Kitshi dhe kallpi (Pjesë e VI-të)

6) Nevoja e bërjes artistike të nevojës

Prej Romantiçizmit e tëhu artistët kanë shprehur vazhdimisht dhe hapur neverinë e tyre ndaj parasë duke vënë përballë dhe krahasuar: lartësinë e idealit me poshtësinë ose poshtërsinë e utilitaritetit, zemërgjersinë boheme me zemërvogëlsinë bakallore, sublimitetin e artit me banalitetin e nevojës ekonomike etj. Si shëmbull përfaqsues i përbuzjes së nevojës deri në nivelin e nevojtores - aq më tepër që në shqip rrënja e fjalës është e njëjtë dhe siç do të shihet në vazhdim ekzistojnë lidhje arketip midis materialit që pluskon në kanalet e ujrave të zeza dhe atij që vezullon në kasaforta bankare - i’a vlen të përmëndet thënia e Theophile Gautier në parathënien e Mademoiselle de Maupin:

Është vërtet e bukur vetëm ajo që nuk shërben për asgjë; gjithçka që është e nevojshme është e shëmtuar, sepse është shprehje e ndonjë nevoje dhe nevojat e njeriut janë të padenja dhe të neveritshme njësoj si natyra e tij e mjerë dhe e pafuqishme. Vëndi më i nevojshëm i shtëpisë është nevojtorja.

Por vështirë të gjëndet më e goditur se thënia: “Vlera e një vepre arti është ose zero ose infinit” - nuk jam i sigurtë nëse shprehje e Floberit apo e Bodlerit - që shpreh përbuzjen e cilësores ndaj sasijores, metafizikes ndaj fizikes, të pamatëshmes ndaj të matëshmes, ideales ndaj utilitares, sublimes ndaj banales etj. Zero dhe infiniti janë dy koncepte jorealë dhe prandaj të padurueshëm për dy kilogramë tru që kanë evoluar duke luftuar për mbijetesë në përmasat e matëshme të reales, kështu që thënia e mësipërme nuk thotë asgjë për një të mjerë që i kanë marrë trutë erë dhe vendos t’i kushtohet trup e shpirt sublimitetit të artit pa pasur sigurinë ekzistenciale të rentës mbi pasurinë e prindëve të vdekur. Shëmbulli bohem i Van Gogut, që i mori koka erë artistikisht dhe la një dëshmi heroizmi dhe shënjtërie të pamohueshme, tregohet duke lënë pas dore Teo bakallin, i cili cfilitej në punë për të çmuar vepra arti me numra realë në intervalin zero-infinit, me qëllim që të mbajë me bukë, përveç familjes, edhe të vëllain plangprishës. Aq më tepër lihet pas dore fakti i dëshmuar nga letrat e tij - prej shumëkujt konsideruar më domethënëse dhe më të pasionuara (ose të paktën baraz) se pikturat e tij - që Van Gogu përgjatë gjithë jetës u dogj e u përvëlua për të shitur të paktën një vepër, por nuk mundi, meqë i ndrojtur në raportet njerzore dhe pa dhunti për xhambazllëqe.

