Jeta është një lindje e vazhdueshme; përgjatë rrugtimit të saj ne kërkojmë të bashkojmë atin dhe nënën në veten tonë. Kjo përbën detyrën tonë kryesore, dhe prej saj zënë fill konflikte dhe triumfe, me pasojë ringjalljen - Ernst Junger, ditar Rrezatime
Jeta ose jetohet ose shkruhet - Pirandelo
Novela Toni Kroger e Tomas Manit padrejtësisht është më pak e njohur në publik se novela Vdekje në Venecie, për shkak se kjo e fundit shkaktoi një skandal (trajtuar në shkrimin e fundit) dhe famës së filmit homonim të Viskontit (shumica ka parë 2 orë film në TV pa lexuar novelën); plus se trajton një temë që trondit, sidomos dikur kohë më parë, se tani nuk i bën më përshtypje njeriu për asgjë. Në të vërtetë Toni Kroger është një vepër më me tepër vlerë se Vdekje në Venecie dhe më skandaloze për kë konsideron artin si veprimtari sublime dhe artisti si qënie hyjnore, sepse e vë në dyshim rëndë këto pozita të fortifikuara në kohë duke i treguar si ekuivalente me përkatësisht veprimtarinë e përçmuar të fitimit të parave dhe figurën e përçmuar të afaristit.
Lënë mënjëanë interpretimet subjektive, fakti objektiv është se të dy novelat në fjalë janë komplementare si dinamikë ndodhie (do të trajtohet më tutje më me hollësi), njëkohësisht janë autobiografike; gjë që intereson më tepër në këtë trajtim, sepse, edhe sipas biografëve, novela Toni Kroger është shumë më tepër autobiografi se çdo vepër tjetër e Manit.
Prodhimi dhe konsumi kulturor ndikohet rëndë prej arkeotipit mashkullor-femror, sepse qoftë prodhuesi, qoftë konsumatori janë për vete frut i natyrshëm i ampleksit seksual që shkrin bashkë shpirtërisht dhe fizikisht prindët. Prandaj në çdo person njerzor ndodhen të shkrira bashkë karakteristikat shpirtërore dhe fiziologjike të prindërve të tij, në të njëjtën mënyrë se si në një legë re metalike ndodhe të shkrira bashkë dy metalet përbërës; një person është në të njëjtën kohë vetja si krijesë e re dhe prindët e tij që i kanë bërë kokën duke vazhduar të jetojnë në gji të tij me karakteristikat e tyre përkatëse:
Nëse kërkoj origjinën e trashëguar të sjelljes sime, nuk mund të mos mendoj për vargjet e famshëm të Gëtes duke vënë në dukje që edhe unë i detyrohem tim eti për “qëndrimin serioz në jetë”, ndërsa nënës sime për karakterin “gazmor”, dmth për ndjeshmërinë artistike dhe, në kuptimin më të gjërë të fjalës, për “gëzimin e rrëfimit” - Tomas Man, Ese autobiografike
Në rastin e Manit arketipi mashkullor-femror farfurin edhe si veri-jug dhe protestant-katolik; i ati ishte tipik borgjez protestant gjerman verior, ndërsa e ëma kishte tipare të theksuara të artistit bohem mesdhetar. Pra Mani është një shëmbull iluminues artisti, por edhe personi, që dëshmon se tërë këto dikotomi janë teorikisht në harmoni komplementare yin-yang, dhe praktikisht me kundërtitë në konflikt bipolar. Konflikti i brendëshëm atë-nënë (mashkullor-femror) damkosi jetën e Man-it, dhe për pasojë të drejtpërdrejtë edhe të gjithë veprën e tij që vërdalloset përreth një letmotivi të vetëm: kontrasti midis artistit bohem dhe borgjezit bakall. Në fakt në gji të Manit bashkëjetonin i ati, tregtari i përpikët, i respektueshëm dhe me një ndjenjë detyre shumë të fortë, dhe nëna shumë e bukur, me temperament ëndërrimtar dhe melankonik, pasionant dhe të ndjeshëm për muzikën. Masakra e brendëshme shkaktuar prej shpërfytyrimit të konfliktit hamletian froidist atë-nënë, mbivendosur konfliktit mendje-trup ose shpirtëror-material, shpjegon mosbesimin keqdashës që kishte Man-i, si për artin (interesin shpirtëror), ashtu edhe për jetën reale pa koklavitje shpirtërore (interesin material), koncept bazë që përbën kodin kuptimor të tërë veprës së Manit.
