Kitshi dhe kallpi (Pjesë e V-të)

5) Tmerri kozmik i qenit Lajka

Megjithse kohët moderne janë interpretuar në gjithfarlloj mënyrash, çfarë kanë vërtet të re në epokën moderne është përpjekja prometeike gjigante për të ndërtuar Mbretërinë e Qiejve mbi Tokë pa i marrë dorën Qiellit. Me fjalë tjera mëndësia moderne është prekja me dorë e qiellit prej një njeriu të ndërgjegjsuar për fatin e tij kozmik, ilustruar shkëlqyeshëm prej atit të raketës ruse, Ciollkovskit:

Toka është djepi i njerzimit, por nuk mund të qëndrohet tërë jetën në djep.

Propaganda sovjetike, për të paraqitur çdo fitore si meritë e regjimit komunist, mbulonte - herë me marifet e herë pa pikën e turpit - meritat e traditës fetare ortodokse ruse në ngjizjen e kozmizmit, e cila është një rrymë kulturore e lindur në gjysmën e dytë të shek. XIX e çelur lule në vitet njëzet të shek. XX në gji të kulturës sovjetike. Kozmizmi kishte për themelues Nikolaj Fedorov, i cili ndikoi mbi shumë personalitete rusë dhe sovjetikë si Tolstoj, Dostojevskij, Solovjov, Berdjajev, Florenskij, Gorkij, Lunacarskij, Bogdanov, Andrej Belyj, Platonov, Maleviç, Majakovskij etj. Jo rastësisht Ciollkovskij dhe Vernadskij (nismëtar i fizikës nukleare dhe bombës atomike sovjetike) ishin të dy kozmistë.

Kozmizmi origjinal i vishte universit veti shpirtërore njësoj si ato të njeriut, me fjalë të tjera njeriu dhe krijimi duhet të jenë të bashkuar organikisht ndërmjet tyre. Dhe në fakt Revolucioni - në variantin sovjetik origjinal - kishte për qëllim përfundimtar realizimin e bashkimit njeri-kozmos nëpërmjet zhvillimit të teknologjisë dhe kulturës. Më pas kur u shua zjarri revolucionar, besimi kozmist, në vështirërsi për t’u përputhur me dogmën zyrtare, mbijetoi si klandestin në laboratorët sovjetikë, në mënyrë disi më të dukshme në letërsi dhe krejt hapur në romanin fantashkencor (konsideruar si i vetmi zhanër me nivel i letrave sovjetike edhe prej kritikuesve më të rreptë të soc-realizmit). Shenjë e mbijetesës së kozmizmit në qarqet shkencore sovjetike përbën edhe fakti - i pashpjegueshëm në tjetër mënyrë - që Gagarin, në orbitë rrotull tokës, i dërgoi një përshëndetje simbolike artistit dhe okultistit të famshëm Nikolai Roerich, i cili ishte i arratisur nga Rusia sovjetike në Indi dhe vdekur në Himalajë në vitin 1947. Poeti simbolist Blok - mik i Andrej Belyj (të dy pjesmarrës dhe deri diku aktivë në mjediset okulte ruse të teozofisë dhe antropozofisë) - në poemën Të dymbëdhjetët përshkroi simbolikisht batërdinë e revolucionin rus si një ngjarje me rëndësi kozmike udhëhequr nga një Krisht i padukshëm mitik. Gjurmë të dukshme të kozmizmit duken aty këtu në veprat e Aleksej Tolstoj: Aelita, Qytete të Kaltër, Hiperboloidi i inxhinier Garinit (tre vepra të përkthyera edhe në shqip) dhe tek Misteri gazmor i Majakovskit ku përshkruhet Revolucionin e Tetorit si një ngjarje eskatologjike që çliron prej tëhuajzimit njerzimin, dhe bashkë me të edhe universin. Në këtë vepër të fundit masat popullore çlirohen prej skllavërisë së padronëve, prej kaosit politik dhe ekonomik, nga djajtë dhe parajsa, për të fituar përfundimisht një parajsë toksore në harmoni të plotë me kozmosin. Shkrimtari i famshëm disident Platonov, në fillesat e pushtetit të sovjetëve punoi si inxhinier elektrik duke besuar patundur si stakanovist se formula magjike e Leninit “elektrifikim plus socializëm” do t’i sillte lumturinë popullit rus. Ai shpresonte të begatonte shkretëtirën e tajgës së ngrirë siberiane duke i ndryshuar klimën nëpërmjet një projekti që parashikonte hedhjen në erë me dinamit të maleve Urale (kishte llogaritur deri edhe sasinë e eksplozivit që duhej për këtë punë). Pra ironia e thellë e Platonov kundër rregjimit, shkencës dhe teknologjisë sovjetike ishte rezultat i një zhgënjimi po aq të thellë. Tarkovskij në filmin Solaris - në variantin e pashkurtuar - përshkruan ringjalljen e të vdekurve dhe rikrijimin e mjedisit tokësor prej Oqeanit misterioz të një planeti të zbuluar nga një ndërmarrje kozmike.

