Lufta e Ftohtë si konflikt kozmik (Pjesa e parë)

Gjatë Luftës së Ftohtë Amerika dhe Rusia ishin kombe me rëndësi providenciale që kishin në dorë fatin e botës, gjë e profetizuar - saktë një shekull më parë se të bëhej realitet i dukshëm për të gjithë - prej Alexis de Tocqueville në fragmentin e famshëm në fund të vëllimit të II të Democratie en Amerique (1835):

Sot mbi tokë janë dy popuj të mëdhej që, nisur nga pika të ndryshme, duket sikur bëjnë përpara drejt të njëjtit qëllim: janë Rusët dhe Anglo-amerikanët. (…). Amerikani lufton kundër pengesave që i kundërvë natyra; rusi merret me njerëzit. Njëri lufton shkretëtirën dhe barbarinë, tjetri qytetërimin veshur e ngjeshur me të gjitha armët e tij: kështu pushtimet e amerikanit bëhen me plugun e bujkut, ato të rusit me shpatën e ushtarit. Për të arritur qëllimin e tij i pari bazohet mbi interesin personal dhe lejon të veprojnë pa udhëzim forcat e individit. I dyti përqëndron, në një farë mënyre, në një njeri të vetëm fuqinë e shoqërisë. Njëri ka për mjet kryesor të veprimit lirinë; tjetri shërbimin. Pikënisjet e tyre dallohen njëra nga tjetra, rrugët e tyre janë të ndryshme; megjithkëtë të dy bashkë duken të thirrur nga një plan sekret i Providencës për të mbajtur një ditë në duart e tyre fatet e njërës gjysmë të botës.

Natyrat e ndryshme duken sheshit në mënyrën e kolonizimit: në sulmin amerikan drejt bregut perëndimor të Paqsorit ushtria vjen e fundit mbas bylykut të eksploratorëve, gjuetarëve, bujqëve, barinjve, minatorëve, tregëtarëve, bankierëve. Ndërsa në sulmin rus drejt lindjes siberiane, përkundrazi, ushtria vjen menjëherë mbas eksploratorëve duke i paraprirë zanateve të tjerë të përmëndur më sipër. Nëse në rastin e Amerikës qyteza ngjizet rreth postës, stacionit të hekurudhës, zyrës së gjykatësit, noterit, bankës etj, në rastin e Rusisë qyteti ngjizet përreth garnizonit, fortesës, njësisë ushtarake kozake etj.

Intuitën e parë rreth kësaj çështje e pati Napoleoni, i cili, mbasi përfundoi aventurën e tij ambicjoze për t’i dhënë botës një qendër (evropiane si revolucionare franceze), i dërmuar prej rusëve dhe i mposhtur përfundimisht prej anglosaksonëve, i mërguar në ishullin e Shën Elenës thoshte se bota do të bëhej së shpejti “një republikë amerikane ose një monarki universale ruse”. Në vazhdimsi të tij Hitleri me të njëjtën ambicje për t’i dhënë botës një qëndër (revolucionare gjermane dhe evropiane), u kap fytas njëkohësisht me republikën rosveltiane dhe monarkinë staliniane, dhe përfundoi i zgërlaqur mes tyre njësoj si Napoleoni.