Përbuzja ndaj dëshirës për para - rëndom e konsideruar si dëshirë vulgare, banale dhe e ulët - është një pozë e shtirur mondane (çuditërisht pozë e marrë më tepër prej atyre që nuk bëjnë gjë tjetër veçse grumbullojnë para), sepse nuk ka gjë më magjike se çasti kur vendoset një monedhë mbi banak dhe, me të ushtuar tingëllima dhe shkrepëtirë vezullima, bakalli, mbasi i fut një të kafshuar me dhëmbin e qenit për provën e kallpit, vrapon me djersë në ballë ta konvertojë në një copë bukë ose në çfardo tjetër gjë që kërkon zemra e klientit. Marksi e quante verdhushkën me përbuzje romantike si “dritë e ngurtësuar e dalë prej ferrit” (me plot të drejtë konsideruar ferrin e dhimbjes prindërore të shkaktuar prej vdekjes së tre fëmijëve nga mjerimi i varfërisë përgjatë shkrimit të veprës Kapitali), por përkufizimi i tij shkencor “ekuivalent i përgjithshëm” - në fakt origjinalisht i Shopenhaurit që mbijetoi e përsiati filozofikisht dhe romantikisht falë trashëgimisë dhe rentës - i rikthen disi meritën para-së dhe mundësinë për të qenë edhe dritë e para-jsës, meqë në këtë katandi “i përgjithshëm” nënkupton ferr dhe para-jsë bashkë. Qyl nuk ka asgjë, deri edhe parajsa fitohet ose humbet (dmth fitohet ferri) si biznes shit e blej, për këtë dëshmon qartë edhe Ungjilli: Juda e humbi parajsën (fitoi ferrin) për 30 aspra, vejusha e skamur e fitoi duke dhënë metelikun e fundit (Mar. 12,41). Balzaku - një tjetër artist realist që ka trajtuar gjërë e gjatë e kryq e tërthor problemin e fitimit dhe grumbullimit të verdhushkave - u qerthullua tërë jetën në të njëjtin kurth dashuri-urrejtje ndaj parasë, herë duke e shpërfillur si personazhet e tij dorëçpuar dhe herë duke e dëshiruar si gobsek (siç duket ishte “realist kritik” meqë i duhej jo vetëm të siguronte jetesën nëpërmjet shitjes së veprës së artit, por edhe të paguante borxhet e lënë nga prindët e vdekur, krejt ndryshe nga teoricienët e “art për art” që zakonisht mbijetuan dhe poetuan falë parave të mamit dhe babit të bëra rrush e kumbulla). Kthesa skandaloze e Rembosë ku pjesa e dytë e jetës rezulton mohim total i së parës - komplementare me kthesën po aq skandaloze të Gogenit që në moshën dyzet vjeçare braktisi zanatin e spekulatorit në bursë për atë të bohemit (të dy përfundojnë karrierën në vende ekzotike, sipas tyre shumë lart shpirtërorisht, ndryshe nga perëndimi materialist që ka për idhull vetëm paranë) - përbën çudi vetëm për ata që konsiderojnë artin si qiellor dhe “artistin e mallkuar” si jashtoksor të rënë nga qielli në një tokë banale (dhe prandaj edhe “i mallkuar” nga toksorët). Nëse konsiderohet arti si njëri pol i binomit art-ekonomi, Rembo i dytë (bakalli) nuk ka bërë gjë tjetër veçse është përpjekur - fatkeqsisht pa sukses - të vejë në praktikë projektet e Rembo i parë (bohemi); në fakt ai ishte krejt konsekuent edhe pse skicofrenikisht i ndarë në dy persona, vetëm në dukje kontradiktorë, që janë faqe të së njëjtës medalje ose mësalle. Arketipi mbetet gjithnjë i pranishëm edhe kur i mohuar dhe i mospërfillur, ja përse Rembo nis me poezi ekzotike gjeniale për t’i bërë bisht banalitetit rrethues dhe bitis me letra të mërzitshme të shkruara në vënde ekzotike që përmendin vetëm mall dhe para si shkresa bakalli; artisti demiurg, që synonte të ndriçojë dhe trasformojë botën nëpërmjet alkimisë së fjalës, i gëzohet shkëlqimit të pirgut me verdhushka; bohemi i çoroditur, që përbuzte për vdekje borgjezin koprac, çapitet në shkretëtirat e Afrikës i përthyer në dysh prej dizanterisë dhe peshës së tetë kilogramëve ar të fshehur nëpër brekushe (nuk kanë munguar frojdistë psiko-analë që në këtë rast kanë vënë në dukje arketipin ar-eskrement); aventurieri sypatrembur që nuk la gjë pa bërë dhe rrezik pa provuar, dëshiron të martohet vetëm me ndonjë vajzë që “ka një të ardhme”; adoleshenti gjenial që vargëzote pa teklif sikur lodronte - në kufi me përqeshjen tallëse - duke imituar çdo lloj stili poetik të shfaqur në histori, kur i vjen lajmi se në Paris tashmë ishte bërë i famshëm, shprehet për poezinë sikur të ishte shofer llaçi: merde pour la poesie (përsëri formula psikoanalitike art=eskrement=ar=monedhë do të trajtohet gjërë e gjatë më poshtë); deliranti iracional që zbulonte lidhje marramendëse simbolike midis zanoreve e ngjyrave, zhytet pikiatë në studimin e manualeve të zanateve të rëndomtë (farkëtari, përpunim qelqi, gurëgdhëndje etj), traktateve të shkencave të aplikuara (mekanikë, metereologji, hidrologji etj) dhe librave për ndërtim hekurudhash, tunelesh, galerish të nëndheshme etj; gjeniu fodull që nuk donte t’i’a dinte për njeri - edhe për Zotin vetë - dhe kërkonte “të ndryshonte jetën” si të krishterët e parë, mbylli karierën si admirues i një inxhinieri sviceran që i shërbente mbretit të Etiopisë. Me vetë jetën e tij Rembo dëshmon se arti ndërlidhet pandashëm me ekonominë, dhe se hapsira kulturore është e lakuar si hapsira fizike, dmth përtej interesave shpirtërore ndodhen interesat materiale, dhe nëse shkohet përtej artit, detyrimisht bihet në ekonomi. E kotë të mohohet dhe fshihet mbas pozave romantike e vërteta e trasformimit alkimik të poezisë në ar, artisti dritën qiellore e trasformon alkimikisht në “dritë të ngurtësuar të ferrit tokësor”, dhe kjo lloj drite në vënd të tij - nëse i ndrojtur - ndriçon të tjerë që nuk e kanë për gjë të bëjnë xhambazllëqe. Saktë çfarë ndodhi me veprën Trëndafilat e Bardhë të Van Gogut kur bankieri Oppenheim, mbasi e bleu, e soditi për dy orë rresht dhe pastaj u paraqit në seancën në të cilën përlau shumicën e aksioneve të Bankës Kombëtare.

