Nequicquam sapit qui sibi non sapit - Ciceron
Kur më pyesin se cili është libri im i krevatit (livre de chevet), përgjigjem që është një botim përmbledhës i tre novelave të Tomas Manit, me tituj: Vdekje në Venecie, Tristian, Toni Kroger, të përshkuara nga i njëjti fill i kuq.
Kopertina e këtij botimi është kjo (ekziston i njëjti botim edhe në inglisht):
Nuk është se e mbaj këtë libër në komodinë në krye të krevatit literalisht si në frëngjisht, madje nuk e kam as në bibliotekë të shtëpisë, vetëm se ja kam dhuruar të tjerëve dhe dëshiroj t’ja dhuroj përsëri ndonjerit që mendoj se ja vlen t’i dhurohet. Përfitoj nga rasti ta dhuroj ndonjërit hipotetik brënda mundësive që jep Peshku.
Për eksperiencë personale ky lloj muhabeti që përmbajnë këto tre novela nuk para pëlqehet kollaj, si nga njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe nga njerzit e komplikuar që e kanë artin për zanat. Të parët reagojnë: “nuk është muhabet për ne, nuk i takon llojit tonë ky muhabet”; të dytët kundështojnë të bezdisur: “atëhere i bie mos me u marrë me art, duhet me shit zarzavate tek dyqani në cep të rrugës” (sigurisht bëhet fjalë për personë që kanë karakter, jo për fansa dhe skllevër që hanë çdo zarzavatet që u jipet për të ngrënë). Por si të parët, ashtu dhe të dytët gabojnë rëndë, artistllëku është prerogativë e çdo njeriu pa përjashtim, dhe arti si zanat vlen në fundit të fundit për të ditur si të raportohemi artistikisht me botën dhe të tjerët në jetën e përditëshme, edhe në rastin e qenies artist i modh, madje aq më tepër në këtë rast. Arti shërben të ndjehemi në botë, e jo të ndjehemi të huaj në këtë botë si rëndom ndjehen frekuentuesit e sallonit mondan të sinjora Bertinit.
Ideja e përmbledhjes bashkë së këtyre tre novelave është në vetvete shumë inteligjente si politikë botuese (megjithse besoj se është një politikë që nuk nxjerr në selamet për parà, nuk kupton gjë njeri nga estetika e shitjes së zarzavateve) që paraqet kuintesencën e veprës së Man në tre variante të ndryshëm në mënyrë të reduktuar nëpërmjet zhanrit të novelës. Me fjalë të tjera novelat janë tre skica që rrëfejnë shkurt, bukur, qartë si esencë çfarë rropatet të tregojë tërë vepra e Manit, nga romani i parë, fresku madhështor Bunderbrokët (përkthyer atëbotë nga Shtëpia Botonjëse Naim Frashëri), e deri tek romani i fundit voluminoz Doktor Faustus.
Dy skica i kam përshkruar dhe analizuar tashmë në shkrimet e mëparshme, tani përshkruaj edhe të tretën, novelën Tristiani (gjithashtu përkthyer atëbotë):
Ngjarjet e Tristan-it zhvillohen në një sanatorium të quajtur “Qetësia”, një vilë-pallat midis një kopshti të zbukuruar me guva, pjergulla dhe kasolle të sajuara si në natyrë, dhe një peisazhi madhështor me male të veshur me pyje halorë ku aty këtu thellohen gremina (parodi e vilës së Wagnerit në Bayreuth, ku çdo përvjetor zhvillohet Bayreuth Festival; novela Tristan e Manit është parodi e operës Tristani dhe Izolda e Wagnerit). Ambjenti kitsch i vilës-senatorium simbolizon Decadence in Fin-de-Siècle, të cilën Man e parodizon vazhdimisht në veprën e tij duke bërë asociacion midis dekadencës, artit sublim dhe sëmundjes, kundërvënë jetës të shëndetëshme, por banale, të tregtarit shit e blij mall. Midis të sëmurëve, ndodhet edhe shkrimtari Spinell-i, krejt i shëndetshëm fizikisht, por që e justifikon praninë e tij në sanatorium me dëshirën për të rikrijuar veten si banor i një ndërtese me forma të bukura dhe harmonike. Këtu Spinell takon Gabriela Klöterjahn, një grua e re, të cilën përpiqet ta përfytyrojë pa burrë, prandaj refuzon ta quajë me mbiemrin e burrit të saj Klöterjahn dhe preferon t’i drejtohet me mbiemrin Eckhof që ajo mbante para se të martohej. Situata në fjalë është një paradhënie e romanit të mëvonshëm Mali Magjik.
