Kitshi dhe kallpi (fund)

7) Deri ku arriti të imagjinojë Xhon Lenon

Në fund edhe morali i përrallës: një shoqëri mbetet gjithnjë e vuajtur dhe e populluar nga individë të mjerë nëse nuk realizon harmoninë midis artit dhe ekonomisë, ekuivalente me harmoninë midis njeriut dhe krijimit; vetkuptohet mbasi janë harmonizuar midis tyre filozofia me shkencën dhe feja me politikën, ekuivalente me harmonitë përkatësisht mendje-trup dhe burrë-grua (zanafillë e harmonisë familjare dhe më pas edhe shoqërore). Xhon Lenon në këngën e tij të famshme (Immage) imagjinoi një popull të lumtur pa fe - si pasojë pa kisha e xhamija, pa priftërij dhe hoxhallarë, por ndryshe nga Vaso Pasha e imagjinoi edhe pa kombe (dy vargje më poshtë) - por në asnjë mënyrë nuk imagjinoi një popull të lumtur pa art e pa artistë, sepse i hiqte koromanen vetes. Zanatçiut, të vetidentifikuar me zanatin meqë “nuk di të bëjë gjë tjetër”, nuk i shkon shumë për shtat mendimi se në fund të fundit punon për të asgjësuar veten profesionalisht; të rallë janë - ose ndoshta as që ekzistojnë - policët e vërtetë që vrasin mendjen (dhe veten profesionalisht) për të imagjinuar një popull të lumtur pa kriminelë, dhe për pasojë të drejtpërdrejtë pa policë. Por atë që tellalli s’ta jep, Zoti ta jep të shkruar të zezë mbi të bardhë në Apokalips (Zb. 21, 10-25); përshkrimi i Jeruzalemit të Ri në përmasa që arrijnë qiellin, është një paraqitje simbolike e ndërtimit të shoqërisë dhe qytetërimit të përsosur të së ardhmes si bashkim harmonik i “qytetit qiellor” me “qytetin tokësor”, simbol i harmonisë qiell-tokë, e pastaj harmonitë varg: shpirtëror-material, subjekt-objekt, filozofi-shkencë, fe-politikë, art- ekonomi, mendje-trup, mashkull-femër, njeri-Krijim, Zot-njeri, Zot-Krijim. Në vazhdim përshkruhen muret e qytetit me dymbëdhjetë porta në të cilat qëndronin dymbëdhjetë engjëj; muret qëndronin mbi dymbëdhjetë themele të zbukuruar prej dymbëdhjetë lloje gurësh të çmuar, të cilët simbolizojnë saktë dymbëdhjetë karakteret njerëzore arketip me të cilët rropatet edhe astrologjia. Sa më sipër shtuar edhe që portat e qytetit të shenjtë janë gjithnjë të hapura për të pritur pelegrinët, që në këtë qytet çuditërisht nuk duken gjëkundi as tempuj, as rite e as kulte; plus edhe fakti që Jezui e tregoi veten si tempulli dhe dëshmoi që ai vetë është tek Ati qiellor, bashkëbiseduesi tek Jezui dhe anasjelltas (Gjo. 14, 20). Prej këtej kuptohet qartë se shkruesi i lashtë nuk ka zhgarravitur traktate mineralogjie ose urbanistike futuriste, por, nën shtysën e natyrës origjinale të damkosur përjetsisht në zemër të tij - si rëndom çdo krijesë njerzore në histori -, përshkruan simbolikisht shoqërinë e përsosur të përbërë nga individë që kanë restauruar natyrën e tyre origjinale dhe kulturën origjinale të bazuar tek zhvillimi nëpërmjet shkrirjes harmonike të komplementarëve dhe jo nëpërmjet batërdisë sherrane të kundërtive dialektike. Parë që shkruesi i lashtë nuk kishte vizion të specializuar për kulturën si rëndom pjestarët e komplekseve rok, në lashtësi Tempulli kryente njëkohësisht të gjitha funksionet kulturore që sot i gjen të shpërndara lart e poshtë në urbanistikën e xhindosur të qytetit modern ku gëlojnë ngado akademi, universitete, biblioteka, arkiva dosjesh sekrete, xhandërmari, gjykata, ministri, objekte kulti, galeri arti, banka, tezga sarafi, banaqe bakalli, kambistë etj - ai kërkon të thotë se njeriu origjinal ose i përsosur e përjeton në mënyrë të natyrshme vërtetsinë, mirësinë dhe bukurinë si mishërimi i vetë Tempullit, pa pasur nevojë për karikaturat kulturore që na rrethojnë dhe na masakrojnë përditë nëpërmjet delirit dialektik dhe terrorizmit laboratorik, perversionit moral dhe krimit ministerial, çoroditjes artistike dhe hajdutërisë ekonomike. Të gjitha institucionet kulturore moderne, tempuj të banuar nga profesionistë arrogantë dhe të vizituara nga hallexhij servilë - që sa i zgjidhin problemet në çast i riprodhojnë - kanë vlerë vetëm si shenja udhërrëfyese dhe si mjete për të arritur në qytetin Qiellor, bërë një me atë Tokësor, ku do të banojnë vetëm njerëz të vërtetë, të mirë dhe të bukur që kanë asgjësuar ndarjet duke ruajtur dallimet, të bashkuar si vëllezër e motra rreth një Zoti që ka zemrën dhe pozitën e Prindit.

fund


pjesën e mëparshme e gjeni këtu