Tregues për sa më sipër është edhe fakti që një copë kanavacë me ngjyra të plasaritura prej kohës - ku akoma duket cfilitja për të fiksuar si dritën e diellit që derdhet si bekim hyjnor mbi krijimin, ashtu dhe ndriçimin artificial të mejhanes ku njeriu vetëm mund të çmendet (shprehje e vetë Van Gogut) - paguhet me shuma skandaloze që arrijnë disa dhjetra milionë dollarë. Këto çmime kanë vlerë praktikisht infinite duke pasur parasysh që kryeveprat e Van Gogut në të gjallë të tij u vlersuan praktikisht me zero; më saktë me vlerën e një xhami të thyer, aq sa i vlersoi pronari i parë - qiramarrsja e tij - që i përdori për të zënë dritaret e qilarit. Por në këtë rast, si në shumë të tjerë të ngjashëm ku vlera e artit hardalloset në intervalin bohem zero-infinit, fshihen edhe arsye bakallore parë që blerja e mallit artistik të markës “gjeni” është mënyrë e sigurtë dhe frutdhënëse për të investuar paratë kur kihen me thasë e në gjëndje stok. Duchamp shkruante në një letër të tij se shurrtoren e famshme ready - made i’a kishte hedhur borgjezëve kokës, ndërsa ata e adhuruan si vepër arti, por e lë pa shkruar faktin që borgjezët jo vetëm adhuruan, por sipas zakonit tundën paratë në përputhje me formulën e famshme “Kunst = Kapital” (art = kapital, që do të thotë edhe artist=kapitalist) të artistit performance Joseph Beuys. Në epokën moderne bakalli nuk ja lë thatë provokimit të bohemit, jo më shurrtorja, por edhe kur i hidhet kokës përmbajtja e saj, kundërpërgjigjet flakë për flakë provokimit duke të “thyer kokën me para”, siç ndodhi kur njëra prej 90 konservave të famshme të Manzonit - me etiketë Merda d’artista (ital. mut artisti) dhe me brendi saktë sipas etiketës - u shit në vitet 90-të me vleftën e rrumbullak 70 milion lireta (pak a shumë vlera e një apartamenti në Tiranë). Shëmbull tjetër i ngjashëm është shamataja e nisur në 18 maj 1989 në Senatin e Washigtonit, kur senatori republikan Alfonse D’Amato, grisi në mënyrë demostrative një foto artistike të Andres Serrano që paraqiste të kryqëzuarin në material plastik - një mall kitsch i shitur rëndom në kioskat përreth katedraleve - të zhytur në një lëng ngjyrë qelibari rrethuar nga flluska, i cili ishte shurra e vetë autorit (vepra titullohej Piss Christ = pshurrje krishtit në anglisht). Meqë në vëndin e lirisë as që mund të bëhet fjalë për çensurë kulturore dhe askush nuk guxon të vejë në dyshim lirinë e artistit për të bërë vepra arti si t’i teket organeve të tij jashtëqitëse dhe brëndafutëse, debati u reduktua rreth çmimit të 15.000 dollarëve, të vjela prej xhepave të taksapaguesve, një pjesë e të cilëve, si besimtarë, sigurisht nuk u pëlqen që të hollat e tyre t’i fusë në xhep antikrishti, meqë derdh ujët e hollë si bekim artistik mbi krye të Krishtit.

