Pakti me Gjarpërin (fund)

nga Massimo Borghesi

Shkoqitja e Buber nuk ishte thjesht hamendje. Ishte po vetë Jung që tek Psikologjia dhe Feja tërheq vëmendjen për aktualitetin e gnostikut Carpocrates, i cili argumentonte se “mirë dhe keq janë vetëm opinione të njeriut, dhe që shpirtrat përkundrazi, para se të nisen për rrugë, do të duhej të jetonin deri në fund çdo përvojë njerëzore, nëse dëshironin të shmangnin kthimin në burgun e trupit. Vetëm përmbushja e plotë e çdo kërkese të jetës, mund të çlirojë shpirtin e burgosur në botën somatike të Demiurgut” 39. Jeta, pohonte Jung në Ese e interpretimit psikologjik të dogmës së Trinitetit, “si proces energjitik ka nevojë për kontraste, pa të cilat energjia dihet mirë se është e pamundur. Mirë dhe keq nuk janë asgjë tjetër përveç aspektet etike të këtyre antitezave natyrore" 40 . “Për këtë arsye Perëndisë i duhet Luciferi. Pa këtë të fundit nuk do të kishte asnjë krijim, e aq më tepër nuk do të kishte ndonjë histori shëlbimi. Hija dhe kontrasti janë kushte të nevojshme për çdo realizim” 41. Kjo hije është mbi të gjitha tek Zoti, në Zotin fillestar, tek Inkonshi që, për Jungun, është fuqia e vërtetë që drejton jetën, e që duhet të “humanizohet” nga uni koshient. Vetëm në Zotin njerzor, Krishtin, gjykimi ndan çfarë tek pleroma (inkonshi) është e bashkuar: drita dhe hija e saj. Tani “dy bijtë e Perëndisë, Satanai i madhi dhe Krishti i vogli” 42, dora e majtë dhe dora e djathtë e Perëndisë, ndahen. “Kjo antitezë përfaqëson një konflikt të çuar në ekstrem, dhe bashkë me të përbën edhe një detyrë shekullare për njerëzimin deri në atë pikë, ose deri në atë kthesë të kohës, në të cilën e mira dhe e keqja fillojnë të relativizohen, të vihen në dyshim, e lëshohet klithma drejt një përtej të mire dhe të keqe. Por në epokën e krishterë, dmth në fushën e mendimit trinitar, një pasqyrim i tillë është thjesht i përjashtuar, sepse konflikti është tepër i dhunshëm, për t’i dhënë të keqes ndonjë relacion logjik tjetër me Trinitetin, që nuk do të ishte kontrasti absolut” 43. Nevojitet që Triniteti hyjnor, shpirtëror, të pajtohet me një “Parimi i katërt”: materia, trupi, femërorja, Erosi, e keqja, në mënyrë që idealizmi i krishterë, i pajtuar me botën, të arrijë në një unitet më të madh. “Prandaj, edhe në kohën e besimit absolut në Trini ka pasur gjithmonë një hulumtim të katërtit të humbur, nga neopitagorianët grekë deri tek Faust Gëtes. Edhe pse këto hulumtues mbaheshin si të krishterë, ata ishin një lloj krishteri a latere, meqë ja kushtonin jetën një opus-i, i cili kishte si qëllim të saj shëlbimin e serpens quadricornutus, të anima mundi të zënë në kurthin e materies, të Luciferit të rënë… . Formula jonë e katërnitetit justifikon kërkesën e tyre, meqë Fryma e Shenjtë, si sintezë e atij që ishte fillimisht Një dhe pastaj ndahet, rrjedh nga një burim drite dhe një tjetër errësire​​” 44. “Epoka e Shpirtit”, sipas interpretimit të veçantë që Jung jep për Gioacchino da Fiore, është epoka që ndjek eoni-n e krishterë, kohën e Abraxas, në të cilën pasionet dhe arsyeja, inkonshi dhe konshi, e keqja dhe e mira, Luciferi dhe Krishti, do të bëhen një .

Në vitin 1919 Hermann Hesse, që në vitin 1920 i’u nënshtrua një analize me Jung, botoi një roman: Demian, me pseudonimin Emil Sinclair. Në të protagonisti, një riosh i papërvojë, udhëzohet mbi kuptimin e jetës nga një shpirt “i lirë” që mbart në vetvete shenjën e Kainit: Demian. Sipas Demian, "Perëndia i Dhiatës së Vjetër dhe të Re është një figurë e ndritur, por nuk është ajo që duhet të ishte. Eshtë e mira, fisnikëria, ati, e larta, e bukura, ndjeshmëria: të gjitha gjëra të fisme, por bota është e pëbërë edhe nga diçka tjetër. Bëhet fjalë për thjesht Djallin, dhe gjithë kjo pjesë e botës, kjo gjysmë është ndrydhur dhe vrarë në heshtje "45. Sipas Demian, sfera seksuale i përket kësaj gjysme. Kjo është arsyeja pse nuk mund të adhurohet vetëm Perëndia, "duhet të nderojmë gjithçka dhe ta konsiderojmë gjithë botën të shenjtë, e jo vetëm këtë gjysmë zyrtare, të ndarë me mjeshtëri. Pranë shërbimit për Perëndinë, duhet të kemi edhe një shërbim për Djallin. Më duket e arsyeshme. Ose duhet të kemi një Perëndi që përfshin edhe djallin” 46. Si tek Jungu, ky “Perëndi quhet Abraxas, e është Perëndia dhe Satani që përmban në vete botën e ndritshme dhe botën e errët” 47. Është dashuria e shenjtë dhe dashuria profane, “imazhi engjëllor dhe Satani, burri dhe gruaja bashkë, njeriu dhe kafsha, e mira supreme dhe e keqja ekstreme” 48.

