FIAT LUX - intermezzo apolloniake-dioniziake 1a

Sarolta Bán, Máquinas de escribir

E pamundur të ndash të vërtetën nga falsiteti sepse i ndan vetëm një fije, e cila për më tepër dridhet e përdridhet sipas tekstit, kontekstit, nëntekstit dhe mbitekstit.
E vetmja mënyrë për të dalluar të vërtetën nga falsiteti mbetet të intuitohet motivacioni i personit.

Autori është më i rëndësishëm, vepra ka më tepër vlerë.

“Nuk ka asnjë lidhje midis autorit dhe veprës” është një shprehje që e dëgjon aq shumë të endet vërdallë nëpër diskutime dhe shkrime, sa tashmë është bërë arma e letrarit antikomunist demokrat mbas pilafit, në luftë të pamëshirëshme kundër melejezyshës atë botë që ndërlidhte pazgjidhshëm autorin me veprën (pyetja soc-reale: “cila është ideja kryesore e autorit të veprës?”). Ka 30 vjet që intelektualet e mdhenj nuk u lodhën e su lodhën së luftuari me melejezyshën duke cituar Barthes, Foucault dhe frëngët e tjerë të këtij kallëpi, duke e treguar tezën e melejezyshës si të kohës Stalinit. Por ky nocion nuk është as punë komunizmi e as antikomunizmi, sepse të dyja tezat e kundërta ekzistonin më parë se Stalini, Barthes dhe Foucault të ishin në projekt për tu konceptuar.

Në origjinë të këtij muhabeti qendron shprehja skandaloze e Mallarmé:

Bota është bërë që të përfundojë në një libër të bukur.

Por për të mos u zgjatur shumë me historira të kohës së qepës, po konsideroj zanafillë esenë Kundër Sainte-Beuve (1908) të Prustit, edhe sepse në këtë rast ekspozohet plotësisht problemi si konflikt dialektik midis dy pikpamjeve të kundërta, që në fakt janë komplementare si dy gjysëm të vërteta që bashkë krijojnë të vërtetën e plotë.

Prusti kundështon Sainte-Beuve me tezën se nuk është e mundur të kuptohet një vepër nëse nuk njihet me rrënjë e degë autori i saj dhe kontesti kulturor si, tek, qysh ka jetuar autori. Pra siç shihet Sainte-Beuve ishte melejezyshë, por jo do si do, sepse ai konsiderohet rëndom si prodhimi më i shkëlqyer intelektual i kulturës frënge të shek. XIX dhe përfaqsuesi më i denjë i saj. Sipas Taine, një tjetër melejezyshë e iluminuar e shek. XIX, metoda e Sainte-Beuve është e vetmja mënyrë për të ndërlidhur shkencat morale me shkencat pozitive. Gjë që nuk është pak.

Prusti mbron të kundërtën e melejezyshës; sjell një frazë nga eseja e tij e lartpërmendur, e cila përbën aksiomën kryesore të semiotikës dhe narratologjisë së shekullit XX:

… një libër është një produkt i një uni të ndryshëm nga ai që manifestohet në zakonet tona, në shoqëri, në veset tona.

Thënë me fjalë të tjera: ka dallim të prerë midis autorit si një subjekt real historik dhe zërit rrëfyes të trillimit letrar në vetë të parë, ose autorit të nënkuptuar. Ose thënë me fjalë akoma më të tjera: vepra e artit ka autonomi totale, i mjafton dhe tepron vetes.

Me këtë aksiomë zanafillojnë teoritë e formalizmit rus, strukturalizmit dhe poststrukturalizmit, me rezultat librat e Barthes dhe Foucault të cituar nga intelektualët e mdhenj albanezë në luftë të pamëshirshme mbas pilafit të vitit 90-të kundër komunizmit të melejezyshës. Por sipas tabjatit, intelektuali i modh shqiptar është një epokë ngambrapa edhe kur ndjek modën si rëndom provinciali, sepse pikërisht mbas viteve fatidikë 90-të, rikthehet moda e lashtë e biografizmit; megjithse jo biografizëm dosido, si dikur shqyrtoheshin lidhjet lineare shkak-pasojë në muzeun statik të autorit, por një biografizëm gjithëpërfshirës dinamik që tregon se njeriu dhe vepra përbëjnë një bashkësi të pandarë gjithnjë në lëvizje.

