Një sy në tavan, e një sy në sahan (Pjesë e tretë)

E vërteta historike nuk është përfundimtare, përveç se e prejardhur prej Parimit - Zhuang Zi.

Përveç faktit që krijimi realizohet prej neurozës, është dhe fakti pak i vënë re që lloji i neurozës kushtëzon llojin e veprës. Shëmbulli më i shkëlqyer është rasti i Gëtes, i cili megjith atletizmin fizik dhe shpirtëror, vuajti gjithë jetën një neuroze depresive të shkaktuar prej mpakjes së dritës përgjatë rrugëtimit vjetor të diellit në kupë të qiellit (zodiakut). Sipas dëshmisë të sekretarit të tij (Eckermann, Biseda me Gëten, E djelë, 21 dhjetor 1823), Gëte ishte fare përtokë shpirtërisht në ditët që pararendnin ditën më të shkurtër të vitit (21 dhjetor, solstici i dimrit), e vetëm më pas merrte veten me ritmin e shtimit të dritës ditë mbas dite. Kjo sindromë njihet zyrtarisht me emërtim SAD (akronimi i Seasonal Affective Disorder - çrregullim ndjesor stinor) dhe ndeshet mesatarisht në çdo pesëmbëdhjetë të moshuar çfardo. Në metropolet bashkohorë ekzistojnë terapi në klinika të specializuara që ekspozojnë pacientët në dritë të fortë për të stimuluar prodhimin e serotoninës dhe melatoninës, mungesave e të cilave shkakton depresion. (Për kuriozitet: këto dy substanca prodhohen nga gjendrra pineale që ndodhet pikërisht në qëndër të kaptinës njerzore, alias “syri i tretë” ose pika e lidhjes së njeriut me Zotin, sipas të lashtëve dhe sipas Dekartit, i cili nuk ishte aq modern sa e bëjnë modernistët). Fakti që Gëtes i interesonin tej mase dukuria e dritës dhe ngjyrës (tërë vepra e tij është është një qasje poetike e Teoria e ngjyrave, konsideruar prej vetë atij si vepra madhore, dhe jo Faust-i si rëndom kujtuar), dëshmon se kur i krijuesi shpurdhet për të zgjidhur problemin e jetës ose neurozën e tij, prodhon natyrshëm një vepër kulturore me karakter shpëtimtar, mesianik, eskatologjik, dmth totalitar.

Me skicofreninë nuk bëhet shaka, sepse të gjitha vuajtjet mbi tokë, edhe kur pa asnjë rrugëdalje, të paktën kanë vdekjen si iluzion shpëtimi. Përpëlitja e gjymtyrve dhe ulërima e të çapërlyerit prej çapojve të një tigri përmban në vetëvete akoma shpresën e “ikjes përtej” ose “kushedi jam në ëndërr”, por skicofreni nuk ka nga ja mban, sepse vetëidentifikohet me tërë kozmosin (pra është edhe “përtej” në botën shpirtërore edhe “këtej” në botën materiale), dhe për pasojë ankthin e asgjësimit të vetë personit (mikrokozmosit) e përcepton si ankth apokaliptik i shkatërrimit të mbarë botës (makrokozmosit). Hë për hë vetëm eksperienca e skicofrenisë e gradon njeriun në nivelin e Zotit (Krijuesit), mbas kësaj eksperience të tmerrshme termi “dhimbje e Zotit” nuk përbën më një shprehje interesante teologjike, psikologjike ose letrare mondane, por përbën lëngun ku përditë ngjyen bukën “falna sot”.

