi i pritur të fliste pikërisht për një regjizor që nuk ka asgjë për të thënë, pasi dëshironte të bënte një film që nuk e kujtonte më si ngjarje, sepse ishte përhumbur në harresë shpirtërore.
Bëhet fjalë për filmin e stërfamshëm 8 ½, një film i Felinit që rrëfen Felinin: regjizori protagonist i filmit kishte saktë moshën e Felinit ndërkohë (43 vjeç); jo rastësisht rolin e regjizorit kaps në film do ta luante Mastroiani që ishte alter ego e Felinit, ndërsa rolin e dashnores do ta luante Sandra Milo, e cila ishte dashnorja e Felinit në kohë reale (ndërkohë ishin të dy të martuar). Me sa duket ka rrezik që edhe figurantët e filmit përfaqsonin personë të rrethit të Felinit, i cili nuk e ka nxjerrë fytyrën e vet në film vetëm sepse në pamundësi teknike për tu ndodhur njëkohësisht para dhe mbrapa kamerës. Narcizi nuk është soditur më mirë se kaq në suprinë të pellgut të ujit.
Për ta kompletuar versionin modern të leksionit të dikurshëm të melejezyshës soc-realiste me titull “cila është ideja kryesore e autorit?” ose “çfar ka dash të thotë autori me këtë?”, sjell një tjetër melejezyshe që përmbledh shkurt në vetëm dy fraza ndërlidhjen midis autorit dhe veprës, madje bën shumë më tepër: identifikon autorin me veprën e tij.
Gjithçka që unë jam, janë filmat e mij. Unë jam filmat e mij - Werner Herzog
Fraza e dytë më sipër: Unë jam filmat e mij është përdorur si titull për një flim-dokumentar që përshkruan portretin e Herzog:
pjesën e mëparshme e gjeni këtu
ky shkrim ka lidhje organike me këtë shkrim