Shëmbujt e mësipër dëshmojnë se se gjeniu artist, i ndërgjegjsuar më në fund dhe deri në fund për misionin e tij kozmik, ulet mbi një kavanoz, dhe mbas do minutash tërheqje-shtërngim-çlirim muskujsh bën një rrugë e shumë punë: vulos besëlidhjen origjinale dhe realizon tre ëndrrat e mëdha të njerzimit: ëndrrën e lashtë të alkimisë të trasformimit të materies brutto në ar të kulluar, ëndrrën mesjetare të perpetum mobile (që nxjerr jasht loje ose jashtëqit ligjin e dytë të termodinamikës, rritjes së entropisë, kalbëzimit të kërmës, vdekshmërisë etj) dhe ëndrrën profetike të Leninit për epokën e lumtur kur me metalin madhështor dhe barbar (arin) do të shtroheshin pllakat e WC-ve publike (ëndrra e fundit e dëshmon komunizmin si fund të historisë me ambicje për të realizuar kërkesën më të thellë të subkonshit: puqja simbolike e arit me eskrementin, Alfës me Omegën, fillimit me fundin, asimilimit me disimilimin, shpirtërores me truporen etj). Mbas një shekulli e kusur vërdallosje në qiej ezoterikë dhe në toka ekzotike bitisëm aty ku u nisëm, bash në vëndin e “nevojës” të përbuzur prej Teofil Gotjesë, poezitë e të cilit shijohen tamam vetëm nga terjaqijtë e artit të botës së tretë, ku rrinë rras e plas dy familje në dy dhoma e kuzhinë dhe një hale si në kohë të teo-filisë dhe Teofil Gotjesë, ndërsa në haletë e “botës se parë” - mobiluar me të njëjtin luks si kuzhina (në këtë rast është dizajni që ka arritur të mbylle qarkun midis asimilimit dhe disimilimit, fillimit dhe fundit, Alfës dhe Omegës etj) - kundrohet shkrimtari disident antikomunist Kundera, i cili në romanin Lehtësia e pambajtëshme e qënies shkruan:

Kitschi është mohimi absolut i mutit, në kuptimin si fjalë për fjalë ashtu dhe figurativ: Kitschi heq nga fusha e vet e pamjes gjithçka që në ekzistencën njerzore është në thelb e papranueshme.