Interpretuar nga pikpamja politike dikotomia Uashington-Moskë përbën dallimin midis përkatësisht revolucionit anglez dhe revolucionit francez (njeri kryer pothuajse pa gjak dhe tjetri si kasapanë me simbol karamanjollën), ndërsa interpretuar nga pikpamja fetare përbën dallimin midis protestantizmit dhe ortodoksisë, të cilat përbëjnë përkatësisht fundin dhe fillesën e krishtërimit, i cili në fillim përhapet në Azi të Vogël dhe Lindje të Mesme, dhe vetëm më pas vë këmbë dhe hedh rrënjë në Evropë. Në vazhdimsi të ndarjes lindje-perëndim, përfaqsuar nga konflikti Greqi-Persi, krishterimi ndahet në perandori të ritit bizantin (ose ortodoks që pretendon se ruan të pastër burimin origjinal të krishtërimit), dhe perandori të ritit roman. Kurse në vazhdimsi të ndarjes veri-jug (konfliktit midis popujve gjermanikë dhe popuj romanikë), ndahet në ritin latin katolik të vëndeve jugore mesdhetare - të cilët ruanin traditën romake - dhe ritin protestant të vëndeve të Evropës veriore. Protestantët kundështuan Romën në emër të krishtërimit origjinal, madje në disa aspekte duke u rikthyer në mendësinë hebraike. Por çfarë dallon protestantizmin amerikan prej protestantizmit evropian është përpjekja për ta plotësuar më tej zbulesën e krishterë, sepse në fakt kombi amerikan ngjizet kulturorisht prej sekteve të reja të përndjekura në Evropë. Jo rastësisht pika e parë e amendamentit të parë të kushtetutës amerikane garanton lirinë fetare dhe në këtë kushtetutë flitet vazhdimsht për Zotin, e ç’është më e rëndësishme pa përmëndur asnjëherë Kishën ose Krishtërimin (gjë që e çliron nga akuza “fundamentaliste”). Megjithse në shoqërinë amerikane Kisha si institucion është e ndarë prej shtetit në mënyrë më të prerë se në Evropë dhe kudo tjetër, feja - ose më saktë fetaria - ndikon rëndë mbi zhvillimet politike të shoqërisë pa ndërhyrjen e institucioneve fetare, bazuar vetëm në qëndrimin dhe sjelljen e individit. Krejt ndryshe ndodh në Evropë ku kishat e institucionalizuara kanë qenë historikisht protagoniste në kulturën evropiane dhe kanë kushtëzuar zhvillimet shoqërore nëpërmjet autoritetit, doktrinave dhe jerarkisë se tyre.

Nga gjithçka më sipër mund të kuptohet vlera e vërtetë dhe e jashtëzakonshme e demokracisë amerikane, e cila nuk ka vlerë vetëm në vetvete (rasti më tipik Fukujama që e konsideron atë Fund i Historisë), por kryesisht ka vlerë eskatologjike, si pritje e zbulesës së re që do t’i japë fund përfundimisht historisë. Lirija e demokracisë amerikane - garante e demokracisë në botë (të tjerat, sidomos demokracia evropiane, hanë qyl në kurriz të saj) - herë e tallur e herë ngritur në qiell sipas qefit dhe interesit, në fakt ka vlerë të jashtëzakonshme si garante e zbulesës së re të dëshmuar dhe vënë në jetë pa rrezikun e asgjësimit prej zbulesës së vjetër (siç rëndom në histori, dhe në veçanti me krishtërimin, i cili zë fill me masakrimin e themeluesit të tij). Porosia e fundit që pastori John Robinson u dha pelegrinëve para se të ngjitnin shkallët e kuvertës së anijes Mayflower ishte:

Mbajeni vath në vesh, mos kini frikë të shkoni përtej Luterit ose Kalvinit, sepse Zoti ka gjithnjë e më tepër dritë për të përhapur prej Fjalës së Tij.

Në këtë vazhdimsi personalitete politikë amerikanë shpallin, herë sheshit e herë nënkuptuar, mesianizmin e SHBA: presidenti Washington i shkruante La Fayette: “Kemi hedhur një farë lirie dhe bashkimi që do të mugullojë pak nga pak në të gjithë tokën. Një ditë, sipas modelit të Shteteve të Bashkuara do të themelohen Shtetet e Bashkuara të Evropës. Shtetet e Bashkuara do të jenë ligjvënësit e të gjithë kombësive”, Regan quante Amerikën “fari i shpresës së tërë njerzimit”, Madeleine Albright e quante “komb i domosdoshëm sepse fluturon lart dhe sheh më larg”, sipas Henri Kisingerit - i cili theksonte “jashtëzakonshmërinë” e kombit amerikan - presidenti Wilson ishte i bindur që SHBA mund dhe duhet të shpëtonte botën: “Wilson i vishte Amerikës një rol mesianik: detyra e saj nuk ishte vetëm të mbështeste ekulibrin e forcave, por të përhapte në tërë botën parimet që e qeverisnin” (Kisinger, Arti i diplomacisë ), ndërsa Clemenceau tallej me presidentin Wilson duke thënë: “i është mbushur mendja se është Jezu Krishti” (pa këtë mbushje mendjeje mesianike, nuk do të ish bërë Shqipëria). Nga sa më sipër nuk përbën ndonjë çudi të madhe çfarë shpalli presidenti Bush në lidhje me misionin e Amerikës, dhe si kundërpërgjigje çfarë thuhej kundër të tij, i quajtur nga kundështarët laikë fundamentalist njësoj si Bin Laden, e ndoshta më i keq se ai. Parë hollë hollë dy shpirtërat që karakterizojnë historikisht politikën e jashtme amerikane: interventizmi dhe izolacionizmi, janë dy faqe të të njëjtës medalje që dëshmojnë jashtëzakonshmërinë e kombit amerikan në luftën kundër të keqes të përbotshme, herë duke ndërhyrë në mënyrë aktive dhe herë duke i bërë magji nga larg në mënyrë pasive.

Nga sa më sipër del qartë dallimi i demokracisë fetare amerikane prej demokracisë ateiste sovjetike, të dyja pjella të demokracisë laike (agnostike) evropiane, një demokraci as mish e as peshk, ose më saktë edhe mish BS-je edhe peshk SHBA-je. Në fakt SHBA dhe BS janë shpalosja në dy krahë e ngërçit bipolar evropian fetar-laik dhe derivatit të tij politik majtë-djathtë, imitim i ngërçit të personit që dymijë vjet më parë u gozhdua përkrah dy hajdutëve, njëri majtas që e provokoi e tjetri djathtas që e mbrojti, simbol i pastër profetik i mohimit ateist të Zotit prej BS dhe pohimit fetar të Tij prej SHBA. Në shek. XX zanafilla e krishtërimit (ortodoksia) bie ndesh me përfundimin e rrugtimit të tij (protestantizmi), pra konflikti midis dy superfuqive SHBA-BS, ekuivalent me ortodoks-protestant, lindje-perëndim, djathtë-majtë (në politikë), ateist-besimtar etj, mbyll qarkun duke vënë në kontakt fillimin me fundin, fillimin e kohëve me Fundin e Kohëve. Nga kjo pikpamje konflikti në fjalë rezulton me rëndësi providenciale, dhe është dëshmi e gjallë që në Luftën e Ftohtë përjetohen Fundi i Historisë në dialekt laik, alias Ditët e Fundit ose Ardhja e Dytë në dialekt fetar.

