Përçatje babelike

mihai-ignat-romania-babel-e

Flober, Bouvard dhe Pécuchet (1881)
Dy protagonistët, me zanat kopistë, janë të pushtuar nga etja për njohuri enciklopedike, duan të dinë gjithçka që shkenca ka zbuluar dhe të mësojnë gjithçka që ka ndodhur. Ata hetojnë si autodidaktë fushat e panumërta të dijes njerëzore, i katalogojnë, ndajnë, rendisin, por pa asnjë kriter përzgjedhës. Bouvard dhe Pécuchet janë një enciklopedi e gjallë, lëvrojnë gjithçka ekzistuese në kulturë: artin e peizazhit, distilimin, kiminë, anatominë, farmaceutikën, frutikulturën, bujqësinë, fiziologjinë, mjekësinë, higjienën, astronominë, gjeologjinë, arkeologjinë, kritikën e letërsisë, teatrin, politikën, hidroterapinë, gjimnastikën, okultizmin, magnetizmin, spiritizmin, filozofinë, fenë, arsimin etj, pa fund.


Musil, Njeriu pa cilësi (1933)
Gjenerali Stumm von Bordwehr - monomaniak i dijes absolute dhe universale të distiluar nga miliarda faqe librash të prodhuara nga qytetërimi - hyn në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës dhe kupton i rrethuar nga katalogët dhe rreshtat e rafteve të librave, se nuk do të mjaftonin as dhjetëmijë vjet për t’ia dalë në krye ndërmarrjes së leximit të së gjitha njohurive që përmbaheshin aty.


Sartër, Neveria (1938)
Personazhi me llagap Autodidakti është një humanist eksentrik naiv me ambicie të fitojë gjithëkulturë duke lexuar tërë tekstet e bibliotekës së qytetit sipas rendit alfabetik pa asnjë kriter përzgjedhës. Pas shtatë vjetësh mundi të arrijë në shkronjën L.


Borges, Biblioteka e Babelit (1941)
Biblioteka në fjalë përmban të gjithë librat e mundshëm, çdo gjë ekzistuese dhe të menduar, çdo potencial të mundëshëm; asgjë nuk mungon në këtë Bibliotekë, megjithatë një jetë e vetme nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme për të gjetur çfarë kërkohet, kaq shumë janë dhomat e saj eksagonale për tu eksploruar.


Roberto Calasso, L’ innominabile attuale (faqe 87, 2017)

Në TED Talk të 25 Prillit 2017, Stuart Russell njoftoi një tjetër çështje të rëndësishme që do trajtohej në librin e tij të ardhshëm. Si mund të arrihej që roboti superinteligjent të orientohej midis vlerave njerëzore? Pyetje e vështirë, por - si zakonisht - e zgjidhëshme. Russell deri pardje kishte treguar se cili duhet të jetë objektivi i “Human-Compatible AI”. Por nuk ishte e qartë se si do veprohej. Si të gjithë bashkëpunëtorët e tij, Russell mendonte se një sasi masive të dhënash mjaftonte për të zgjidhur problemin. Zgjidhje tepër e përgjithshme. Tani duket se i ka ardhur frymëzimi që përcakton modus operandi që duhet ndjekur: makina duhet të mësojë të lexojë. Çfarë? Gjithçka. Do të lexojë “gjithçka që ka shkruar raca njerëzore”. Këto janë pak fjalë, por mjaftojnë për të imagjinuar një llahtari që asnjë roman fantastiko-shkencor nuk ka mundur të ndjellë: një grumbull stërmadh shenjash të çdo lloj alfabeti që lexohen nga një robot dhe prej të cilave gurgullon, si shurup viskoz, lëngu i vlerave.

1 Like

Një koncept është i vështirë të kuptohet sepse nuk dëshirohet të pranohet.

Fakti dhe dokumenti janë si trup pa shpirt, kërma të dekompozuara ose mumje si fakte të dokumentuara nëpër anale; shpresa që ne të dimë është qenia e dëshmitarëve në të përtejmen.

Fundi i Historisë ka vetëm kuptim pozitiv, si fund i të keqes, dhe është një koncept fetar në origjinë, më i theksuar në fetë e Librit, veçanërisht në Krishterim dhe teologjinë e krishterë. Hegeli e ka laicizuar konceptin fetar të Fund i Historise, ndërsa Fukuyama, akoma më keq, e ka politizuar duke degraduar me tej e duke treguar se potencialisht ka gjithmonë një fund akoma më të keq. Fund më i keq sa s’ka më keq është koncepti postmodern për historinë që është një grumbull kaotik ngjarjesh pa fillim e pa fund.

Diskurset për perëndimin e Perëndimit, që kanë për profet Spengler & co, thellë thellë janë të motivuar nga kënaqësia arketip e Thanatos, e cila është destini i Krishtërimit dhe për pasojë edhe Perëndimit të themeluar në Krishtërim, meqë vënë në kryq themeluesi tha: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote”.

5 komente, të pesta ti. PPU ishte një vend aq dinamik, ti e thave.