Dëshmia më e mirë dhe më e bukur në lidhje me tutje e tëhu të këtij shkrimi është vepra e Tomas Manit, e cila ka për leitmotiv pozitën e artistit në një shoqëri që ka humbur sigurinë e dikurshme ekonomike, dhe për më tepër që artisti modern lind pikërisht në familje të rrënuara ekonomikisht. Në këtë rast dëshmia është më tepër e besueshme meqë edhe autobiografike, sepse vetë Man prejardhet nga një familje e tillë, e rrënuar ekonomikisht mbas vdekjes të atit afarist. Aq më tepër i besueshëm sepse, sipas dëshmisë së tij (mjaft e ngjashme me të Gëtes), origjina e sjelljes së tij gjëndet në kontrastin hamletian atë-nënë: i ati ishte borgjezi tipik protestant gjerman - tregtari nordik, i respektueshëm dhe me një ndjenjë detyre të fortë - ndërsa nëna ishte artiste tipike, shumë e bukur, me temperament mesdhetar katolik (origjinë kreole braziliane), fantazues dhe melankolik, pasionant dhe me tepër ndjeshmëri ndaj muzikës. Në romanin e tij Tristani, arti përfaqsohet simbolikisht prej artistit dekadent Spinel (në italisht spinello = cigare marujane në italisht), idhtar i teorisë “art për art”, që për çdo gjë që e emocionon lëshon një ofshamë admirimi: “Sa bukur!” - kurse ekonomia përfaqsohet prej tregtarit harbut Klòterjahn (në dialektin e Germanisë së poshtme Klòte=testikul). Spinel dhe Klòterjahn - figurativisht droga dhe testikula - personifikojnë përkatësisht interesat shpirtërore idealiste të jetës pasive që ushqehet me ëndrra të kota dhe interesat fizikë materiale të jetës konkrete dinamike që nuk lë vënd për ëndrra. Tregues për natyrën e kundërt të këtyre dy personazheve është reagimi ndaj rrëfimit të Gabriel (gruas së Klòterjahn) për punën me grep me mikeshat e saj në kopshtin e vilës: ndërkohë që Spinelli i frymëzuar përfytyron një situatë idilike në të cilën Gabriel mban në krye një kurorë ari dhe rrethohet nga vajza që këndonin, Klòterjahn saktëson se vajzat flisnin për gatimin e një lloj gjelle me patate. Në fund të romanit Gabriel - ndoshta aluzion për kryengjëllin lajmëtar dhe frymzues Gabriel - përfundon e masakruar njësoj, si prej admiruesit të dashuruar platonikisht, ashtu dhe prej burrit legjitim që tund e shkund me furi shtratin bashkëshortor. Pra “Lajmi i Bukur” vritet në mënyrë të kryqzuar, njëkohësisht dhe njëlloj si prej drogës artistike ashtu dhe prej testikulës ekonomike, prej “sokratit të vuajtun” dhe prej “derrit të kënaqun”, prej Kitschit qiellor dhe prej Kallpit toksor.

Teza e shkrimtarit Broch që kitsch nuk është vetëm vepra e artit, por kryesisht qëndrimi i personit, madje sipas tij Antikrishti është një qëndrim kitsch - si hebre i përndjekur këmba këmbës prej nazistëve e kishte fjalën për ish-piktorin Hitler -, përforcohet prej shkrimtarit Man, i cili tepër dyshues për frymzimin artistik iracional, e tregon Fyrerin si tipin e artistit par excellence në esenë e tij me titull mjaft domethënës Vëllai im Hitler. Ambicja artistike e tiranit: Robespierit, Maratit, Bonapartit, Hitlerit, Mao Ce Dunit, Stalinit, Enver Hoxhës etj - kush më shumë e kush më pak të gjithë me ambicje rinore për t’u bërë artistë të mëdhenj dhe me eksperienca jetë boheme “ku rafsha mos u vrafsha” - mund të interpretohen siç bëhet rëndom “artistë dështakë që hakmeren ndaj botës tërë”, por mund të interpretohen edhe si persona që dështimin e tyre e perceptojnë si dështim historik të artit të mirfilltë të ushtruar në nivelin individual, dhe kërkojnë të “bëjnë art” në nivel kozmik duke rikrijuar tërë shoqërinë dhe botën mbarë si Demiurg fuqiplotë që ka shfuqizuar Zotin, në origjinë kryeartisti dhe kryepronari i botës. Për komunizmin janë dhënë pa fund përkufizime, por sipas tutje e tëhu të këtij shkrimi, komunizmi rezulton situata kozmike ku një person në veshjen e Sekretarit të Parë - që rrek të mbulojë me gjethe fiku lakuriqsinë e Sekretit të Parë (dmth Mëkatit Origjinal) - është artisti i vetëm dhe pronari i vetëm në një kozmos pa njeri dhe pa Zot, vetë zot e vetë shkop.