Novela Toni Kroger e nxjerr në pah më mirë nuk bëhet kodin manian, sepse protagonisti Toni ka me Manin ngjashmëri të jashtme dhe të brëndëshme shumë më tepër se në vepra të tjera të tij. Por ç’është më rëndësishmja Toni ka edhe ngjashmëri shpirtërore me Man; pra novela është jo vetëm biografike, por ç’është më e rëndësishmë edhe metabiografike, sepse reflekton esenca shpirtërore, motivacione dhe synime të autorit. I jati i Toni Kroger ishte konsull dhe tregtar, protestant nordik parelli, ndërsa nëna e tij ishte romantike, ëndërrimtare dhe i pëlqente muzika, quhej Consuela, me prejardhje latine mesdhetare.
Babai im, e dini, ishte një temperament nordik; mendues, skrupuloz, puritanisht i drejtë dhe i prirur për melankoli; ndërsa nëna ime, gjak i papërcaktuar ekzotik, e bukur, sensuale, spontane, njëkohësisht e plogësht dhe e pasionuar, impulsive mendjelehtë. Pa asnjë dyshim kjo ishte një përzierje që përmbante në vetvete mundësi të jashtëzakonshme dhe rreziqe të jashtëzakonshme. Dhe ja se çfarë rezultoi: një borgjez i devijuar në art, një bohem plot nostalgji për edukimin e mirë, një artist me brerje ndërgjegje. Sepse pikërisht ndërgjegjja ime borgjeze është ajo që në gjithçka që është art, gjeni dhe veçanti më bën të vë re diçka thellësisht të paqartë, thellësisht të dyshimtë, thellësisht të dyshueshme, është ajo që më mbush me dobësi dhe dashuri për të thjeshtën, për të sinqertën, për të këndëshmen, me pak fjalë, për kundërgjenialitetin dhe mirsjelljen - Tonio Kroger
Siç shihet ndryshimet midis autorit dhe protagonistit të vepërs tij, janë maskim letrar sa për sy e faqe; njësoj si prindët e Tonit: ati i Manit ishte senator dhe tipik tregtar protestant nordik parelli, ndërsa nëna ishte me temperament artistik dhe pasionant ëndërrimtar (këndonte dhe i binte pianos), tipike mesdhetare; në fakt kishte edhe një damar latin dhe katolik: gjyshja prej nëne ishte braziliane me origjinë kreole. Si Toni ashtu dhe Mani ndodhen në një konflikt që i ka ngjizur dhe e mbajnë gjithnjë në gji ngado që shkojnë: midis “spiritualitetit të acartë” (ati, veriu) dhe “afshit gllabërues të ndjenjave” (nëna, jugu).
Nuk është kollaj të përjetohen konflikte me dimensione ekzistencialë të tillë që bien mbi supet e brishtë të kalamajve; në fakt Mani dhe Toni kanë të përbashkët një dashuri-urrejtje për prindët e tyre (sigurisht edhe për veten që është një përzgjatje e natyrshme e qenësisë së prindëve), që projektohet si dashuri-urrejtje për artin (nëna) dhe për jetën (ati). Gjithashtu Mani dhe Toni kanë të përbashkët fizionomitë mesdhetare (në lojën e zakoshme frojdiste familjare djali i ngjan së ëmës; plus fakti që Tonio është shkurtim i emrit Antonio, emri i gjyshit nga nëna), vendlindjen (Lubeka) dhe zanatin e artistit të ushtruar mbas falimentimit të biznesit familjar pasi i’u vdes i ati që administronte pasurinë (alkimia e shndërrimit të pares në art). Por çfar ka më tepër rëndësi Mani dhe Toni kanë të përbashkët edhe fatin, me fjalë të tjera raportin me artin dhe jetën si arritje përfundimtare e eksperiencës jetsore artistike; në këtë kuptim Toni Kroger është më tepër metabiografi, se sa biografi e Manit. Kurse fati i shkrimtarit Aschenbach i novelës Vdekje në Venecie është biografia e mundëshme e Manit, një mundësi e shmangur rreziku vdekjeprurës. Eshtë tepër iluminuese analogjia komplementare ose kundërtare e dy novelave dhe protagonistëve të tyre: Aschenbach, i gjëndur në krizë të thellë në veri-protestant apolloniak në kërkim të sublimes, instiktivisht i dorëzohet jugut mesdhetar latin-katolik dioniziak (Venecie) dhe gjen vdekjen; ndërsa Toni përkundrazi: i zhytur në vese dhe epshe dioniziake mesdhetare italiane (mamaja, artistllëku), kërkon shpëtimin në vendlindjen nordike formale (ati, seriozllëku), dhe në një farë mënyre e gjen shpëtimin, tamam siç e kish gjetur Mani.
