Unë jam dosja ime - i Modhi
Me disa citime nga shkrimtarë të famshëm, të vendosur në rendin kronologjik, paraqes më poshtë shpërbërjen e personalitetit në mënyrë eksponenciale me kalimin e kohës historike, së pari duke konsideruar personalitetin e individit afërsisht monolit dhe unik, pastaj të ndarë në dy personë duke zbuluar ekzistencën e dyshit apo të sozisë, pastaj qenien e një morie sozish, dhe më në fund një trillim të vetes të shndërruar në tjetrin dhe anasjelltas, me dyshimin përfundimtar nëse autori ka ekzistuar ndonjëherë, që edhe vetë autori është një trillim letrar i vetvetes.
Faust - Ti njeh vetëm njërin prej vrulleve të zemrës, por oh, kurrë mos kërko të njohësh tjetrin! I mjeri unë, dy shpirtra banojnë në gjoksin tim, dhe atje luftojnë vazhdimisht, dhe njëri do të dëshironte të ndahej nga tjetri. Njëri, me një dashuri intensive dhe të pamposhtur, mbahet mbas tokës dhe kapet me thoj e me dhëmbë mbas organeve të trupit; tjetri ngrihet i rrëmbyeshëm mbi këtë vëndndodhje të errët drejt vendndejës ku jetojnë stërgjyshërit tanë të lartmadhnuar.
Faust, Goethe (1749-1832)
Një gjerman, i cili do të thoshte pa mëdyshje “dy shpirtra banojnë në gjoksin tim”, do të shtrembëronte seriozisht të vërtetën ose, akoma më saktë, do të mbetej mbrapa lidhur me të vërtetën e shumë shpirtrave.
aforizëm 244, Përtej të mirës dhe së keqes, Nietzsche (1844-1900)
Ti fitove dhe unë vdes. Por tani e tutje edhe ti je i vdekur, i vdekur për botën, Qiellin dhe shpresën! Ti ekzistoje në mua, dhe tani ti sheh në vdekjen time - në të njëjtën imazh që është i juaji -, se si ti ke vrarë veten!
William Wilson, Edgar Poe (1809-1849)
Çdo ditë vazhdoja t’i afrohesha gjithnjë e më tepër të vërtetës: njeriu nuk është në të vërtetë një, por në të vërtetë është dy.
Rasti i çuditshëm i Dr. Jekyll dhe Z. Hyde, Stevenson (1850-1894)
Është e gabuar të thuhet “Unë mendoj”, duhet të thuhet “Më mendohet”. - Më falni për lodrën e fjalëve: UNË është një tjetër.
letër dërguar Georges Izambard, Rimbaud (1854-1891)
Si i luajtur nga mëndtë, plot turp dhe dëshpërim, i shkatërruari dhe përsoshmërisht i drejti zoti Goljadkin shkonte kuturu, në mëshirën e fatit, ngado që e shpinin këmbët. Por në çdo hap, në çdo rrahje të këmbës në granitin e trotuarit, një tjetër zoti Goljadkin dilte nga toka, krejtësisht i ngjashëm dhe i përçmuar për zvetënimin e zemrës së tij. Dhe të gjithë këta të ngjashëm fillonin, menjëherë pas shfaqjes së tyre, të vraponin njëri pas tjetrit në varg të gjatë pas zotit Goljadkin major, aq sa nga këta përsosmërisht të ngjashëm nuk mund të shpëtohej në asnjë mënyrë, aq sa zotit Goljadkin, i denjë për çdo dhembshuri, i merrej fryma prej llahtarit, sa më në fund erdhën në botë një masë e frikshme qeniesh krejtësisht të ngjashme - aq shumë sa që i gjithë kryeqyteti u mbush përfundimisht plot me këta përsosmërisht të ngjashem.
Sozia, Dostoevskij (1821-1881)
Nuk e njihja veten aspak, nuk kam pasur për vete një realitet tamam timin, kam qenë në një gjendje iluzioni të vazhdueshëm, gati fluid, të epshëm; të tjerët më njihnin, secili në mënyrën e vet, sipas realitetit që më kishin dhënë; domethënë, secili shihte në mua një Moscarda që nuk isha unë, duke mos qenë unë tamam askushi vetë për mua: ishin aq Moscarda sa ata ishin.
(…)
Doja të isha vetëm në një mënyrë krejt të pazakontë, të re. Krejt e kundërta e asaj që mendoni: domethënë pa mua dhe pikërisht me një të huaj përreth. … Vetmia e vërtetë është në një vend ku jeton për vete dhe për ju nuk ka as nam e as nishan, pra aty ku jeni ju i huaji. Kështu do të doja të isha vetëm. Pa mua. Dua të them pa atë unë që tashmë e njihja, ose besoja se e njihja. Vetëm me një të huaj të caktuar, që tashmë e ndjeja nëpër tym se nuk mund ta hiqja qafe dhe se isha unë vetë: i huaj i pandashëm nga unë.