Ndërsa interpretuar komunizmi si situatë historike përfundimtare, arti dhe ekonomia në sistemin komunist jo vetëm që nuk zhduken sipas profecisë morrisiane dhe marksiste, por përkundrazi ato korrin fitoren më të bujshme historike si një art novator dhe një ekonomi po e tillë, dhe prandaj fare natyrshëm socializmi real rezultoi shëmtia totale - shpirtërore dhe lëndore, pa asnjë dallim midis psiche-s dhe materies - fitorja përfundimtare e tëhuajzimit shpirtëror dhe shfrytëzimit fizik të realizuar prej përkatsisht veprës kitsch dhe mallit kallp, zhdukjes së arit - kurrë të bërë vaki t’I paguhet prurësit me të parë (sipas çfarë shkruhej në kartmonedhë atëbotë) - dhe plasjes të kanalizimeve të ujrave të zeza anë e mbanë qytetit, zhdukjes përfundimtare të shpirtit dhe vëshimit të sekrecionit e eskrementit anë e mbanë trupit. Me fjalë të tjera u realizua tamam e kundërta e profecisë së Leninit (premtimi për shtrim me pllaka ari të WC-ve publike), shëmbull i shkëlqyeshëm është revolucioni spanjoll: kundërevolucioni frankist plasi vetëm kur plasi muti udhëve të qyteteve të gadishullit iberik sepse asnjë rob nuk denjonte të pastronte dhe të meremetonte gjirizet (sipas një thashetheme, sepse fakti nuk përmendet në librat e historisë, të cilat siç duket rrëfejnë historinë kitsch në përputhje me thënien e Kunderës: “kitschi është mohimi absolut i mutit”). Gjykuar nga gjëndja e kanaleve të ujrave të zeza në anët tona, 89-ta rezulton një revolucion më i madh se i 45-sës, dhe fakti që ishte njëkohësisht edhe një kundërevolucion i madh, nuk le asnjë shpresë për kundërevolucion që do të zgjidhte punët e mutit dhe artit që kanë vëshuar me tërbim udhëve të baltosura postkomuniste mbushur plot me bakallë që shesin e blejnë mallra kallp dhe me poetë gjenialë që marrin e japin art kitsch. Kuptuar dhe praktikuar kapitalizmi si garë psikotike kush fiton para më tepër, me çdo kusht e pa asnjë parim e rregull - gjë që implikon garën po aq psikotike kush pispilloset më tepër, kozmetikisht dhe artistikisht, me çdo kusht e pa asnjë parim e rregull - “socializmi real” ishte fitorja e natyrshme e “kapitalizmit real” në dorë të një poeti realist të vetëm.

Fund i pjesës së VI


pjesën e mëparshme e gjeni këtu

1 Like

@STALKER

sa i modh Bertolucci, i modh vallaj, ja ka dhi Godardit per ca sekonda. Kjo tregon forcen mistike te Marlonit, kush o me marlonin fito:

1 coment

This is art

Inkuzicion ,kur jemi tek kjo teme dua nje ndihme si pergjegje te drejte e serioze per kete fillim vit …( se mua pergjigjet qe ja dhash vehtes , me bene lemsh )
pergjate viteve se paku 500 ,si ndodhe e ku eshte sekreti qe arit si veprimtari nuk u zhduk i (si shume veprimtari tjera qe i perbiu koha ) por dhe sot e kesaj dite eshte trend dhe gjithmon i vlersuar mjafte kapitalisht ?

Asnje veprimtari nuk eshte zhdukur, dhe as mund te zhduket, sepse çdo gje trasformohet, ka thene Lavuazjeri qe e kane gijotinuar revolucionaret frenge.

Sipas reaksionareve ose tradicionalisteve trasformimi eshte ne shenje negative, dmth eshte degradim. Sipas revolucionareve … pyet Stalker qe eshte revolucionar dhe me serioz se mu.

