Intelektuali i modh

Një mjek, i moshuar dhe shumë i talentuar, më thoshte shumë kohë më parë: “Unë e dua njerëzimin, por habitem me veten time: sa më shumë e dua njerëzimin në përgjithësi, aq më pak i dua njerzit në veçanti, dmth konsideruar veçmas, si individë. Jo rrallë kam arritur, me fantazi, deri sa të konceptoj qëllime pasionante për t’i shërbyer njerëzimit, dhe për njerzit ndoshta mund të isha ngjitur vërtet në kryq, nëse kjo do të ishte gjithsesi e nevojshme, por ndërkohë nuk jam në gjendje të jetoj me askënd në të njëjtën dhomë; dhe këtë e di nga përvoja. Sapo dikush më gjëndet pranë, menjëherë personaliteti i tij shtyp egoizmin tim dhe pengon lirinë time. Për njëzet e katër orë mund të urrej edhe njerëzit më të mirë: këtë sepse qëndron në tryezë për një kohë të gjatë, atë sepse është me rrufë dhe nuk bë gjë tjetër veçse çfryn hundët. Unë, më thoshte, bëhem armiku i njerëzve sapo i takoj. Ndërkohë më ka ndodhur gjithmonë që, sa më shumë i urreja njerzit në veçanti, aq më shumë ndizej flakë dashuria ime për njerëzimin në përgjithësi - Vëllezërit Karamazof.

… këta të pasur dhe këta të varfër, do të guxonit t’i quani njerëz të lirë? Unë kam njohur një demagog: ai më thoshte që, i privuar nga duhani në burg, vuante kaq shumë nga ky privim sa që ishte gati të mohonte për një të thithur çibuku të njëjtat doktrina, për të cilat kishte sakrifikuar lirinë e tij. Megjithatë ai ishte nga ata njerëz që thonë: “Jam gati të vetësakrifikohem për njerëzimin”. Po, po; një sakrificë e shpejtë, heroizmi i një ore, këtë po; por janë të paaftë për një vuajtje të gjatë, sepse janë skllevër të dëshirave të tyre. Falë tyre, liria është bërë një skllavëri më e keqe se skllavëria e lashtë: sepse skllavi romak ishte i lirë të paktën kur mund t’i shmangej vështrimit të padronit, por ti kurrë nuk do mund t’i shpëtosh dot vështrimit të vetvetes - Vëllezërit Karamazof.

Për kë ka dy pare mend në kokë, e ka më se të qartë se këto dy citime nga romani i famshëm i Dostoevskit i mjaftojnë vetes, e thonë qartë, thjeshtë dhe shkurt idenë, nuk ka asnjë arsye për të thënë më tepër, me një fjalë shprehja “më mirë prishet”. Por nga ana tjetër nuk mund ta le me kaq, duhet me thënë ndonjë gjë që të quhet se kam bërë një shkrim. I ndërgjegjshëm që po e prish, por njëkohësisht me shpresë se ndihmoj ndonjë që është i leshtë në të kuptuar, e kushedi, ku i dihet, mund t’ja kaloj mjeshtrit, jo sepse jam më i modh se ai, por sepse intelektuali i modh i kohës së Dostojevskit është shumë më i vogël se intelektuali i sotëm. Pra nuk është merita ime, por është meritë e kohës sot që është e modhe, shumë e modhe vallaj.

Për të evituar që në fillim që pozita ime të keqkuptohet si populiste, e cila dita ditës po bëhet më i modës, them se populizmi është një intelektualizëm përsëmbrapi, dhe se nuk kam asgjë kundër intelektualit si pozitë sociale, përveç manisë së tij për tu dukur si qënie superiore jashtë pozicionit dhe meritës së tij, duke i dhënë intelektit dhe aktit të menduarit pozitë kryesore në kulturë dhe për pasojë edhe në shoqëri. Populizmi është një kundërpërgjigje idiote, por si të thuash legjitime ndaj një idiotsie fillestare të intelektualit, i cili merr një reagim kundrapedal të natyrshëm dhe të merituar.