Një, asnjë dhe njëqind mijë, Pirandello (1867-1936)
Nëse Harry e konsideron veten një njeri-ujk, ai nuk bën gjë tjetër veçse mitologji thjeshtëzuese. Harry nuk është aspak njeri-ujk dhe nëse kemi pranuar në dukje pa e kontrolluar gënjeshtrën e shpikur dhe besuar prej tij, kemi përfituar nga një mashtrim që tani do të përpiqemi ta justifikojmë. Në fakt asnjë njeri, madje as zezaku më primitiv, madje as më idiot, nuk është kaq këndshëm i thjeshtë sa që mund të shpjegohet natyra e tij si shuma e dy ose tre elementeve kryesore; të shpjegosh pastaj një njeri aq të komplikuar sa Harry me ndarjen naive në ujk dhe njeri është një ndërmarrje e dëshpëruar dhe fëmijnore. Harry nuk përbëhet nga dy qenie, por nga njëqind, një mijë. Jeta e tij (si ajo e të gjithë njerëzve) nuk lëkundet vetëm midis dy poleve, si të thuash ato të instinktit dhe shpirtit, ose ato të shenjtorit dhe të qefliut, por midis mijëra, midis çifteve të panumërta të poleve.
Ujku i stepës, Hermann Hesse (1877-1962)
Kur flas me sinqeritet nuk e di me cilin sinqeritet flas. Jam i ndryshëm prej një unë që nuk e di nëse ekziston.
Jam shumëfishuar për të ndjerë, për ta ndjerë veten time, më duhej të ndjeja gjithçka, jam mbingarkuar, nuk kam ç’të bëj gjë tjetër veçse të derdhem, dhe në çdo cep të shpirtit tim ka një altar për një perëndi të ndryshme.
Që fëmijë kam pasur një prirje të krijoj një botë fiktive rreth meje, të rrethohem me miq dhe të njohur që nuk kishin ekzistuar kurrë (nuk e di, natyrisht, nëse ata me të vërtetë nuk ekzistonin ose jam unë që nuk ekzistoj; në këto gjëra, ta do mendja si në çdo tjetër, nuk duhet të jemi dogmatikë). Që kur e njoh veten si atë që përcaktoj ‘unë’, mbaj mend që kam vizatuar me mendje në pamje, lëvizje, karakter dhe histori, figura të ndryshme joreale që ishin aq të dukshme për mua dhe po aq të miat, sa edhe ajo që ne i quajmë, mbase abuzivisht, jetë reale.
Ndihem i shumëfishtë. Jam si një dhomë me pasqyra fantastike të panumërta që shtrembërojnë në pasqyrime false një realitet të vetëm të mëparshëm që nuk është tek askush dhe është tek të gjithë.
Më 8 Mars 1914 - u afrova në një dollap të lartë dhe, pasi mora një fletë letre, fillova të shkruaja, duke qëndruar në këmbë, si edhe shkruaj sa herë që mundem. Dhe shkruajta tridhjetë e kusur poezi njëra pas tjetrës, në një lloj ekstaze natyrën e së cilës nuk mund ta përcaktoj. Ishte dita triumfuese e jetës sime, dhe kurrë nuk do të kem një tjetër të tillë. Fillova me një titull: ‘Ruajtësi i kopesë’. Dhe çfarë pasoi ishte paraqitja tek unë e dikujt tjetër, të cilit menjëherë i dhashë emrin Alberto Caeiro. Më falni për absurditetin e fjalisë: ishte shfaqur në mua Mjeshtri im. Kjo ishte ndjesia ime e menjëhershme. Aq sa, sapo shkruajta tridhjetë e kusur poezitë, kapa një fletë tjetër letre dhe shkruajta më pas gjashtë poezitë që përbëjnë “Shiun e pjerrët” të Fernando Pessoa. Menjëherë dhe plotësisht… Ishte rikthimi i Fernando Pessoa-Alberto Caeiro te Fernando Pessoa-dora vetë. Ose më saktë, ishte përgjigjja e Fernando Pessoa dhënë mosekzistencës së tij si Alberto Caeiro.
Fernando Pessoa (1888-1935)
Po sikur Fernando Pessoa të ishte shtirur se ishte Fernando Pessoa?
Kurrë nuk do të kemi prova. Dhe në mungesë të provave, nuk mbetet veçse të besosh (ose të shtiresh sikur beson) të dhënave biografike të atij që ishte shtirja dhe mashtruesi identik me veten: ose Fernando Antonio Nogueira Pessoa që ishte Joaquim dhe Madalena Pinheiro Nogueira, i punësuar part-time si përkthyes i letrave tregtare në firmat e import-eksportit në Lisbona. Në kohën e lirë, poet.
Një valixhe plot me njerëz: Shkrime për Fernando Pessoa, Antonio Tabucchi (1943-2012)
Kurrë nuk do te jesh i vetmuar me skizofreninë.
