“Është një formë fëlligështie të riveshësh me ëndrra një realitet tashmë të mbarsur me kuptimet e tij”.
Frazë e një anonimi ndeshur rastësisht në një muhabet web-i lidhur me dallimin midis “të dashurosh” dhe “të duash” fjalë që mezi dallohen në mes tyre në shqip. Fraza në fjalë përbën përkufizimin më të përsosur dhe më të saktë të kitsch-it; njëkohësisht dhe më të gjëre si kuptim, sepse me këtë përkufizim i bie që “kitsch” pothuajse të jetë ekuivalent me “art”.Që “kitsch” të identifikohet plotësisht me art, fraza duhet plotësuar pakëz:
“Është një formë fëlligështie të riveshësh me ëndrra një realitet tashmë të mbarsur me kuptimet e tij ose përkundrazi, ta çveshësh nga çdo lloj kuptimi”.
Të parën fëlligështi e bëjnë romantikët klasikë, të dytën modernët kontemporanë.
Kultura është “elitare” me përkufizim, dhe zbatimi i parimeve demokratike në sferën e dijes e vendos mençurinë dhe idiotësinë në të njëjtin nivel - Iosif Brodskij
Kjo deklaratë është ekuivalente me:
Pasuria është “elitare” me përkufizim, dhe zbatimi i parimeve demokratike në sferën e punës e vendos pasurinë dhe varfërinë në të njëjtin nivel.
Besoj se jam ushqyer me tolerancë që në fëmijëri, në familje. Babai kishte qenë partizan dhe votonte për komunistët, ndërsa nëna ime ishte tepër katolike, me gjunjë të shënuara nga gjunjëlutësja. Besoj se pa tolerancë reciproke ata nuk mund të jetonin kurrë bashkë - Tiziano Terzani, Të shikosh lulet prej një kali në vrap e sipër (2014)
Konflikti, ku më shumë e ku më pak: nëna ndjek don Camillo-n (DC) dhe babai ndjek don Peppone-n (PC), është problemi klasik i Italisë (dhe jo vetëm) deri në vitin 1989, madje në të vërtetë ende vazhdon të jetë, vetëm se më i përhapur, i falsifikuar dhe i holluar si solucion për shkak të rritjes së entropisë ose vdekjes termike, thënë më troç: i degraduar. Ka humbur edhe vlera negative e konfliktit si energji që mbante në këmbë karabinanë e shoqërisë, ka mbetur vetëm një përzierje mbeturinash historike. Në vend të dashurisë, projektuar origjinalisht si destin njerëzor, është e pranishme vetëm paluzja e tolerancës e brohoritur nga handikapatet impotentë.
1234567890
Mos shih gunën, por shih punën! - thotë populli.
Jo ore popull që nganjeherë ja fut pordhës me oksimorë më keq se intelektuali i shquar, i cili jo më kot ka dalë prej gjirit tënd, duhet thënë: shih çfarë ka guna brënda, që është tëpkë çfarë ka puna (vepra) brënda.
Po ata intelektualë të shquar që i bëjnë yneret e duhura mauzoleut të shkrimtarit kombëtar, Nolit, Konicës, Kadaresë, se kanë për gjë të shtien në varr të gjallë pretendentin e rradhës për sistemim në antologjinë e ardhme letrare.
Gjithë ditën dje dhe sot dëgjohen vërdallë bërtitje “auguri, auguri!”, kaq pa shpirt e kaq pa jetë, aq sa duket sikur po ja veshin n’shpulla njëri tjetrit.
#aurime
Disa libra, fatkeqsisht jo pak, do të kshte qenë më mirë të mos i kisha lexuar kurrë, njësoj si disa persona do të kshte qenë më mirë të mos i kisha njohur kurrë. Dje po kërkoja një citim, që më duhej se ashtu ishte një punë, në një libër të lexuar kohë më parë, dhe nuk po e gjeja dot sepse nuk mund të lexoja më mendime dhe ndjenja të përjetuara nëpër kanalet e ujrave të zeza. Pyesja veten: si kam mundur të arrij të lexoj gjëra të tilla? Dhe nuk ishte një libër apo autor dosido.
Një pyetje nuk është kurrë budallaqe, është vetëm thjeshtë një pyetje si një entitet neutral. Përkundrazi, përgjigja e pyetjes mund të jetë budallallik me brirë, dhe kur përgjigja është e tillë, edhe pyetjes më inteligjente i dalin brirët, sepse bota ka strukturë binare dialektike, është me brirë .
“Nuk e kuptoj përse kur them se jam njeri pozitiv, të gjthë largohen prej meje sikur kam kolerën”.
o mik ron
ron or ron
nuk ngordh kolera
Më tepër se komunizmi vetë është bërë makth muhabeti rreth komunizmit.
… shkohet në hotel o për të dashuruar o për të vdekur - Richard Millet
Shkohet në hotel për të vërtetuar ekzistencën e arketipit eros-thanatos - i Modhi
(dhimbja) maturon interesat dhe interesat mbi interesat - Junger
Nga pikpamja e historisë providenciale mund të thuhet fare mirë e njëjta gjë duke zevëndësuar termin “dhimbja” me “mëkati origjinal”.
Mëkati origjinal maturon interesat dhe interesat mbi interesat. Ky është thelbi i historisë, të cilën studjuesit dhe njerzit e kulturës në rastin më të mirë e shpërfillin dhe në rastin më të keq përpiqen ta fshehin, duke u hapërdarë në pirgun kaotik të fakteve të dokumentuara dhe të interpretuara sipas interesave dhe kontekstit të kohës.
Në situata tragjizmi tejet të thellë, të vërtetën e thonë vetëm karagjozët sepse në situata tragjike e vërteta mund të jipet vetëm në formë karagjozllëku. Prandaj në situatën kolerike që përjetojmë, karagjozët komikë janë më të sukseshmit e më të ndjekurit, sepse janë ata që e thonë të vërtetën, duke e përtallur.
1234567890
-Ky shkrim nuk do të thotë asgjë!
-Ky shkrim don të thotë asgjënë!