Nëse liria e demokracisë amerikane garanton Ardhjen e Dytë, demokracia sovjetike mbahej sikur të ishte Ardhja e Dytë dora vetë, dhe kjo ambicje nuk lindi ashtu kot nga hiçi ose nga kaploqja e ndritur e Leninit, por ka qenë gjithnjë e pranishme në kulturën ruse, dhe vazhdon të jetë akoma në një farë mënyre. Nën thundrën e perandorisë ortodokse ruse që vetëkonsiderohej si përfundimtare mbi dhe (miti “Moska Roma e tretë”, “e nuk do të ketë një të katërt”), me kalimin e kohës rritej tensioni eskatologjik i krishtërimit origjinal, derisa sa shpërtheu furishëm në Revolucionin e Tetorit, ku u pa se çfarë soji ishte “Roma e tretë” ortodokse ruse (sepse ekziston edhe një “Romë e tretë” katolike dhe fashiste musoliniane, dhe një “Rajh i Tretë” protestant me të njëjtën ambicje). Në perëndim zakonisht kisha ortodokse zyrtare ruse paraqitet rremësisht si kollos uniteti (njëlloj si edhe shteti rus në shekuj), dhe pak njihet se para Revolucionit të Tetorit ekzistonin në Rusi një mizëri e tillë sektesh milenariste dhe mesianiste që vetëm në Amerikë mund të ndeshej si fenomen (tjetër shenjë shumë domethënëse e ngjashmërisë komplementare midis këtyre dy vëndeve). Për më tepër fanatizmi fetar dhe radikalizmi politik i sekteve mesianikë rusë nuk ndeshej asgjëkundi në botë. Të përndjekur prej kishës zyrtare, Besimtarët e Vjetër çvendoseshin kryesisht drejt lindjes (në shumë krahina të Siberisë përbënin shumicën e popullatës), sa më larg dekadencës dhe luksit të Rusisë perëndimore (evropiane), saktë njësoj si kundërfigurat e tyre puritanët (sektet protestantë) ja mbathën drejt Perëndimit për t’i shpëtuar përndjekjes dhe dekadencës së krishterimit evropian. Gjithashtu njësoj si puritanëve Besimtarëve të Vjetër u venin mborth punët e bujqësisë, tregtisë dhe industrisë (teza e famshme e Max Weber). Mbas masakrimit fillestar, Besimtarët e Vjetër pak nga pak u pranuan si pjesë normale e popullatës duke u përhapur kryesisht në fshatarët e pasur (kozakët) dhe në klasën tregtare-industriale: në vitin 1917 ata përbënin një të dhjetën e popullsisë (17 milionë vetë) dhe zotëronin më tepër se gjysmën e kapitalit kombëtar; sekti Skoptsy - degëzim i Besimtarët e Vjetër - ishte shumë i përhapur në bizhutierët dhe argjëndarët e Pjetërburgut, Moskës, Rigës, Odesës etj. Duket sheshit një analogji edhe me hebrejtë, të përndjekur njësoj si besim sektar, njësoj të detyruar të merren me tregëti, biznes, bizhuteri, banka etj, dhe po njësoj me fatmëdhenj në grumbullim pasurie.

Pritja mesianike e një mbretërie shënjtorësh dhe të pastërve shpirtërisht, të realizuar në përmasën politike dhe shoqërore, zë fill prej të “hebreizuarve” mesianikë rusë të fundit të shek. XV - analogë me zelotët e Thesalonisë të shek. XIV - dhe merr trajtë përfundimtare në shek. XVII me Besimtarët e Vjetër (Raskol) që kërkonin mbretërinë e “Carit të bardhë”. Mbi këtë humus kulturor hedh shtat bima tipike ruse e quajtur intellighenzia, e lindur nga dështimi i komplotit të dekabristëve. Ndryshe nga kuptimi që i jipet sot termit - racë njerzish superiorë që nuk besojnë as në këmishën që kanë veshur - intellighenzia origjinale, sipas Berdjajevit, ishte e ngjashme “me një urdhër manastiri, me një sekt të pajisur me moralin e vet, tepër i rreptë … i cili njihej lehtë deri edhe prej paraqitjes fizike”. Dëshmi të kundërtisë (ose komplementaritetit) ortodoksi-protestantizëm përbën fakti që - krejt ndryshe nga besimtarët protestante në perëndim (Reforma) që ngritën krye kundër autoritetit të klerit sepse dëshironin ndryshime të mendësisë dhe ritit tradicional (katolik) - në Rusi besimtarët u rebeluan sepse nuk donin të pranonin as më të voglin ndryshim të ritit tradicional që propozoi kryesia e Kishës; për Besimtarët e Vjetër reforma e kishës ishte fundi i botës, ndërsa patriarku reformator Nikon ishte Antikrishti dora vetë. Nikon ishte një lloj kundërfigure e Martin Luterit, të dy njësoj, me ambicjen për të ristabilizuar krishtërimin origjinal (në rastin e Nikon ardhur prej Bizantit) dhe të akuzuar njësoj për revizionizëm të krishtërimit, tronditën rendin e vendosur në shekuj. Tjetër dëshmi e kundërtisë (ose komplementaritetit) ortodoksi-protestantizëm përbën fakti që nëse reforma protestante synonte çpolitizimin dhe çlatinizimin e fesë (çkatolizimin), në thelb një rebelim i shpirtit kundër trupit, kisha e reformuar e Nikonit, jo rastësisht e dëshiruar dhe mbështetur me forcë prej carit Aleksej, synonte politizimin e kulturës fetare ruse ose nënshtrimin e fuqisë shpirtërore prej fuqisë shekullare. Kjo ambicje realizohet prej birit dhe trashëgimtarit të carit Aleksej - Pjetrit të Madh, i cili imponoi modernizimin nga lart të Rusisë - dhe plotësohet e përfundohet prej Stalinit. Elita bolshevike ishte vazhdimsi dhe trashëgimtare e drejtpërdrejtë e intellighenzia, e cila ishte një urdhër fetar me ambicje laike që luftonte pa asnjë kompromis pushtetin e carit, të konsideruar mishërimi i të keqes në vetvete; madje edhe kundështarët e regjimit sovjetik huazojnë emrin disident= raskolnik nga “Besimtarët e Vjetër” (jo rastësisht Dostojevskij quan Raskolnikov protagonistin rebel të romanit të tij Krimi dhe ndëshkimi ).