Ndersa serioziteti i dikurshem reaksionar eshte trasformuar ne karagjozllik revolucionar.:stuck_out_tongue:

prandaj sot e ate dite frenget nuk bejne hajr,nema e Lavuazjerit i ndjek pas !!!

nejse me bishtrove prap pergjigjen nga ajo artistike ne fillozofike .
p.s.
pa te keq e kisha, une e shkreta pranova nje pikture dhurate , hiq me larg se sot.
Aq me pelqej aq me impresionoj me ore te tera vrojtimi ,sa qe zura veten me ate ne dore afer syve duke e vrojtuar si mikroskop dhe nder tjerat mendimi qe me erdhi qe, nje grumbull boje i hedhur shkujdeseshmen ne pelhure qe vetem nga largesia merr forme e trajte e qe vlere te madhe merr .
ku eshte magjia e saj qe bene tjeret te mos pyesin per cmimin pergjate gjithe historise se saj ?

un kam nje problem me ty, nuk kuptoj mire pyetjet. Ka ndodh edhe disa here te tjera.

Ajo qe kuptova eshte se pyete: pse nuk eshte zhduk arti si jane zhduk te tjerat? U pergjigja qe asgje (asnje veprimtari kulturore) nuk eshte zhduk, jane vetem transformuar. Kjo nuk eshte filozofi, eshte nje evidence banale.

Ketu perqendrohu, ose sqaro edhe nje here tjeter ku e ke hallin me fjale te tjera ose sqarohu me gjere.

ok ,
pse piktura paguhet shtrejte e blehet me pare ?

Kjo eshte pyetje tjeter, eshte pa lidhje me te paren. Ose une nuk jam ne gjendje te kuptoj lidhjen.
Pastaj edhe kete pyetje nuk e kuptoj, eshte shume e papercaktuar, un nuk di çfar te them, me duket se eshte njesoj sikur te me pyesesh: pse domatet dhe patatet paguhen shtrenjte dhe blehen me pare.
Ka piktura qe nuk vlejne fare si çmim paresh, ka qe vlejne shume. Eshte krejt relative situata, e çmund te pergjigjem une ne kete rast?

e kuptova .

problemi eshte qe une s’kuptova asgje nga tere ky muhabet. Megjithse s’ka shume rendesi kjo.

Nuk kuptove gje, se pytja (e dyta) nuk u be e plote . Pytja tamam do ishte " Pse pikturat paguhen shtrenjte e blehen me pare kur fare mire mund ti marresh si dhurate ?"
Une per vete i her kam ble pikture, dhe jo se me pelqeu piktura po desha me ndihmu piktoren.

qe ta degradojme artin e banalizojme biseden sqarimi eshte deri diku i perafert ,
p. sh. gjithesecili kupton qepo hyri ne Tiffany produkti qe merr po bleve te merr shume pare ne kembim ( te holla ) sepse ka diamant kryesishte gje qe e arsyetojne si gure te ralle , por piktura qe ka ngjyre kur te merr shume te holla , kete si veshtire isha duke e kuptuar

Ka nje lidhje formale midis dy fenomeneve, se neqoftese ari ose diamanti kane vlefte te madhe ne para sepse jane te ralle ne natyre, edhe piktura, arti dmth, ka vlere ne para ne perpjestim me rallesine e tij. Arti i vertete eshte i ralle (ose konsiderohet i tille nga shoqeria), prandaj ka vleren (edhe ne para) ne perpjestim me rallesine e tij. Psh Mona Liza kushton shume pare, meqe nje Mona Lize kemi de, njecke vetem, nuk kemi 100 Mona Liza!

Kjo relativisht vlen per te gjithe llojet e mallit, psh nese domotet ose patatet do te rriteshin gjithanej si pune e barit ose lendeve te dushkut, atehere do i hanim qyl pa pagu pare.

Sidoqofte problemi i vleftes se vepres artit eshte kryeproblem per te kuptuar thelbin e ekonomise, ne kushtet reale, thelbin e kapitalizmit. Shkrimi eshte nje perpkje ne kete drejtim.

Nuk jam i sigurte nesa ja kam arritur si perpjekje dhe sa kam arritur, por jam me se i sigurte se ky eshte drejtimi i duhur per te zgjidh kete problem, i cili eshte edhe kryproblemi, pra me i rendesishmi, meqe parja (ekonomia) eshte me e rendesishmja. Per pare bohen te gjitha, thote mesia Pjerdh Thomas.

Ma ha menja qe Pjerdh Thomas do ta ket zgjidhur kete problem ne librin e tij famoz Vizione te Pjerdhura. Pranej nuk e lexoj kete liber, per arsye xhelozie.