nga Massimo Borghesi
Satanai në Zot
Satani nuk paraqitet vetëm si Promete, kundërfigurë e Engjëllit të rënë të Miltonit, Satani është gjithashtu si Zot. Teologjia gnostike, që gjëndet në qendër të ateizmit rebel të dy shekujve të fundit, bën dallim midis Luçiferit (çlirimtarit) dhe Satanit (tiranit). Ajo gjen formën e saj shembullore në mendimin e Ernst Bloch. Për Bloch është "nga njëra anë Zoti i botës që identifikohet gjithnjë e më qartë me Satanain, Armikun, amullinë, nga ana tjetër Zoti i ngjitjes të ardhshme në qiell, Zoti që na shtyn përpara nëpërmjet Jezuit dhe Luciferit" 27. Zoti i botës, krijuesi, është demiurg keqdashës, kundër të cilit është rebeluar gjarpri në Eden, miku i vërtetë i njeriut. Është Luçiferi, me dëshirën e tij për të qenë si Perëndia, që i zbulon njeriut destinacionin e tij. "Vetëm si Luçifer, mbajtur sekret në Jezu për tu manifestuar më pas, në fund, në kohën kur kjo fytyrë mund të zbulohet; vetëm si Luçifer, në hall pasi u braktis për herë të dytë, që kur nga kryqi u lëshua britma e cila mbeti pa përgjigje, që kur për herë të dytë u shtyp koka e Gjarpërit të parajsës varur në kryq: vetëm në Atë pra, në të Fshehurin në Krisht, përsa anti-demiurgik absolut, është përfshirë elementi autentik teurgjik që rebelohet meqë bir i njeriut" 28.
Gjarpëri, njësoj si sekti i Ofitëve përmëndur nga Bloch në veprën Ateizmi në krishterim, është pra çlirimtari. Dy herë i nënshtruar, në Eden dhe në Krisht të ngritur në kryq si Gjarpëri prej bronzi i Moisiut, ai pret hakun e tij, fitoren e tij mbi Demiurgun që hap “epokën e Shpirtit”. Një mendje me Marcionin dhe Gioacchino da Fiore, Bloch është udhëkryqi i të gjithë gnosës moderne. Jezui, paradhënie e Perëndisë që do të vijë, i Zotit "njerëzor", është shëlbuesi prej perëndisë "satanike", zotit të kozmosit, rendit dhe ligjit. Revolucioni, si shpërbërje e rendit të vjetër, në këtë rast është vepra e Luçiferit par excellence.
Bloch përmend, në veprën Ateizmi në krishterim, figurën e William Blake si precedent i shquar i reflektimeve të tij. Poeti anglez, i hipnotizuar nga revolucioni amerikan dhe ai francez, kishte, përveç Biblës, katër mësues: Milton, Shakespeare, Paracelsus, Böhme. Të parit i dedikoi një poemë epike të shkurtër, me titull Milton, ndoshta shkruar midis 1800 dhe 1803. Në të Urizen, Princi i Dritës, shfaqet identik me Satanain. Çfarë është e veçantë tek Blake është vepra e tij The Marriage of Heaven and Hell (Martesa e Qiellit dhe Ferrit) shkruar në 1790. Në këtë vepër shenjtërimi i pulsioneve dhe dëshirave, in primis ato seksuale, "for everything that lives is Holy" (gjithçka që jeton është e Shenjtë), përbën shugurimin e tij teorik. Për atë nuk ekziston më e keqe që mohon të mirën; e keqja dhe e mira janë të dyja të nevojshme. "Pa kundështi nuk ka progres. Tërheqje dhe Shtytje, Arsye dhe Energji, Dashuri dhe Urrejtje janë të nevojshme për ekzistencën njerëzore. Nga këto kundërti buron çfarë njeriu fetar quan Mirë dhe Keq. Mirë është pasiviteti që i bindet Arsyes. Keq është aktiviteti që buron nga Energjia. Mirë është Qielli, Keq është Ferri" 29.