Moda vetëm risjell në forma të reja muhabetet e lashta, risi e saj është moda politike e “politikës në plan të parë”: pozicionet e kundërtive të lashta reduktohen si pozicione politikë majtë-majtë. Risi tjetër është se për shkak të rritjes së entropisë, ose thënë katunarçe: për shkak të kalimit të kohës, pozicionet kundështare përzjehen midis tyre duke shkëmbyer llogoret, veshjen, deri edhe fytyrën, maskën më saktë, duke bërë të pamundur identifikimin. Konkretisht Proust ishte socialist drejfusist, formalistët rusë ishin komunistë të orëve të para, ndërsa strukturalistët ishin komunistë të orëve të fundit, por se çfar ishin politikisht “post-ët” Barthes dhe Foucault (sidomos ky i fundit) nuk e gjen dot kurrë sikur të hidhesh përpjetë. Aq më tepër lëmsh para porte nëse kërkohet konseguenca në besim politik: nëse ideologu i antikomunistëve Prust ishte socialist, melejezysha Sainte-Beuve në fillim ishte apolitik që nuk beson në asnjë lloj teorie sociale, pastal liberal, më pas admirues i perandorit Napoleon i III, e më në fund u bë përsëri në liberal. Shkurt muhabeti, vetëm dreqi e merr vesh çorbën e derrit postmoderne në të cilën zhyt feçkën intelektuali i shquar duke hungërritur gjithë lezet.

Paradoksi i rëndomtë i epokës postmoderne, që një antikomunist ose një antifashist rezulton qesharak si e kundërta e asaj që mëton dhe propogandon, ndeshet edhe esenë Kundër Sainte-Beuve (1908) të Prustit. Në hall të modh për të provuar se Sainte-Beuve nuk ishte kritiku grandioz siç paraqitej rëndom, Proust e përshkroi si një personazh snob i sallonit mondan të sinjorës dhe oportunist i frikësuar nga autoriteti i pushtetit. Së pari: Prusti ishte për vete snob mondan sallonesh, portreti i bërë Sainte-Beuve ishte saktë autoportreti i tij. Së dyti: Prust i bashkangjit shumë dëshmi dokumentare portretit të Sainte-Beuve, sidomos letra dhe dëshmi të bashkëkohësve; pra aplikon për bukuri metodën e urryer të kundështarit Sainte-Beuve. Plus një karikaturë e tretë: Prust i jep formë artit të tij duke kritikuar metodën Sainte-Beuve; tekstin e trillimit letrar Në kërkim të kohës humbur ai e shkruan njëkohësisht me tekstin e esesë Kundër Sainte-Beuve, të cilën e braktis në formë bocash fragmentare që botohen të përmbledhura vetëm në vitin 1954. Njëkohëshmëria në këtë rast është edhe njëtemëshmëri; sipas kritikës Në kërkim të kohës humbur është vazhdimsi në formë trillimi letrar i esesë Kundër Sainte-Beuve që mëtonte të vërtetën reale. Në fakt personazhi Madame de Villeparisis i Në kërkim të kohës humbur thotë të njëjtat gjëra si Sainte-Beuve, vetëm të transformuara në formë karikaturore. Me fjalë të tjera autori Prust përhumbet si subjekt real historik dhe bëhet i gjallë vetëm si zë rrëfyes i trillimit letrar, dmth si autor i nënkuptuar. Shkurt muhabeti: Prusti është libri i tij.

E gjithë kjo e ka një shpjegim biografik melejezyshik: Prusti, në moshën 30 vjeç e kusur, e quante veten një dështak dhe jetën e tij një dështim, pra nuk i mbetej tjetër veçse të ishte fitimtar si zë rrëfimtar i tekstit të trilluar letrar. Shumëkush ka parë më tepër se kaq në kundështimin maniakal të metodës “Sainte-Beuve” nga Prust: një frikë nga ndërhyrja në jetën e tij private. Në fakt Prusti kishte se çfar të mbante fshehur në privat, sidomos atëkohë kur ishte akoma më këmbë morali viktorian, pra ishte i motivuar nga interesi personal për të mbrojtur të vërtetën (në fakt gjysëm e vërtetë, më e keqe se gënjeshtra). Jo rastësisht pikërisht të njëjtën hall kishin edhe kolegët e tij “post” Barthes e Foucault që mbanin të njëjtin skelet (dhe siklet) në dollap, megjithse tashmë nuk ekzistojnë më paragjykime morale viktoriane, një dëshmi kjo që morali nuk është vetëm një dukuri e jashtme e krijuar artificialisht nga shoqëria, por kryesisht e diktuar nga ndërgjegja.


Po Borges si do ta ketë pasur hallin vallë? Ndoshta ishte në siklet sepse ishte i djathtë në politikë (me porosi të mamasë siç është shprehur vetë në një intervistë) dhe kishte një skelet majtas në dollapin e trillimit letrar? Sidoqoftë ky shkrim është një konfirmim i vyer i tezës që autori dhe uni rrëfyes janë të ndryshëm, në rastin tonë, trillues letrarë on line, edhe një justifikim i vyer: komenti është tjetër gjë nga uni komentator që nuk mban përgjegjsi për çka komenton.

Si më paska shpëtuar ky trill letrar i Borges, tepër domethënës për ta përfshirë në këtë shkrim?


pjesën e mëparshme e gjeni këtu

(intermezzo vazhdon me pjesën e dytë që është më e bukur se e para; ja keni për ta provu dhe vetë)