Por nuk mund të kuptohet kurrsesi kultura tradicionale ortodokse, Avangarda ruse dhe kozmizmi rus - natyrisht edhe kultura sovjetike si bimë e mbirë në këtë humus - pa konsideruar ndikimin e trashëgimisë së kultit ortodoks të Sofisë. Në traditën ortodokse ruse, Sofia - Dituria e Zotit ose Bukuria e Amshuar - pasqyrohet në botën reale dhe tokësore si kurorëzim i të gjithë vlerave, si qëllimi përfundimtar i ekzistencës. Me fjalë të tjera Bukuria (Sofia) është një realitet i prekshëm tokësor që përmban në vete edhe konceptet metafizikë dhe abstraktë të mirësisë dhe vërtetsisë. Njëkohësisht duhet marrë parasysh se në besimin ortodoks Jezui ka për mision kryesor mishërimin në trup fizik të divinitetit qiellor, ndërsa sipas dogmës katolike shfaqet në tokë për të larë mëkatet e njerzimit nëpërmjet vuajtjes dhe kryqzimit.

Nëse në Rusi kozmizmi i lindur brënda kulturës sovjetike synonte trasformimin universal kryesisht nëpërmjet progresit teknik dhe shkencor - dmth si mendësi racionale -, në Gjermani shfaqet si ana tjetër e medaljes ose mësallës si hyjnizim i iracionalitetit mesianik të përfaqsuar prej grupit kosmische Runde=rrethi kozmik. Ky grup, me eksponent kryesor poetin e famshëm Stefan George, megjithse i vogël dhe elitar, pati një ndikim të madh në kulturën vòlkisch, i cila ishte humusi prej të cilit hodhi shtat kultura naziste. Sipas kozmistëve gjermanë - nga disa studjozë të konsideruar si paraprirës të fashizmit dhe nazizmit - shpirti i njeriut ishte degraduar për shkak të racionalizmit, dhe shpëtimi arrihej nëpërmjet një trasformimi total që do të ndodhte duke ringjallur mitet primitive të tribuve gjermanike të lashta ose nëpërmjet praktikave misterioze të Romës perandorake, mite dhe praktika të humbura për shkak të qytetërimit hebre-krishter. Simpatizantët e nacionalsocializmit: Heidegger, Junger, Carl Schmitt dhe Sombart, ishin të tërë të magjepsur prej teknikës, megjithse neverisnin racionalizmin. Heidegger besonte në mesianizmin e kombit gjerman dhe mendonte se esenca e nazizmit ishte kontrolli mbi teknikën si “dukuri shqetsuese moderne” dhe se:

… e vërteta më intime dhe madhështia e nacionalsocializmit duhen kërkuar në takimin e teknologjisë globale me njeriun modern.

Jo rastësisht eksperimentimi dhe ndërtimi i bombës bërthamore dhe raketave nisin në laboratorët dhe kantieret e Gjermanisë naziste, dhe bitisin në të Amerikës dhe të Rusisë, të cilat akoma nuk kanë bërë të qartë kontributin e tyre origjinal në këtë drejtim. Derimë sot është i qartë vetëm fakti që fitimtarët bastisën laboratoret dhe kantieret e humbësve: rusët zhvatën mjetet, ndërsa amerikanët fuqinë puntore. Këto veprime ishin krejt në përputhje me natyrën e sistemit shoqëror përkatës: njëri materialist dialektik i bazuar kryesisht në mjetet e prodhimit dhe tjetri idealist metafizik i bazuar kryesisht në fuqinë puntore. Dukuria në fjalë doli në pah edhe gjatë garës së pushtimit të kozmosit në kohën e serisë Apollo: amerikanët parapëlqenin drejtimin e anijes kozmike prej pilotit-njeri, ndërsa sovjetikët i bënin yzmetin pilotit-robot.

