Merre me lëng se mishi u mbaru! (Pjesë e gjashtë)

Historia e njerzimit është një përshkim i katër elementëve. Tani jemi në zjarrin … Çfarë quhet nihilizëm është djegie.

shkruan Carl Schmitt në një letër dërguar Ernst Junger në frontin e Kaukazit në Luftën e II Botrore. Siç shihet Schmitt nuk mjaftohet me shpjegimin e motorit të historisë sipas arketipit tokë-det, por fut në valle të katër elementët primordiale të krijimit të botës, që sipas mendësisë arkaike presokratike ishin: dheu, uji, ajri, zjarri (4 rrënjët e qënies, sipas Empedoklit). Ky vizion arkaik përputhet saktë me vizionin shkencor të fizikës moderne, alias katër gjëndjet e ekzistencës së lëndës: e ngurtë, e lëngët, e gaztë, e flakët (gjëndja e plazmës, energjia). Vizioni shkencor modern rikonfirmon vizionin arkaik, dhe siç do shihet në një temë tjetër më pas, në këtë hulli militon edhe alkimia, e cila ka për ambicje të realizoje Magnum Opus (ose të zbulojë Gurin Filozofal) nëpërmjet një itinerari evolucioni shpirtëror me 4 faza: Nigredo, Albedo, Citrinitas, Rubedo, të cilat korespondojnë saktë me 4 elementet në fjalë: dheu, uji, ajri, zjarri. Dmth itinerari i një personi në kërkim të përsosmërisë (Guri Filozofal sipas alkimisë), përkon saktë me itinerarin e historisë së njerzimit që synon Idenë Absolute sipas Hegel, ose Ardhjen e Dytë sipas eskatologjisë fetare.

Në Luftën e Parë Botrore fillon të duket qartë se është në kryerje e sipër një revolucion hapsinor në sajë të të cilit njeriu pushton hapsirën atmosferike. Pra hapet një epokë e re, epoka e zbulimit të hapsirave ajrore, e cila përmbys ekuilibret gjeopolitikë të vendosur në epokën e zbulimeve të mëdha gjeografike, të karakterizuara nga përleshja e elementare midis forcave toksore dhe forcave detare. Në betejën klasike midis elemeteve tokë dhe det, elementi ajër fillon e merr rëndësi gjithnjë e më tepër. Avjoni paraqet një revolucion si mjet trasporti dhe armë që ka lejuar një rritje të pashoqe të fuqisë së dominimit te njeriut mbi natyrën dhe njerzit e tjerë. Fenomeni i pushtimit të ajrit (aviacioni) bëhet krejt i dukshëm dhe shumë vendimtar për fatet e palëve ndërluftuese sidomos në Luftën e Dytë Botërore. Sipas Schmitt, meqë dominimi njerzor në hapsirën ajrore arrihet nëpërmjet mjeteve teknikë-mekanike, elementit ajër i shtohet edhe elementi zjarr. Tani është zjarri i djegies karburantëve që lëviz makineritë e mjeteve të ndryshme të trasportit (jo si dikur kuajt si mjet lëvizës, era që vë në lëvizje anijen me vela dhe sposton areostatin); zjarri që bie nga qielli (avjonët bombardues) dhe djeg Evropën dhe Azinë në Luftën e Dytë duke shkaktuar dhimbje të mëdha që paralajmërojnë lindjen e një epoke të re.

Pushtimi i hapsirës ajrore nëpërmjet një progresi teknologjik të pashoq si ndryshim paradigmatik, shënojnë fundin e nomos i tokës i garantuar nga publicum europaeum. Nëse më parë kontrolli i rrugëve detit garantonte kontrollin e tokës, tanimë kontrolli i hapsirës ajrore, meqë hapsira ajore qëndron mbi tokën dhe detin, garanton kontrollin e detit dhe tokës.