Për të ilustruar drejpërdrejt me material letrar nga origjinali përgjigjen e pyetjeve standard të melejezyshës: “cila është ideja kryesore e novelës?” dhe “çfar ka dashur të thotë autori me këtë novelë?”, citoj disa muhabete të Tonit të peshkuara aty këtu nëpër novelë:
Mos fol për “zanat”, Lisaveta Ivanovna! Letërsia nuk është aspak një zanat, por një mallkim, që ta dini mirë. E kur fillon të ndihet ky mallkim? Shpejt, tmerrësisht shpejt. Në një epokë në të cilën në mënyrë të arsyeshme mund të pretendohet të jetohet në dashuri dhe në harmoni me Zotin dhe me botën, dikush fillon e ndjehet i shënjuar, kupton se është në kontrast të pakuptueshëm me të tjerët, me normalet, me njerëzit e zakonshëm; gjithnjë e më thellë i hapet humnera e ironisë, mosbesimit, kundërshtimit dhe kthjelltësisë, ndjeshmërisë që e ndan nga njerëzit; vetmia e përpin, dhe që nga ai moment nuk ka më asnjë mundësi të kuptuari.
…
Unë e gjej veten në mes të dy botëve, pa u ndjerë si në shtëpi në asnjërën prej tyre, dhe kjo më sjell ca vështirësi. Ju artistët më quani borgjez dhe borgjezët tundohen të më fusin në burg … nuk e di, midis këtyre të dy dyjave cila më dhemb më shumë. Borgjezët janë budallenj; por ju të tjerët adhuruesit e bukurisë, ju që më konsideroni flegmatik dhe të paaftë për idealizëm, duhet të dini se ekziston një mënyrë e të qeni artist kaq e thellë, primordiale dhe fatale, saqë asnjë idealizëm nuk mund të duket më i ëmbël dhe më i dëshirueshëm se sa të pasurit për objektiv kënaqësinë e jetës mediokre.
…
Një person si duhet nga mëndtë e kokës nuk shkruan, reciton, apo kompozon … shpesh ndjehem i lodhur për vdekje duke paraqitur njerëzoren pa marrë pjesë në të … Eshtë për të pyetur veten nëse artisti, në fund të fundit, është një njeri apo jo.
Në fund të romanit - sigurisht dhe jetës së autorit - nuk i gjendet zgjidhje konfliktit midis dy pozicioneve kundështare (origjinalisht komplementare); ndodh vetëm një afrim, një lloj pajtimi i pranuar prej hallit midis artistit dhe njeriut, artit dhe jetës, mamit dhe babit. Ndërkohë që Toni maturohet, talenti i tij piqet dhe arrin të bëhet vërtet shkrimtar me vlerë, por gjithsesi ndjehet i huaj në botë dhe dëshiron të përshtatet me botën. Pra TonMani vazhdon të shqetësohet për dikotominë thelbësore midis jetës dhe artit, midis lumturisë personale dhe përgjegjsisë, duke dëshmuar se artistllëku dhe vuajtja mbeten bashkë në mes tënë gjithsesi. Me fjalë të tjera as arti nuk na bëri zengjin.
Paragrafi më lart që po sapo lexuat është metabiografia e Man, hartuar prej metaMelejezyshës dhe mbajtur në kasafortë nga metashefi i kuadrit të metaLidhjes të metaShkrimtarëve. Në fakt kjo është biografia e vërtetë e Man, krahasuar me të, librat e biografëve, madje dhe autobiografia e tij, janë paçavure fuksash.
pjesën e mëparshme e gjeni këtu