Njëkohësisht akoma nuk është bërë e qartë (dhe vështirë të bëhet) se sa i detyrohet zhvillimi artistik amerikan - dhe për pasojë, sipas tutje e tëhu të këtij shkrimi, edhe ai ekonomik - Stalinit dhe Hitlerit, përndjekja e të cilëve detyroi ajkën e kulturës ruse dhe gjermane të emigrojë në një vënd që, ndonëse i mungonte majaja për të ardhur brumin e gatimit të së ardhmes, brumin e kishte me tepri. Në këtë vend me mision providencial komplementar me Rusinë (sipas paragrafit të famshëm profetik në fund të vëllimit II të Demokracia në Amerikë të Toqueville), mrekullia ekonomike u shoqërua natyrshëm me mrekullinë artistike sepse në besimin e ri të Etërve Themeltarë komponenti i fetarisë lidhej ngushtë me besimin në teknologji që profetizonte arritjen e shpejtë të një epoke të artë, e bërë e mundur prej progresit shkencor dhe zhvillimit ekonomik. Ky besim, duke i veshur progresit teknologjik veti çliruese për njeriun e nënshtruar fuqisë fetare dhe shekullare, shkonte përtej trashëgimisë së besimit iluminist evropian, saktë si krishterimi i Etërve Themeltarë shkonte përtej ngurtësisë të krishtërimit evropian. Me fjalë të tjera në situatën amerikane besimi në teknologji (niveli estetik ose kozmik) i mbivendoset besimit në fe dhe politikë (nivelit etik ose shoqëror). Mbivendoset vetëm teorikisht, sepse praktikisht e vë përfundi duke e zgërlaqur, dhe është pikërisht kjo zgërlaqje që çliron forcat e frikëshme dhe marramendëse të zhvillimit ekonomik dhe sofistikimit teknologjik amerikan (me pasojë mundësi për të bërë shëtitje nëpër hapsira kozmike). Për përftuesit - mbetur pa pika referimi qendrore që jep besimi në Zot - perceptohet si ankth apokaliptik kërcënues në nivelin kozmik, si shkatërrim herët a vonë i të gjitha gjërave të krijuara (i mirënjohur kontributi i Hollivudit në këtë drejtim). Pikërisht sepse shoqëria amerikane përjeton deri në fund konfliktin njeri-krijim, në origjinë raport komplementar, arti i saj arrin ta përshkruajë përsosur ndjenjën e katastrofës (Melville) dhe ankthin kozmik (Poe dhe Lovecraft). Ndërsa arti evropian mezi arrin ta bëlbëzojë, dhe di të përshkruajë mirë vetëm ankthin psikologjik të individit të cfilitur prej konfliktit shpirt-trup, dhe, mbivendosur atij, ankthin e konfliktit mashkull-femër me sfond konfliktin social dhe larg në horizont shkatërrimin apokaliptik. Megjithse person krejt i izoluar dhe pa ndikim mbi bashkëkohësit, Poe tejkaloi si kohë, sasi dhe cilësi ambicjet demiurgjike të eksponentëve të Avangardës evropiane dhe kozmizmit ruso-evropian. Ai mendonte të udhëhiqte dhe ndriçonte si një Demiurg tokësor mendimet e njerzimit nëpërmjet botimit të një reviste, gjithashtu besonte se kishte fuqi demiurgjike mbi realitetin sepse mjaftonte që të mendonte i përqëndruar skajshëm për një objekt dhe ai të shfaqej para syve të tij, se kishte zbuluar sekretet e Zotit duke shpjeguar “fillimin dhe fundin e të gjitha gjërave” dhe se tamam kur Poe përshkruante në poemën në prozë Eureka (pararendëse profetike e Teorisë së të gjithës ose Teorisë Unike në fizikën moderne, që përshkran një situatë kozmike përfundimtare të llojit Big Crash), kozmosi ndiqte të njëjtin fund. Ndërsa për Lovecraft - pasuesi më i denjë i Poes (konsideruar prej kritikës “Poe kozmik”) - frika prej mynxyrave në nivelin shoqëror ose etik: vuajtje, vrasje, krime, përdhunime etj, janë krejt banalë. Sipas tij - teorizuar në librin Teoria e tmerrit -, tmerri i vërtetë, që ngre qimet e kokës përpjetë, është lebetia e ndjerë në nivelin kozmik (ose estetik nga pikpamja e këtij shkrimi), prandaj ai konsideron - dhe në këtë katandi me plot të drejtë - zhanrin fantahorror si maja më e lartë e artit.

fund i pjesës V


pjesën e mëparshme e gjeni këtu