1234567890

Perëndimi nuk perëndon kurrë sepse përfiton nga situata ekstreme dhe përfundimtare e historisë e ashtuquajtur globalizëm; nëse Perëndimi merr fund, ateherë merr fund planeti dhe tërë njerëzimi. Situata e sotme është e ngjashme me kalbjen e Perandorisë Romake, por nuk është e njëjta gjë. Historia mund të vazhdonte mbas shembjes së Perandorisë Romake, si edhe ndodhi, por nuk mund të ndodhë e njëjta gjë me Perandorinë perëndimore, gjithnjë e në kalbëzim e sipër stand by derisa të zgjidhet pozitivisht situata.

Falë Covid-it kemi mbërritur Fundin e Informacionit dhe hyrjen në Epokën e Fak(e)informacionit me interpretime të panumërta pozicionesh kamasutra.

Filosofia shpjegon noumenin, shkenca hulumton fenomenin.

Fakti që rërat e shkretëtirave fshehin qytetrime të mëdha të mbirë në tokë dikur pjellore, dëshmon për natyrën acide të kulturës.
Tokë e xanun, tokë e djegur.

Shndërrimi i fetarit në ateist mund të thuhet ndryshe shndërrim i fanatikut në supersticioz.

Të kërkohet një kuptim në histori është si të kërkohen nëpër re forma luanësh dhe malesh - Jorge Luis Borges

Nëse historia nuk ka kuptim, atëherë edhe sjellja e njeriut pa kuptim; të kërkohet një kuptim në sjelljen e njeriut, dmth të kërkohet drejtësi, respekt dhe mirdashje, është si të kërkohen nëpër re shtëllungore forma tankesh që bombardojnë shtëpitë ose forma shkrimtarësh të mëdhenj hipokritë që thonë vetëm fjalë të bukura me shumë kuptim.

Fan-i dhe turisti, komplementare midis tyre si mendja dhe trupi, janë dy figurat më të degraduara, më të kota, më shkatërrimtare dhe më të rrezikëshme të races njerzore, shënojnë fundin e botës, me tej nuk shkohet dot. Fan-i dhe turisti kërkojnë të mbushin përkatësisht boshllëkun ekzistencial shpirtëror dhe kotësinë e qenies fizikisht diku në botë në kërkim të dalldisur përkatësisht të Adamit (dhe Evës) origjinal dhe Edenit të humbur në origjnë të historisë.

Fan-i dhe turisti, dy pyetjeve më kryesore ekzistenciale, përkatësisht: “Kush jam unë?” dhe “Çfar po bëj këtu?”, i japin përgjigje me veprimet e tyre që njeriu është një kotësirë kozmike që endet kot më kot nëpër botë.

E kuptuara nuk është vetëm akt intelektual, por edhe akt veprimi konkret; nuk ka njohje pa vepruar më parë, njohje në hava pa veprim konkret është falsitet.

Një vepër arti dikush e gjen llahtarisht të shëmtuar dhe dikush tjetër i kundërvihet se i duket sublime; i treti pe të vërteti paqton palët në sherr drejt e në ferr duke e quajtur vepër sublime pikërisht se vepër llahtarisht e shëmtuar.

Dashuria është me përkufizim një dhuratë e pamerituar; përkundrazi, të qenit i dashuruar pa meritë është prova e dashurisë së vërtetë […] Është shumë më tepër e vyer të thuhet: Jam i çmendur pas teje edhe pse nuk je as inteligjent dhe as i ndershëm, megjithëse je gënjeshtar, egoist dhe i poshtër! - Milan Kundera, Ngadalsia

Kjo fjali është një shembull i shkëlqyeshëm se dallimi midis të rremës dhe të vërtetës, midis të ndyrës dhe të pastërtës, është një fije tepër e hollë rreth të cilës luhet si xhongler me fjalën, e cila nuk e rrok dot tërë realitetin, arsye përse fjala është e lirë. Midis lirisë dhe xhonglerizmit pervers ndodhet e padallueshme, por jo e pandjerë, e njëjta fije e hollë.

Kush nuk ka vizione të mëdha për të ardhmen dhe të tashmen, nuk ka pasur as vizione të mëdha në të kaluarën.

Vesi dhe imoraliteti kanë qenë gjithnjë të pranishme në histori, por në epokën postmoderne ose postotalitare (pjesërisht në postnazifashizëm dhe krejtësisht në postkomunizëm si Fund i Historisë) ndodh një hop cilësor: imoraliteti fiton normalitet në opinionin publik - deri zyrtarisht dhe ligjërisht -, sepse nuk ka kush e kundështon më, nuk ekziston më as morali hipokrit totalitar që t’i kundërvihet. Një shoqërie i duhet me patjetër dialektika e të kundërtave që të ekzistojë, prandaj shoqërisë postmoderne i duhet të rishpikë të kaluarën obskurantiste totalitare si akoma e pranishme në mes tënë që i kundërvihet me furi të resë të ndritëshme demokratike. Realisht nuk ka lufte të kundërtash sepse e keqja ka fituar totalisht dhe totalitarisht në realitet, e mbi të zhvillohet në surealitet beteja e rrebët për demokraci të kërcënuar nga një armik që nuk ekziston. Ekziston vetëm demokracia, vetë zot e vetë shkop, vetë mik e vetë armik.