Akti i të menduarit logjik nëpërmjet intelektit është primar, origjinalisht dhe natyrisht më parë mendohet, pastaj veprohet (dhe së fundi krijohet). Për egoizëm, ose egocentrizëm, ose egotizëm, varet sipas kontestit të çdonjerit intelektual, glorifikohet vetëm akti i të menduarit, e jo vetëm kaq, por reduktohet çdo prodhim kulturor në puro mendim. Filozofi bëhet majë e kulturës dhe shoqërisë njerzore, duke vënë për fundi të tjera zanate ndoshta më të rëndësishme se filozofia. Dmth kihet të bëhet me totalitarizmin e aktit të mendimit dhe disiplinës së filozofisë ndaj çdo disipline dhe akti tjetër. Psh Hannah Arendt thotë se një poezi, tabllo, pjesë muzikore është vepër e mendimit. Gjë kjo është shumë e vërtetë si hallkë nisje e një proçesi që ka edhe disa hallka të tjera, por akti i të menduarit me intelekt shterohet në aktin e të vepruarit me vullnet (merr penelin në dorë dhe i futesh punës), dhe akti i të vepruarit shterohet në aktin e të krijuarit me ndjenjë (llaçkavit ngjyrat). Pra intelektuali që vetëm mendon, e shumta, duke shtrire jorganin sa ka këmbët, ka meritën e të qenurit filozof. Gjithashtu pjesërisht edhe meritën e të qenurit shkencëtar që i nevojitet të interpretojë filozofikisht ose metafizikisht fenomenet shkencore ose fizikë, por vetëm kaq e asgjë më tepër. Mund të bëjë më tepër, madje është i lutur dhe i uruar të bëjë më teper, por përveçse intelektual, në këtë rast është edhe fjala vjen politikan ose fetar që bën edhe akte veprimi me vullnet mbasi ka menduar, dmth del nga statusi i personit intelektual të modh me të cilin tallet Dostojevskij. E nëse bën akoma më tepër se kaq, dmth krijon, atëherë bujrum bëhet edhe artist ose afarist. Por kjo lloj qënie nuk është as intelektual, as fetar ose politikan e as artist, por është njeriu për së mbari.

Sa më siper ka pak rob që e bëjnë sepse do fuqi jo dosido, shumica e patakatshme bëjnë intelektualin për së mbrapi që mendon shtrirë në divan kundër veprimeve të fundit të kryeministrit të pazotë, intelektualin e modh pra që mendon furishëm dhe kujton se me kaq mjafton të quhesh njeri.

Rezultati konkret: përbuzje për njerzit e veprimit, “politikanët janë të gjithë të pazote dhe hajdutë” që, kur marrin vendime, nuk i marrin dorën intelektualit të modh që i ka menduar të gjitha shtrirë në divan, e po në të njëjtin pozicion ka shkruar një artikull për çështjen e radhës që shqetson shoqërinë e kohës.

Merrni mundimin të lexoni edhe një here tjetër dy citimet nga romani Vëllezërit Karamazov, ja vlen barra qiranë, e kushedi bëhen shkak që të braktisni pozicionin shtrirë në divan, ose të paktën të mos ja jepni llapës kot më kot kur të tjerët veprojnë konkretisht në terren.

2 Likes

Kjo eshte pjese nga nje monolog i romanit Llomotitje nga nentoka i Dostojevskit, nje lexim i domosdoshem per te kuptuar protagonistin e romanit modern qe ka per model origjinal llomotitesin nga subkonshi te Dostojevsikt:

Unë, nuk them keqdashes, por asgjë nuk kam arritur të bëhem: as i keq, as i mirë, as maskara, as i sinqertë, as hero, as insekt. Dhe tani e shtyj jetën time terhiq e mos e keput në nje qoshe, duke u mbajtur fort mbas një ngushëllimi të dobët dhe keqadashës që një njeri inteligjent nuk mund të bëhet me të vërtetë asgjë, dhe se vetëm budallenjtë bëhen diçka. :smiley: :smiley: :smiley:

Reagimi i poetit te modh Eugenio Montale (i fundmi i mohikaneve te kontinentit evropian) kur i erdhi lajmi për per marrjen e çmimit Nobel:

Me duhet të them gjëra solemne, imagjinoj. Por me kap një dyshim: ne jete triumfojnë budallejte. Qenkam edhe une i tille?
:smiley: :smiley: :smiley:

me pelqeu i modho, ne fillim çdo gje kuptohej, por nga fundi mu duk pak e rende,
kulture qe vetem stalker ose emigranti e kuptojne,

Perkundrazi, ka shume mundesi qe emigranti dhe Stalker jane te paret qe nuk kuptojne, sepse te kuptuarit eshte kryesisht deshire e interesuar per te kuptuar, dhe ka shume mundesi te ndihen te akuzuar prej shkrimit, nese vertet meditojne dhe shkruajne shtrire ne divan (gje qe s’kam si ta di me siguri, vetem mund te marr me mend). Teksti eshte teper i thjeshte, dhe me qellim e kam shkruar te tille. Dmth thene banalisht: nese te intereson nje gje, e kupton, nese nuk te intereson, nuk e kupton. Edhe kete te vertete e kam nga praktika dhe eksperienca personale, jo nga librat; gjendem gjithmone para te papriturave, persone qe me duken te zote, ta paracaktuar dhe te denje per te kuptuar nje vizion te qarte, kuptojne nje lesh, dhe perkundrazi kuptojne persone qe i mbaj per dava rrotalie dhe te pakulturuar. Qe nga kohe qe nuk mbahet mend e verteta vizionare e qarte (nuk ka rendesi e vertete false apo tamom e vertete) eshte perhap ne bote ne kete menyre. Intelektualet e medhenj jane pordhanjose buzeholle, i pelqen luksi e komoditeti dhe aspak rreziku e aventura, ata futen ne pilaf kur ideja ka fituar nje fare mbeshtetje dhe stabiliteti ne shoqeri. Edhe revolucioni i fundit mikroborgjez i 89-tes e deshmoi kete gje, te paret qe ngriten krye ishin alabaket tifoze futbolli ne stadiumin e Kavajes, pastaj u futen ne pilaf gjithfare intelektuali i modh qe me te gjetur nje vend me te ngritur se te tjeret, hipte aty dhe ngrefej si gjel deti maje plehut duke mbajtur fjalime programatike antikomuniste per demokracine. Nuk e shef qe akoma gjeli i detit antikomunist ka ngel akoma ne kete pozicion superiorioriteti edhe mbas 30 vjetesh, tamam si veteranet pensioniste antifashiste ne vaktit.

5 :star:
10shkronja

kjo qendron, ndodh tek te gjithe,

metafora qenka e persosur :grin:
kjo gje tregon se si komb, ora (per disa gjera) na ka ngelur aty ku e nisem,

Pjer, po pse mer vlla e lidhni çdo gje me Shqiperine kur flitet ne pergjithsi, e relativisht pergjithsise Shqiperia nuk ngre kandar, eshte nje e dhime mize ne harten e botes? Nuk eshte kjo menyre per te qene patriot, perkundrazi, sepse Shqiperia eshte per te pas meshire si viktime siç jane viktima primitivet ndaj nje shoqerie te zhvilluar. I vetmi faj i Shqiperise eshte se majmunezon me tej majmunerite origjinale evropiane, dhe kete e ben prej hallit, i ka zene rrota bishtin, duhet te behet evropiane qe te jete, imitimin dhe majmunerizimin e ka te detyruar, per ekzistence. Sa me e zhvilluar eshte nje shoqeri, sa me fuqishme politikisht dhe ekonomikisht, aq me teper ka pergjegjsi per gjendjen aktuale ne bote, mban pergjegjsi dhe per te tjeret qe jane te dobet dhe primitive. Kjo eshte dhe nje nga pasojat e qenies shoqeri globale.

2 Likes