Sipas Hermann Broch (Poezia dhe njohja) artisti, në rrezik më tepër se çdo njeri tjetër prej shpërbërjes psikike të shkaktuar prej konfliktit midis Unit dhe Jo-Unit, Unit dhe Botës, qënies-Unë dhe qënies-Botë, midis “njohjes” dhe “të njohëshmes” etj, mbrohet kundër rrezikut kërcënues nëpërmjet veprës artistike në të cilën projekton shpërbërjet e tij si kundërpërgjigje ndaj ankthit skicofrenik. Ndryshimi midis pacientit kaps që vështron i shushatur tavanin e pavjonit 17-të dhe krijuesit të frymëzuar që vështron syçakërr tavanin e papafingos, është se i pari nuk ka vepër, ndërsa tjetri ka. Në fakt dhimbjen të dy e kanë njësoj, dhe bazuar në dhimbjen e tyre historia bën përpara, por ndërsa i pari e mban për vete deri në vetëshkatërrim, tjetri shpëton në një farë mënyre (por jo gjithmonë) duke i’a ngjeshur të tjerëve, dmth publikut që rri gojëhapur para madhështisë të dizintegrimit psikik dhe ankthit skicofrenik të gjeniut. Për shpëtimin e publikut mendojnë censorët sadistë platonikë dhe katarsis-tët mazoistë aristotelikë me diskutimin skicofrenik e lagu se lagu për dy mijë vjet me rradhë: duhet ndaluar, apo duhet lejuar? krijuesit të nxirren me shkelma prej Republikës (Platonit), apo të vendosen në altar të kombit të adhuruar sikur të ishin Perëndia?

Shpëtim i botës do të thotë trasformim i krijimit nga i motivuar prej dhimbjes në i motivuar prej gëzimit . Në një shoqëri të shpëtuar ose në utopinë e realizuar nuk ka vënd jo vetëm artisti, sikundër shkruan Platoni në Republika, por çdo figurë e zanateve kryesorë të kulturës derimë sot nderuar, adhuruar, lajkatuar. Filozofia, feja dhe arti dhe figurat përkatëse e filozofit, fetarit dhe artistit janë produkte safi të Rënies, dhe si të tilla të dyshimta, ndërsa kur paraqiten me vlerë në vetvete, të përjetshme, absolute janë tejet të rrezikëshme (prandaj dhe përndekja që ju është bërë në histori personava që i kanë ushtruar). Sa pa u shpikur akoma makina e kohës që do na shpjerë tutje e tëhu si turistë nga lumturia e pararënë në atë të utopisë së realizuar, figurat e filozofit, fetarit, artistit (bashkë me bashkëshortët komplementarë përkatës: shkencëtari, politikani, afaristi) vlejnë përsa shtyjnë qerren e historisë me djersë në ballë drejt rregullit përfundimtar (haraç i paguar me domosdo), njëherë arritur aty humbet funksioni i tyre historik dhe misioni i tyre merr fund. Në Tokën e Premtuar - vëndi ku hareja dhe lumturia janë shtysat për të prodhuar kulturë -, disiplinat në fjalë dhe figurat që i kultivojnë skartohen natyrshëm sepse nuk motivohet më nostalgjia për “ishullin që nuk është”, vetsakrifikimi, “neuroza e krijimit”, krimi i krijimit si vrasje e të vjetrës për hir të së resë etj. Bëhet fjalë që në vëndin e utopisë të përmbysen motivacionet për prodhim kulturor (nga vuajtje në hare) dhe disiplinat të lidhen midis tyre sipas rregullit origjinal (bashkëshortësi filozofi-shkencë, fe-politikë, art-ekonomi), jo që poetë dhe priftërinj të nxirren me shqelma prej Republikës plotonike dhe të dërgohen fishek në Spaç. Fakti që ndodhi kështu është shenjë, ani pse negative, e afrisë së përmbushjes së profecive të Fundit të Botës - paralajmëruar në librat e shenjtë - dhe profecive të fundit ose vdekjes të artit, filozofisë, fesë, të paralajmëruara në librat e shenjtë të profetëve laikë të Revolucionit dhe Avangardës, alias kultura postotalitare ose postmoderne, e cila, ndryshe nga pritja e ethëshme për të ringjallur kulturën e mohuar dhe shqelmuar nga regjimi tiranik, dergjet e cofur përtokë. Në firosjen e të sotmes, të mbajtur peng prej të kaluarës totalitare, dhe në mungesë të çdo lloj pritshmërie në perspektivën e të ardhmes, kultura bën përpara vetëm si ligjërim rreth fundit ose vdekjes së saj. Tani fjalën e kanë vorraxhijtë e kulturës të llojit skicofrenik Deleuze-Guattari, e për më tepër marka Baudrillard, i cili arrin të thotë se arti, jo vetëm që ka vdekur e ka marrë fund me të tëra, por akoma më keq, që vetë “arti është vdekje”. Pra e tërë përpjekja postotalitare për ringjallje kulturore rezulton një frymëmarrje artificiale gojë më gojë për të rikthyer në jetë kërmën që moleps dynjanë; kujt nazik buzëhollë nuk i pëlqen pamja dhe damfi kutërbues i gjëndet vendi menjëherë: hajt mbushu në Teheran e marsh në Penjan! Mbas eksperiencave të hidhura të mesianizmit totalitarist, çdo kërkesë për shpëtim quhet me përkufizim tirani bombastike ose bumje fundamentaliste. Tani mendja top që nuk ka asnjë shpëtim, asnjë lumturi në fund të historisë, fillim të njërës dhe fund të asaj tjetrës, ka vetëm përjetësi të reales, të kësaj dhe vetëm kësaj bote kështu siç është, me të mirat dhe të këqijat e saj. (Po deshe botë tjetër futi një dozë të mirë kraku, sepse dopio fërnet ka dalë jasht mode). Është pak problem fakti që asnjë llogari ekologjike rreth firosjes së elementëve primordialë tokë, ujë, ajër, zjarr (energji) nuk i jep botës më tepër se 50 vjet jetë nëse vazhdohet me të njëjtin stil gomari e vrap pele, por s’ka gjë se hamshori dhe pela do ta gjejnë patjetër rrugëdaljen në çastin e fundit, sipas stilit të filmave të Hollivudit. Në fund të fundit rrugëdalje është edhe kriza e 2008 në vazhdim, e cila ka ulur ndotjet atmosferike në masën 20%.

