Koha nuk është shpëtimtare e shpirtit të poetit. Por është shpëtimtare e veprës së poetit - Maritain, Përgjegjsia e artistit.
Fizikanti gjenial Oppenheimer, me origjinë hebraike, ishte kryetar dhe organizator i trupës së shkencëtarëve dhe teknikëve që prodhuan bombën A (prandaj quajtur ati i bombës nukleare USA). Oppenheimer, gjeni intelektual tejet i rafinuar që njihte mirë një dhjetëshe të mirë gjuhësh të gjalla dhe të vdekura, i ekzaltuar nga pamja e rruzullit verbues dhe shtëlluga madhështore e shpërthimit eksperimental te bombës atomike në Los Alamos, i vinin në mëndje vargje nga libri i shenjtë indu Bhagavad Gita (XI, 12) në gjuhën origjinale (sanskrite), të cilët përshkruanin ndeshjen kozmike midis forcave elementare paraprirëse në krijimin e botës. Në këto vargje përshkruhet se si perëndia Vishnu (Krishna) përpiqet të bindë princin (Arjuna) të bëjë detyrën e tij, e për ta goditur, merr formën e saj gjitharmëshe:
Nëse ndriçimi i një mijë diejve do të shpërthente menjëherë në qiell, do të ishte si shkëlqim i të plotfuqishmit … . (…) Tani jam vdekja, shkatërruesi i botëve.
Vite më vonë, i penduar nga ç’bëri vaki në Hiroshimë, Oppenheimer deklaroi me pezmatim në intervistën dhënë revistës Time (1948):
Asnjë vulgaritet, asnjë humorizëm, asnjë stërmadhim nuk mund të fshijë krejtësisht realitetin lakuriq: fizikanët e kanë njohur mëkatin, dhe nga kjo vetëdijë, nuk mund të çlirohen kurrë. (2)
Të gjithë antarët e grupit të Los Alamos - kolegë, miq dhe shokë të tij - u zemruan keq, sepse nuk ndjenin asnjë lloj faji në kryerjen e detyrës së tyre të vështirë dhe tepër të rëndësishme në luftën kundër totalitarizmit, dhe e quajtën të padrejtë qarjen publike të ishkryetarit të tyre. Ta do mendja që mediat e sulmuan Oppenheimer-in me egërsi, duke e treguar si person të dyshimtë, deri edhe komunist që i kishte përcjellur rusëve informacion nga projekti i bombës nukleare. Meqë ai e trashi më tepër muhabetin me një propozim për një kontroll ndërkombëtar të energjisë nukleare dhe një kundërvënie realizimit të bombës me hidrogjen, u ngrit një komision apostafat për të, i cili komision mbasi hetoi, vendosi që Oppenheimer-it t’i ndaloheshin informacionet rreth sekreteve bërthamorë amerikanë.
Në diskutimet pro e kundër që pasuan, si gjithnjë hidh e prit akuza të ndërsjellta, fizikanti Freeman Dyson prek nervin e çështjes në librin e tij Turbullim i universit:
Mëkati i kryer prej fizikanëve të Los Alamos nuk qëndronte në faktin që kishin ndërtuar armën e kërdisë totale: ndërtimi i bombës në një çast kur vëndi i tyre ishte angazhuar dëshpërimisht në një luftë kundër Gjermanisë, ishte krejt i justifikueshëm moralisht. Por nuk ishin mjaftuar për të bërë bombën: kishin ndjerë kënaqësi në bërjen e saj (korsivi është i Dyson). Periudha e konstruktimit të bombës kishte qenë me e bukura e jetës tyre … (3).
Pothuaj njësoj bënte vaki nga ana tjetër e istikamit të Luftës së II Botërore: fizikani Bohr (çmim Nobël 1922) rrëfen se fizikani gjenial Heisenberg (çmim Nobël 1932) ishte mjaft i lumtur nga ideja e prodhimit të bombës nukleare prej Gjermanisë naziste (më tepër për patriotizëm). Kësaj pune i vë kapak pehlivani kozmopolit von Braun, i cili në fillim bëri karrierë në ushtrinë gjermane si konstruktues dhe prodhues i raketave V-2 që bombarduan Londrën, më pas në ushtrinë amerikane si specialist i kallur flurudhash, pastaj drejtor i NASA, e së fundi në pozita drejtuese të industrisë civile.
Nga sa më sipër i bie që për krijuesin ideologjia dhe morali janë vetëm pretekste për të mbështetur temën e krijimit, pra pak rëndësi ka nëse i shërbehet ideologjisë monarkiste, republikaniste, kombëtariste, fashiste, naziste, komuniste, kapitaliste, e çfardoqoftë tjetër “-iste” dhe “moraliste” të ngjashme që do të na i bëjë veshët dollap në të ardhmen. Rregjimi ndërrohet, rregullat e lojës gjithashtu, por lezeti i krijimit mbetet njësoj. Gjithashtu krijuesi nëse di ta dredhë mirë në situatat e reja (jo si Oppenheimer ziu), mbetet gjithnjë kaluar në majë të pikaloit i nderuar nga të gjithë si burrë i zoti (shembujt tip von Braun janë me tonelata, sidomos në zonën e artit). Në këto raste teknokrati (zanatçiu), konceptuar si qenie që qëndron jasht ose mbi moralin dhe ideologjinë, justifikohet më tepër se artistët, meqë ndërthurja e artit me ideologjinë dhe moralin janë më të dukëshme dhe më të pranuara mbarëshoqërisht, bile edhe në shoqërinë demokratike ku është e modës liria dhe pavarsia e artit. Në një nga Refleksione II organizuar nga Ardian Klosi dhe Edi Rama në sallën e Muzeut Kombëtar, një teknokrat i njohur del në podium dhe rrëfen me mburrje se një grupi veteranësh enveristë, që e kishin kritikuar se si nuk i vinte turp që kish djegur (a dorëzuar) teserën e kuqe, ju ishte përgjigjur: “Unë nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë komunist, unë jam vetëm një teknokrat, punoj i lirë nga çdo lloj ideologjie, etj,etj, dhe nuk ka përse të më vijë turp për asgjë etj, etj.” Në ato kohë kjo ishte një teori e mjaft e përhapur dhe e mbrojtur (kryesisht nga partia PAD, e mbushur tumllas me teknokratë e intelektualë, si në drejtim ashtu dhe në bazë). Salla brohoriti me të madhe, pak se ashtu ishin kohët (tepër entuziastë për hiçmosgjë), e pak se shumica e të pranishmëve ishin për vete teknokratë dhe intelektualë. Në fakt ishte për të ardhur turp e jo për të brohoritur këtë lloj mbrojtjeje të denjë vetëm për kurvat e akuzuara për mungesë morali: “Ç’far kërkoni nga ne? Ne kurva jemi, na japin pare dhe ne shërbejmë si zanatçie (teknokratë).”
Shprehja ndriçuese e Dyson:
Por nuk ishin mjaftuar për të bërë bombën: kishin provuar kënaqësi në bërjen e saj. Periudha e konstruktimit të bombës kishte qenë me e bukura e jetës tyre …
nxjerr në dukje thelbin e problemit aq mirë, saqë shprehja në fjalë mund të përdoret në çdo fushë të kulturës, sidomos në atë të artit, ku ngjashëm ideologjia dhe justifikimi moral nuk vlen një grosh para lezetit të krijimit ose libidos së krijuesit (Parimi i Kënaqsisë sipas Frojdit). Shkurt muhabeti krijuesit e çdo lloji nuk janë të lirë; rob të kënaqësisë të krijimit, ata nuk kanë besë, sepse ndjekin qefin duke kalëruar mbi moralin, ose më saktë ata i kalëron qefi.
Pra duke perifrazuar Dysonin, mund të thuhet në lidhje me mëkatin e zanatçijve të Lidhje e Shkrimtarëve: në një çast kur vëndi i tyre ishte angazhuar dëshpërimisht për të trasformuar totalisht botën, konstruktimi i armës kulturore të kërdisë totale të realizmit socialist ishte krejt i justifikueshëm moralisht për çastin (tjetër punë se më pas nuk rezultoi i tillë, mbasi e humbi betejën). Por ç’është më e rëndësishme, artistët nuk ishin mjaftuar në bërjen e bombës soc-reale: kishin ndjerë kënaqësi në bërjen e saj. Periudha e artit socialist kishte qenë më e bukura e jetës tyre, përfshirë këtu edhe disidentët soft, të cilët megjithse e dinin mirë çfarë ç’ndodhte në zonën e ndotur prej rrezatimit të kulturës soc-reale, dridheshin prej emocionit dhe lumturisë përgjatë krijimit të veprës (poemë, pikturë, sinfoni etj) të krijuar brënda hullisë të ideologjisë zyrtare.
(1) - Kai Bird e Martin J. Sherwin, Robert Oppenheimer, il padre della bomba atomica, faqe 378, Garzanti, 2007, Milano.
(2) - po aty, faqe 473.
(3) - Freeman Dyson, Turbare l’universo, faqe 60, Bohringhieri, 1981, Torino.