Besimi në mesianizmin e popullit ortodoks rus ishte buka që ushqehej inteligjencia ruse: Çadajev, megjithse mohonte origjinalitetin e jetës shpirtërore ruse, mendonte se “Rusia është e paracaktuar të ketë një të ardhme të madhe shpirtërore: ajo duhet të zgjidhë të gjitha problemet që mundojnë Evropën”; Dostojevskij shkruante: “Rusia do të kurorëzojë Evropën dhe fatin e saj sepse vetëm Rusisë i përket e ardhmja” dhe “I vetmi popull teofor në të gjithë tokën, i cili është autorizuar të rinovojë dhe shpëtojë botën”; Solovjovi e shihte mesianizmin e Rusisë në realizimin e bashkimit të gjitha kishave dhe në strukturën teokratike të shtetit rus që qëndronte “në riprodhimin e saktë të shëmbëllimit të Trinitetit hyjnor mbi tokë”; pohime të ngjashme bëjnë Çomjakov, Hercen, Berdjajev etj.

Asnjë popull (…) përveç popullit hebre, zotëron një vetëdijë mesianike, bindjen se është i zgjedhur për bëma të mëdha dhe detyra universale si populli rus. Kjo manifestohet gjatë historisë ruse deri në periudhën komuniste - Nikolai Berdjaev, Origjina dhe shpirti i komunizmit rus.

Pjesa më e madhe e bolshevikëve të parë ishin të bindur që marksizmi ishte një fe pa Zot dhe që revolucioni komunist vendoste njeriun në fron të Zotit, dhe sipas Berdjajevit revolucioni bolshevik identifikoi mesianizmin rus me mesianizmin proletar. Këto lloj salto mortale ideologjike janë rutinë në historinë e kulturës ruse, ku njësoj carë dhe intelektualë të shquar hidhen skicofrenikisht nga mësimet iluministe të Volterit në mësimet obskurantiste të Ungjillit (dhe anasjelltas), nga rebelë kthejnë faqen në konservatorë (në çdo kthim faqje duke ruajtur gjithnjë trashëgiminë e faqes tjetër): Dostojevskij nga anarkist konvertohet me zbulesë në ungjillorist, Solovjov hidhej e përdridhej midis humanistit iluminist dhe krishterit universalist, vetë Berdjajev - njësoj me të dhe Mereskovskij, Bulgakov etj - ishte një marksist i penduar që iu rikthye mësimeve të Ungjillit (shëmbulli carist më tipik i kthimit të faqes, si mësalla me dy faqe, është cari progresist Aleksandër I që përfundoi jetën si fanatik fetar).

Fund i pjesës së parë


Foto ilustruese huazuar nga ketu

Liberali jonë rus është një lake para së gjithash, dhe kërkon vetëm ndonjë që t’i llustrojë këpucët - Dostojevskij.

duke i bërë magji nga larg në mënyrë pasive
:wink::wink:

Analize qe te imponon ta lexosh disa here jo vetem se eshte mjaft i bukur zberthimi centrifugal i ceshtjeve dhe me pas gershetimi fin gershet mbi gershet, por edhe sepse nuk eshte edhe aq e lehte ta kuptosh krejt me lexim te pare nje sinteze kaq te koncentruar.

1 Like

Tiku, shkrim i mire ky. Po gjeja me e mire qenka qe Peshku paska rene ne koma. Xhan-xhin 4 komente e gjysem ne dite. Qenkan zhdukur te gjithe. Mbase eshte koha per t’u kthyer prap e bere nje dore muhabet si dikur, me shpresen qe mos na mblidhen serish ketu gjithe brejtesit e blogjeve nga jane e nga s’jane. :slight_smile:

aha, aty mau ti tek shoqnia e vjeter, nuk kthehesh dot më “tek guri” e Edi Rames, ose “tek gota” e Shvejkut :slightly_smiling_face:. Ajo kohe ishte patetike si fillimet e revolucioneve, Peshku ka qene avangarde e rev. virtual. Ka ndryshuar shum gjera qe atehere, duhen motive te tjera per te bere diçka te ngjashme.
Plus qe epoka e blogut ka marre fund ne fenomenin fejsbuk, nuk e di se çfar mund t’i beje njerzit perseri te diskutojne ne agora virtuale. Ndoshta duhet nje teknologji e re blogu me resme dal dal vivo me te folme, jo vetem me te shkrujtme. Ose ndonje Revolucion tjeter ne nivel global qe tregon vizione te reja, dmth shpresa te reja.
Por sidoqofte te ndodhi, dora e vjeter e gurit nuk besoj se ringjallet me. Ka qene teper cinike.

Aqua, nuk e kupjoj citimin tend. Nga e ke marre?

Varet. Me dialektiken lineare te Heraklitit eshte e pamundur, po me ate spiralen e Engelsit mund te vish gjithmone verdalle nje pike duke u ngjit me lart si tip ashensori. Nejse, jam kurioz ku do dalesh ne fund se tani si shume e ngatrrume duket. Shpresoj qe nuk e ke me 18 seri si “Kapiteni Klos”.
P.S. Kot me t’pyt, kjo akuamarina mos eshte gje Eli Fara?

Ne fund do te dal aty ku kam dale gjithmone pothuajse ne çdo shkrim timin. Ky fund eshte, ndryshe nga linja e Heraklitit, dhe spiralja e Engelsit, vetem nje pike, dhe e njejta Pike.

Eshte vetem kjo Pike qe i ben derman robit, nuk te ben derman, as linja e Heraklitit dhe as spiralja e Engelsit.

Me pyetjen qe ke bere ne fund, tregon se nuk te ka bere zengjin as spiralja e Engelsit. Nuk besoj se e ke te gjate ne kete vizite per here te dyte. E ke bere per nostalgji sentimentale, si vizite ne varreza.

Ne nje second thought mbase ke te drejte qe s’ke c’ben me ketu. (Brrrrr, e kisha harruar kete aftesine e peshqve per te te pare thelle ne shpirt.) Me vjen keq qe ta prisha vakine. Ndersa per akuamarinen te pyeta se me ate koment me kujtoi kengem e Eli Fares
40 pale gersheta
Ti numurova pa fjeta :slight_smile:
Po mbase jam gabim si gjithmone.