Damlla e madhe e totalitarizmit nuk është çfarë përsërit pa pushim avazi i ankimtarëve - kënduar më tepër prej kujt nuk i ka hyrë gjemb në këmbë atëbotë - se vrau e preu njerëzinë, shkatërroi pronën, traditën, kulturën etj, por sepse krijoi precedentin e mesianizmit të rremë nëpërmjet kopjes që ngjan si karikaturë me Mbretërinë e Qiejve mbi Tokë, duke shvlersuar kështu çdo përpjekje për shpëtim të vërtetë. Postmoderni i bie shkurt duke quajtur me përkufizim çdo mesianizëm baraz tirani: Krisht=Hitler=Enver. Trishtimi më i madh është se pengesë bëhen pikërisht të zgjedhurit, elita e intelektualëve të shquar që “vetë nuk hyjnë e as lejojnë të tjerët të hyjnë”, sepse helbete, kush do t’i këndojë muzave dhe bëmave të herojve tragjikë, orëve të malit dhe trimave të Jutbinës, kush do të riciklojë në jetë të jetëve lëngimin sublim të Edipit, Orfeut, Jezuit, Nënë Terezës, Van Gogut, Holderlinit, Niçes, Kantorit, Gòdelit, Lashgush Poradecit, Frederik Rreshpjas dhe Fatos Kongolit që deklaron se “letërsia është vuajtje”? Ku do të gjindet materiali për frymzim artistik pa tragjizmin e përditshëm falna sot? (Këto pyetje hipomane bëhen edhe në formë depresive: si do merret rroga? si do mbahen kalamajtë me bukë? si do shtyhet koha e lirë?). Mos e fol or burrë i dheut dhe grua e qiellit, mos na lëntë Zoti kurrë pa tragjizmin e kësaj bote, që vërtet si aktorë na poshtëron, por ani s’prish punë se si spektatorë na zbavit, ndërsa si krijues na lartëson kur me pendë/penel/tastjerë në dorë gjejmë frymëzim duke vështruar çakërr, një sy në sahan e një sy në tavan.