Vizioni i hyjnores si coincidentia oppositorum, versioni që shënon "paktin me Gjarprin" në mënyrë të pazgjidhshme, përshkon në këtë mënyrë një pjesë të konsiderueshme të botës kulturore të shekullit të njëzetë. Ndër të tjera kujtojmë reflektimin e Mircea Eliade, i cili në dy shkrime: Miti i Riintegrimit (1942) dhe Mephistopheles dhe Androgyne (1962), ekspozon, ndikuar nga Jung, vizionin e tij të "polarizimit hyjnor". Për të çdo hyjni shfaqet si polare, mirëdashëse dhe keqdashëse në të njëjtën kohë. Gjarpëri është vëllai i Diellit, ashtu, sipas një miti gnostik, do të ishin Krishti dhe Satani. Ky dy-unitet hyjnor përgatit tek njeriu riintegrimin e shenjtërisë dhe profanes, të mirës dhe të keqes në një unitet superior që arrin, sipas Eliade, qëllimin e tij simbolik në figurën e androgjinit.

Konkluzë

Teozofia moderne e të kundërtave, bazuar në doktrinën hermetike të coincidentia oppositorum, çon në një bashkim shqetësues midis hyjnores dhe djallzores, çon në idenë e Djallit Zot. "Është kudo vepruese" shkroi Romano Guardini në vitin 1964 "ideja gnostike bazë se kontradiktat janë polaritet: Goethe, Gide, C.G. Jung, T. Mann, H. Hesse … . Të gjithë e shohin të keqen, negativen […] si elementë dialektikë në tërësinë e jetës, të natyrës” 49. Ky qëndrim, për Guardinin, "manifestohet tashmë në gjithçka që quhet gnosë, në alkimi, në teozofi. Paraqitet në një formë programatike me Gëten, për të cilën satanikja ndërhyn deri edhe në Zot, e keqja është forca origjinale e universit po aq e nevojshme sa e mira, vdekja është vetëm një element tjetër i kësaj tërësie, poli i kundërt e të cilës quhet jetë. Ky opinion është shpallur në të gjitha format dhe konkretizuar në fushën terapeutike nga C.G. Jung" 50.

Ideja themelore është se shëlbimi kalon përmes degradimit, hiri nëpërmjet mëkatit, jeta përmes vdekjes, kënaqësia nëpërmjet dhimbjes, ekstaza përmes perversionit, hyjnorja nëpërmjet diabolikes. Magjepsja që negativi - metaforë e demoniakes - ushtron mbi kulturën bashkëkohore varet nga kjo ide e veçantë: që rrugët e parajsës kalojë nëpër ferr, se "Zbritja në Hades dhe ringjallja" janë një 51.

Dorëzimi tek djalli, në një transpozicion të veçantë gnostik të idesë se duke u humbur dhe rigjetur, do të thotë t’i ofrohesh Zotit. Në këtë aleancë “të shenjtë” Satani dhe Zoti bashkohen tek njeriu. Është “identiteti i de Sade dhe mistikëve” 52, dëshiruar nga Georges Bataille. Për të, rruga tëposhtë përputhet me rrugën lart. Fausti tani nuk mund të pendohet, madje as në momentin e vdekjes. Kundërshtari është bërë bashkëpunëtor, “pjesë” e Perëndisë. Është rruga për t’u bërë perëndi. Emocioni i hiçit, i zbritjes në Ferr, shoqëron zbulimin e Qenies, të Abraxas, pleroma-s pa fytyrë që mbetet e palëvizshme në bërjen e vazhdueshme të botës.

Fund

Pjesën e mëparshme e gjeni këtu


Artikullin në origjinal e gjeni këtu


39 C.G. Jung, Psicologia e religione, tr. it. in: C. G. Jung, Opere, vol. XI, Milano 1984, p. 83.
40 C. G. Jung, Saggio d’interpretazione psicologica del dogma della Trinità, tr. it., in: C. G. Jung, Opere, vol. XI, op. cit., p. 191.
41 Op. cit., p. 190.
42 C. G. Jung, Prefazione a Z. Weblowsky, "Lucifero e Prometeo", tr. it. in: C. G. Jung, Opere, vol. 11, op. cit., p. 299.
43 C. G. Jung, Saggio d’interpretazione psicologica del dogma della Trinità, op. cit., p. 171.
44 Op. cit., p. 174.
45 H. Hesse, Demian. Storia della giovinezza di Emil Sinclair, tr. it., in: H. Hesse, Peter Camenzind - Demian. Due romanzi della giovinezza, Roma 1993, p. 185.
46 Op. cit., p. 185. Corsivi nostri.
47 Op. cit., p. 216.
48 Op. cit., p. 207.
49 R. Guardini, Diario. Appunti e testi dal 1942 al 1964, tr. it., Brescia 1983, p. 245.
50 R. Guardini, Lettere teologiche ad un amico, tr. it., Milano 1979, p. 63.
51 E. Zolla, Discesa all’Ade e resurrezione, Milano 2002.
52 G. Bataille, Frammenti su William Blake, tr. it., in: Selected Poems of William Blake, op. cit., p. 163.

1 Like

Shejtoni e kap atena me atë qetrën që e di tina ma mir se una - i Modhi :smiley: