Debati është i marrë fund që pa filluar kur debatuesit nisen nga premisa ose aksioma të ndryshme, dhe aq më keq edhe të kundërta, gjë që në mënyrë fatale e degradon debatin në grindje.
-Për të vlersuar një fenomen ose produkt kulturor unë i referohem gjithnjë Providencës, ose pikpamjes providenciale, historisë providenciale etj, nuk i referohem çfar ka thënë kyna që është i modh se aina, apo ai tjetri atjena që është akoma më i modh se ky i modhi ktuna; pra nuk i referohem konfuzionit kulturor bashkohor, të cilit as nuk mund t’i referohesh dot, pikërisht meqë konfuzion. E si mund t’i referohesh konfuzionit “y sa i modh osht kyna e aina”? Në fakt ti me shokë shumë i referohesh këtij konfuzioni, prandaj nuk merremi dot vesh bashkë. Por nuk është se ti merresh vesh me shokët e tu konfuzionistë, në konfuzion gjithsekushi punon për hesap të vet. E vetmja gjë që ju mbledh bashkë është anarkia e pikpamjeve, që tani i jipni një llustër politike të modës, si pluralizëm pikpamjesh që pasurojnë, tolerancë, liri mendimi etj, shoqëruar me - sipas rastit - justifikimin: “jo si dikur që ishte vetëm pikpamja e Enverit”, ose kërcënimin: “çfar don të bësh, të na sjellë mbrapsht në kohë të Enverit?”; gjëra të këtij lloji që tani ka do vjet ushtojnë anë e mbanë ngado në mes të konfuzionit.
-Por në këtë mënyrë vështirë të merremi vesh bashkë ndonjëherë, sepse pikëpamja providenciale më duket e çuditëshme edhe si shprehje, nuk e përmënd njeri, më duket si term mesjetar totalitar.
-S’do mend që nuk merremi vesh, madje vazhdimisht keqkuptohemi, edhe grindemi! Dhe kryesisht për faj tënd, unë kam me ty të njëjtën vështirsi që ke ti me komshiun, kunatin ose me shitësin e zarzavateve në cep të rrugës. Hë provo t’i shpjegosh atyre që në bazë teorisë së relativitetit masa e një objekti rritet për shkak të rritjes së shpejtësisë! Shitësit të zarzavatëve do t’i duket e çuditëshme, madje dhe e frikëshme për interesat e tij që patatet zmadhojnë masën me rritjen e shpejtësisë, andaj ka rrezik të thotë: “Po me patatet e mia ç’do të ndodhë kur shpejtësia e afrohet asaj të dritës? Në këtë rast ulet apo rritet çmimi i patates?” etj, etj, sa të duash pyetje të tilla praktike nga rreshti i fundit të bangave në orën e lëndës së fizikës. Me fjalë të tjera gjithçka varet ku e ke interesin, pika e referimit osht aty ku e ka lidh gamorin Nastradini; patatexhiu e ka mendjen dhe interesin tek patatja, e prandaj nuk shkon më përtej patates. Laiku e ka mendjen tek kjo botë, e prandaj nuk shkon më përtej kësaj bote që të pranojë pikpamjen providenciale që përfshin edhe tjetrën botë, të cilën pikpamje e sheh të çuditëshme, mesjetare e mandje kërcënuese për statusin e tij modern të kësaj bote. Ky është mekanizmi biellë-manivelë që ka prodhuar vizionare në histori të llojit Galile dhe Kopernik, parjen më përtej dhe si pasojë persekutimin nga patatexhijtë këndej që e shohin si kërcënim ekzistencial parjen më përtej hundës së tyre.
-Ngavash se ti nuk je Koperniku!
-E nga e di ti, ndoshta jam!? Pse Koperniku dhe Jezui kishin xhunga në ballë për tu njohur kush ishin? Pse, kur Jezui vinte vërdallë rrugëve të Jeruzalemit, kishte aureolë mbi kokë si në pikturat rinashimentale? Kur Koperniku takonte kunatin e tij, çfar i thoshte kunati: “Qe palla Koperniku, i fortë je vallaj, shkencetar i modh je, ke për të ndryshu vizionin ptolemeik për botën, ke për të bo një revolucion paradigmatik!”? Jo, i thoshte si e kanë për zanat kunetërit dhe patatexhijtë e mbarë botës në kësi raste: “Ç’të duhet ty që merresh me këto gjojna, shko mër shif punën tate si gjithë të tjerët, u bo bytha jote të na tregojë neve se si rrotullohet dielli, hona dhe providenca. Pse nuk të njoh una kush je tina?”!
Pastaj, e pse duhet të jesh pa tjetër Koperniku që të persekutojnë? Edhe pa qenë Kopernik ose Jezu, Noe, Moisi apo edhe Qemal Stafë qoftë, e çdo tjetër i modh që ka lënë gjurmë në histori, po ajo punë është; po u përpoqe të bësh diçka vërtet të re edhe në nivelin më të ulët, në nivelin e katundit tënd, e njëjta gjëmë kryqzimi do të gjejë nga kooperativistët dhe kryetari i kooperativës. Dhe me të drejtë, kanë shumë të drejtë kooperativistët, sepse ju ke spostuar gomarin nga vendi i sigurtë ku e kishin lidhur. Tridhjetë vjet më parë pretendimi që ekziston një pikpamje providenciale kushtonte nga 3 deri në 10 vjet burg. Dhe ka plot që e kanë paguar këtë çmim, madje edhe me jetë, dhe as emri nuk ju dihet, ose ju dihet vetëm emri i shkruar në përmendore.
-E mora vesh, nga tërë ky muhabet unë dola si punë patatexhiu.
-Nuk përbën ndonjë problem të madh, je me shokë shumë dhe tepër të nderuar mandje; edhe ata që dënuan Kopernikun me shokë ishin “si pun patatexhiu”, megjithse ishin të nderuar dhe të kulturosur në rangun e akademikëve të sotëm. Ata që kryqzuan Jezuin ishin anëtarë të Sinodit të Shenjtë, dmth ajka e kulturosur dhe shenjtërosur e Izraelit - alias “akademikët” elitarë të atëhershëm të Jeruzalemit -, e megjithatë në të vërtetë dhe nga pikpamja providenciale, ishin “si pun patatexhiu”. Në historinë e krishterimit është rregull që vepron si mekanizëm brutal kriminal: shenjtorët, në fillim të karierës së tyre, janë gjithnjë të persekutuar nga Kisha (Sinodi i Shenjtë), që vetëm më pas e ka kuptuar gabimin e saj dhe i ka graduar në shenjtorë të adhuruar pop; ky është mekanizmi që i prodhon shenjtorët. Hiç mos u bëj merak, në historinë e providencës hyjnë në punë edhe patatexhijtë dhe zdrukthtarët që fabrikojnë kryqe e karamanjolla, duhet të jetë njëri dè që shet patate në cep të rrugës dhe i vlerson gjërat referuar pikpamjes së patates!
-E mora vesh edhe unë më në fund si qenkërka kjo punë e patates, por tani që e mora vesh, më mbetet vetëm poshtërimi i të qenurit rang i ulët, inferior.
-Jo, nuk e ke mor vesh hala biri im; si inteligjencë, ndjeshmëri, karakter etj, mund të jem fare mirë inferior ndaj teje, por është superiore pozita ku qendroj. Është pikpamja providenciale që të bën superior; një idjot i ndodhur në lartësinë e pikpamjes providenciale, është (potencialisht) më pak idjot se një çmim Nobël poshtë kësaj lartësie. Prej këtej mund të fillojë të ftillohet konfuzioni idjot i nobelistëve rreth konceptit të progresit dhe regresit në histori.