Ti nuk me prishe fare vakine, e para se ti me lavderove shkrimin, ndryshe koleget e tu, ata qe e kane per zakon te komentojne nje here ne senet, e te hedhin eskremente mbi teme mçef mas ferre. E dyta nuk me prishet me vakia se eshte prish çar eshte per te prish. S’kam me iluzione me bo ngambrapadiskutime ne epoken ngambrapa. Kryesorja eshte qe Peshku me jep mundesine me botu, dmth me shkrujt, gje qe me jep kenaqsine kryesore. Une shkruj, kjo eshte kryesorja, neqoftese ndonjeri me lexon, bereqaves, neqoftese edhe me lavderon, bereqavers akoma me teper. Neqoftese me shan, bereqaves prapë, ja bej qefin vetes edhe ne kete rast, a kan nga inoti them. Do i kaloje, zoti i shtofte inotin.

Ndersa per ty nuk kam bere analize, dmth nuk ke pse ben brrr sepse nuk kam se nga ta di perse te je duk perseri. Ndoshta je duk qe te marresh dosjen e Peshkut qe te kane hap dikur :stuck_out_tongue:. Vetem ti e din psene e vertete.

Ndersa un di ne pergjithsi çfar ndodh kur njerzit kthehen ne nje vend qe dikur e frekuentonin. Do prek vetem nje aspekt, sepse vete gjate me i sqaru te gjitha, aspektin e ndryshimit te njerzve me kalimin e kohes. Ne pergjithsi njerzit nuk ndryshojne, as nuk mesojne te reja, as nuk i harrojne te vjetrat. Pra vetem degradojne, ju rritet entropia dhe elementet metalike ne trup, dmth plaken.

Ndyshimet njerzve ju vijne nga kriza te thella qe i lidhin me vdekjen, o ndonje kancer vdekjeprures i sheruar nga nje mrekulli e pashpjegueshme, o ndonje depresion i thelle nervor per shkak te nje humbje te madhe shpirterore.

Dmth pa eksperiencen e vdekjes nuk ka ndryshim te personit.

Prandaj jane te ralle ndryshimet e njerzve, dhe prandaj une nuk marr guximin te bej analiza te thella me berr e perr e terr pa i ditur mire si i ka punet personi. Dhe kjo nuk behet kurre ne anonimitet virtual.

Pra fola vetem ne pergjithsi.

@InkuizitoriMoth
Ti e di që të lexojmë, unë dhe të tjerë me siguri, ndaj vazhdon dhe shkruan anipse s’të përgjigjet njeri. Nga e di unë që ti e di, do pyesësh. Ja ashtu, si peshku. :slight_smile:

1 Like

PF, paskam haru pa t’thone shpehjen me grandioze eros-thanatos te Peshkut:

I ke marre ilaçet? :smiley:
A ke zene dashnore? :smiley:

Qe thu ti PF (te shtojme i çike komentet se s’ka fare), edhe kur ndodh mrekullia qe ndonjeri arrin te ndryshoje, veshtire se e vere re njeri. I ndryshuar apo i pa ndryshuar personi, nese takon nje te njohur te vjeter pas shume kohesh pa u pare e pa u vetë, e ke te garantume frazen standard:

S’paska ndryshu fare … filani, po i pari ka met, inoksidabel!

Dhe e di pse ndodh kjo?
(kujdes se pergjigja eshte nje fare testi per te kuptu nese ke ndryshu ti apo jo, je nryshk apo jo)

Citimin e mora nga shkrimi, me pelqeu si koncept si i qaset Amerika te keqes se perbotshme, sic eshte permendur here ne menyre aktive me lufte direkte e here pasivisht ‘me magji’. Ndersa komenti im poshte citimit ka lidhje me shkrimin jo me citimin.

Mu desh ta lexoja perseri shkrimin derisa e gjeta citimin, nuk me kujtohej, pranej te thashe. Siç duket kam fillu me u plak, eshte shtu teper perqindja e metaleve ne trup.

Falemneres per komplimentin.

1 Like