Dylan Dog
Në lodrat e dyfishta të fjalëve dyfytyrëshe, pa asnjë dyshim fjala dyshim prejardhet nga rrënja sanskrite dva ose dvi (=dy në shqip), nga e cila vjen doiazein në greqisht dhe dubium në latinisht. Prandaj në shumë gjuhë (hulumtoni vetë çfarë gjuhe dini më mirë) termi “dyshim” merr kuptim si në shqip mëdyshje=ndarje në dysh, në gjermanisht Zweifel=dyshim, Zweiteilung=dyzim. Diabolos=ndarsi në greqishte të lashtë.
(vjedhur në internet)
Pa asnjë dyshim arti më i madh, maja e artit, ndodhet në Institucionin e Arkivit të Dosjeve të Shërbimeve Sekrete, kurrë të deklasifikueshme, gjithnjë me shpresë, meqë bota është ambige, që një ditë mund të bëhen të de(dy)-klasifikueshme për hir të artit.
i Modhi
--------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Këtë lloj shkrimi, më saktë një grumbull citimesh vendosur në rend kronologjik, e botova në një blog jashtë shtetit. U pëlqye shumë, pati shumë sukses, mora sa të duash “më pëlqen”, wow dhe zembra, tumllas frigoriferi, e sa të duash komente: oh sa i modh Hesse, është i preferuari im! Pse Pesoa nuk është i modh, a si? Etj, etj, oh! sa i modh ky, e ah! sa i modh ai tjetri, si rëndom në kësi rastesh, pafund psherëtima kulturore në sallonin mondan të sinjorës.
Si autor më takonte të thoshja diçka, dhe komentova:
Faleminderit për komplimentet, por më duhet të them që fenomeni i shpërbërjes së shpirtit në përgjithësi nuk mund të konsiderohet një fenomen pozitiv, sepse më e pakta quhet skizofreni (= mendje e ndarë që prodhon kopjen, klonin, sozinë), e cila është sëmundje e tmerrshme që shkakton vuajtje të jashtëzakonshme.
[skiżofrenia (nga gjermanishtja Schizophrenie, përbërë nga schizo=ndarje dhe phrenie=mendje, në greqishte e vjetër). Në psikiatri, psikozë disociative e karakterizuar nga një proces shpërbërje (ndarje) të personalitetit psikik; manifestohet nga çrregullime të rënda të aktivitetit afektiv dhe sjelljes që mund të marrin forma të ndryshme …]
Nejse, muhabet i gjatë ky i skizofrenisë me sinjora Bertinin, që hem e shkakton skizofreninë me hiret e saj dredharake “të çon në 100 çezma e nuk të jep ujë”, e hem e duartroket si art i modh, por e sigurtë që asnjëherë nuk e vuan vetë deri në atë formë të rëndë sa të qendrojë shtrirë me pizhama në krevat hekuri me batanije lesh dhije ngjyrë kaki të ushtrisë së Stalinit që mbrojti Petrogradin. Sipas zakonit të sallonit mondan sinjora më thoshte që ti ke plotësisht të drejtë, por prapseprape Pirandellua dhe Pessoa janë shkrimtarë t’mdhenj. Jo po ti e ke provuar të shtrohesh në pavjonin 17-të? Jo, ateherë pse flet? Po ti a ke provuar të jesh pranë një fuçie me nitroglicerine kur shpërthen? Jo, atëherë pse komenton? Si pse komenton, unë komentoj pikërisht sepse nuk kam eksperimentuar në lëkure shpërthimin e nitroglicerinës? E ku e di ti që fantazma nuk kthehet nga e përtemja në këtë botë si 30 miligram hektoplazma me të njëjtin nick?
Nejse, muhabet i gjatë ky i fjalës së lirë dhe fjalës së shtërnguar, por unë shkurt muhabeti i thashë sinjorës dhe të bukurave sinjorina të blogut jasht shtetit:
Sipas psikiatërve simptoma kryesore e skizofrenisë është se pacienti thotë: jam i shëndoshë si molla nga mëndtë, është një tjetër në mua në të cilin nuk e njoh veten, ky është pacienti që gjithmonë më ndjek si hijen time, i ngjashëm si dy pika uji me mua, tëpkë unë, dhe nuk e di nëse jam unë, ose unë jam një tjetër që mendon se jam unë, ose jam unë që mendon se jam një tjetër unë.
Unë jam duke u menduar (po a vërtet unë?) ta vë apo të mos ta vë komentin tim më lart në post së bashku me të tjerët. Dhe e meriton, por ka një problem, unë nuk jam një shkrimtar i njohur dhe i famshëm si ata të postit më lart (vetëm unë mos qofsha unë!). Gjithashtu, meqë më duhet të mbroj anonimatin, nuk mund të them nëse kam qenë apo jo ndonjëherë në pavjonin 17-të ose pranë një fuçie me nitroglicerinë në shpërthim e sipër.