Fund


pjesën e mëparshme e gjeni këtu

@finisterre, shif se mos gjen ndonje gabim drejtshkrimor ose ndonje emer te intelektuali t’modh te shkruar gabim.

"Damlla e madhe e totalitarizmit nuk është çfarë përsërit pa pushim avazi i ankimtarëve - kënduar më tepër prej kujt nuk i ka hyrë gjemb në këmbë atëbotë - se vrau e preu njerëzinë, shkatërroi pronën, traditën, kulturën etj, por sepse krijoi precedentin e mesianizmit të rremë nëpërmjet kopjes që ngjan si karikaturë me Mbretërinë e Qiejve mbi Tokë, duke shvlersuar kështu çdo përpjekje për shpëtim të vërtetë. "

Eshte shume e veshtire qe dikush pa ekstraktin e pervojes te arrije ta kuptoje kete, dmth e pamundur te depertohet ndertesa psikologjike e ushqyer me frymen e kohes, edhe njerezit qe jane vulnerabel per ta kuptuar prape e kane teper te veshtire ndonese ndryshe nga shumica nuk mendojne : cfare eshte duke thene ky mer jahu…ia paska fut kot, justifikime pa lidhje.
Duhet shkeputje nga bota, e kjo vjen vec me ndihmen e pervojes, se mund te jesh i mire e inteligjent por nuk e ndan dot mendjen, ama te vjen nje eksperience si ortek pas se ciles, e “ndan mendjen” dhe aty ftillohesh e kupton cfare vertet Inkuizitori po thote me keto fjale. I mjeri ai, i lumi ai (qe degjon nga larg zerin e zbehte te shpirtit dhe hap syte i hutuar per te kuptuar).

1 Like

Eshte ne nderin tend qe ke arrit te kapesh kete paragraf. Mund te thosha me teper si lavderim, por besoj se edhe kaq mjafton. Si gjithnje, si e mira, e si e keqja, te vjen andej nga se pret.

Lavde ujit detar ngjyrekaltert!

1 Like

bukur fillimi, por kjo e fundit (rreshtat e fundit) sikur ishte futur inkonjito, pa sens, pa lidhje me te parat.

image

Te mohosh Mbreterine e Qiejve, pra te mohosh deshiren e shpirtit per shpetim, dmth te mbetesh i ngurte (si vete totalitaristet) ne konceptimin e kohehapesires. Shume individe pretendojne se kuptojne dhe shprehin admirim te madh ndaj zbulimeve madheshtore te fizikes (nga ku koha dhe hapesira nuk konceptohen me vecmas njera-tjetres), por i admirojne thjesht si piktura te varura ne mur keto teori, ne praktike prape i konsiderojne vec e vec kohen dhe hapesiren, duke njohur dhe aplikuar ne besimet e tyre vetem realitetin e trishte fizik te kohes se Njutonit, sepse eshte shume e tmerrshme te brendesojne idene e hapesires fluide dhe tkurrjes apo bymimit te kohes. Rrjedhimisht, mbeten tek mbreteria e tokes dhe relativitetin e interpretojne ne raport me kete mbreteri gje qe eshte keq, shume keq, sepse relativiteti vetem per kete gje nuk flet, por perkundrazi thote qe toka nuk terheq mollen nga pema sipas kokes se vet, madje nuk e terheq fare nese marrim ne konsiderate nocionin e shformimit te hapesires. Njesoj si me kete muhabet te komplikuar te shkences, njashtu dhe me muhabetin e mbreterise se qiellit qe i jep forme kohe-hapesires ne perjetesine e castit, njeriu e ka shume te veshtire te kuptoje cfare pasojash te renda ka lene totalitarizmi, semundjen e besimit qe trashegohet brez pas brezi, skllaverine e njeriut qe e konsideron veten te ndare nga gjithcka qe e rrethon, nga ajri qe merr fryme, e mbi te gjitha te ndare nga Vetja e tij dhe origjina hyjnore.