E keqja, ashtu si në Faustin e Goethe, është ajo që jep energji, që zgjon të mirën e përgjumur. Djalli është fuqia e Perëndisë. Në këtë konceptim të tij Blake ishte borxhli ndaj Jacob Böhme që i pari, në hapësirën e mendimit modern, kishte guxuar të tregonte të keqen tek Perëndia. Philosophus teutonicus, sipas Hegelit “ishte i pari që krijoi në Gjermani një filozofi me karakteristikat e veta” 30, i vlersuar nga Leibniz, Hegeli, Schelling, von Baader dhe e gjithë rryma teozofike e mendimit modern, është ai për të cilin sipas parimit të parë Zoti nuk quhet Zot, por Zemërim, Furi, burim hidhërimi, dhe prej këtej vijnë e keqja, dhimbja, drithma dhe zjarri përpirës" 31. Iradi Zot është tejkaluar në dashuri; megjithatë mbetet Urgrund, parimi fillestar nga i cili nis gjithçka. Böhme, sipas Hegelit, “u përpoq të kuptojë Zotin, dhe prej Zotit negativen, të keqen, Djallin” 32. Perëndia është uniteti i të kundërtave, i zemërimit dhe dashurisë, i të keqes dhe të mirës, i Djallit dhe të kundërtës së tij, Birit. Në këtë pozicion, Krishti dhe Satani bëhen në një farë mënyre vëllezër, bij të njëjtit Atë, pjesë të Tij, momente të natyrës së Tij polare. Këtë thotë Carl Gustav Jung në veprën e tij ezoterike Septem Sermones ad tij Mortuos shkruar në vitin 1916, qarkulluar si një broshurë për miqtë dhe kurrë shpërndarë në librari. Teksti, i cili i referohet në mënyrë ideale gnostikut Basilidesi, pohon natyrën “pleroma” të Zotit përbërë nga çifte të të kundërtave në të cilat “Zoti dhe djalli janë manifestimet fillestare” 33. Ata dallohen mes tyre si krijimi dhe korrozioni, jeta dhe vdekja. E megjithatë, “efektiviteti është i përbashkët për të dy. Efektiviteti i bashkon. Pra efektiviteti është mbi ta, dhe është një Zot mbi Zot, sepse nën efektin e tij bashkon plotësinë dhe zbraztinë” 34. Ky Zot, që bashkon Zotin dhe Djallin quhet, nga Jung, Abraxas. Është forca origjinale që qëndron më parë çdo dallimi. “Abraxasi gjeneron të vërtetën dhe gënjeshtrën, të mirën dhe të keqen, dritën dhe errësirën, në të njëjtën fjalë dhe në të njëjtin akt. Prandaj Abraxasi është i tmerrshëm” 35. Ai është “dashuria dhe vrasësi i saj”, “shenjtori dhe tradhtari i tij”, është “bota, zhvillimi dhe kalimtaria e saj. Për çdo dhuratë të Zotit diell, djalli lëshon mallkimin e tij” 36. Mesazhi ezoterik i veprës Shtatë Predikimet çoi, si tek Blake, në shenjtërimin e natyrës, në pafajësinë e zhvillimit. Kjo implikonte, pikërisht për këtë arsye, justifikimin e së keqes, të Djallit, vendosjen e tij, si tek Böme, në një sistem polar. Nuk është rastësi që Martin Buber, sapo u njoh me broshurën, do të flasë në këtë rast për gnosë . “Ajo - dhe jo ateizmi, që anulon Zotin, sepse i duhet të mohojë përfytyrimet që janë bërë për Atë deri tani - është kundërshtari i vërtetë i realitetit të besimit” 37. Psikologjia e Jungut për Buberin nuk ishte asgjë më shumë se “ritrajtim i motivit carpocracian, tani i trajtuar si psikoterapi, i cili hyjnizon mistikisht instinktet në vend që t’i shenjtërojë në besim” 38.
Fund i pjesës së tretë
Pjesën e mëparshme e gjeni këtu
27 E. Bloch, Spirito dell’utopia, tr. it., Firenze 1980, p. 314.
28 Op. cit., p. 252.
29 W. Blake, Il matrimonio del Cielo e dell’Inferno, op. cit., pp. 19-20.
30 G. W. F. Hegel, Lezioni sulla storia della filosofia, tr. it., 4 voll., Firenze 1973, vol. III(2), p. 35.
31 Citato in: F. Cuniberto, Jacob Böhme, Brescia 2000, p. 119.
32 G. W. F. Hegel, Lezioni sulla storia della filosofia, op. cit., vol. III(2), p. 42.
33 C. G. Jung, Septem Sermones ad Mortuos, tr. it., in: Ricordi, sogni, riflessioni di C. G. Jung, Milano 1990, p. 454.
34 Op. cit., pp. 454-455.
35 Op. cit., p. 456.
36 Ivi.
37 M. Buber, L’eclissi di Dio, tr. it., Milano 1983, p. 139.
38 Ivi.