Duke vazhduar më tej për analogji me të njëjtën logjikë aventureske njerzimi, ose më kokretisht Rusët dhe Amerikanët gjatë Luftës së Ftohtë, kërkojnë të pushtojë hapsirat kozmike njësoj së bënë europianët me Botën e Re dhe britanikët me oqeanet e planetit. Po në të njëjtin vënd rreh çekiçi. Shpjeguar nga shkaqe te jashtme dhe të dukshme, fundi i Luftës së Ftohtë u shkaktua nga supremacia amerikane lidhur me programin e luftës yjore të Reganit. Rusët nuk ishin më në gjëndje ta ndiqnin Amerikën në këtë aventurë teknologjike, e prandaj u dorzuan dhe komunizmi ra. Lufta bashkohore e droneve (telekomunikacion satelitor), dëshmon që kontrolli i hapsirave kozmike, garanton kontrollin e ajrit, detit, dhe në plan të fundit të tokës, sepse gjithë beteja bëhet për tokën, si elementi jetik origjinal për njeriun.

Të tre hapsirat: ujore, ajrore, kozmike, megjithse të ndryshme midis tyre, paraqesin një lloj vazhdimsie për homologji strukturore, diametralisht të kundërt me hapsirën tokësore, i cila ka një logjikë të vetën që nuk i nënështrohet asnjerës prej tyre. Përmasa ajrore dhe kozmike konceptohet dhe përjetohet në analogji me atë detaren: në ajër dhe në hapsirë kozmike lëvizet si në ujë. Prandaj terminologia e fluturimit është më bazë detare: lundron, astronaut (latinisht nauta= lundërtar), kozmonaut, anije kozmike, pluskim në atmosferë (linjë pluskimi), kurs (ndryshoj kursin detar ose ajor ose qiellor), pilot, pilotoj etj. Pra hapsira kozmike i përket elementit të katërt: zjarrit. Në fakt në hapsirën kozmike lëvizet me forcë motorike safi, dmth me zjarr safi; në këtë rast djegia bëhet me materiale të veta sepse nuk mund konsumohet oksigjen prej ajrit, i cili mungon në hapsirën kozmike. Përdoret oksigjen i lëngët.

Eshtë interesante, por edhe e kuptueshme dhe shumë treguese, që e njëjta terminologji ndeshet edhe në hapsirën virtuale të web. Jo rastësisht në Internet flitet për navigim (lundrim), navigatorë, link (zinxhir), internaut, cibernaut etj. Duke pasur parasysh që në hapsirën e rrjetit mund të jetohet - fenomeni i avatar - njësoj si në hapsirat e tjera, hapsira virtuale nuk rezulton ndryshe nga hapsirat e sapo shqyrtuara. Pra krahas 4 elementëve primordialë (4 rrënjëve të qënies sipas Empedoklit) duhet të ekzistojë edhe një i pestë i tillë, pikërisht elementi eter, i përmëndur nga Empedokli, por i theksuar si shumë i rëndësishëm nga Aristoteli. Ky element i pestë, ngjan të jetë sinteza e 4 elementëve të tjerë si kuintesenca e tyre: në mitologjinë greke Eteri ishte emri i një figure hyjnore si personifikim i atmosferës superiore tejet të pastërt ku frymëmarrin vetem perënditë e Olimpit; për presokratikët eteri ishte elementi kristalin prej të cilit ishte përbërë universi; në Mesjetë ishte sinonim i kuintesencës (quinta essentia në latinishte mesjetare); për alkimistët ishte përbërësi kryesor i Gurit Filosofal.

Koncepti i eterit ka luajtur nje rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e shkencës. Deri në fund të shekullit 19 eteri konceptohej si një hapsirë materiale esenciale që përshkon tej e ndanë universin, e që bëhet shkak të enden ngado valët, edhe ato elektromanjetike (akoma sot transmetimet radio quhen “transmetim në eter”). Në fizikën moderne nuk ndihet më nevoja të përdoret kjo teori, e cila hë për hë ndodhet në gjëndje inkubacioni. Përdoret më tepër koncepti i boshit.


pjesën e mëparshme e gjeni këtu

2 Likes

image

Kenedi: Kemi raketa berthamore ne gjendje t’ju shkaterrojme 30 here.

Krushovi: Kemi raketa berthamore ne gjendje t’ju shkaterrojme vetem nje here, dhe eshte kjo qe kemi nevoje.

1 Like