Gabriela është një muzikante që mishëron shpirtin e bukurisë, burri i saj me zanat tregtar - i pandjeshëm ndaj magjisë së artit - përfaqëson vlerat pragmatike të borgjezisë. Sipas Spinell-in, me zanat artist (shkrimtar i njohur që kishte shkruar vetëm një libër), Gabriela është një shpirt i përsosur dhe delikat, e shkatërruar prej vulgaritetit të burrit të saj, përveçse shkaktar i lënies me barrë, gjë që e bëri të shoqen të sakrifikonte shëndetin dhe jetën (Gabriela u sëmur nga tuberkulozi mbas lindjes së fëmijës). Prandaj Spineli përpiqet ta rikthejë në jetë këtë shpirt të humbur në mediokritetin e ekzistencës bashkëshortore, me qëllim që ajo të rigjejë vetveten e humbur. Për këtë arsye e fton Gabrielën të luajë në pjano pjesë nga Tristan i Wagner, megjithse mjekët e kishin ndaluar të prekte pjano me dorë sepse emocionet e forta i dëmtonin shëndetin (turbekulozi ishte rëndom sëmundje e artistëve, sëmundja e frymëmarrjes, frymës së shenjtë). Gabriela (Izolda) ja plotësi dëshirën duke luajtur në pjano në mënyrë të mahnitëshme, dhe Spinelli (Tristani) provoi për të një dashuri ekstatike që e frymëzoi t’i shkruajë një letër të ashpër burrin të saj, ku e akuzonte se kishte marrë në qafë një shpirt të lartë pasjonant me harbutllëkun e tij prej bakalli. Pasoi një grindje midis burrit dhe dashnorit, ku bakalli dhe artisti i modh akuzohen ndërsjelltas. Vetkuptohet që Gabriela më në fund vdes, dhe dy gjelat e detit e ngrefosur nuk kishin më arsye pse të grindeshin sepse të dy bashkë e kishin vrarë “lajmin e bukur”. Novela përfundon me Spinellin që, duke shëtitur në natyrë, takon fëmijën e çiftit Klöterjahn, Antonin, i cili qeshte me gjithë shpirt si vetëm kalamajtë dijnë të bëjnë. Spinelli nuk e duron dot këtë pamje që simbolizon jetën në formën më të dlirët, dhe ikën nga sytë këmbët, sepse nuk ndjehet rehat me çfarë i mungon, ndjehet rehat me vetëm çfarë është artificiale e bërë me art. Artisti i modh në plan të fundit don vetëm vetveten, madje akoma keq, don pasqyrimin e vetes në pellg të ujit si Narcizi.
Në këtë novelë binomi manian art-jetë përfaqsohet përkatësisht: prej artistit dekadent kitsch Spinelli (në italisht spinello = cigare marujane) që është personifikimi i idhtarit të teorisë “art për art” (për çdo gjë që e emocionon lëshon një ofshamë admirimi: “Sa bukur!”; një personazh i novelës e quan “foshnjë gjiri e kalbëzuar” meqë kishte pamje të fisme aristokratike me lakime foshnjore dhe dhëmbët e krimbur, shumëkush e quan parodi të Oskar Wilde) dhe prej tregtarit Klòterjahn: personifikim i tipit që ka këmbët në tokë dhe i di mirë punët e tij, tamam tip koqje (në dialektin e Germanisë së poshtme: Klòte = testikul). Spinel-i dhe Klòterjahn - figurativisht droga dhe testikula - personifikojnë përkatësisht interesat shpirtërore idealiste të jetës pasive që ushqehet me ëndrra të kota dhe interesat fizikë materiale të jetës konkrete dinamike që nuk lë vënd për ëndrra. Tregues për natyrën e kundërt të këtyre dy personazheve është reagimi ndaj rrëfimit të Gabrielës për punën me grep me mikeshat e saj në kopshtin e vilës: ndërkohë që Spinelli i frymëzuar përfytyron një situatë idilike në të cilën Gabriel mban në krye një kurorë ari dhe rrethohet nga vajza që këndonin, Klòterjahn saktëson se vajzat flisnin për gatimin e një lloj gjelle me patate. Në fund të romanit Gabriel - aluzion për kryengjëllin lajmëtar dhe frymzues Gabriel (kryengjëll i Lajmit të Bukur) që lajmëroi lindjen e Jezuit dhe i diktoi Kuranin Muhametit - përfundon e masakruar njësoj, si prej admiruesit të dashuruar platonikisht, ashtu dhe prej burrit legjitim si që tund e shkund me furi shtratin bashkëshortor. Pra “Lajmi i Bukur” vritet në mënyrë të kryqzuar dhe njëkohësisht, si prej drogës artistike, ashtu dhe prej testikulës ekonomike, prej “sokratit të vuajtun” dhe prej “derrit të kënaqun”, prej Kitschit qiellor dhe prej Kallpit toksor.
Për të kuptuar tamam shkrimin, duhet lexuar edhe ky shkrim i hershëm që trajton temën dashurore të Tristianit dhe Izoldës së Wagnerit.
Gjithashtu duhet lexuar edhe ky shkrim (Doktor Faustus) ku Mani tregon se çfar ndodh po t’ja shesësh shpirtin shejtanit në këmbim të artit, analog me Faust e Gëtes që tregon rastin e shitjes së shpirtit shejtanit në këmbim të njohjes.
pjesën e mëparshme e gjeni këtu